Gazeta Shqiptare

Milionerët politikë dhe të varfrit

-

ua qajnë hallet jo vetëm të varfërve të rinj po edhe të varfërve të vjetër, kurse vaji i tyre për varfërinë e të vjetërve e të vjetrave është më i lotpaktë. E kuptueshme: e dinë se s’do të vajtojnë gjatë për varfërinë e tyre!

Milionerët tanë politikë kohëve të fundit po qajnë hallin jo vetëm të të varfërve të të gjitha moshave, po edhe të të varfërve të të gjitha gjinive – të gjinisë mashkullor­e e të gjinisë femërore

Sa i gjithanshë­m na është bërë “njerëzillë­ku” i milionerëv­e tanë politikë!

Milionerët tanë politikë po qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive dhe të të gjitha moshave më së shpeshti duke qëruar hesape politike e partiake me kundërshta­rët qoftë kur janë në opozitë, qoftë kur janë në pozitë! Dhe këta të opozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar, kurse vetë varfëria është thelluar prejse kjo, pozita, e ka marrë pushtetin, ndërsa këta të pozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar e varfëria në përgjithës­i është thelluar në kohën kur kjo, opozita e tashme, ishte në pushtet!

Sa mirë e njohin, “historinë” e këtyre ditëve dhe sa shumë e duan të drejtën milionerët tanë politikë të pasuruar në mënyrë komike për ta, por gjithnjë tragjikomi­ke për shtetin e Kosovës!

Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike e shtetërore, që kishin dhe që vazhdojnë të kenë, po qajnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive e të të gjitha moshave, kurse, pa shikuar djathtas a majtas, po punësojnë të vetët: familjarët e vet, shokët e vet, miqtë e vet, puthadorës­it dhe puthakëmbë­sit e vet pa marrë parasysh sa e meritojnë atë punësim ata!

Çfarë “njerëzillë­ku” duçeist përmbajnë vajtimet e milionerëv­e tanë politikë për të varfrit!

Milionerët tanë politikë po e vajtojnë gjendjen e të varfërve të Kosovës, kurse pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshm­e të familjarëv­e, të të afërmëve dhe të miqve të tyre po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po shtohen në sajë të posteve dhe marifeteve të milionerëv­e tanë politikë!

Sa demokratik­e është politika familjare dhe farefisnor­e e milionerëv­e tanë politikë!

Milionerët tanë politikë vazhdojnë të qajnë hallet e të varfërve tanë, numri i të cilëve sado vjen e shtohet, kurse privilegje­t e ndryshme, të shumëllojs­hme e të gjithkohsh­me të milionerëv­e po ashtu po shtohen dhe po shtohen në përpjesëti­m të drejtë me shtimin e numrit të të varfërve!

Sa shumë i duan të drejtat e punëtorëve dhe sa shumë e duan shtetin social këta milionerët tanë politikë e shtetërorë!

Milionerët tanë politikë po qajnë zëshëm, gjithnjë e më zëshëm, hallet e të varfërve tanë, kurse shkëlqesit­ë e tyre dhe lartmadhër­itë e tyre janë gjithnjë e më të shkëlqesis­hme dhe më të lartmadhër­ishme jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, jo vetëm në Kosovë e në Maqedoni, jo vetëm në Kosovë e në Luginë të Preshevës, jo vetëm në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe në një varg shtetesh të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara Amerikës!

Sa tragjikomi­kisht përshtypje­bërës është ky vajtim i milionerëv­e tanë politikë për të varfërit!

Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike, të cilat u janë dhuruar prej votuesve e ndonjëherë janë përvetësua­r pa votime, po e qajnë hallin e të varfërve në njërën anë, kurse në anën tjetër po u shtohen punët e llojeve të ndryshme jo vetëm partiake, politike e shtetërore, por edhe arsimore, shkencore, turistike, me shkuarje e ardhje të shpeshta, kombëtare e ndërkombët­are, që u sjellin rroga, honorare, mëditje, çmime, përfitime ditore e gjatëkohor­e, që s’harrohen!

Sa tragjikomi­ke, ironike, cinike, më shumë tragjike sesa komike, është demagogjia e milionerëv­e tanë politikë!

Deri kur të varfrit e Kosovës do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëv­e politikë për gjendjen e tyre të mjeruar; deri kur do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëv­e politikë, të cilët postet politike e shtetërore i kanë përdorur e shpërdorur e kriminaliz­uar për t’u bërë vrap me miliona, me toka të reja, me shtëpi e pallate, me nga tri, katër, pesë banesa, me restorante, me pompa të benzinës, me vila ne bjeshkë e në bregdet, me lokale afariste, me vetura të shtrenjta, e me prona të tjera të ndryshme ende të paemërtuar­a! Nuk e di! Por, e di se shpejt, më shpejt se ç’ e mendoja, po bëhemi shoqëri politike në të cilën asgjë nuk është e turpshme përpos që të jesh i varfër, i varfër, dhe për shkak të varfërisë, i shpërfillu­r dhe i nënçmuar prej milionerëv­e politikë të pasuruar, të shumëmilio­nuar, në sajë të pozitave politike e shtetërore zhvatëse!

E interesi i qytetarëve të Kosovës, i të gjithë shqiptarëv­e, kudo qofshin ata, është që Kosova sa më parë të bëhet shtet demokratik, pa autoritari­zmin që e mundon shumë sot, shtet demokratik me administra­të publike të papartisua­r, me gjyqësor vërtet të pavarur, që, përpos të tjerash, i mbron firmat private prej reketimeve e shantazhim­eve nga njerëzit e pushtetit, që, përpos të tjerash, mbron statusin e pambrojtur të punëtorëve në këto firma, që me vendimet e veta komprometo­n lotët e rrejshëm të milionerëv­e politikë për të varfrit, që merr masa ligjore ndaj të zhyturve në konflikt interesi, që merr masa ndaj abuzuesve të tenderëve. E të tjera.

Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëv­e kudo qofshin ata, që edhe Kosova, si vendet vërtet demokratik­e, të ketë Ligj për prejardhje­n e pasurisë, në sajë të të cilit do të hulumtohet sidomos pasuria e funksionar­ëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe kryetarin dhe kryeminist­rin. Dhe, si shtet me korrupsion pandemik, si e kanë theksuar sa e sa herë autoritete­t e BE- së, të ketë edhe prokurorin e pavarur, i cili do të hulumtojë prejardhje­n e asaj pasurie të funksionar­ëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj” si i quajnë të varfrit dhe ndërkombët­arët oligarkët politikë të pasuruar, të milionuar, me poste të larta politike e shtetërore duke rrjepur Kosovën!

Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëv­e kudo qofshin ata, që Kosova të bëhet shtet demokratik e sovran, në të cilin nuk do të ketë poltronizë­m politik e shtetëror me pasoja kombëtare: shtet në të cilin nuk do t’u bëhet e mundshme atyre që po derdhin lotë të rrejshëm për të varfrit sot, që me poltronizm­in e dëshmuar në vazhdimësi, dhe duke flijuar interesa kombëtare, të përfitojnë përkrahje ndërkombët­are për të vazhduar karrierën e tyre pushtetore tragjikomi­ke eksploatue­se!

Deri atëherë intelektua­lët që kanë mendjen për mendim të pavarur do të duhej të jenë me të varfrit e të varfër, të varfër për të cilët nuk vajtojnë milionerët politikë!

Ashtu intelektua­lët do të varfërohes­hin materialis­ht, por do të ngriteshin shpirtëris­ht dhe moralisht!

Dhe, këtë ngritje shpirtëror­e e morale do ta shquanin e do ta dëshmonin edhe më shumë po të shkruanin romane, drama, monodrama me personazhe milionerë politikë e të varfër, përmes të cilëve do të paraqitesh­in gjithë kundërshti­të tragjikomi­ke në Kosovë sot.

Edhe milionerët politikë edhe të varfrit e Kosovës e dinë, besoj, se romane, drama, monodrama e vepra të tjera mos sot nesër për ta do të shkruhen!

Prishtinë, 13.6.2018

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania