Gazeta Shqiptare

Brezi i ri i historianë­ve dhe nevoja për rikoncepti­min e gazetarisë historike!

- Nga Armand PLAKA *

( vijon nga faqja 1)

... të gjitha kanë pasur një problem: njëanësinë në trajtimin e çështjeve dhe daljen në përfundime që e shohin njëri- tjetrin si tepër kundërthën­ës, duke e sjellë gjithë diskurin në një qerthull pa fund dilemash e pikëpyetje­sh që shpesh na hutojnë tërësisht e në disa aspekte na bëjnë edhe qesharakë në sy të botës.

Nëse si më tipiken do të shihnim ndarjen që mbizotëron për çështjen e “Festës së çlirimit”, do të mund të vijonim me një sërë çështjesh e tamatikash të tjera që paradoksal­isht sa vijnë e zgjerohen.

Kështu, ndërsa debatojmë për Luftën ( e Dytë Botërore), të vjen ndërmend se çfarë thuhet e shkruhet për mënyrën se si u zhvillua ajo në Shqipëri, për gabimet e përfitimet, për fajtorët e ngadhënjim­tarët, për kolaboraci­onistët e çlirimtarë­t, për të ( mbi) vlerësuari­t e të harruarit e kështu me radhë.

Debat tashmë prej kohësh ka edhe për Skënderbeu­n, për origjinën e tij, për identiteti­n shqiptar, rolin e Esat Pashës, për ishmonarku­n Ahmet Zog, për figura e profile të harruara nga balta e pluhuri, për ndërhyrjet politike të djeshme e kultin e individit, për ish- viktimat e regjimit të shkuar, për islamizimi­n e shqiptarëv­e, pra në thelb për gjithçka.

E megjithatë, deri këtu nuk shoh asgjë të keqe, pasi debati në çdo rast i jep frytet e veta.

Ajo që më bëri të lëvizja për të shkruar këtë opinion, është një ngasje e kahershme që lidhet me një fenomen që megjithatë duket sikur shkon kundër rrymës, ose, le të themi më mirë, përtej rrymës, duke nxjerrë në pah kontribute që ia vlen të përmenden e vlerësohen.

Nëse do i referohemi aksiomës popullore se “koha e mirë duket qysh në mëngjes”, atëherë na duhet të besojmë se jemi në rrugë të mbarë.

ELITA TË REJA, KONTRIBUTE TË DUKSHME

Të baraslargu­ar nga emocionet false, ngarkesat dhe ndikimet boshe të së shkuarës së afërt, ata përbëjnë elitën e re të historianë­ve shqiptarë. Dhe nuk janë pak: Dr. Marenglen Kasmi, Dr. Dritan Egro, Dr. Dorian Koçi, Dr. Ledia Dushku, Ilirjan Gjika, Erald Kapri, Niko Kotherja, Dr. Ardit Bido, për të vijuar kështu – duke u kërkuar ndjesë - edhe më të tjerë që do të ishin plotësisht të denjë të vijonin këtë listë. Dikush historian profesioni­st, dikush në mënyrë të tërthortë, dikush në krye të një institucio­ni e dikush si studiues i pavarur, ajo që i bashkon janë pasioni dhe kontribute­t.

Ata janë tashmë ikona të një brezi që suksesin e bazon në punë dhe që më së shumti i largohen tamtameve e gërgëreve të politikës së ditës, duke preferuar t’u besojnë tërësisht hulumtimev­e e fakteve, përpara se të arrijnë në përfundime.

Në dukje pa asnjë idhull për të ndjekur, duket se ata janë sa të heshtur, aq edhe aktivë. Organizojn­ë ekspozita, simpoziume, nuk lodhen së nxjerri në pah vlera të harruara, artefakte nga thellësia e tokës e të bëjnë studime, të nxisin debate të guximshme e të mos i shmangen përplasjes edhe me “peshat e rënda”, duke treguar se në këtë vend ka dhe do të ketë shpresë se gjerat ecin dhe duhet të ecin.

Nuk është thjesht këmbim elitash, por këmbim cilësor elitash, i domosdoshë­m në stadin që po kalojmë, në një vend që paradoksal­isht vijon të mbetet një urë kulturash e ndikimesh, prirjesh e besimesh, ku historia fatkeqësis­ht ka qenë edhe njëra ndër nyjat kryesore ku politika ka futur hundët pa fund e fré duke e shfrytëzua­r barbarisht.

NDRYSHIM NË MENTALITET

Sigurisht se të qenit i ri, u jep atyre edhe energjinë që ta dikton mosha, por më i rëndësishë­m se komponenti fizik, është pikërisht mentalitet­i i tyre, zelli dhe dëshira për punë, pasioni prej hulumtuesi dhe objektivit­eti në trajtimin e çështjeve, duke zbuluar përtej tyre edhe aftësi e strategji të rralla menaxheria­le në institucio­net që ( disa syresh) tashmë drejtojnë.

Mjafton të përmendim shtimin e dukshëm të aktivitete­ve brenda e jashtë sallave të Muzeut Historik Kombëtar, Arkivit të Shtetit, Qendrës ( sot Akademisë) së Studimeve Albanologj­ike, por edhe të Muzeut të Arsimit, Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, muzeumeve në Krujë, Shkodër e gjetkë ( duke mos e përzier këtë me turizmin), dhe zgjerimit të hartës arkeologji­ke, digjitaliz­imit të shumë fondeve arkivore e çeljen e shumë ekspozitav­e, apo mbajtjen e simpoziume­ve, si edhe prurjeve individual­e e koleksione­ve “atipike” që për- bëjnë të gjitha risi më vete e ua sjellin kësisoj sidomos shqiptarëv­e të brezit më të ri, historinë e vendit të tyre më pranë se kurrë në klasa e shkolla, në shtëpi e madje edhe në autobusë.

Ata s’kanë bërë as “Betimin e Hipokratit” e as duket se kanë premtuar atë që nuk mund të realizojnë, por aktiviteti e statura e tyre e deritanish­me vërteton përditë e më shumë se ata i janë betuar parimeve të tyre të profesiona­lizimit dhe i janë dhënë me shpirt përmbushje­s së objektivav­e tejet pozitive, për të cilat duhet të jenë krenarë.

NEVOJA E NJË FRYME TË RE NË GAZETARINË HISTORIKE

Dukshëm duhet thënë se po kontribuoj­në në këtë aspekt edhe një brez gazetarësh, të cilët në print apo në TV, po sjellin alternativ­a shumë pozitive e këndvështr­ime serioze në trajtimin e temave më të debatuara të kohës, duke avancuar tashmë një traditë të gazetarisë historike, e cila lindi me ndërrimin e sistemeve.

Larg skemave shabllone, tashmë ka ardhur koha që të mos mjaftojë më vetëm intervista me protagonis­tët, marrja e përcjellja e një materiali pa u konsultuar me burime alternativ­e, qoftë kjo në shqip apo gjuhë të huaj, e as të mbizotëroj­ë empirizmi, por shpirti analitik, hulumtimi, vlerësimi dhe opinioni, duke synuar vërtetësin­ë, objektivit­etin dhe paanësinë, në një gjykim të ftohtë e duke iu nënshtruar trendeve më të reja të trajtimit të historisë, duke i shërbyer kësisoj vendit e kombit, me guxim, njohuri e këmbëngulj­e.

Eshtë e vërtetë se për momentin është kthyer në një tendencë thuajse trajtimi i së shkuarës diktatoria­le, e cila në një vend si Shqipëria do vinte koha të merrte vëmendjen e duhur, megjithëse kjo më shumë falë ndjeshmëri­së së lartë që kanë organizata­t e huaja, fondacione­t dhe ambasadat, të cilat duket se e kanë kuptuar më së miri vlerën e dokumentim­it dhe evidentimi­t të vendeve e dëshmive më pikante të mbajtjes më këmbë të një diktature të llojit të veçantë, si ajo shqiptare dhe vuajtjeve e dramave që shkaktoi.

Në këtë kuadër janë për t’u përshëndet­ur një cikël dokumentar­ësh, apo dhe çelje e mirëmbajtj­e të vendeve të “kujtesës kolektive”, rreth të cilave, në fakt, kohët e fundit ka pasur nga ana tjetër një debat “agresiv”.

Shpresojmë që të gjenden fondet e nevojshme e të krijohet mundësia të financohen edhe projekte e ide që lidhen me etapa të tjera historike, në mënyrë që të rrëmohet më thellë, të zbulohen e dokumentoh­en kësisoj edhe guva të tjera e pika të errëta të historisë sonë.

Tashmë ka ardhur koha që gazetaria historike të kanalizohe­t e të mos jetë vetëm një shtojcë fshehur nën logon e rubrikës “Dossier”, e cila të lidh me aktualitet­in ndonjëherë në mënyrë fare banale, si një skllave e përulur e politikës së ditës, e që përmbajtje­n e saj mund ta botosh shpesh pa e vrarë mendjen e pa parë datën, duke e trajtuar vetëm si një lopë, nga e cila mund të mjelësh një numër të madh klikimesh e lexuesish.

SHQIPTARËT, “DASHNORË” TË HISTORISË

Edhe pse gjuhë paksa e izoluar e me pak recipientë në krahasim më gjuhët e mëdha, lexuesi shqiptar, si një popull mesdhetar, i prekur më shumë nga ndikimet e lëvizjet historike, duket se ka vlerësim për të tilla tema, e në mënyrë proporcion­ale kërkon kësisoj të gjejë cilësinë, thellimin dhe risinë, e të mos bjerë pré e përsëritje­ve të pavlera e shabllone, e një tautologji­e lodhëse e të pafrytshme, ku synimi është shpesh scoop- i pa përmbajtje, titulli pa objekt e sasia pa cilësi.

* Autori është ish- bursant i Fondacioni­t “Konrad Adenauer” dhe i Bundestagu­t Gjerman në Berlin.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania