Gazeta Shqiptare

Kronikë nga fshati i harruar

- Fatmira Nikolli

Dy shekuj më parë, Edward Lear shkruante se "duket si të jetë vënë mes qiellit e reve". Sot, Piluri është rreth 45 minuta larg nga qendra e Himarës. Për të mbërritur në fshatin e njohur si ballkoni i bregut, përshkohet një rrugë që gjarpëron në shpate kodrash. Pjerrësia e vështirësi­a të kujton Llogaranë, veçse rruga në më të shumtën e saj është e pashtruar. Emri i fshatit përmendet që më 1432, mandej del në dokumentet ku flitet për rezistencë ndaj osmanëve; ai del herë si pjesën e nahijes së Sopotit e herë si pjesë e Sanxhakut të Delvinës. Shekuj më vonë e gjen në letrat dërguar Papa Gregorit të XIII më 1577, careshës ruse Elisabetë më 1759 a perandorit austriak Franc Jozefi i dytë më 1786. Një gurore që ka nisur të ndryshojë peizazhin është veçse një stacion drejt fshatit, që fshihet matanë reve. Si në legjenda ka male që duhen kaptuar në ' rrugë dhensh' për të mbërritur atje. Së pari të shfaqet një kodër me gjurmë shtëpish të rëna, mandej me një uniformite­t karakteris­tik, të dalin para banesat e sotme - me hyrje të ndërtuara me harqe, janë pothuaj të njëjta me ato të fshatrave të Bregut, një a dykatëshe, me kthina ku vendin kryesor e zë oda e miqve. Lidhja mes shtëpive bëhet përmes rrugicash të kalldrëmta dhe në lartësinë me të madhe të fshatit është kisha, rrethuar nga një kurorë lisash. Qendra e fshatit është megjithatë, një shesh me rrap në mes. Ka të dhëna jete që në prehistori, me vendbanime të shekujve VII- VI, ndërsa pranë kodrës së Kolzës ndodhet një nekropol antik i njohur prej vendasve si Varret e Jelimëve.

SOUTH OUTDOR FESTIVAL

Për natyrën e ashpër, për ' rrugët e dhenve' dhe për të risjellë në vëmendje fshatin e harruar prej ku duket megjithatë bregu i Himarës, në datat 29 prill- 1 maj, në Pilur u mbajt South Outdoor Festival, një projekt i GIZ në bashkëpuni­m me Shqipërinë. Qendra e veprimtari­ve ishte pllaja e Vanovës, që mblodhi turistë nga Shqipëria e jo vetëm, për tri ditë, duke e bërë Pilurin, Himarën, Dhërmiun e zonat përreth mikpritëse të të ardhurve dhe hapësirë për sporte të ndryshme të aventurës. Makina të GIZ- it gjerman ngjiteshin në fshat e zbrisnin në Himarë në frekuenca të shpeshta, me gjithë faktin që turistët qenë shumë më tepër se parashikim­et. Në Vanovë ishte menduar për gjithçka, nga ushqimet, mbledhja e mbeturinav­e pas çdo vakti, e deri tek tualetet e lëvizshme, forca private të sigurisë, forca policore e deri tek ndihma e shpejtë.

Veç zjarrit të ndezur në mes të fushës dhe kashtës së grurit në vend të ulëseve, Vanova ofroi kamp- ing e parkim për qindra të ardhur. Prodhimet e Pilurit qenë baza e kulinarisë për të cilën u kujdes shefi Sokol Prenga, ndërsa zona e Himarës u bë baza e të gjitha sporteve që u ushtruan në det, tokë e ajër. Qëllimi i festivalit ishte promovimi i rajonit jugor, duke evidentuar potenciale­t natyrore ( deti e mali), zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë vendase. Aktivitete­t sportive ' outdoor' ( ecje malore, çiklizëm malor, yoga, kanoe, parashutiz­ëm, zhytje e shumë të tjera u shoqëruan me aktivitete kulturore, muzikë live dhe iso- polifonike, kinema e hapur dhe panair i produktesh artizanale dhe produktesh lokale. Gjatë gjithë festivalit u shijua vetëm kulinaria tradiciona­le vendëse me produkte të zonës. Nisma e qeverisë gjermane, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë e Turizmit si edhe ajo e Energjetik­ës, synoi të rrisë të ardhurat përmes turizmit e kulturës duke i paraprirë sezonit turistik veror. Për shkak të terrenit blegtoria është më e përhapur se bujqësia dhe banorët njihen për produktet e mishit dhe ato të qumështit përgatitje­n. Kuzhina piluriote njihet për mishin e pjekur të qengjit, kecit, lopës; për byrekun "ksirogjak" - që njihet si përvëlak dhe lakrat e egra të ziera; për qullin e trashë të njohur si këmbëkuqe e lloje të ndryshme byrekësh, reçelra, turshi, etj. Qindra turistë që morën pjesë provuan kombinimin e turizmit malor dhe turizmit të aventurës, e nën moton jo vetëm det, Piluri e fshatrat e tjerë të Himarës u bënë strehë të një festivali, që u mbajt për herë të parë. Në forumin me gazetarët, mbajtur të dielën, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, premtoi energji elektrike në sezonin turistik dhe një rrugë të shtruar për drejt fshatit, po për ironi, e diela pat gdhirë pa drita. Mandej, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrj­es, Milva Ekonomi foli për rëndësinë e aktivitete­ve si festivali "South Outdoor" dhe foli për turizmin e qëndrueshë­m. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, dy ministrat dhe kreu i Bashkisë Himarë e Vlorë, premtuan në këtë parafushat­ë elektorale se këtë vit, qytetet bregdetare do jenë të pastra, pasi kanë nisma të reja e investime për plehrat. Në fund të festivalit, fshati mbi Himarë, rikthehet në mjegull, duke ruajtur shpresën për një event që rivjen vitin tjetër. E siç kishte parashikua­r HansJurgen Cassens, drejtor Rajonal në GIZ "prezantojm­ë fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimi­së kulturore. Kombinimi i aktivitete­ve ' outdoor' me kulturën e traditën mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut, e shpresoj që festivali të kontribuoj­ë në arritjen e këtij qëllimi".

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania