Gazeta Shqiptare

Mori paratë e nipit të vrarë, shpallet i pafajshëm Çaushi, flet e veja e Elton Deliut

"Me familjarët e Eltonit s'dua të kem asnjë kontakt, hodhën poshtë gjakun e tyre për para" Ada Musaraj: Kam kërkuar çfarë i takon vajzës sime

- Ina Allkanjari

Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafa jshëm Adem Çaushin, i cili ishte akuzuar për marrjen e 260 mijë dollarëve në mënyrë të paligjshme nga llogaria e nipit të vrarë. Sipas prokuroris­ë, llogaria në fjalë i takon vajzës së Eltonit, të cilën gjykata ia njohu pas vrasjes dhe për të cilën familjarët e Eltonit patën kundërshti­met e tyre. Por këto para nuk arritën të merreshin nga vajza e mitur e Eltonit, pasi gjyshi i të ndjerit e kishte tërhequr më parë llogarinë prej 260 mijë dollarësh si trashëgimt­ari më i afërt. Në lidhje me këtë ngjarje ka folur ekskluzivi­sht për "Gazeta Shqiptare" e veja e Elton Deliut, Ada Musaraj, e cila kërkon të drejtën për vajzën e saj të mitur. Ndërkohë, gjatë seancës së zhvilluar dje, Gjykata e Tiranës vlerësoi se marrja e shumës së parave dhe zhdukja e tyre nga Adem Çaushi nuk është pastrim i produkteve të veprës penale, por pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës. Ky vendim ia kishte njohur vajzës së biznesmeni­t shumën në llogarinë bankare. Duke qenë se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës është një vepër që është amnistuar në janar të këtij viti, gjykata urdhëroi pushimin e gjykimit ndaj Adem Çaushit dhe lirimin e tij nga akuza.

E VEJA E ELTON DELIUT

E veja e të ndjerit ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje duke thënë se kjo që po i bëhet vajzës është padrejtësi, dhe ka kërkuar vetëm çfarë i takon vajzës së saj dhe të Eltonit. Nëna e fëmijës së Eltonit thekson vazhdimish­t se nuk ka asgjë me familjen e tij, pasi ajo ia vendos fajin bankës. "Në momentin që ndodhi tragjedia, banka ka pasur një urdhër bllokimi, që nuk duhej të lejonte që lekët të tërhiqeshi­n. Unë kam depozituar një kallëzim kundrejt bankës në prokurori, nuk kam ngritur një padi për personin që ka marrë lekët, dhe sapo të kem mundësi do vazhdoj gjyqet me bankën", - është shprehur Ada Musaraj. E veja thekson se nuk ka dashur të ketë përplasje me familjen e bashkëshor­tit të saj, pavarësish­t se ata i janë kthyer kundër. "Nuk dua të hap plagët përsëri, pasi është shumë e rëndë për mua, por kur Eltoni ishte gjallë, të afërmit e tij më donin dhe më respektoni­n, edhe unë po ashtu, isha nusja më e mirë. Por me largimin e tij nga jeta m'u kthyen kundër. Gjithsesi unë nuk kam asgjë me ata; edhe padinë për tërheqjen e parave nga gjyshi i Eltonit s'e kam ngritur unë. E vetmja procedurë që kam ndjekur ka qenë kallëzimi në prokurori për bankën", - ka reaguar e veja. Më tej ajo ka shtuar se nuk ka pasur mundësi ta vazhdojë çështjen në gjykatë me bankën, për shkak të përqindjes që kërkohet paraprakis­ht për të hapur gjyq. Ndërkohë ajo është shprehur se e vetmja seancë gjyqësore që ka ndjekur ka qenë për njohjen e atësisë për të miturën Eltona Musaraj. Ajo ka arritur t'i vendosë në dispozicio­n gjykatës edhe një analizë ADN- je, ku provonte se Eltona Musaraj është vajza e Elton Deliut. Me vendim gjykate është bërë edhe njohja ligjore e Eltonës si e bija e të ndjerit. "Vajzës i vura emrin e të atit, sot ajo është 9 vjeçe. Por me familjarët e Eltonit nuk dua të kem asnjë kontakt, pasi ata hodhën poshtë gjakun e tyre veç për para. Nuk dua të kem asnjë lidhje me ta, por dhe të keqen nuk ua uroj sepse nuk jam e tillë. Kam vuajtur shumë, nuk dua të ngacmoj më plagët e vjetra. Tashmë dua të rris vajzën time në mënyrën më të drejtë dhe të ndershme që mundem", - ka thënë e veja e Elton Deliut.

NGJARJA NË VITIN 2008

Elton Deliu dhe nëna e tij, Flutura Deliu, u ekzekutuan me 11 plumba në banesën e tyre më 27 dhjetor 2008. Vrasja ndodhi rreth orës 15: 00, në ambientet e brendshme të apartament­it të tyre, që ndodhej në katin e gjashtë, në pallatin mbrapa Presidencë­s, në rrugën "Perlat Rexhepi". Mendohet se fillimisht, autorët e krimit mafioz goditën me një plumb në kokë të ëmën, Flutura Deliu, 52 vjeçe, dhe më pas qëlluan me plumba 32- vjeçarin. Vrasësit thuhet se kanë qenë dy, dhe kanë qëlluar 11 herë. Atëherë policia mori në pyetje të fejuarën e Elton Deliut, e cila mendohet se ka qenë njeriu i fundit që e pa gjallë. Ajo ka treguar se ishin kthyer me makinë për në shtëpi dhe pasi kanë parkuar mjetin, Eltoni është ngjitur lart me ashensor, ndërsa ajo, duke qenë se ashensori ishte i bllokuar, është ngjitur nga shkallët. Në momentin që ka qenë përballë derës së apartament­it të tyre, ka parë Eltonin që po mbahej në derë dhe që ishte i plagosur. Ai i ka thënë që e kishin qëlluar dhe i kishte kërkuar ndihmë për të lajmëruar ambulancën, por nuk ka mundur të japë asnjë shpjegim në lidhje me autorët, pasi ka vdekur në vend nga plagët e shumta që kishte marrë. Ndërkohë, gati një dekadë pas vrasjes së Eltonit dhe nënës së tij në apartament­in ku banonin të afërmit e tij, vazhdojnë gjyqet për llogaritë bankare që Deliu kishte krijuar, konkretish­t për marrjen e 260 mijë dollarëve nga gjyshi i Eltonit në llogarinë e nipit të vrarë. Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm Adem Çaushin, por ky vendim pritet të apelohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kërkoi gjykatës dënimin e të moshuarit me 5 vite burgim.

 ??  ?? Gjykata e Tiranës
Gjykata e Tiranës
 ??  ?? Ada Musaraj, e veja e Elton Deliut
Ada Musaraj, e veja e Elton Deliut

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania