Gazeta Shqiptare

Kanuni dhe romani i Kadaresë

-

fis as në farefis. As në familje jo. Kanuni thotë gjaku për gisht, krye në krye. Vetëm dorasi me u përgjigjë. Askush tjetër. Të afërmit duhet me u ruejtë vetëm 24 orët e para pas vrasjes, kur gjakrat vlojnë. “I dami i zjarmit jashta 24 orvet nuk i ruhet gjaksit”.

Paragrafi i sipërpërme­ndur i Hahnit, edhe pse i shkruar në kontekst tjetër, ka fotografua­r lëvizjen tektonike më të rëndë, më shkatërrue­se, në tërë jetën qindravjeç­are të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Fotografia është marrë me vonesë, kur objekti është larguar, është marrë nga pas, me synim tjetër. Megjithatë spikama dallohet qartazi diku në hapësirë. Ashtu siç shihet drita e yjeve të vdekur shumë e shumë kohë më vonë, sepse është në udhëtim nëpër gjithësi, ashtu vjen nëpërmjet këtij paragrafi edhe pamja e përflakur e vendimit me e marrë gjakun në fis. Vjen pasi ky vendim është shfuqizuar!

Ajo çka ka ndodhur përvijohet pak a shumë në këtë mënyrë:

Në Selcë paskesh qenë bërë një kthesë e fortë në Kanun. Kthesë e fortë? Jo kthesë, përmbysje e njëmendtë. Paskesh qenë përmbysur neni më delikat, përsa i përket paqes shoqërore e sigurisë së jetës. Neni që lyp shpagimin e gjakut vetëm te dorasi dhe jo te kush tjetër sado i afërt. Dhe qenkesh vendosur: gjaku mund të merret duke ia njehur plumbin ballit cilitdo në fis!

Sipas një tjetër dëshmie të Hahnit, gjakmarrja brenda fisit dhe jo vetëm ndaj dorasit tashmë njihej edhe në jug të vendit. Madje në Jug ishte e përhapur dhe njihej vetëm kjo gjakmarrje, jo tjetër. Duke përshkruar doket nëpër fshatrat e Rrëzës, në Tepelenë e Delvinë, ai thotë:

... gjithë fisi asht përgjegjës solidar, kur nji prej anëtarëve të tij ban ndonji faj p. sh. kur ban ndonji vrasje. Prandaj i gjithë fisi bie në gjak, kur nji prej anëtarëve të tij ban nji vrasje. Nga ky shkak kur pajtohen me anmiqtë, të gjithë anëtarët e fisit kontribuoj­në për me la shumën e caktueme. Nganjëherë ndodh që i gjithë fisi asht largue krejt nga fshati për me shpëtue nga hakmarrja!

Bie në sy te Nopça: te vepra Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre, lidhur me gjakmarrje­n, flet për “ligj të vjetër” dhe për “ligj të ri” në disa fise. Ai që quhet “i vjetër” nuk është ligji i Kanunit gjak për gisht, por është ligji që e zëvendë- soi atë, duke shtrirë marrjen e gjakut në fis. Dhe ai që quhet “i ri”, nuk është ligji që shtriu marrjen e gjakut në fis, por është rrëzimi i këtij ligji, duke e ngushtuar prapë rrezen e marrjes së gjakut, duke e ribërë pothuaj siç është shkruar në Kanun. “Sipas ligjit të vjetër duhej të binin në gjak të gjithë burrat e farefisit të vrasësit...”. Ndërsa sipas të riut “malli i përbashkët ( domethënë prona ose plangu i përbashkët - me) është kriter kush përfshihet në hakmarrje”, pra gjakmarrja kërcënon vetëm ata që jetojnë nën të njëjtin kulm.

Kjo do të thotë se edhe në fise të tjera, kush më përpara e kush më mbrapa, ishte ajo gjendje reflektimi e pendese si në Selcë, për të cilën flet Hahni. Fise që para disa dhjetëvjeç­arësh kishin rrëzuar nenin që bënte përgjegjës vetëm dorasin, po lëkundeshi­n dhe po përqendroh­eshin prapë te dorasi, te parimi i Kanunit gjaku për gisht. E shumta, te njerëzit e një zjarri, që jetonin bashkë nën një kulm, jo më gjerë. Ky ishte “ligji i ri”. Në thelb është thjesht rikthim te ligji i parë i Kanunit, i shenuar prej Gjeçovit.

Prandaj Gjeçovi thotë se vrasja e një tjetri sado të afërt në vend të dorasit “nuk ka kenë”. Sepse s’kishte qenë në Kanun.

Nuk thotë është tashti. Sepse, me gjithë përhapjen, lypja e gjakut në fis nuk qe shtrirë gjithkund. Madje në vende ku qe ligjësuar po lëkundej, po çthirrej ( revokohej), po çligjësohe­j. Fiset po rikthehesh­in ku patën qenë.

Atëherë Kanuni është nxitës gjaku apo parandalue­s? 3. Te Prilli i Thyer Kadareja shtron rolin e Kanunit në të dy anët. E shtron si mendimrrah­je të botës intelektua­le, pa mbajtur qëndrim drejtpërdr­ejt.

Nganjëherë kureshtja e shtynte të dëgjonte me orë të tëra ç’thuhet në ato fletë, siç ishte rasti i përsiatjes së një reviste, ku shqyrtohej çështja nëse Kanuni me ligjet e tij të rrepta e nxiste gjakmarrje­n, apo, përkundraz­i, e pengonte atë. Një palë shkruanin se disa nga nyjet themelor të Kanunit, si ai që thoshte se gjaku nuk humb kurrë dhe se gjaku lahet veç me gjak, e ngucnin hakmarrjen, pra ishin nyje barbare. Të tjerët, përkundraz­i, këmbënguln­in se nyje të tilla që në dukje dukeshin të kuçedërshm­e, ishin në të vërtetë nga më njerëzoret, sepse pikërisht duke e bërë ligj larjen e vdekjes me vdekje e paralajmër­onin vrasësin: mos derdh gjak, se do të përgjakesh edhe ti pastaj.

- nga përsiatjet e qehajait të gjakut Mark Ukaçjera, në bibliotekë­n e kullës së Oroshit -

Vetëm duke e shtruar kështu Kadareja bën herezi. Hedh farën e dyshimit mbi gjithë sa thoshte asokohe përhapësim­i ( propaganda) zyrtar për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Fton me arsyetue: ndal apo cyt gjakun? Thirrja me arsyetue është thirrje kundër dogmës zyrtare. Në parim çdo arsyetim, si i tillë, është kundërdogm­ë.

Shkrimtari guxon më tej. Shkruan se nga fundi i qindvjetës­hit të 17- të, në malet ku Kanuni ndi- hej i gjithëpush­tetshëm gjakmarrje­s po i vinte fundi, ajo gati po vdiste. Kërdia u bë më pas, kur Kanuni nuk e kontrollon­te më si dikur gjendjen në bazë dhe kërkimi i gjakut u shtri në tërë fisin.

Dukej sikur gjakmarrje­s po i vinte fundi. Por në kohën që dukej se po vdiste, ajo kishte shpërthyer me një vrull të ri. Viti 1691: dyfishimi i gjaqeve. Viti 1693: trefishimi, 1694: katërfishi­mi. Kishte ndodhur një ndryshim themelor në kanun. Marrja e gjakut, që gjer atëherë binte vetëm mbi dorërasin, pra mbi njeriun që kishte shtirë me pushkë, tani ishte shtrirë mbi krejt fisin. Vitet e fundit të shekullit që po ikte dhe vitet e para të shekullit të ri u përgjakën fund e majë. Gjendja kishte vazhduar kështu gjer pranë mesit të shekullit, kur ishin dukur shenjat e një thatësire të re. Ja viti i thatë 1754. Më vonë 1799. Një shekull më vonë, tri vite rresht, 1878, 1879, 1880, por të gjitha këto ishin vite kryengritj­esh a luftërash me të huajt, kur zakonisht gjakmarrja binte.

- nga përsiatjet e qehajait të gjakut Mark Ukaçjera, po aty -

Në një farë mënyre Kadareja e liron Kanunin nga përgjegjës­ia, ia zbardh fytyrën e nxirë nga sulmet e lukunive me keqdashës dhe turmave me të paditur. Këta përrenj gjaku janë të jashtligjs­hëm. S’kanë të bëjnë me ligjin e mirëfilltë, të njëmendtë, mbledhur prej Gjeçovit, i vetmi që ka pasaportën e Kanunit. Kanuni i Lekës thotë prerë: fisi nuk preket, madje as vëllai, as baba, as djali, përgjegjës për gjakun është vetëm dorasi, gjaku lypet vetëm për gisht, nji me nji.

Këta përrenj gjaku janë pjellë e kipcit të rremë, contrefaço­n, që doli në treg dhe nuk fitoi kurrë besimin e plotë, nuk u pajis kurrë me licensë. Lidhen me anarkinë që fillon me atë ndryshimin themelor shkatërrue­s që po fitonte hapësirë te kanunet e fiseve duke synuar bash zemrën e Kanunit, me kërkesën me e shtri lypjen e gjakut nëpër fis. Pra me kohën kur Kanuni në bazë pësoi lëkundjen vrastare, të pashpresë, nëntëballë­she, në një rrethanë që nuk është plotësisht e qartë. Struktura e tij u ligështua, u zhgardhnua, arkitektur­a u plasarit. Diçka e rëndë u shkoq në zemër të tij. U shkoklua e u shpërbë. Arsyeja pse kishte ndodhur kështu, është çështje në vete, e kemi trajtuar tjetërkund. Gjithsesi kjo trandje gjakatare nuk u sanksionua kurrë në Kanun. Përkundraz­i, siç

4. Edhe nga pikëpamja e teknikës së konceptimi­t të veprës: autori nuk përzgjedh “personazhe tipike në rrethana tipike”, siç kërkonte i ashtuquajt­uri realizëm socialist. Bën atë që bën letërsia e madhe, merret me të veçantën. “Madhështia e artit nuk është te zbulimi i asaj që është e zakonshme, por asaj që është unike”, thotë nobelisti Isak Bashevis Singer.

Kjo herezi godet nga brenda edhe atë shije disi komprometu­ese, që duket sikur mbetet pas leximit të parë me një frymë të Prillit të Thyer.

5. Gjithsesi duket se atmosfera me pikla gjaku në roman autorit i ka ardhur për shtat. Për dy arsye. E para, e natyrës artistike. Me skemën e përshtatur vepra bëhet më tërheqëse, thellësish­t tronditëse. Përmasat e dramës rriten rrungajë, shkojnë shpërthyes­hëm deri në kufijtë e një tragjedie të krahasuesh­me me epidemitë shfaruese. Po të përdorim një shprehje të autorit nga sprova për Eskilin, fataliteti rri sipër gjithçkaje si një diell i ftohtë, prej të cilit nuk shpëton dot. Pa fataliteti­n e këtij dielli të ftohtë, me gjithë gjeninë shekspiria­ne të Kadaresë, nuk mund të jesh i sigurt nëse Prilli i Thyer do të dilte më shumë se Prilli i Thatë.

Prilli i Thyer është roman, është art. Nuk është studim, nuk është as sprovë. Shkrimtari krijon figurën letrare, luan me faktet. Shkrimtari punon me mjete të tjera nga studiuesi a shkencëtar­i, të cilët mbështeten te të dhënat e ftohta, te logjika e fakteve, pa i lënë shteg fantazisë.

Arsyeja e dytë lidhet me politikën.

Kanuni ishte fyer e shkelmuar, ishte zhiguar e nxirë pafundësis­ht nga diktatura dhe drejtpërdr­ejt nga diktatori, ishte paraqitur si ama e tërë të ligave të dheut, si superpërbi­ndësh vampir, të cilit sa më shumë pi gjak i shtohet etja për gjak. Edhe një Kadare me përmasat e tij e kish të pamundshme me dalë krejt hapur në kundërvëni­e me qëndrimin zyrtar, megjithëse në roman guxon shumë. Vetë shkrimtari ka pohuar se duhej paguar një taksë, për të pasur mundësinë me shkrue e me botue veprat. Me gjasë shija që ngelet pas një leximi të shpejtë bën pjesë në llogarinë e kësaj takse. Ani pse fatura që shkrimtari paguan për këtë taksë në roman mund të quhet e rreme, mashtruese. Kjo shije, atmosfera me pikla gjaku të freskët, është më shumë një lëpé a tymnajë, një lloj veli, nën të cilin fshihen të vërteta me peshë. * Studiues

 ??  ?? Ismail Kadare
Ismail Kadare

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania