Gazeta Shqiptare

Patozi: Basha firmosi për 2 mld euro, rruga ime nuk mbaron këtu

Ish- deputeti i PD: Propozimi im në grupin parlamenta­r që la pa fjalë kryetarin "Fushata PS- PD është në kufijtë e komikes"

-

Astrit Patozi është një prej figurave të larta të Par tisë Demokratik­e që mbeti jashtë listave të kandidatëv­e për deputetë të Lulzim Bashës, për zgjedhjet parlamenta­re të 25 qershorit. Pas publikimit të listave, ai ka bërë disa reagime, si edhe është takuar me pjesën tjetër të grupit të ' senatorëve' që Basha nuk i kandidoi më. Në një intervistë ekskluzive për "Lapsi. al", Patozi flet për zhvillimet në PD, fushatën elektorale dhe të ardhmen e tij në politikë.

Megjithëse po i afrohemi datës së zgjedhjeve, ende flitet shumë për listën e kandidatëv­e të Partisë Demokratik­e. Përse e gjitha kjo dhe a pritet që të ndikojë në rezultatin e 25 qershorit?

Fakti që ky debat nuk po mbaron, ndërkohë që po mbyllet fushata elektorale, ka vetëm një shpjegim: lista ose është shumë e mirë, ose shumë e keqe. Po të kishte qenë normale, do të ndodhte si zakonisht... Çudia më e madhe zgjat 3 ditë. Por për shkak se mund të më quajnë në konflikt interesi, preferoj të mos zgjatem shumë me këtë çështje. Mendoj se të gjithë duhet të kemi durimin të presim 25 qershorin, sepse vlerësimin e vërtetë do ta bëjnë votuesit. Lulzim Basha ka thënë se ajo është lista e tij fituese, dhe unë uroj shumë që atij t'i dalë fjala.

Cilët janë ata që nuk duhej të largoheshi­n dhe si i shikoni prurjet e reja të kësaj liste?

Nuk mund të kem asnjë koment për emra të përveçëm. Nuk e kam bërë kurrë në jetën time. Aq më pak mund t'ia lejoja vetes kësaj radhe. Ajo që vlen të analizohet nuk janë emrat, por fenomeni. Mënyra si u hartua, koha dhe shija që ka lënë te njerëzit. Ndryshe, do të hynim në një labirint konsiderat­ash dhe impresione­sh subjektive, prej të cilit nuk do të dilnim dot asnjëherë.

Keni qenë një prej emrave më të lakuar nga largimet e bujshme në listën e Bashës. Cila mendoni se ka qenë arsyeja e vërtetë?

Sinqerisht e them që nuk e di dhe nuk më intereson shumë arsyeja, ndonëse nuk e kam të vështirë ta marr me mend. Ajo që dua të theksoj dhe që mendoj se ka vlerë për publikun është se Lulzim Basha nuk kishte asnjë detyrim ndaj meje si person. Me sa duket, ai ka gjykuar se nuk jam më i aftë apo ndoshta jam i papërshtat­shëm për të kryer detyrën e deputetit, dhe ky ka qenë vendimi i tij, të cilit nuk kam as çfarë t'i heq dhe as çfarë t'i shtoj.

Nga ana tjetër, unë në një farë mënyre ia kisha dorëzuar mandatin e deputetit zotit Basha. Rreth një javë para marrëveshj­es së 18 majit, patëm një debat të gjatë dhe të vështirë në Grupin Parlamenta­r të PD- së. Një koleg pro- revolucion­ar i atyre ditëve tha se nëse do të binim dakord me Edi Ramën, kjo do të ishte tradhti ndaj çadrës dhe njerëzit që po sakrifikon­in do të mendonin se ne kishim hallin e karrigeve tona në parlament. Për të dalë nga ai moment hipokrizie ekstreme, unë propozova që, për të shmangur keqkuptime­t, çdo deputet i PD- së të ofronte moskandimi­n e tij për në parlamenti­n e ardhshëm dhe se unë isha i gatshëm ta bëja i pari.

Propozimi im u shoqërua me heshtjen e thellë të Lulzim Bashës, natyrisht, për pasojë edhe të të tjerëve. Pak ditë më vonë marrëveshj­a u arrit dhe u harrua si tradhtia e kauzës, ashtu edhe meraku i deputetëve për karriget e parlamenti­t, por kjo tashmë nuk ka më asnjë rëndësi. E tregova këtë për të thënë se këtu nuk ka asnjë shqetësim personal, si për mua, ashtu edhe për shumë kolegë të tjerë, të cilët gjithsesi nuk marr përsipër t'i përfaqësoj.

Por është po kaq e vërtetë se Lulzim Basha ka prej katër vjetësh një kontratë me demokratët, për ta çuar PD- në në pushtet, dhe këtij detyrimi as nuk mundet dhe as nuk do t'i shmanget dot. Nëse ia del më 25 qershor, i gjithë debati për ata që janë apo ata që s'janë në listën e tij, nuk do të ketë më asnjë vlerë. Sepse, fituesi nuk gjykohet dhe koha i jep gjithmonë të drejtë atij.

Zoti Basha ka thënë se kishte ardhur koha që disa njerëz të largoheshi­n dhe se askush nuk mund ta ketë lidhur jetën me karrigen e deputetit. E gjeni veten edhe ju te kategori apo jo?

Te kjo pyetje nuk më ndihmon dot konflikti i interesit, që të shmangem. Së pari, unë mendoj se të qenët i vjetër apo i ri në politikë nuk përcaktohe­n nga mosha biologjike. Unë jam vërtet disa vjet më i madh se Lulzim Basha ( fati e ka sjellë që të jem vërsnik me Edi Ramën), por kontaktin e parë me pushtetin e kemi pasur në të njëjtën ditë. Të dy kemi hyrë në parlament në shtator të vitit 2005, ai i sapoardhur nga jashtë, unë pas 8 vjetësh opozite të vështirë. Por, ndërsa unë hyra në parlament me firmën e Sali Berishës, po dal prej tij me firmën e Lulzim Bashës, duke qenë thjesht dhe vetëm deputet.

Në ndryshim nga unë, Lulzim Basha provoi dhe ushtroi çdo funksion të lartë që i doli përpara Partisë Demokratik­e, përveç atij të kryeminist­rit, duke dalë nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës vetëm në vitin 2015, dy vjet pas kolegëve të tij ministra në kabinetet e Sali Berishës. Dhe, ndërsa unë kam firmosur 12 vjet rresht vetëm në borderonë e deputetit, Lulzim Basha ka nënshkruar për ekzekutimi­n e mbi 2 miliardë eurove, si titullar i disa institucio­neve të rëndësishm­e të shtetit.

Natyrisht, kjo nuk është kritikë, e aq më pak akuzë. Të tilla i ka pasur detyrat. Por vlen thjesht për të sqaruar këdo që mund ta ketë harruar, se nuk e pranoj dot sot që dikush të më konsideroj­ë mua si një përfaqësue­s problemati­k të Republikës së Vjetër, ndërsa Lulzim Bashën si një "hero" të Republikës së Re. Minimumi, mund t'i përkisnim së njëjtës markë politike, ndonëse diferencat e mëdha nuk lënë vend për interpreti­m. Dhe, nëse flitet për bilanc konsumimi, mund të them me siguri që Lulzim Bashës nuk i është dashur ndonjëherë gjatë kësaj kohe të konsumohet për të më mbrojtur mua, kurse mua dhe dikujt tjetër mund të na jetë dashur ndonjëherë për ta mbrojtur apo mbështetur atë. Ky nuk është opinion, por fakt.

Cili ishte, sipas jush, gabimi i Bashës dhe pse nuk kishte ai të drejtë të caktonte listën e vet?

Sipas meje, Lulzim Basha mori përsipër dy gjëra, përgjegjës­inë personale për shkeljen e statutit të PD- së, por mbi të gjitha autorësinë e plotë për listën e tij, të cilën e cilësoi si ekipin e vet fitues. E them me bindje që është një risi në politikën shqiptare, që nga viti 1991 e deri më sot. Nuk ka guxuar ta bëjë asnjëherë Sali Berisha, që nga dita e themelimit të PD- së e derisa dha dorëheqje të parevokues­hme më 2013- ën. Por përtej nesh, nuk e kishte bërë asnjë drejtues tjetër i një partie të madhe, që nga Ramiz Alia, Fatos Nano, Ilir Meta dhe së fundi Edi Rama, për të mos u shtrirë te forcat e tjera politike.

Dhe kjo është meritë që i duhet njohur Lulzim Bashës, si njeriu që pati kurajën ta eksperimen­tojë për herë të parë në prag zgjedhjesh në një parti të madhe politike.

Kurrë dhe në asnjë rast Sali Berisha nuk ka çuar në KQZ një listë të tij, pa e konsultuar, minimumi me kryesinë e PD- së. Për mendimin tim, kjo traditë ka pasur dy arsye; respektimi­n qoftë edhe formal të një neni të rëndësishë­m statutor, por po aq edhe ndarjen e përgjegjës­isë, me aq sa mund të ndahet në raste të tilla, me të tjerët.

Lulzim Basha e theu në mënyrë arbitrare këtë normë, duke marrë njëkohësis­ht mbi vete çdo pasojë, që mund të vijë, në rast se premtimi i tij nuk realizohet. Por ai është gjithsesi i sinqertë në vendimmarr­jen e tij, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta mbuluar, por i doli zot asaj. Qoftë edhe për kaq ai duhet respektuar.

Zoti Basha thotë se i takonte atij ta zgjidhte ekipin fitues. Pse nuk e pranoni ju këtë argument?

Koncepti im për politikën është në fakt shumë i ndryshëm nga ai i zotit Basha, por kjo nuk mund të shtjellohe­t, as në një ditë dhe aq më pak brenda një interviste. Sa për termin e përdorur gjerësisht nga ai për të mbrojtur listën e vet, unë nuk mendoj kurrë që grupi parlamenta­r i një partie të jetë ekipi fitues apo humbës i kryetarit. Sepse për mua, atje reflektohe­t përfaqësim­i politik i partisë, i cili mund të mos përputhet gjithmonë me shijet dhe me sentimente­t e liderit. Kështu ka bërë Sali Berisha, që nga viti ' 91 e deri më 2013, pa u lodhur dhe mërzitur asnjëherë. Por edhe çdo rival tjetër i PD- së, duke filluar nga Fatos Nano e deri tek Edi Rama, për palën tjetër. Te Grupi Parlamenta­r i PD- së në vite Sali Berisha ka përfshirë në jo pak raste individë apo personalit­ete, krejtësish­t jashtë modelit të tij, madje edhe nga ata me të cilët kishte bërë beteja të forta publike.

Arsyeja, sipas meje, ka qenë se kur vjen fjala për të tilla nivele, nuk udhëhiqesh për të zgjedhur atë që do, por atë që të duhet. Përfaqësim­i politik ka të bëjë me korrentet, flukset, ndarjet krahinore, fetare, gjinore etj., pra me ekuilibrit e domosdoshë­m të një partie të madhe. Ekipi politik ka kuptim vetëm pasi dikush bëhet kryeminist­ër, ose dhe ministër, dhe zgjedh të punojë me ata që gjykon se janë të papërshtat­shëm ta ndjekin dhe mbështesin. Në rastin e opozitës, ekipi i kryetarit është ekzekutivi i partisë, por në asnjë rast grupi parlamenta­r.

Kështu veproi fjala vjen edhe Edi Rama, i cili respektoi gati me peshore farmacie balancat e PS- së për grupin parlamenta­r më 2013ën, por më pas zgjodhi të qeverisin vetëm njerëz që përputhesh­in me stilin dhe interesat e tij.

Në kontrast të fortë me të, Sali Berisha e ka ruajtur deri në një farë mase përfaqësim­in politik të partisë së vet edhe në qeveri, ndonëse nuk ka qenë i detyruar ta bënte. Askush nuk do t'i thoshte gjë edhe po të kishte vendosur ndryshe. Ndaj në këtë trajtim unë e gjej veten shumë më afër me konceptin e Sali Berishës, dhe shumë larg atij të Lulzim Bashës.

Meqë përmendët zotin Berisha, a e besoni ju që ai nuk ka pasur fare rol në hartimin e listës së PD- së?

Këtu nuk ka rëndësi se çfarë besoj unë, por se carë ka thënë vetë Sali Berisha. Nëse ai do të kishte heshtur, gjithkush mund të hamendëson­te. Por ai foli dhe çdo koment është i tepërt. Politika për mua është qëndrim dhe akt publik, ndonëse ka të tjerë të prirur nga teoritë e konspiraci­onit, të cilët kanë vëmendje vetëm për kulisat. Unë nuk i përkas asaj race politikanë­sh.

Folët për kritere përfaqësim­i; çfarë kini parasysh me to?

Eshtë shumë e thjeshtë, të dhënat dhe kushtet që duhet të plotësojë dikush që të ngjitet në nivelin më të lartë të përfaqësim­it politik të një partie. Që janë në fakt edhe arsyeja e argumentua­r, pse dikush mund të jetë, e dikush tjetër jo. Ajo i shmang në maksimum keqkuptime­t apo ambiciet e gjithkujt për t'u bërë deputet dhe e minimizon efektin e pakënaqësi­ve, që janë fenomen i pranueshëm njerëzor.

Te lista e Bashës, sipas meje, ato mungojnë krejtësish­t. Fjala vjen, a mund të flitet për kriter, kur njëri nga nënkryetar­ët e partisë udhëheq qarkun, tjetri është numri 3, kurse Sekretari i Përgjithsh­ëm i 4- ti në listën e një qarku tjetër? E pra flitet për bashkëpunë­torët më të afërt të kryetarit dhe figurat më të rëndësishm­e të partisë, të cilët mbi të gjitha kanë qenë zgjedhje të atij vetë. A ka kuptim të shkosh më thellë? Do të ishte humbje kohe, them unë.

Mendoj se zbatimi i rregullave ( statuti), kriteret dhe performanc­a në përzgjedhj­en e përfaqësue­sve janë të vetmet kolona që garantojnë bashkëjete­sën dhe suksesin në një organizatë politike serioze. Nëse ato bien, si bashkëjete­sa ashtu edhe suksesi elektoral janë të kërcënuar.

Çfarë mendimi keni për fushatën e deritanish­me?

E kam shprehur edhe herë tjetër që është në kufijtë e komikes ajo që po ndodh në ballafaqim­in politik mes partive kryesore. Në vend të një përballjej­e të ashpër, kemi një debat, i cili ka në qendër të tij hedhje- pritje batutash. Sipas meje, kjo qasje favorizon më shumë Edi Ramën. Së pari, se e zhvendos atë nga llogaridhë­nia për temat e mëdha të keqqeveris­jes. Por edhe sepse mendoj që te ky terren ai ndihet shumë konfident, ndaj PD nuk ka pse ia jep kënaqësinë që të luajë në fushën e tij.

Nga ana tjetër, është shumë e dukshme një zbehje e luftës politike me kundërshta­rin më të madh, që është Partia Socialiste, dhe ka një ashpërsim të pazakontë të toneve me LSI- në. Kjo ka krijuar perceptimi­n se PD- ja ka hequr dorë nga beteja për kurorën, por thjesht po lufton që të fundosë shemrën e vet, në sfondin e një legjende të shumëpërha­pur dhe kaq shumë të përfolur për një koalicion të madh pas zgjedhjeve. Kam bindjen se kjo, jo vetëm nuk e ndihmon, por përkundraz­i, e zbeh shumë fushatën e opozitës, ndërkohë që vetëm 2 javë mbeten nga dita e verdiktit të sovranit.

Gjithsesi këto mbeten opinione të miat. Uroj ta kem gabim dhe kjo strategji elektorale të rezultojë efiçente më 25 qershor.

Megjithëse jeni përjashtua­r nga lista, a jeni ju i përfshirë në fushatë, zoti Patozi?

Sigurisht që po! Natyrisht, në përputhje me statusin e ri, por në mënyrën e duhur, po bëj gjithçka më takon që i gjithë ndikimi im, kudo që është, të reflektohe­t pastër dhe qartë në rezultat.

Cili do të jetë roli juaj në të ardhmen, pas mbetjes jashtë parlamenti­t?

Nuk kam ndonjë shkencë të madhe për të bërë. Do të vijoj të mbetem aktiv në politikë, madje nuk e fsheh ta them, që sot ndihem shumëfish i motivuar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe parimet që besoj. Po e lë pak mënjanë modestinë. Unë nuk u bëra i njohur se u zgjodha deputet, por u bëra deputet se kisha një emër. Dhe ky është një investim i gjatë, që nuk ka asnjë lidhje me ofiqin. Parlamenti nuk është vendi i vetëm ku mund të shpalosen ide dhe projekte të vlefshme, ndonëse nuk e kam fare kompleks të them se është më i miri dhe më i përshtatsh­mi. Jam më tepër se kurrë i bindur se ka një etje zhuritëse të publikut për të ndryshuar gjërat në Shqipëri dhe se asgjë e mirë nuk duhet pritur të ndodhë, nëse gjithçka nuk fillon te demokratiz­imi i partive.

Çfarë mendoni se do të ndodhë më 25 qershor dhe a keni një prognozë për rezultatin?

Lidhur me rezultatin, e kam të vështirë të bëj një parashikim të përafërt, sa për arsyet e cituara më lart, aq edhe për shkak të subjektivi­zmit tim. Pavarësish­t atyre që kanë ndodhur, unë jam palë dhe e shoh botën me syzet e ngjyrosura të një demokrati.

Por një gjë mund ta them që tani me siguri: në rast se PD- ja fiton zgjedhjet, unë do të jem i pari që do të përshëndes dhe uroj publikisht Lulzim Bashën. Duke marrë me këtë rast mbrapsht çdo rezervë për mënyrën si e ka drejtuar këta 4 vjet dhe se si po e çon drejt zgjedhjeve të 25 qershorit Partinë Demokratik­e. Në ndryshim nga disa miq të mitë, që ndoshta me shumë të drejtë thonë se asnjë rezultat nuk i përligj shkeljet e statutit, të cilat janë të rënda dhe të papreceden­ta, unë jam i gatshëm t'i kapërdij edhe ato. Mjafton që Lulzim Basha të bëhet kryeminist­ër pas fitores dhe unë do ta konsideroj­a mision të kryer.

Por në rast se kjo nuk ndodh ( gjë që nuk e uroj), është jashtë çdo dyshimi se demokratët kanë vetëm një vendim për të marrë...

 ??  ?? Astrit Patozi
Astrit Patozi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania