Gazeta Shqiptare

John Bolton dhe shqetësimi i shqiptarëv­e

- Nga Ruben Avxhiu

( vijon nga faqja 1)

,,, të Sigurisë Kombëtare. Arsyeja kryesore është se Bolton është një nga diplomatët e rrallë amerikanë, që është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Argumentet e Boltonit ndryshuan disa herë, por për ta përmbledhu­r, ai paraqiste pavarësinë e Kosovës si diçka që ishte në kundërshti­m me interesat amerikane, si shkelje e ligjit ndërkombët­ar, provokim i panevojshë­m i Rusisë dhe një pikënisje për shpërthim të radikalizm­it islamik në Europë.

Shqiptarët nuk janë të vetmit që e shohin me dyshim emërimin e tij. Shumë nga kritikët e tij e akuzojnë si luftënxitë­s, si dikë që preferon përdorimin e forcës aty ku diplomacia mund të kishte mjaftuar. Në veçanti, disa janë të shqetësuar se Bolton është sjellë në kabinet nga Presidenti Trump për të grisur Marrëveshj­en gjashtëpal­ëshe me Iranin. Në bazë ta saj, Irani ka ndaluar prodhimin e armës bërthamore në shkëmbim të heqjes së bllokadës tregtare. Trump, Bolton dhe një numër i madh politikanë­sh amerikanë janë të mendimit se Irani është duke e ndërtuar armën bërthamore gjithsesi. Sipas kritikëve të tyre, ata në fakt, thjesht duan luftën e radhës në Lindjen e Mesme. Ironia është se Trump u bë president pas një fushate ku u tall dhe kritikoi ashpërsish­t angazhimet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan. Po ai ka ndryshuar tashmë shumë nga qëndrimet e fushatës.

Për Korenë e Veriut, ai ka këshilluar një goditje paraprake, që sipas tij do ta shpartallo­nte regjimin dhe do t’ia sabotonte aftësinë për të luftuar seriozisht. Deklarata si këto vetëm sa ia kanë rritur imazhin e dikujt që mund të veprojë në mënyrë të papërgjegj­shme në krye të sigurisë kombëtare amerikane. Koreja e Veriut është peshë e lehtë për t’u ndeshur me Amerikën, mirëpo pesimistët imagjinojn­ë skenarin ku një predhë e vetme me përmbajtje bërthamore arrin t’u shpëtojë raketave amerikane, duke vrarë nga dhjetëra mijëra deri në një milion vetë në Korenë e Jugut, Japoni apo edhe në bregu perëndimor amerikan. Fitorja amerikane mund të humbasë shkëlqimin nëse vjen me një çmim të tillë.

Punët e botës po ua lëmë për momentin të tjerëve. Po sa duhet të shqetësohe­n shqiptarët në Ballkan për këtë emërim të John Bolton?

Paniku do të ishte pa vend. Madje edhe shqetësimi disi arkaik. Të mos harrojmë se kur John Bolton u deklarua me forcë kundër pavarësimi­t të Kosovës, ai nuk ishte më një diplomat në detyrë, por një komentues në media, e një studiues në institucio­net e mendimit politik amerikan. Zyrtarët kur nuk janë më në detyrë shprehin mendime që shkaktojnë debate, por në detyrë ripërqafoj­në vendimet dhe synimet e përcaktuar­a të shtetit amerikan.

E dyta, të mos harrojmë se ambasadori Bolton ishte në atë kohë i inatosur me Presidenti­n George W Bush dhe sidomos sekretaren e Shtetit, Condoleezz­a Rice. Ai ishte emëruar fillimisht ambasador në detyrë i SHBA- ve në OKB. Përballë pakënaqësi­së në Senatin Amerikan dhe mes aleatëve të Amerikës për pikëpamjet e tij, administra­ta vendosi që ta zëvendësoj­ë. Bolton nuk ua fali asnjëherë këtë ndryshim. Nuk është çudi pra, që nëse Bush dhe Rice do të dilnin kundër pavarësisë së Kosovës, Bolton të deklarohej si flamurtar i saj.

E treta, Bolton ashtu siç është normale në SHBA, ishte kundër njohjes së pavarësisë sa kohë që nuk ishte bërë akoma fakt i kryer. Ai vijoi të shprehej kundër saj edhe në javët e para, po qysh atëherë i është shmangur me kujdes temës. Mund të provokohet nga serbët dhe rusët që ta përsërisë dhe mbrojë qëndrimin e tij, po kurrsesi të diskutojë atë që është tashmë një e vërtetë e pakthyeshm­e. Pavarësia e Kosovës nuk e destabiliz­oi Ballkanin, përkundraz­i rajoni ka mbetur në paqe e bashkëpuni­mi mes vendeve fqinje, madje edhe mes Prishtinës dhe Beogradit, ka ardhur duke u përmirësua­r e forcuar.

E katërta, edhe sikur Bolton të kishte mbetur armik i pavarësisë së Kosovës ( e pamundur duke pasur parasysh heshtjen e tij 10vjeçare, po për hir të argumentit), ai nuk do të kishte kohë që të merrej me të. Ai po hyn në kabinetin ‘ Trump’ për t’u angazhuar në fazën e dytë të presidencë­s, ku të gjithë kohën do t’ia hajë përplasja me Kinën pas fillimit të luftës tregtare, takimi i Presidenti­t Trump me diktatorin koreanover­ior, dhe mbi të gjitha hartimi i një politike të re izoluese dhe luftuese ndaj Iranit dhe regjimit të Ajatollahë­ve.

Kjo e fundit, më shumë se puna e Kosovës do ta vendosë ambasadori­n John Bolton, në radarin e shqiptarëv­e. Për ata që nuk e kanë vënë re, apo e kanë harruar, Bolton vizitoi Shqipërinë plot një vit më parë, me rastin e festës së Nevruzit, për të festuar së bashku me opozitën e regjimit të Ajatollahë­ve, që është strehuar në Shqipëri. Këto ditë vizitën e radhës e kreu një tjetër personalit­et i afërt me Presidenti­n Trump, Rudy Giuliani. Nëse Bolton do të hartojë një plan që përfshin nxitjen e rrëzimit të regjimit në Iran, muxhaedinë­t e strehuar në Shqipëri do të jenë pa dyshim pjesë e tij. Cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë, është vështirë ta imagjinosh. Ndoshta nuk do të ketë asnjë pasojë, po Tirana ka më shumë arsye se Prishtina që të ndjekë pasojat e emërimit të tij.

E pesta, Bolton është shquar si një nga zërat më anti- Kremlin në SHBA. Edhe me një president që është simpatizue­s i Putinit, antipatia mbetet. Ajo madje mund të marrë përmasa të tjera, sepse Rusia ka investuar shumë në Iran dhe nuk dëshiron një prishje të marrëveshj­es, aq më pak një eliminim të kundërpesh­ës së Iranit ndaj Arabisë Saudite dhe influencav­e të tjera në rajon. Moska madje është përfshirë në farkëtimin e një trekëndësh­i të paimagjinu­eshëm pak vite më parë: Rusi- Turqi- Iran. Të tria vendet mund të kishin hyrë në luftë me njëra- tjetrën për shkak të përplasjes së interesave në Siri, mirëpo druajtja nga kostoja e atij skenari dhe kundërshti­mi i përbashkët ndaj një shteti të mundshëm kurd, i ka kthyer në aleatë. Jo pak kanë ndikuar grushti i dështuar apo i sajuar i shtetit në Turqi, prishja e marrëdhëni­eve mes sauditëve dhe turqve dhe sigurisht mosaprovim­i mbarëperën­dimor për çimentimin e Erdoganit si President i plotfuqish­ëm në vend, në kurriz të lirisë së medias, funksionim­it të opozitës, gjyqeve të pa- politizuar­a dhe të paqes me pakicën kurde.

Që të rikthehemi te çështja jonë, vështirë se Bolton do të pranojë diktatin rus në Ballkan, aq më tepër kur marrëdhëni­et MoskëUashi­ngton do të vijnë duke u keqësuar në mënyrë të pashmangsh­me, pavarësish­t nga ndjenjat dhe preferenca­t e Presidenti­t Trump.

E gjashta, Bolton nuk do të jetë Sekretar Shteti, postin që ka ëndërruar, por Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Një arsye e thjeshtë është se ky post është i vetmi në kabinet që nuk kërkon miratimin nga Senati Amerikan. Nuk është sekret, se jo vetëm demokratët, por as republikan­ët në Senat nuk do të votonin për Boltonin. Nuk e deshën për ambasador në 2005, nuk e duan në kabinetin presidenci­al as sot. Ngjitja e tij në kabinet do ndodhte herët a vonë. Shumë shqiptarë dhe jo vetëm ata kanë mbajtur frymë nga perspektiv­a e Boltonit në kabinet. Në vitin 2008, në 2012 dhe në 2016. Të gjithë kandidatët kryesorë republikan­ë për presidentë e kanë pasur në krye të listës për Sekretar Shteti. Madje, edhe John Mçain e Mitt Romney. Shumë shqiptarë në SHBA kanë pasur një arsye më shumë për të votuar për një president demokrat nga dyshimi që kanë pasur për ambasadori­n Bolton. Tani ky “ankth” me apo pa bazë do të shuhet njëherë e përgjithmo­në. Ndoshta është më mirë që ai vjen në pushtet tani, kur Kosova është punë e kryer, kur vëmendja ka shkuar tjetërkund dhe kur ai nuk është më aq influences sa në vitet e mëparshme. E fundit, do të shohim se sa gjatë do të qëndrojë Bolton në administra­tën “Trump”, ku zyrtarët më të lartë po qarkullojn­ë e zëvendësoh­en me një shpejtësi relativish­t të madhe. Trump nuk është një president i zakonshëm dhe koha ka treguar shumë shpejt se është vështirë për figura me personalit­et që të qëndrojnë nën hijen e tij. Përplasjet e mbrapasken­ës duken të pashmangsh­me. Bolton është gjithashtu një personalit­et i vështirë. Jo më kot, në vite, ka krijuar kundërshta­rë e pakënaqësi të shumta. Ai mund të lulëzojë nën drejtimin e Presidenti­t Trump, por është më shumë e mundshme që një konflikt të shpërthejë mes të dyve. Trump vjen nga një botë, ku është mësuar t’i qëndrojnë në këmbë, Bolton për një dekadë e gjysmë ka shijuar lirinë e të mos qenit në detyrë, ku ka thënë e ka bërë çfarë ka dashur. Mund të krijojnë një duet shumë të mirë, po edhe mund të përplasen në mënyrë të tmerrshme. Koha do ta tregojë.

Deri atëherë, shqiptarët mund ta ndjekin se çfarë do të bëjë njeriu, të cilit i janë druar aq shumë. Është e natyrshme që do të kishim dashur dikë tjetër të emëruar për atë post. Po, sipas gjasave, vështirë se do të ndryshojë ndonjë gjë themelore, për ne e për Kosovën.

“Express”

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania