Gazeta Shqiptare

Dritëroi për babanë dhe veten

-

tillë do t’i priste vlerësimet – apo qoftë edhe sulmet – në vendin e tij. Ai i përket këtij vendi, u përket banorëve të këtij vendi, është pjesë e tyre, qenie e dalë nga qenia e tyre. Dhe kjo e shpëton tërësisht përpara gjyqit të historisë. Poema hapet pikërisht me figurën e babait. Dhe ç’figurë! Si e një shenjti! Figurë e shenjtit të punës:

Im atë tokën shumë e donte, Siç donte nën e grua, Për tokën lodhej dhe rënkonte Dhe djersën derdhte krua.

Kur plis më plis e hidhte hapin, I kishte hapi hije Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin Me fjalë hirësie;

Kur grushtin mbushte plot me farë, Mahnitej kush e shihte, Dhe ra ndalte frymën në arë, Që qejfin mos t’ia prishte;

Në këmbë si në katër kleçka Në gur ngrinte hardhucka, Përgjonte lart në shelg rabecka Me thonjtë me majucka;

Me sqep lejleku bënte harqe Rreth rruzullit të diellit Dhe dukej sikur ndillte paqe Nën kaltërsinë e qiellit;

Po ati im mbi plisa ecte Me shpirt të madhërishë­m Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte Nga shpirti i çuditshëm;…

Në letërsinë tonë vështirë të gjenden vargje të tjera kaq të bukura e kaq të madhërishm­e për njeriun e punës, vargje të mbushura me kaq ngrohtësi e përmallim, me kaq vlerësim e nderim për njeriun që me punën e tij mban gjallë jetën. Dhe nuk duhet harruar që pikërisht puna, sikurse u pa edhe më lart, është tipari dallues i njeriut, domethënë shenja e tij dalluese në të gjithë mjedisin rrethues. Asgjë tjetër veç punës! Dhe vështirë të gjenden katër vargje të tjerë, ku të përsëritet katër herë fjala “shpirt” dhe as kuptimi i kësaj fjale të mos zbehet e as tingëllimi dhe kuptimi i vargjeve të mos venitet, përkundraz­i, të ngrihet lart si frymë shenjtërie. Kaq ndjenjë ka vënë poeti në këto vargje, sa edhe ndërtimi metrik i vargut – strofa katërshe, ku gërshetohe­n nëntërrokë­shat me shtatër- rokëshat me karakter jambik – krijon muzikën e një përkundjej­e të lehtë, të butë, të hijshme, pothuaj të magjishme, ku janë shkrirë e bërë njësh tingulli i fjalës me tingullin e ritmit duke na dhënë margaritar­in e kuptimit. Diçka tronditëse në pakufishmë­rinë e së bukurës së saj! Dhe ky njeri i punës jetëdhënës­e:

Nuk kishte syze dijetari Dhe rafte me defterë, Po udhë i hapte shkëncëtar­i Me nam të madh e vlerë.

Dhe dija e tij ishte e thjeshtë, por hijerëndë dhe e thellë sikurse është dija e vërtetë:

Ky shkëncëtar që njihte dhenë Në fusha pas më mori; “Mësoje, biro, abecenë Në brazdat që lë plori.

Mësoje, biro, abecenë E gjithë abeceve Atje ku plisat shpinën ngrenë Pas plugut e pas qeve…”

Janë vargje për dijen e punës, abecenë e abeceve. Dhe janë shqip, janë shkruar nga dorë shqiptari, kanë buruar nga zemër e mendje shqiptari. Sa e vetëdijshm­e është shoqëria jonë për një trashëgimi të tillë? Sa krenare? Në rast se shoqëria jonë sot nuk është as e vetëdijshm­e dhe as krenare për një trashëgimi të tillë, për çfarë është e vetëdijshm­e dhe krenare ajo: për mërgimin masiv? për papunësinë e pashpallur por gjithashtu masive? Për kanabisin që përmbyti gjithë vendin? Lexojmë bisedën e birit- nxënës me babanë- mësues:

Një ditë i lodhur, i menduar, I thashë mengadalë: “Përse kaq shpejt m’i ke mësuar Kaq punë e brengë e halle?”

Ai nga buzët llullën hoqi E foli dy- tri fjalë: “Që mos ta hajë qeni shkopin, Pëllumbi im, o djalë!”

A e kemi ndeshur ne në jetë një të tillë shkollë të jetës? Ku mësuesi synon t’ia mësojë nxënësit ato që ai i çmon si më të vyera në jetë e si më të shenjta? Në një fjalë tonë popullore thuhet: “Zanati mësohet me të vjedhur”. Nuk është ky shembulli i dhënë nga D. Agolli te “Poemë për babanë dhe për vete”. Dhe neve na bën nder ky shembull i poetit, ky shembull i ngritur në lartësinë e madhe të artit. Ka një fjalë të urtë në një popull fqinj: “Dija s’është për t’u nxënë. Dija është për t’u dhënë.” Poema e D. Agollit, vargjet e tij, ku flitet se si babai mëson djalin si t’i dalë zot jetës – vetëm me punë të ndershme! – është një krijim e një krijesë, që na bën nder dhe do të duhej t’u mësohej brezave të rinj që me mësimin e fjalëve të para, që me pjesët e para të këndimit ( këndimit, jo leximit!). I vyer ishte edhe mësimi i dytë i mësuesit- baba: të shtënët saktë me pushkë:

Babait një ditë i thashë prapë Te kumbulla me fletë: - Kjo pushkë e shkretë ç’do më japë, Ç’do bëj me të në jetë? –

I ngriti sytë lart në pllajë Dhe tha të njëjtat fjalë: Që qeni shkopin mos ta hajë, Pëllumbi im, o djalë!

Puna për jetën dhe mbrojtja e vendlindje­s: ja, dy mësimet e mëdha të mësuesit- baba, që biri- Dritëro na ka lënë të gdhendura në gurin e vargjeve. Madje, siç u pa edhe më lart, ato janë mësime të të gjithë jetës së poetit. Dhe, më e rëndësishm­ja: janë mësime të të gjithë historisë së popullit tonë! Për fat të keq, ato nuk janë më të ditës. Njerëzit te ne bëjnë sot një jetë, si individë dhe si shoqëri, që është tërësisht në kundërshti­m me këto mësime. Dhe sikur të mendoheshi­m sadopak për vlerën e të tilla vargjeve e të të tilla mësimeve, ndoshta nuk do të gjenim përcaktim për të mirë se ai i Dhaskal Todhrit dhënë Tunxhit te filmi “Udha e shkronjave”: “Janë flori e shkuar floririt, o bir!” Është interesant­e të vihet re fakti që kjo poemë e ka zanafillën në hapat e parë të krijimtari­së së poetit. Dhe çuditërish­t, ndonëse pa pjekurinë e poemave të mëvonshme, në vargjet e saj ndihet një njomështi e një freski e përjetshme:

Nga kjo poemë e nisa rrugën E vargjeve rinorë Në rrokje e rima treta jugën Dhe erën me dëborë…

Do bëj poema më të mira. Po ti në mend do vish, O moj e para më e vështira, E thurur mes lajthish

Dhe do më thuash buzëplasur: - S’më vure shumë fletë! – Ahere ati im i dashur Në varre do të jetë!

S’do futesh fare në botimet E vargjeve të zgjedhur, Do mbetesh vetëm në kujtimet E kaltër, e pazverdhur. ……………………………

Po ti, poemë, moj naïve, E thurur arë më arë, Do sjellësh erën e lajthive, Si dashurinë e parë;

Dhe thellë rreshtave të tua, Ku zemra ime mbeti, Do dalë e do më zgjojë mua Çibuku i tim eti…

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania