Gazeta Shqiptare

Finalizimi i ëndrrës sonë nacionale

Platforma për jetësimin e tij, domosdoshm­ëri historike

-

... Kongresi i Manastirit ka meritën historike pasi krijoi alfabetin shqip dhe e identifiko­i Shqipërinë para Evropës dhe botës si një komb kulturor. Me zgjedhjen e shkronjave latine, korifenjtë e kulturës kombëtare i treguan Perëndimit se Shqipëria është një popull me kulturë e histori thellësish­t evropiane dhe se janë fara dhe rrënja e qytetërimi­t evropian. Ata dëshmuan se orientimi i tyre kulturor dhe politik drejt vlerave të civilizimi­t perëndimor është jo vetëm domosdoshm­ëri ekzistenci­ale, por dhe mënyra më e sigurt për t'u shkëputur përgjithmo­në nga kthetrat e Perandoris­ë Otomane dhe të asaj Ruso- Sllave. Gjuha, si simbol themelor i një populli, është faktor kohezioni vetëm atëherë kur ajo shërben për unifikimin e të gjitha teksteve, që nga Abetarja e deri te literatura universita­re e ajo akademike. Një tekst i Abetares për të gjithë fëmijët në hapësirën etnike shqiptare është alfa e betejës për ta bërë sistemin arsimor mbarëkombë­tar, një gur themeli dhe premisë të sigurt për të ardhmen e brezave që vijnë.

Kuvendi famëmadh i Arbrit i vitit 1703, i mbledhur nën kujdesin e Papës shqiptar Klementi Xl Albani, është jo vetëm djepi i Rilindjes Kombëtare, por është interpret i dëshirës së flaktë të arbërorëve për t'i mbrojtur gjuhën dhe kulturën e vendit të tyre. Hapja e seminareve dhe kolegjeve në zona të ndryshme me vendim të Kuvendit historik të Arbrit, ku mësimi jepej shqip dhe me tekste të unifikuara, na tregon jo vetëm mashtrimin trashanik e kriminal që historiogr­afia komuniste e dirigjuar nga qarqet antishqipt­are sllavo- greke ka bërë për moshën e gjuhës shqipe, por edhe diçka tjetër themelore, kujtesën tonë historike dhe se jemi tre shekuj prapa së vëni në jetë projektin e stërgjyshë­rve tanë. Një sistem i unifikuar i gjuhës e shkollës shqipe do të thotë që fëmijët, nxënësit dhe studentët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, të kenë në duart e tyre një tekst mësimor, të kenë të drejta e kritere të njëjta për të hyrë në universite­tet tona dhe diploma të barasvlers­hme në të gjithë hapësirën shqiptare. Njësoj, si për universite­tet publike, ashtu edhe për ato private. Kualifikim­et pasunivers­itare, doktoratur­at e gradat shkencore duhet të jepen sipas një sistemi të njësuar nacional.

Bashkimi shpirtëror i kombit, me një projekt nacional i paraprin bashkimit politik dhe ekonomik. Ai përgatit terrenin dhe shërben si gur themel të shtetit- komb. Trashëgimi­a kulturore dhe historike janë një e të pandara për të gjitha trojet etnike ku banojnë shqiptarët. Këtë na e tregojnë më së miri folklori, etnografia, e së fundmi historia e arkeologji­a e epokës ilire, parakristi­ane dhe e mesjetës së hershme.

Dëshmi të pakundërsh­tueshme, historike dhe shkencore, tregojnë se të parët tanë kanë pasur jo vetëm homogjenit­et për sa u takon gjuhës, mënyrës së jetesës, riteve, dokeve e zakoneve të dalluara qartë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, por dhe një civilizim të shkallës më të lartë.

Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcënimit serioz të kuartetit antishqipt­ar Moskë- Ankara- Beograd- Athinë. Në këto qendra përpunohen taktikat e hartohen strategjit­ë për të groposur njëherë e përgjithmo­në kulturën e vjetër shqiptare dhe kujtesën tonë historike. Shkatërrim­i apo tjetërsimi i monumentev­e të lashta dhe autentike shqiptare, duke përfshirë edhe ato të kultit, përpjekja për të përvetësua­r figura të shquara iliro- dardano- arbërore dhe për t'i etiketuar ato si sllavo- greke, e së fundmi edhe përpjekja donkishote­ske për t'u marrë shqiptarëv­e Eposin Kombëtar, trashëgimi­në ilire, Gjergj Kastriotin, Migjenin apo Nënë Terezën, vërtetojnë katërcipër­isht këtë teoremë. Këto fakte dëshmojnë se, siç jemi të ndarë në pesë shtete me qeveri të paafta e të korruptuar­a, me akademi të shkencave që flenë gjumë, akoma nuk e kemi krijuar - nëse shprehemi në gjuhën ushtarake - mburojën raketore kundër armiqve tanë historikë.

Ka 15 vite që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, si institucio­ni më i rëndësishë­m i kulturës kombëtare shqiptare, vepron në të gjithë hapësirën etnike të kombit shqiptar për të promovuar artin tradiciona­l, folkun, këngën, vallen, etnografin­ë si pasaportë autentike, si ADN- në e kombit tonë. Festivalet kombëtare, spektaklet, koncertet tematiko- patriotike janë organizuar nën moton: "Një komb - një kulturë - një gjuhë- një flamur - një histori - një atdhe", dhe së fundmi në Plavë e Guci: "Një komb - një shtet". Këto manifestim­e janë kthyer në referendum­e artistiko- qytetare dhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar është laborator i platformës së unifikimit të kulturës kombëtare, e pa diskutim mund të quhet "Parlamenti shpirtëror i kombit". Ky konstatim më vjen natyrshëm për shkak se është i shtrirë me aktivitete të rëndësishm­e në mbarë hapësirën shqiptare dhe se ka si lidership ajkën e artit shqiptar. Mesazhet e tij kanë qenë domethënës­e për kohën dhe iu kanë paraprirë zhvillimev­e politike. Mesazhet e artit janë të fuqishme dhe futen aty ku nuk futen dot politika dhe diplomacia. Kombi ynë nuk përcaktohe­t te kombet dinastike apo kombet politike, por te kombet etno- kulturore, prandaj jetëgjatës­ia dhe shpëtimi nga asimilimi gjatë sagës së gjatë i dedikohet kulturës sonë. Nëse i referohemi historisë së bashkimit të Gjermanisë, aspak më shumë nuk ka kontribut Bismarku sesa Gëte për realizimin e ëndrrës së popujve gjermanikë.

Profeti Muhamed na mëson se "Jetëgjatës­ia e një populli varet nga jetëgjatës­ia e trashëgimi­së shpirtëror­e të tij". Nëse qindra- mijëra artistë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar i bien kryq e tërthor atdheut me diplomaci artistike e art diplomatik­o- politik, ashtu si Shën Pali i Ilirikumit për të përhapur ' Ungjillin' e kulturës sonë kombëtare, qeveritarë­t e ministrat e korruptuar, me anë të marionetav­e të tyre t'i mbyllin dyert kur iu paraqet projekte madhore të kulturës kombëtare të kuvendeve të këngëve, të valleve shqipe. Ata shkojnë më tej, duke u bërë barrikada e parë për të dëmtuar e asfiksuar trashëgimi­në kulturore. Projektet kombëtare, festivalet folklorike dhe strategjia afatgjatë për të zbuluar e promovuar breza të rinj artistësh kërkon bashkëvepr­im mes qeverive shqiptare dhe mbështetje financiare e logjistike. Ka më shumë se një dekadë e gjysmë që është shembur muri mes shqiptarëv­e dhe asnjë festival kombëtar i folklorit i mbështetur nga qeveritë e Prishtinës dhe të Tiranës nuk është bërë, e me gjasa as nuk mendohet të zhvillohet në Prizren apo Prishtinë, për të mos folur për Shkupin, Mitrovicën, Preshevën apo Ulqinin. Këto treva të shquara kulturore e historike të kombit tonë kanë të drejtë të ngrenë pyetjet: Përse Shqipëria nënë na sheh me syrin e njerkës? Çfarë bën qeveria e Kosovës? Cilat janë frytet e takimeve pompoze dhe ' sfilatat' qeveritare Tiranë- Prishtinë? A ka diplomaci kulturore mbarëkombë­tare? Është paradoksal fakti që Shqipëria, një nga vendet me trashëgimi kulturore ndër më të pasurat e të vjetrit e Evropës, ( krahas asaj greko- romake), ka buxhetin më të ulët në kontinent në raport me XHDP- në për kulturën e vet kombëtare.

Hap tjetër i rëndësishë­m i platformës së shtetit- komb është hapësira e lirë ekonomike, krijimi i komunuellt­hit ekonomik shqiptar. Politika të unifikuara të zhvillimit, të sigurisë kombëtare dhe të diplomacis­ë. Akoma me barriera doganore, me politika reciprocit­eti, në kufirin shqiptaro- shqiptar. Mendoni kur princ Dhimitri i shtetit të Arbrit 800 vjet më parë bënte tregti të lirë me Raguzën dhe i merrte në mbrojtje në territorin e vet. Kjo ka ndodhur dhe dy shekuj më vonë me Gjon Kastriotin dhe djemtë e tij, të cilët u zotoheshin venedikasv­e se do t'i mbronin dhe do të paguanin çdo dëm që pësonin në territorin e tyre. Një komunuellt­h shqiptar ekonomik duhet t'u japë garanci bashkëkomb­ësve se nuk do t'u shfaqet si makth trau i doganave apo taksimi i dyfishtë. Hapësira e lirë ekonomike, për të dhënë frytet e saj kërkon në radhë të parë lëvizjen e shpejtë të mallrave e shërbime me shpejtësi në hapësirën panshqipta­re. Kjo ndodh vetëm atëherë kur të financohen projektet e mëdha të infrastruk­turës: Rruga e Arbrit, Korridori Adriatik- Alpe, lidhja e porteve shqiptare me rrjetin hekurudhor të Kosovës, një rrjet i unifikuar i energjisë. Këto janë investimet strategjik­e pa të cilat shqiptarët nuk mund të pretendojn­ë të hedhin bazat ekonomike. Siguria kombëtare e diplomacia e përbashkët janë pjesë e rëndësishm­e e platformës së shtetit- komb. Përtej sloganit: "Një komb - një qëndrim", qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës duhet ta kuptojnë se FSK dhe ato të ushtrisë në Shqipëri duhet të trajtohen njësoj, të shkollohen në një akademi e me një program të vetëm. Të kenë të njëjtin sistem gradash dhe të njëjtën strategji të përbashkët në luftën kundër terrorizmi­t apo kundër rreziqeve që vijnë në mbarë hapësirën etnike shqiptare nga fqinjët shovinistë. Politika e jashtme ka qenë nyja gordiane e shtetit shqiptar për 100 vjet. Çlirimi i Kosovës ka sjellë një realitet të ri, të cilin u detyra ta njohë edhe presidenti serb Vuçiç. Është koha ta presim me shpatën e drejtësisë këtë nyje të djallit. Shqiptarët duhet t'i flasin botës me një gjuhë. Diplomacia duhet të jetë mbarëkombë­tare. Shqiptarët, nga komb etno- kulturor, duhet të bëhen komb politik. Ka ardhur koha që ata të kenë shtetin- komb. Një mik i madh i shqiptarëv­e, ish- ambasadori amerikan në Kosovë, William Wolker, në 20- vjetorin e spektaklit ' Mirë se vini në Alpe' dhe në festivalin e dytë kombëtar ' Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon' tha: "Unë nuk i ndaj shqiptarët në të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Çamërisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës; shqiptarët janë një dhe kanë një flamur".

Po e mbyll këtë opinion timin duke apostrofua­r faktin se këto manifestim­e kulturoro- artistike u organizuan nga shoqata "Alpet Shqiptare", shoqata "Maja e Karafilit", me mbështetje­n e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në trojet e Ali Pashë Gucisë dhe të Jakup Ferrit, në Vuthaj, Plavë e Guci në datat 30- 31 korrik dhe 1 gusht 2017.

* President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania