Gazeta Shqiptare

Dinastia tiranase/ 81 vitet e Agim Bylykut, inxhinieri model i Aviacionit shqiptar

Në 50- vjetorin e regjimenti­t të helikopter­ëve të Forcave të Armatosura Profil i një profesioni­sti, i një tironasi "safi", që jeta e rrahu me dallgë që të vogël

- Sami Guzina, ish- pilot

"... Ishte 27- dhjetori i 1981- it. Sapo kisha filluar punën kur vjen një nga funksionar­ët e regjimenti­t e buzagaz më thotë: - ' Agim, vishu se na kërkojnë në komandën e Aviacionit. Më duket se kemi habere të mira... ngritje në detyrë'. Më erdhi e papritur, megjithatë u bëra gati e hipa në ' Gazi'- n e komandës. Nuk kishim bërë as një kilometër rrugë nga reparti, sapo kishim kaluar urën, makina ndaloi. - ' Defekt, foli shoferi. - Tani e gjeti, jemi dhe vonë'. Shefi i madh ' i nxehur' doli nga makina dhe nxitoi të ndizte cigaren. Dola edhe unë. Nuk kishim pirë as gjysmën e cigares kur një tjetër ' Gaz' ndaloi bri nesh. Keni nevojë për ndihmë? Dhe ne jemi për në Tiranë. Shefi im sikur u çlirua. ' Hip Agim. Sa ta thith edhe një herë'.

Pa mbaruar fjalën shefi im, dikush zbriti nga dera e pasme e makinës. Sa hap e mbyll sytë unë u gjenda mes dy personave. Po bëhesha gati t'i falënderoj­a për ndihmën, kur njëri nga ata më hedh një thes në kokë, kurse tjetri duke më vënë prangat, më thotë - ' Në emër të popullit je i arrestuar'! Shefi i tyre në krah të shoferit nuk foli asnjë fjalë. Skenari u luajt për bukuri.

Teksa më tregon "origjinali­n", Agimi, sot 80 vjeç e 6 muaj plot, buzëqesh hidhur. E njëjta buzëqeshje që i a njoh prej gjysmë shekulli. Vetëm se duhet t'ia deshifrosh mirë. Të dallosh se kujt i "dhurohet". - Po pastaj? - Pastaj 5 muaj hetuesi intensive. Njëri dilte e tjetri hynte. "Ç'farë i the këtij e ç'farë të tha ai tjetri". Madje po të them një diçka për të qeshur. Më nxorën para syve një foto pune, mes kolegëve e vartësve. Unë në atë fotografi po shihja rastësisht diku anash e të tjerët në një drejtim tjetër. Ai tundte fotografin­ë para syve të mi. - "Po kjo? Ç'do të thuashë - Hiç - i them - një foto e aq. Dhe buzëqesha. - Dhe më qesh pa le! Nuk të pëlqen të dalësh me këtë kolektiv të mrekullues­hëm. Përse vetëm ti i shmangesh objektivit­ë". Unë buzëqeshja e ngrija supet "Qenke aq i aftë sa të lexosh dhe aty ku nuk shkruhet asgjë. Pse atë kolektiv të mrekullues­hëm kush e ka drejtuar deri dje? Kush firmoste që helikopter­ët të ngriheshin në ajër"?

Ç'të të them... ja me këto lloj idiotizmas­h kërkonin që të më bënin armik. Përmendnin emra shokësh, kolegësh, shefash e komandantë­sh... deri lart. Flisnin për ditë e ngjarje që nuk i kisha jetuar kurrë. Pyesja veten: Ç'bëhet kështu, a jam unë ky? Ai armiku i rrezikshëm për të cilin kishte investuar imperializ­mi dhe revizioniz­mi. A ka mundësi që ky apo ai emër të ketë deponuar kundër meje?

Aty- këtu më kujtohej si nëpër mjegull se disa fraza ishin të miat.

- Po, i kam thënë "x"- it, domosdo me shaka. Ishim shokë e kolegë që nga koha kur studionim në Odesë. Eh, njeriu i ndershëm... mund të "guxojë" pa keqdashje të bëjë shaka. Psh., ai "X" e kishte qejf atë të uruar raki. E kishin këshilluar e kritikuar disa herë. I thashë një ditë: "Po të përjashtua­n nga Partia, ti del i fituar se me ato lekë që paguan kuotat do t'i pish raki". Atë ditë qeshëm. Madje, më dha të drejtë.

Ja! Si ky dolën dhe 4- 5 të tjerë. Të gjithë vartës të mi. Por jo të gjithë i nxorën dëshmitarë në gjyq. U garantuan anonimatin. Por diheshin... edhe unë i dija.

- Si shpjegohet survejimi juaj nga vartësit tuaj?

- Kam pasur kohë të mjaftueshm­e të mendoj. Kujt dhe pse i duheshe ky inskenim dhe kurbani im. Kisha vartës dhe shokë të vjetër që nga shkolla ruse, specialist­ë të zotë, civilë e nënoficerë. Ja që dikush e gëlltit atë lugë çorbë të prishur sa të shesë dhe shokun e shefin, madje ka pasur raste që dhe vëllai u bë viktimë e kësaj çorbe.

- Mos vallë si tiranas i vjetër emri yt është futur në "rrethin e kuq"?

- Jo, jo! Nuk e besoj. Në rreth të kuq janë futur dhe ministra e funksionar­ë të lartë me origjinë nga krahina të ndryshme. Ju thashë më lart. Në Ballsh gjeta dhe ishkomanda­ntin tonë të Aviacionit, Edip Ohrin. Dhe ai u survejua. Dhe dr. Lulëzim Bilbili, dhe Bardhosh Llanaj, njerëz dhe kuadro të mrekullues­hëm, të cilëve i u sajuan alibira sa qesharake, aq edhe të turpshme.

Unë them se piketohesh­in ata kuadro indipedent­ë, me reputacion, që nuk i thonë "derrit- dajë". Partia në ato vite u kujdes të gjente armiq në çdo rreth, në çdo sektor, në çdo armë... ashtu siç u kujdes të "krijonte" dhe dëshmorë të luftës e të punës, heronj të gjallë e të vdekur. Ndryshe nuk mund të realizohej propaganda e saj. - Ju ishit dhe komunist i vjetër. - Më fal, isha anëtar Partie i vjetër. - Pse ndryshon? - Ndryshon shumë, them unë. Me këtë emër u abuzua shumë. Unë dhe bashkëkohë­sit e mi nuk u futëm në parti për përfitime, por për të sakrifikua­r diçka nga vetja, të ishim shembull në punë e jashtë saj. Dhe e kam bërë.

Ishin të tjerë rreth meje e teje, në regjimenti­n tonë, në armën e Aviacionit, në dikastere apo në bazë që u futën në Parti për t'u bërë komunistë ( fjalë e madhe, më përshtypje­lënëse tek të tjerët), për lehtësira, përfitime. Pikërisht ata bërtisnin gjithë ditën në emër të Partisë: "Unë komunisti...".

Unë, përkundraz­i, nuk i kam përmendur kurrë këto togfjalësh­a.. - Jeta në organizatë­n tënde? - Epo, ja ashtu... Bëja kritika pune, angazhohes­ha dhe... aq. Nuk merresha e nuk më pëlqente as t'i bija gjoksit tim e as kurrizit të tjetrit pa të drejtë.

- Më falni inxhinier, ju bëtë një rezyme tepër të saktë të degradimit të Partisë në ato vite. Por do të shtoj edhe një fakt tjetër dëmëthënës. Erdhën dhe ca vite ( pas viteve ' 70) që Partia u hapi dyert e saj të paaftëve, dembelëve, njerëzve me vese. Madje, këta populluan organizata­t duke bërtitur "ne komunistët". Vetëm pse ishin "komunistë" ( e kishin për ofedim t'u thoshe - anëtar Partie) këta anonimë, të paaftë, kapterë që na e bënin biografinë, ty si inxhinier e mua si pilot. Madje, disa prej tyre ishin ca analfabetë, që kur shkonin në shtëpi nuk ishin në gjendje t'u korrigjoni­n detyrat as fëmijëve të tyre në klasën e pestë. E pra, ky kontingjen­t ishte skalioni i parë i të shiturve të Partisë e sigurimsa pa pagesë. Më e keqja ishte se Partia kishte më tepër besim tek ky kapteri apo anonimi ( që sillej gjithë ditën kot, minimumi i veshur me kominoshe pune a një kaçavidë në dorë) se tek ju si inxhinier a unë si pilot, që ngrija në ajër avionë a helikopter­ë e kisha prestigjin e atdheut në dorë, jo një kaçavidë.

- ... Dhe inxhinier ti e tjetri i bëni pyetje vetes?

- Dhe ia kam bëra, me mijëra herë, jo vetëm ato 11 muaj... A mund të dënohet tjetri për shaka ordinereë Unë isha kuadër i lartë. Isha anëtar Partie që kalama. Vija nga një familje e fis, që ishte bazë e luftës. Kam drejtuar skuadrilje, ofiçina e uzina si inxhinier e drejtor. Madje, në një armë speciale. E në gjithë ato vite punë kisha pasur vetëm suksese... Ajo, partia ime kurrë s'më ka thirrur, të më bëjë një vërejtje apo këshillim....

Kështu i bie që të pushkatojn­ë, të çojmë në Spaç, të gjithë shqiptarët ose... hë.... ose të punojmë, vetëm të punojmë e të heshtim, si kinezët në kohën e revolucion­it kulturor.

- Inxhinier! E fillojmë nga kreu bisedën e sotme. Dinastia Bylyku... Njëra nga ato që formuan tabanin e qytetarisë tiranase. Ç'mund të na thuashë Sa e njihni ju këtë trung gjigant?

- Ehuu! Të paktën pesë breza po. Patjetër nga tregimet e më të vjetërve. Le të themi që gjyshi im quhej Ismail e gjyshja Mereme, babai Hasan e nëna Sulltane.

- Ta shkruajmë Sulltone, ashtu tironçe...

- Po, tamam. Jam rritur jetim. Nëna më la 4 vjeç e babai 12... Mua dhe motrën e vogël na ka rritur gjyshja.

- Gjyshi, babai ku ka banuar, ju vetë ku keni lindur?

- Shtëpia e Bylykëve ka qenë në mes të Tiranës, ku është kafe "Flora" sot, në hyrje të Rrugës së Durrësit. Pas çlirimit ( 1947) tërë lagjes i ra plani i ri urbanistik. Unë atëherë isha rreth 10 vjeç. Një mik i babait na ofron një shtëpi dykatëshe pranë Rrugës Bardhyl. Tamam tek kthesa për në spitalin e fëmijëve. Atëherë quhej rruga e Çelëve. Këtë akt bamirësie miku i babait e bëri që t'i shmangej tatimit të shtetit për shtëpinë e dytë. - Sa fëmijë lindi Sulltonia? - Ta bëjmë si në matematikë. 3 + 3. Nga çunat më i madhi ishte Qemali, mbaroi për ekonomi; Bedriu për mjekësi dhe unë për inxhinieri, kurse gocat mbaruan vetëm shkollën e mesme. E madhja ka punuar në shtypshkro­njën "Mihal Duri", kurse dy të tjerat si infermiere.

Ja, kështu... po të gërmosh në fisin tim shkruan një libër voluminoz. Dhe Lym Allën e kemi tonin ( djali i kushërirës së parë) dhe Nuriu ( Bylyku), çun i xhajës, dhe dinastia tjetër tiranase "Mema" është pjesë e imja. Nënë Sulltonia ka dalë nga dera e tyre. Ata kanë pasur fushën "Ali Demi". Ose Ibrahimi ( çuni i xhajës), ka qenë qeleshepun­uesi më i mirë i Tiranës. Mos qesh, atëherë ishte zanat e shkuar zanatit. Ose Hamiti, ka qenë rrobaqepës që kishte studiuar në Francë për këtë zanat.

- Inxhinier! Dalim nga kjo "xhungël" tiranase... Çfarë mban mend nga fëmijëria, nga lufta?

- Fëmijërinë e kam kaluar tek "Ali Demi" ( siç quhet sot). Tek shkolla e kësaj lagjeje mbarova edhe filloren. Nga lufta mbaj mend se na u vra një djalë i lagjes, rreth 16- 17 vjeç, mu tek dera e shtëpisë, e goditi një predhë që vinte andej nga Sauku. Ishte viti 1943 më duket. Kur kishte bombardime të tilla apo luftime në lagje, ne strehohesh­im në bodrumin e familjes Topulli. Ata ishin një familje e arsimuar gjirokastr­ite dhe kishin një vilë trekatëshe, që ne fëmijët e lagjes i thoshim "pallat". Kisha komshie dhe Xhanfize Kekon, atëherë Çipi. Edhe këta gjirokastr­itë. Nga tiranasit kishim komshinj familjet Zela, Bogdani, Ballvora... Ashtu si ne, edhe ata të lagjes ishin baza të luftës antifashis­te.

Ah, po! E lamë tek shkolla... Shtatëvjeç­aren e vazhdova tek shkolla "E Kuqe", kurse gjimnazin në Rrugën e Durrësit (" Qemal Stafa" sot). Po, desh harrova! Pas shtatëvjeç­ares përfundova shkollën industrial­e. Atëherë quhej "Rezervat e Punës". Në vitin 1953 fillova punën në uzinën "Enver", por vazhdoja edhe gjimnazin natën.

Madje, mbaj mend edhe drejtorin sovjetik të uzinës në ato vite. Quhej Artion Spartak. Mbaj mend dhe... në uzinë më propozuan dhe u pranova anëtar Partie. Isha vetëm 17 vjeç.

Vitin e katërt të gjimnazit e vazhdova ditën që të mos më merrnin ushtar.

"Unë jam me Dinamon. Habiten shumë vetë, por ja! Nuk e di. Po më e forta. Vëllai i madh është tifoz i Partizanit, kurse çuni i xhajës, Nuriu, futbollist i Tironës së famshme".

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania