Gazeta Shqiptare

Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e djeshme

- Nga Erl Murati

( vijon nga faqja 1)

... ditën e votimit. Në protestë, ti si qytetar i kujton kryeminist­rit të radhës të dëgjojë zërin tënd. I kujton që e ka marrë zyrën me qira. Për të shërbyer, jo sunduar.

Dikush tha: Nuk dola në protestë, sepse opozita është e dobët.

Sa qesharake. Po të ishte opozita e fortë, ndoshta s’do kish nevojë për ty. Ndoshta s’do kish nevojë për protestë fare.

Nëse opozita në këtë vend është e dobët, aq më keq për të gjithë. Atëherë kryeminist­ri i radhës, kushdo qoftë ai, do qeverisë pa dëgjuar askënd dhe pa e çarë kokën për asgjë.

Protesta nuk është hedhje vote ku ti zgjedh mes PS, PD a LSI.

Protesta është mjet demokratik, ku një qytetar pavarësish­t se për kë voton, i thotë qeverisë “më llogarit edhe mua” me shpresën se do ta bëjë të mendohet 2 herë dhe ndoshta, të vetëkorrig­johet. Për të mirën e të gjithëve.

E keqja në Shqipëri është se njerëzit janë të polarizuar partiakish­t dhe i shohin politikanë­t si yje futbolli, jo si të punësuar për të përmirësua­r jetën tonë.

Ndaj, as mund të mendohet këtu që një socialist të dalë në protestë kundër Ramës, apo një demokrat kundër Bashës. Kjo do të quhej tradhti e madhe, “ndërrim lëkure”. Miqtë e fisi do ta përbuznin këtë njeri. Kjo është një mendësi primitivis­te, që i ndan individët në kamikazë të njërit apo tjetrit udhëheqës.

E kundërta është normale: mund të jesh votues i cilësdo forcë politike, nëse ke pakënaqësi, del në shesh dhe i kërkon pushtetit të ndryshojë kahjen apo tempin e qeverisjes.

Përsa kohë qytetarët do ta ndajnë veten mekanikish­t në “të majtë e të djathtë” njësoj siç ndahen në tifozë Reali apo Barcelone, kërkesa e llogarisë ndaj politikës do jetë shumë larg. Afërmendsh, edhe politikani as do ta mendojë llogaridhë­nien.

Nëse vazhdon kjo ndarje tifozlliku “o me PS - o me PD”, qeveritarë­t e këtij vendi nuk do ta shohin popullin si një masë të vetme, së cilës duhet t’i përgjigjen. Por, do ta shohin të ndarë në 2 kampe: ku Rama e Basha kanë secili të verbrit e tij.

Pse duhet t’i interesojë Ramës ç’a thonë demokratët, ai ka socialistë­t e tij besnikë? Dhe anasjellta­s, Basha është në opozitë, ç’i duhet atij ç’mendojnë socialistë­t? Ai ka demokratët e betuar pas tij, si në pushtet, si në opozitë.

Siguria që kanë liderët që “populli i tyre” i ndjek edhe në fitore, edhe në humbje, edhe në suksese, edhe në vjedhje e korrupsion ua bën atyre jetën më të lehtë.

“Divide et impera” ka thënë latini dhe nuk e ka thënë kot. Kjo ndarje e popullit qorrazi në “demokratë e socialistë” e zhduk llogaridhë­nien si koncept.

Sjell këtë: ti mund të qeverisësh si bedel, mund të mos kesh asnjë bilanc në 4 vite, por besnikët do t’i kesh pas vetes në çdo rast.

Për sa kohë kjo s’do të ndryshojë, për sa kohë mendja nuk do të emancipohe­t duke qenë gjithnjë e në çdo rast opozitare, kërkuese dhe kritike ndaj realitetit, Rama dhe Basha ( para tyre Nano- Berisha) thjesht do të ndërrojnë vendet çdo 8 vjet.

Dikush tjetër tha: Unë s’marr pjesë në protesta të organizuar­a nga partitë politike. Është e qartë se kjo është një alibi për të justifikua­r përgjumjen e letargjinë: thua i ndritën këtu protestat jopartiake intelektua­lët dhe shoqëria civile?!

S’ka asgjë të keqe të ngresh zërin, të mos rreshtohes­h, të mos konformohe­sh. “Po s’qau fëmija, s’i jep nëna të pijë”, thonë të vjetrit. Ditën e zgjedhjeve bëj ç’të duash, por kur ke mundësi të flasësh, fol, mos u bëj filozof mbi mjerimin tënd.

Por, për sofistët e Tiranës ka gjithnjë një arsye për të qenë antiopozit­ar.

Nëse protesta do shënonte incidente, do thoshin se ishte e dhunshme, por meqë doli paqësore thanë ishte e zbehtë. Po të kishte pak njerëz, do thoshin opozita nuk frymëzon, por meqë pati shumë thanë s’kishte entuziazëm. Po të ngulej çadra do shfrynin protestë demode, por meqë gjithçka u mbyll në 2 orë, thanë s’pati surpriza.

Si parim, opozita – qoftë ajo më e keqja – nuk mund ta dëmtojë kurrë një vend më shumë se qeveria, andaj është mirë dhe në çdo rast, qofsh demokrat, socialist apo jopartiak, t’i thuash qeverisë dhe kryeminist­rit të radhës: Dëgjoje zërin tim!

Ndryshe, shqiptarit të ngratë, atij që nuk e klasifikon veten partiakish­t, i mbetet të ikë nga sytë këmbët në vende ku njerëzia nuk është e lyer me bojë blu dhe të kuqe. Në ato vende ku dinë ta ndajnë të mirën nga e keqja, ku protesta nuk është tabu dhe ku “heroi” është i drejti e jo i forti.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania