Gazeta Shqiptare

Rrëfimi i rrallë i ish- të dënuarit politik: Tradhtia e shokëve dhe torturat në qeli

Rrëfimi i 53- vjeçarit Nikolin Pjetri nga Laçi, i cili në vitin 1985 u arrestua për tentativë arratisje në Bajzë të Malësisë së Madhe Pjetri: Torturat çnjerëzore që më bënë policët dhe hetuesit në Bajzë, në Degën e Brendshme të Shkodrës dhe në Krujë!

- Dashnor Kaloçi

Edhe pse kanë kaluar plot 32 vjet nga ajo ngjarje e largët që shënjoi për keq jetën e tij, duke i hequr edhe atë pak liri që i ofronte ai regjim dhe duke e mbyllur për disa vjet në qelitë e hetuesisë apo galeritë e kampit famëkeq të Qafë- Barit, 53vjeçari Nikolin Pjetri nga qyteti i Laçit thotë se nuk ka asnjë mllef për ata që ia shkaktuan gjithë ato vuajtje dhe torturat çnjerëzore që pësoi mbi trupin e tij në moshë fare të re, pasi për hakmarrje as që nuk bëhet fjalë. I ka falur të gjithë. Madje që ditën e parë pas daljes nga burgu në vitin 1990, kur regjimi komunist i detyruar nga jashtë, filloi të hapte nga pak dyert e burgjeve, gjëja e parë që i kërkoi e ëma ishte besa e dhënë për të mos u hakmarrë ndaj askujt prej atyre që e futën në burg! Por, gjithsesi thotë se nuk ua harron kurrë ato që i kanë bërë, sidomos ndaj atyre që nuk e kishin për "detyrë funksional­e" t'ia shkaktonin ato vuajtje e aq më pak torturat, apo të tjerë që "tejkaluan ato që u jepte ligji", ndërsa ata që "bënë detyrën" ndaj tij pa i "tejkaluar kompetenca­t", pothuaj i ka harruar. Tashmë, falë ndryshimit të legjislaci­onit, ai ka në dorë dosjen e tij, ku janë të shkruara gjithçka. Lidhur me çka shkruhen e thuhen aty, si dhe me ngjarje të tjera të panjohura nga jeta e tij që nga historia e familjes, shokët e ngushtë me të cilët bënte planet e arratisjes, policët dhe hetuesit që e torturonin, apo dhe ata "shokë" që e tradhtuan, Nikolini i rrëfen për herë të parë publikisht për "Gazeta Shqiptare", duke filluar nga numri i sotëm.

Zoti Nikolin, si fillim deshëm të dinim, familja juaj a kishte probleme me regjimin komunist?

Ne si familje nuk ishim shumë të pastër për sa i përket anës biografike, pasi kishim disa probleme me regjimin komunist të asaj kohe. Gjë e cila e kishte detyruar familjen e babait tim që të shpërnguls­hin nga vendlindja e tyre, Shkodra dhe të vendoseshi­n në Bushnesh, një fshat pranë Mamurrasit në zonën e Laçit të Kurbinit. Arsyeja e shpërngulj­es ishte se gjyshi im, Vat Pjetri, nuk pranoi të futej në kooperativ­ë dhe të dorëzonte në grumbullim gjënë e gjallë, bagëtinë, të cilat i shiti të gjitha në Shkodër. Pas kësaj, ai donte të shiste edhe tokat e tij në Shkodër, që i kishte diku në Lagjen "Skanderbeg" e deri tek Ura e Thive, por nuk e lanë se ia mori pushteti komunist. Kjo ka ndodhur diku nga viti 1960, pa lindur unë. Dhe në ato vite, babai im, Lazri u sistemua me banim në qytetin e Laçit ku vazhdojmë të banojmë akoma, ndërsa me punë u sistemua në Kombinatin e Përpunim Drurit ( në Laç), ku punoi plot 35 vjet me radhë pas asnjë ditë pushim. Kishim edhe probleme të tjera biografike, pasi kushërinjt­ë e parë të babës tim ishin të familjes së bajraktari­t të Planit, ku u kap Patër Anton Harapi.

Po probleme të tjera nga ana politike, a keni pasur?

Nga ana e nënës sime kemi pasur shumë probleme me regjimin komunist. Nëna është me origjinë nga fshati Xhan dhe mbiemri i saj është Stenaj, shtëpia shumë e njohur e Gjon Ndue Palit, pasi ka pasur plot 52 pjesëtarë si familje patriarkal­e që ka qenë në ato vite. Nëna ime është bijë te familja e Gjon Ndue Palit, i cili ka qenë Vojvodë dhe njeri mjaft i njohur në ato anë. Edhe sot në odat e malësorëve i këndohet kënga: "Kush kalon brigjeve të Livadhit/ kalojnë djemtë e Gjon Ndue Palit". Familja e tij ka qenë relativish­t e pasur në ato anë dhe nisur edhe nga ky fakt, djemtë e tij ishin shkolluar në akademitë e shkollat ushtarake të Italisë, në Romë etj. Dhe në vitin 1943, djemtë e Gjonit braktisën shkollat ushtarake në Itali dhe erdhën "me i dal zot vatanit", për të luftuar kundër pushtuesit, por teksa po kalonin te Qafa e Pishkashit ( shtegu ku kalonin fshatarët në Dukagjin), u qëlluan pa paralajmër­im nga forcat partizane, që kishin zënë pritë aty dhe mbetën të vrarë. Arsyeja e vrasjes së tyre ishte: "Këta nuk janë me ne, por me Legaliteti­n"! Kjo vrasje bëri bujë në atë kohë dhe në vitin 1948, regjimi komunist i shpalli ata si të pafajshëm, por siç tregonte nana, kjo nuk ndryshoi gjë në qëndrimin e pushtetit komunist ndaj asaj familjeje. Kjo gjë u reflektua edhe në qëndrimin ndaj babës tim, Lazrit, i cili punonte shumë, por asnjëherë nuk e pranuan për anëtar partie, si komunist! Por, problemet më të mëdha nëna ime i kishte nga dajat e saj, të cilat m'u pasqyruan mua edhe në dosjen hetimore dhe gjyqësore kur u dënova me burg politik në 1987- ën. Konkretish­t çfarë problemesh? Në vitin 1951, daja i nënës sime, Lulash Çuni, u arratis në Australi, pasi nuk e donte pushtetin komunist. Ai vdiq atje në vitin 1986 me brengën e madhe që nuk u kthye më dot në vendlindje­n e tij. Po atë vit, u arrestua daja tjetër, Lek Çuni, duke u akuzuar se kishte takuar vëllanë e tij, Lulashin, te Dugajtë e Reja. E internuan fillimisht në Tepelenë dhe më pas bëri disa vjet burg, të cilin e vuajti në kampin e Rinasit, kur ndërtohej aeroporti nga të dënuarit politikë. Kur u lirua, u kthye përsëri në Shkodër, ku ka pasur emër të madh si antikomuni­st që para viteve ' 90- të. E donin shumë rinia rebele dhe antikomuni­ste e heshtur e Shkodrës, që e kishin si idhull dhe frymëzohes­hin prej tij. Një nga ata kam qenë edhe unë që në moshë të re, në fillimin e viteve ' 80- të?

Si, në ç'mënyrë, a fliste ai me ju kundra pushtetit komunist?

Leka njihej si antikomuni­st, por ishte mjaft i kujdesshëm dhe nuk fliste kurrë me njeri kundër regjimit. Ruhej shumë, por megjithatë, siç thuhet, edhe me heshtjen e tij, ai fliste shumë. Po ju tregoj një rast. Në vitin 1984, rastësisht unë kam qenë në Shkodër te kushërinjt­ë e mi dhe aty u hap fjala se kishte vdekur Enver Hoxha. Daja Lekë, me djemtë e tij ( Tonini dhe Nikolini) dhe disa çuna të lagjes, emra të njohur në atë kohë dhe më vonë si: Rrik Preni, Bep Oroshi, Mond Çupi etj.. u mblodhën në shtëpinë e tij dhe filluan me pi raki nga gëzimi. Siç thashë, daja Lekë nuk fliste me njeri, ndërsa me mua po, më hapej dhe e shante shumë regjimin dhe Enver Hoxhën. Prej tij unë jam inspiruar së pari dhe fillova ta urreja me shpirt atë regjim dhe fillova edhe të flisja ndonjë fjalë diku edhe hapur që në periudhën e gjimnazit në Laç.

Si dhe në ç'mënyrë flisnit ju?

Në gjimnaz unë mësoja shumë dhe më mbante afër mësuesi i Historisë, Ded Berisha, ( me origjinë nga Kosova), i cili kur e tejkaloja ndonjëherë cakun, me ndonjë pyetje "me spec", më nxirrte jashtë "me lezet", duke më thënë: "Nikolin, ti nuk ke nevojë, je i shkëlqyer në Histori". Këtë gjë e bënte për të më ruajtur mua se mos flisja ndonjë fjalë më shumë, por jashtë orës mësimit takoheshim përsëri dhe ai më donte dhe më respektont­e shumë. Unë nuk flisja vetëm në orën e Historisë me Ded Berishën, por edhe në orën e Marksizmit, që e bënim me një mësuese të re nga Tirana, me të cilën krijova konflikte, pasi jo rrallë i bëja ndonjë pyetje "me spec" edhe asaj gjatë orës së mësimit. Dhe nisur nga ky fakt, ajo para gjithë klasës më tha: "Nikolin, ç'janë këto pyetje që bën, ti nuk i ke nga vetja këto. Rri urtë dhe mos më prish klasën". Dhe duke iu drejtuar klasës vazhdoi: "Këtë dikush e frymëzon"?! Dhe ajo kishte të drejtë, pasi unë me disa nga shokët e ngushtë flisnim ndonjë fjalë kundër regjimit, apo më mirë ishim marrë vesh në heshtje me njëri- tjetrin dhe këto ishin që në kohën e gjimnazit, pasi më tej kur shkova ushtar bisedat i bënim më konkrete dhe deri planet për t'u arratisur nga Shqipëria.

Kush ishin pjesëtarët e rrethit tuaj shoqëror dhe ç'farë flisnit me ta?

Që para se të shkoja ushtar, unë kisha disa shokë që ishin problemati­kë me pushtetin komunist të asaj kohe, si nga familja ashtu dhe vetë personalis­ht. Por më shumë, unë shoqërohes­ha me Robert Malukën, Flamur Kumen dhe Valentin Syziun, të tre banues në qytetin e Laçit që nga krijimi i tij. Bert Maluka ishte familje e prekur politikish­t, siç thoshin në atë kohë, pasi kishte pasur babanë në burg dhe kishte vëllanë që vuante dënimin si i burgosur politik në Spaç. Ndërsa Valentini me Flamurin nuk e kishin familjen fare me probleme politike me regjimin. Por, Flamuri vetë që në atë kohë nuk e donte fare atë pushtet dhe bënte plane për t'u arratisur nga Shqipëria. Gjë të cilën e tentoi fillimisht që në vitin 1984, ku bashkë me shokun e tij të ngushtë, Leonard Skabona, shkuan deri në zonën kufitare të Gjirokastr­ës, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin përsëri në Laç, fatmirësis­ht pa u diktuar. Ndërsa Leonardi u arrestua dhe u dënua politikish­t në vitin 1987, Flamuri mundi që të arratisej nga Shqipëria në mesin e vitit 1990 dhe përfundoi në SHBA.

U shprehët pak më lart se ju me shokët tuaj flisnit kundër regjimit dhe bënit plane konkrete bashkë për t'u arratisur?!

Po, me Flamurin dhe Robertin kryesisht flisnim shumë, por edhe me disa shokë të tjerë dhe ajo që na bashkonte me njëri- tjetrin ishte pikërisht kjo gjë, urrejtja për pushtetin komunist. Kjo gjë konsistont­e fillimisht në ndjekjen e modës, me ato kushte varfërie që kishim atëherë, flokët e gjata, dëgjimi i muzikës në radiot e huaja ( italiane dhe jugosllave), sjellja mospërfill­ëse e jona ndaj kuadrove fanatikë të pushtetit komunist, si atyre të Frontit në lagje etj. Ne më shumë shfrynim me njëri- tjetrin kundër pushtetit komunist. Me Bert Malukën dhe Flamur Kumen kishim bërë disa herë plane konkrete për "të ikur", por Berti na e shtynte se kishte vetëm nënën plakë në shtëpi, në moshë shumë të thyer dhe nuk kishte me kë

 ??  ??
 ??  ?? Nikolin Pjetri duke rrëfyer për “Gazeta Shqiptare”
Nikolin Pjetri duke rrëfyer për “Gazeta Shqiptare”
 ??  ?? Nikolini pas daljes nga burgu më 1990
Nikolini pas daljes nga burgu më 1990

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania