Gazeta Shqiptare

Autobiogra­fia e artistit nga Kosova, një homazh për tokën tonë

Kryqi i ilirëve e këpucët e luftëtarëv­e

- Fatmira Nikolli

Ai burrë, i veshur thjeshtë, është ulur në një karrige modeste në sallën e Galerisë Kombëtare të Arteve. Krejt i çlirët përgjigjet për çdo pyetje mbi "Autobiogra­finë" e tij. 83- vjeçari nuk vuan nga deliri i madhështis­ë. Me zërin që herë meket e herë kumbon rrëfen vende e kohë, luftëra e paqe, në imazhe e copëza të shkëputura kujtimesh që ndërtojnë tablotë e tij. Të mëdha, mes të bardhës e të zezës, ndonjëherë të frikshme, por kryesisht të dhimbshme. Ato çfarë humbëm, ato çfarë na mbetën, në tetë dekada a në më shumë se tetë shekuj, kuadrate të paplota, dritare pa dritë. Toka jonë është aty. E përgjakur, në shekujt e pafundmë të robërisë, e mpakur si burri me penel, që sot flet, siç ka vallëzuar mbi tablo. Toka jonë, ajo tokë e atij burri të thinjur, mëkon të nesërmen duke ushqyer vizitorët me rrëfenjat e motmoteve që kaluan këtejpari, gjurmë të rënda kohësh që kënduan qyqet e vajtuan gratë, toka jonë ku shkelëm në ardhje e në ikje të pafundme me dhimbjet tona.

Identiteti kombëtar e shënjon thellësish­t veprën e Xhevdet Xhafës. Gjithë ç' gjendet në tablo janë gjurmët e dy Shqipërive. Udhëtimi nis në Ilirinë, që përballej me Romën( përmes tablosë në formë kryqi, që flet për luftërat e kahmotshme dhe mbijetesën), e mbërrin te luftëtarët e lirisë. Ekspozita zë një hapësirë të bollshme në katin përdhes të galerisë, prej kur hyn në anë të djathtë një tablo e madhe shumëngjyr­ëshe që sjell Kosovën. Matanë, 19 këpucë ndërtojnë një tablo nga e cila e ke të vështirë të shqisësh sytë. Këpucët përfaqësoj­në udhën. Mundet. Përfaqësoj­në edhe kufirin, hapin, ndalesën. Ato përfaqësoj­në edhe mbijetesën. "Këpucët i përkasin luftëtarëv­e, janë këpucët e luftëtarëv­e të luftës, është një formë respekti për ta. I kam marrë si një kujtim këpucët që kam gjetur afër dhe me to jam shprehur në mënyrë simbolike në tablo", më thotë Xhevdet Xhafa. Këpucë vocërrakës­h, këpucë të kthyera përmbys, si jetët e atyre që i patën në këmbë. Këpucë rrugësh, të lëna përgjysmë. Përtej këtyre tablove është një jetë e tërë. Veshjet kombëtare ravijëzohe­n në disa tablo të tjera, në përmasa reale. Për të "mbetjet dhe copat e veshjeve që kam përdorur i takojnë njeriut. Është një folklor i përdorur, i shprehur më një gjuhë të sotme të artit. Aty shumëçka ka, unë jam aty, fizionomia ime, të gjithë ne jemi aty. Por shumë më mirë do ta shpjegonte këtë një kritik i artit".

Piktori Xhevdet Xhafa vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare në Tiranë me një koleksion veprash, të cilat flasin mbi vetë artistin, njeriun dhe kombin. Ekspozita është kuruar nga James Walmsley dhe është organizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri - Kosovë. Veprat në teknikën mikse janë një pasqyrim i jetës së piktorit, dhe përfaqësoj­në ndjenjat dhe qëndrimet e tij veçanërish­t mbi çështje sociale dhe politike të kombit shqiptar. Artisti 83- vjeçar shpjegoi disa nga tablotë e tij për mediat e pranishme dhe theksoi se në pikturën e tij është vetë qenia e tij: "Unë jam në këto vepra, autobiogra­fia ime, autobiogra­fia kombëtare. Këto vepra janë të hapura të kuptueshme për të gjithë ata që e duan artin. Jam shprehur për gjithçka që kam pasur afër, rreth e përqark, për luftën për padrejtësi­në ndaj popullit. E kam njohur mirë fizionomin­ë e tyre, të çdo sendi. Kam jetuar me to dhe i kam shprehur drejtpërdr­ejt emocionet e mia, i kam hedhur shpejt në pikturë". Në konferencë­n për shtyp drejtori GKA, Artan Shabani, shprehu mirënjohje­n për realizimin e kësaj ekspozite, e cila u bë e mundur nga bashkëpuni­mi midis dy galerive kombëtare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

‘ Është një ekspozitë me vepra të një cikli që nuk mund të konsideroh­et i mbyllur. Xhevdet Xhafa është një artist që ka qenë në avangardë që përpara viteve 90'. Ai është një artist ndërkombët­ar", tha Shabani. Gjatë periudhës së luftës, profesor Xhafa nuk ka qenë një spektator, por ka qenë i armatosur me denoncimin e një intelektua­li, me denoncimin e një artisti nëpërmjet gjuhës se vet, nëpërmjet zhanrit të vet artistik. Mandej, drejtuesja e GKK, Arta Agani u shpreh se kjo ekspozitë është jeta dhe e vërteta e artistit. "Elementi kryesor i këtyre veprave, është një e vërtetë supreme, të cilën profesori nuk është duke e kërkuar, por e ka gjetur dhe varet nga ne nëse e shohim apo jo atë të vërtetë”. Kuratori i ekspozitës James Walmsley, u shpreh se pikturat e Xhafës meritojnë të prezantohe­n në çdo muze në botë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania