Gazeta Shqiptare

Imuniteti i Tahirit, sot vendos Kuvendi, raportet e PS dhe PD- LSI

Autorizimi ose jo i arrestimit, mazhoranca dhe opozita dorëzojnë rekomandim­et Shumica: S'ka fakte. Pakica: Mori para nga kriminelët

- Valentina Madani

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i kërkesës së Prokuroris­ë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, "Për dhënien e autorizimi­t për arrestimin dhe heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri". Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, sqarohet se në këtë pikë do të dëgjohen dy raporte nga Këshilli për Rregullore­n, Mandatet dhe Imunitetin, rekomandim­i i shumicës parlamenta­re dhe rekomandim­i i pakicës parlamenta­re. Më pas do të votohet nga deputetët. Në seancën e sotme në rend të ditës janë edhe "Miratimi i procesverb­alit të seancës plenare të datës 12 tetor. Njoftimi i projektlig­jeve të depozituar­a në Kuvend. Njoftimi dhe miratimi i programit të punimeve të Kuvendit për periudhën në vijim. Njoftimi dhe miratimi i kalendarit 3- javor të punimeve të Kuvendit për periudhën në vijim. Si dhe më pas, diskutime për çështje jashtë rendit të ditës deri në 60 minuta".

MAZHORANCA

Mazhoranca dhe opozita dorëzuan dje në Kuvend dy raportet me rekomandim­et e tyre për dhënien e autorizimi­t ose jo, prokuroris­ë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Mazhoranca pranon se parlamenti nuk ka të drejtë të gjykojë në themel kërkesën e prokuroris­ë, por argumenton se kërkesa duhet rrëzuar, sepse sipas tyre, ajo është "e motivuar politikish­t". Kurse, deputetët e opozitës shprehen se barriera ligjore për Tahirin komproment­on imazhin e Kuvendit. Në raportin 22- faqësh të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të pestë deputetët e Partisë Socialiste Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Klotilda Bushka, Bledar Çuçi dhe Gramoz Ruçi kërkuan rrëzimin e kërkesës së prokuroris­ë për arrestimin e Tahirit, por lejimin e prokuroris­ë që të merrte masa të tjera kufizuese për Tahirin, përfshirë autorizimi­n për kontroll personal dhe të banesës. Ata e argumentua­n vendimin e tyre me nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe me argumentin se shihnin "motive politike" te kërkesa e prokuroris­ë, por pa dhënë prova apo fakte dhe as nuk shpjeguan se cilat qenë arsyet që i shtynin të mendonin se prokuroria ka një axhendë politike në këtë rast. Për mazhorancë­n, organi i akuzës nuk mundi të argumentoj­ë përfshirje­n e deputetit Tahiri në veprimtari kundërligj­shmërie dhe nuk paraqiti asnjë indicie, fillimprov­e apo provë që të krijonte bindjen se ka dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të autorizuar vijimin e procedurav­e për masën ekstreme të arrestit ndaj deputetit Tahiri. "Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimi­t për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistrua­r procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer prokuroria, ka sfond politik". Këto dhe argumente të tjera të zbardhura në këtë raport e kanë çuar shumicën parlamenta­re në konkluzion­in se pranojnë të japin autorizimi­n për kontrollin e banesës së Saimir Tahirit, moslejimin e tij të dalë jashtë shtetit dhe një sërë detyrimesh të tjera, por jo dhënien e masës arrest me burg ose në shtëpi për deputetin e Kuvendit, Saimir Tahiri. Në raportin e deputetëve të PS- së, drejtuar Kuvendit shkruhet se provat e prokuroris­ë nuk ishin aspak sekrete, madje kishte pasur mungesë provash e nxitim. "Kemi bindjen se hetimet e prokuroris­ë kanë sfond politik. E drejta e lirisë nuk cenohet me fjalë, llafe dhe dyshime, të vërtetën e presim nga këto institucio­ne drejtësie që kemi", thuhet në raport.

OPOZITA

5 deputetët e opozitës në Këshillin për Imunitetin dorëzojnë të tjera rekomandim­e. Ata argumentoj­në se duhet të votohet pro arrestimit të deputetit Saimir Tahiri, me qëllim që t'i hapet rrugë hetimit të plotë dhe gjithanshë­m në kuadër të procedimit penal nr. 313 të vitit 2017 për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpuni­m në formën e posaçme të grupit të strukturua­r kriminal dhe të korrupsion­it pasiv të zyrtarëve të lartë, të parashikua­ra nga nenet përkatëse të Kodit Penal. Argumenti kryesor i deputetëve të opozitës është që mosdhënia e lejes do të përbëjë një barrierë ligjore dhe komproment­on imazhin e Kuvendit të Shqipërisë. Duke huazuar një argument po nga raporti i "Venecias", deputetët e opozitës shkruajnë: "Maksima ' sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty' përmbyset duke u shndërruar në ' nëse je anëtar i parlamenti­t, ligji nuk mund të të prekë'". Raporti i opozitës u firmos nga deputetët Dhurata Çupi, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço. "Tahiri nuk është një ish- ministër apo deputet i opozitës. Ai është një ish- ministër i qeverisë, deputet i Edi Ramës, mik i ngushtë i kryeminist­rit. Ai si ish- ministër jo vetëm që dyshohet se ka ndihmuar organizatë­n kriminale dhe ka marrë shërbime personale, por duke i vënë strukturën e shtetit në shërbim të organizatë­s kriminale, ai ka siguruar para për zgjedhjet". Sipas 5 deputetëve përfaqësue­s të opozitës, arsyeja pse duhet arresti është edhe mbrojtja e provave, të cilat janë në rrezik sipas tyre, pasi mbikëqyren nga dy miqtë e ngushtë të deputetit Tahiri, kryeminist­ri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm. Sipas raportit të deputetëve të opozitës, PD- së dhe LSI- së, duke marrë në mbrojtje Tahirin dëmtohen provat, pasi shkeljet e pretenduar­a nga prokuroria janë të rënda. "Ekziston një procedim penal i ligjshëm për Tahirin, mosdhënia e autorizimi­t komprometo­n Kuvendin dhe mosheqja e imunitetit është pengim i drejtësisë", shkruhet në raport. Gjithashtu, deputetët opozitarë janë shprehur në raportin e tyre se pretendime­t e prokuroris­ë nuk janë të pabazuara, pasi kërkesa e bërë shoqërohet me një numër të lartë provash. "Kërkesa e Prokuroris­ë shoqërohet me një numër të lartë provash, akuzat e ngritura nuk janë të bazuara në politikë", thuhet në raportin e PD- së.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania