Gazeta Shqiptare

"S'do e përkrah djalin, nëse lë nusen e jeton me tjetër"

I riu akuzohet se dhunoi gruan, flet vjehrra: Djali im të kthehet në shtëpi tek fëmijët e tij 64- vjeçarja: Reli më tha se vajzën e kishte mike, fqinjët më treguan se ishte e dashura

- Xhensila Kodra

Djalin nuk kam për ta përkrahur asnjëherë, nëse ai përfundimi­sht vendos se do të largohet nga shtëpia për të jetuar me të dashurën e tij. Unë nusen nuk do ta nxjerr nga shtëpia, por Reli duhet të kthehet për fëmijët dhe të mbajë familjen të bashkuar". Kështu u shpreh dje për "Gazeta Shqiptare", Nabile H., nëna e 31- vjeçarit Reli H., i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologji­ke ndaj bashkëjetu­eses për ta larguar nga banesa, pasi ka krijuar lidhje me një tjetër femër. 64- vjeçarja rrëfen se në momentin që kishte mësuar për historinë e të birit, kishte pasur luhatje të tensionit dhe nuk ishte ndjerë aspak mirë. Pak ditë më parë, "GSH" publikoi një ngjarje të pazakontë të ndodhur në një fshat të Urës Vajgurore, ku Reli H., pasi kishte përcjellë bashkëjetu­esen e tij, T. Rama me të cilën ka një djalë 3 vjeç e gjysmë tek prindërit e saj në Dibër, kishte marrë në banesë të dashurën e tij. Me këtë të fundit ishte njohur 4 muaj më parë në Greqi, ku ai punonte si emigrant.

Zonja Nabile, bashkëjetu­esja e djalit tuaj ju ka akuzuar për dhunë fizike dhe psikologji­ke dhe se ju keni dashur ta largoni nga shtëpia, pasi ai do të martohet me dikë tjetër. Si qëndron e vërteta e kësaj historie?

Unë nusen e kam në shtëpi. Nuk e kam dhunuar asnjëherë atë.

Çfarë marrëdhëni­esh ke me të?

Mirë, shumë të mira. Ajo ka mbi 4 vite që jeton këtu dhe ne shkojmë mirë. Si mund ta nxjerr unë atë prej shtëpie?

Djali juaj është larguar nga banesa dhe jeton me vajzën që ka njohur në Greqi. Po me bashkëjetu­esen T- në, si i ka pasur marrëdhëni­et?

Marrëdhëni­et i kanë pasur të mira, edhe pse kishin grindjet e tyre ndonjëherë. Ai në vend që të rrijë në shtëpi me fëmijët dhe nusen e tij, bën këto gjëra që nuk janë fare të mira.

A ju ka treguar Reli për vajzën që kishte njohur në Greqi?

E kam marrë vesh nga komshinjtë e mi. Ata në fillim më thanë se Reli ka gjetur një vajzë tjetër dhe s'më erdhi mirë. Pastaj ai vetë më tregoi se kishte takuar një vajzë në Greqi, por se e kishte shoqe, mikeshë.

Po në momentin që e solli në shtëpi, si reaguat?

Kur e kishte sjellë në shtëpi unë nuk isha. Ndodhesha jashtë, punoja nga toka. Kur e pashë atë, e pyetja se kush ishte. Unë jam edhe me tension dhe aty nuk mbaj më se çfarë po ndodhte sepse nuk isha mirë, më ra tensioni. Jo vetëm për djalin dhe nusen tonë nuk është mirë kjo gjë, por edhe për ne prindërit e tij që jemi pleq.

Gjatë kësaj jave a keni biseduar me Relin nëse do të kthehet në shtëpi?

Kemi folur disa herë. E kam pyetur se si është. I kam thënë hajde kthehu në shtëpi, rregulloi muhabetet e tua, por ai nuk na dëgjon ne. Ai duhet të kthehet në shtëpi sa më shpejt për fëmijët e tij dhe të mbajë familjen të bashkuar. Por edhe ai u mërzit kur nusja e denoncoi në polici.

Ju u takuat edhe me Anduelën, vajzën që Reli solli në shtëpi. Çfarë biseduat me të?

E takova vetëm se në fillim djali më tha është një shoqja ime, punonte me të. Më vonë nuk kam biseduar asgjë me të.

Reli ka në shtëpi edhe një vajzë nga martesa që ai kishte më parë. Si e ka përjetuar ajo ikjen e të atit?

Nusja që kam në shtëpi e ka mbajtur vajzën në pëllëmbë të dorës dhe ajo nuk do t'ia dijë fare nëse rri apo i ikën i atij, sepse ai asnjëherë nuk është sjellë mirë me të. Ne e kemi rritur.

Mendoni se sjellja e tij është diçka kalimtare dhe a do të kthehet ai në shtëpi?

Ne jemi familje e rregullt dhe këtë gjë djali im nuk duhet ta bënte. Ai do kthehet në shtëpi, sepse nuk ka se ku të shkojë.

Nëse ai ka marrë vendimin se nuk do të kthehet më në shtëpi, do e përkrahni?

Jo, nuk kam për ta përkrahur asnjëherë. Edhe nëse ai më kërkon që ta nxjerr nusen nga shtëpia, nuk ka bërë ta bërë këtë. Asaj i kam thënë që e kam si vajzën time. Edhe pse në fillim u mërzita shumë që e denoncoi. I thashë pse e bëre, sepse mund ta kishim rregulluar edhe brenda për brenda familjes. Ajo sa e mori vesh kush ishte, i kërkoi që t'i zhdukeshin nga sytë dhe ata ikën, u larguan.

Po me gruan e parë me të cilën Reli ka dy fëmijë, pse u divorcua?

Sepse ajo gaboi në jetë dhe e tradhtoi. Nga kjo gjë edhe djali im ndryshoi e u bë kështu. Ajo na e tregoi vetë se me kë persona e kishte tradhtuar djalin dhe më pas u ndanë.

Po me familjen e Anduelës, a jeni takuar dhe biseduar me ta?

Jo, fare. As nuk i njoh dhe as nuk kemi biseduar me ta.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania