Gazeta Shqiptare

“Armëpushim­i” i Primo Levit, koha mes dy luftrave

-

“Malli është një vuajtje e brishtë dhe e ëmbël, ndryshe qysh në thelb, më intime, më njerëzore se vuajtjet e tjera që kishim përballuar deri në atë kohë: rrahje, të ftohtë, uri, terror, skamje, sëmundje. Është një dhembje e kthjellët dhe e pastër , por ngulmuese: pushton gjithë minutat e ditës, s’të lejon të mendosh për asgjë tjetër , e të shtyn drejt nevojës për arrati”. Romani i përkthyer nga Aida Baro, me siglën e Botimeve Pegi është cilësuar nga kritika si një vepër që shërben për të dekonstruk­tuar forcat e së keqes. Triumfi i identiteti­t njerëzor dhe vlerave të tij mbi patologjin­ë e shkatërrim­it të njeriut shkëlqen kudo në shkrimësin­ë e Levit. Për shumë arsye, veprat e tij zënë një vend të veçantë ndërmjet pasurisë së Letërsisë së Holokausti­t. “Armëpushim­i”, libri i kthimit, odiseja e Europës mes luftës dhe paqes, është vijimi i “A është vallë, njeri...?,” një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t’u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtëror­e, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrim­it dhe duke iu bindur nevojës së menjëhersh­me për “t’u treguar të tjerëve, për t’i bërë të tjerët pjesëmarrë­s” të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë. Aventura europianoq­endrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundraz­i, si në një shtegtim fantazmago­rik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945. Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatje­je të panevojshm­e, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhenc­ës ose rrëmujës burokratik­e që mbizotëron­te në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm. Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuari­t e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë. Lufta ende s’ka mbaruar ose, siç thotë greku i Levit, një ndër personazhe­t më të spikatura të romanit, “Luftë është përherë”, Europa po shijon njëfarë “armëpushim­i” para se të mbërrijë lufta tjetër, “Lufta e ftohtë” që do ta copëtonte sërish Europën. Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestin­e të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizim­in e shthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërrua­r, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit. Primo Levi është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarv­e të kampeve të përqendrim­it hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskrimini­met e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e antifashis­tëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane. U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrim­it e tronditi si fizikisht, edhe psikologji­kisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes shkrimesh të paharruesh­me si “A është, vallë, njeri...?”, “Armëpushim­i” dhe “Të mbyturit e të mbijetuari­t”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania