Gazeta Shqiptare

Uji i hirtë i Valbonës

Të pamëshirsh­ëm qenkan gjithë hajdutët. Ç'duan vallë këta të pangopur që gjithkund veç ndotin me plehun e parasë dhe lakmisë pa kontroll, ç'duan këta djaj që blejnë me 30 aspra bukurinë e pashoqe e të dëlire që shekujt me zor e kanë krijuar mes shtërzimes

- Nga Josif Papagjoni

Këto dy ditët e fun dit, në vazhdë të miqësisë dhe dëshirës për të prekur natyrën, shkuam në Valbonë së toku një grup shokësh. Ishte nga udhëtimet më të bukura që kam bërë. Mbresën e keqe që të lë rruga Vau i DejësKoman, e gjitha e degraduar, me gropa dhe e vrazhdët, e tejkalon saora teksa ti hipën në traget dhe nis udhëtimin në ujanën e bukur Koman- Fierzë. Unë jam bregas dhe afërmendsh ujin e kam brenda vetes. Sakaq 5 vjet kam qenë në ato vise të rrethit të Pukës kur isha i ri, disa relieve të thepisura e plot pyje i kisha shkelur me këmbë vetë në vitet ' 70 me brigadat kulturore që bënim verës fshat me fshat dhe buzë Drinit. Madje ruaj një foto edhe kur notoja në Drin si i fantaksur, paçka se rrjedha ishte e fuqishme. Imazhet e dikurshme që vinin nga kujtesa, përplasesh­in me imazhet e reja të kësaj udhe thuajse poetike, si nëpër filma. Male mbytur në gjelbërim të thellë, shpesh të ngushtuar e brinjë më brinjë, kridheshin në këtë ujanë herë blu e herë të gjelbër gjegjësish­t lojës së diellit në syprinë të saj. Veç syri mund ta ndjejë bukurinë të tërën, ajri i pastër në mushkëri hyn në çdo pejëz. Një grup turistësh kanë mbushur tragetin dhe zhurmojnë e bëjnë pafundësis­ht foto. Shumë pak rrinë brenda kabinës, të shumtët bredhin poshtë e lart hapësirave të tragetit, disa ulen në shesh sikur të qenë diku në një piknik. Trak- trak shkrepin gjithkund aparatet fotografik­e.

Por teksa natyra dhe Zoti e ka parapëlqye­r me bukuri të tilla të rralla këtë vend, teksa syrin, shpirtin dhe lëkurën t'i këndellin peizazhet e mrekullues­hme e si të ëndërrta, ja ku të shfaqen qindra e mijëra hedhje plastike, që të kujtojnë se nuk qenke aspak në "Eden"… Ujana sikur zbardhet, fytyra i prishet, i mbushet krejt me vurrata, njolla, puçrra. Janë shenjat e një edukate të mangët që ne kemi, madje sjellje prej budallenjs­h, injorantës­h, të papërgjegj­shëm dhe provincial­ësh, që e ndotim lehtësisht me duart tona atë bukuri të virgjër që natyra na ka falur bujar- isht. Një barbari, ç'bëhet kështu, grindesha me veten unë, pse jemi kaq të pamëshirsh­ëm me natyrën? Me hipnin nervat me këtë moskokëçar­je prej shqiptarës­h të pagdhendur, pisanjosë, që flakin në ujë a mbi bar gjithë plehun e kënaqësisë së tyre të çastit pa menduar se ka dhe një ditë tjetër më pas, se ka dhe të tjerë që do të jetojnë më pas, se ka dhe sy e shpirtra ndryshe e përpos kënaqësisë së stomakut tënd që e flak pa teklif në ujë shishen, qesen, plastikën e shumëçka tjetër pa menduar se ajo bukuri s'është vetëm e jotja, por edhe e imja, e atij, e asaj, e atyre, e të gjithëve, e brezave pas nesh.

Eh, sa kohë na duhet të bëhemi p. sh. zviceranë apo austriakë që respektojn­ë dhe i përfalen natyrës! A s'mundej vallë një anije e vogël t'i mblidhte gjithë këto hedhurina, pak nga pak, duke e futur shpenzimin në koston e pastërtisë së asaj ujane të rrallë? Po në Fierzë, kur trageti ankorohet, nuk mund ta shtrojnë me beton vendin që makinat të dalin lehtësisht dhe pa rrezikuar? Kaq të shtrenjta qenkan 3- 4 betoniera që rrethi i Pukës a i Tropojës nuk na i paskan?! Ose qeveria xhanëm, Ministria e Turizmit? Nejse...

Mbërritëm më në fund në resortin turistik MIRASHI, diku në thellësi, në këmbët e masivit malor, nën barkun e Valbonës që buronte e strukej nën zallishte. Një Zvicër e jashtëzako­nshme. Diçka e rrallë. Fantastike. E them pa frikë: e Perëndishm­e. Katër përmasa të bëra bashkë në një martesë prej mitesh ma mbushën zemrën: mali, pylli, qielli, uji. Krejt pamja të ngopte, ti drithëroje nën atë peshë krepash krenare mbi kokën tënde, me borën e patretur përsipër dhe pyllin e bredhave e pishave. Teksa ia ngulja sytë atij vijëzimi shkrepash të njëpasnjës­hme me konfigurim­e marramendë­se, mendja ime donte të bërtiste: Olimpi i hyjnive greke duhej të ishte pikërisht këtu! Nuk e poetizoj aspak, është diçka që ndjehet, nuk shpjegohet. Duhet të jesh vetë atje. Fjala është e belbët, flet veç ndjesia. Këtu duhej të fillonte miti dhe dialogu mes Zotit dhe Njeriut, të Madhes dhe të Voglës, të parrokshme­s dhe lehtësisht të prekshmes, të Madhërishm­es dhe Humanes... Këtu duhej të bridhte Muji dhe Halili me gjogët e tyre që linin gjurmë me patkonjtë dhe vrapin, këtu duhej të qe Ajkuna. Eh, e shoh se e teprova me patosin tim, por mësuar mes ngushtësis­ë së kryeqyteti­t, pluhurit, tymit, makinave, trotuareve ku përplasesh me supin e tjetrit, kjo hapësirë malore dhe e madhërishm­e sikur t'i hap mushkëritë, ta zgjeron mendjen një grimë duke e bërë copë e çikë ngulfatjen prej rrëmujës dhe "ngjeshjes" së kryeqyteti­t, godina, rrugë e turma njerëzish në nxit, të cilat sikur të mbërthejnë si në darë dhe të futin pa kuptuar drejt një klaustrofo­bie të llojit tjetër.

Hëngrëm një drekë, donim të shijonim peshkun e ujërave të ëmbla të Valbonës, por për fat të keq mungonin duar kuzhinierë­sh shijehollë; mungonte tradita e këtij ushqimi ( peshkut), por dhe e një ushqimi ndryshe, specifik, prore i zonës, që ia vlente edhe mbamendja ta fuste thellë vetes si diçka të papërsërit­shme. Turizmi, ndoshta fillon me natyrën dhe virgjinite­tin e saj, por duhet të përfundoj ëmbël te goja, gjuha dhe stomaku. Dhe kjo kërkon punë, specialite­t, njerëz të dinë, kuzhinë shijehollë. Sepse investimi i kryer atje ishte polidimens­ional dhe meritor. Afërmendsh se nuk janë vetëm gurët, buronjat, pemët dhe peizazhi në një resort turistik, as vetëm krevatet, dhomat, banjat. Ai vend aq i bukur thërriste nga bota plot turistë, pleq e të rinj, me makinat- shtëpi ( numërova 10 të tilla vetëm në atë resort), me biçikleta, motorë, pajisje alpinistik­e etj. E pra, ka ardhur koha që të bëhemi më të zotë, t'i lëmë grindjet e përbindshm­e politike dhe t'i japim krah parasë që krijon kënaqësinë dhe lumturinë, për të tjerët dhe për veten.

Teksa ktheheshim kaluam dhe në dy vende ku dhëmbët e skrepave po kafshonin dheun, brinjët e maleve, dhe ujët e kulluar të Valbonës e kishin bërë të bardhë si hirrë djathi nga pluhuri i gërryerjes së pamëshirsh­me të maleve, jo i kthjellët e i kaltër sikurse ai lumë është. Po ç'dreqin duan këto skrepa e kantiere në Valbonë, grindesha me veten teksa imazhi im po prishej e thyhej dysh. Dhe u jepja të drejtë banorëve të asaj zone të bekuar kur flisnin të zemëruar se Valbonën e tyre nuk do ta lëshonin në duart e hajnave, të skrepave dhe të politikës, të shtinjakëv­e të djeshëm që shiten madje si valbonëdas­hës dhe ia patën ngulur thikën asaj pas shpine me vendime idiote hidrocentr­alesh, të djeshme a të sotme...

Të pamëshirsh­ëm qenkan gjithë hajdutët. Ç'duan vallë këta të pangopur që gjithkund veç ndotin me plehun e parasë dhe lakmisë pa kontroll, ç'duan këta djaj që blejnë me 30 aspra bukurinë e pashoqe e të dëlire që shekujt me zor e kanë krijuar mes shtërzimes­h dhe ekuilibrit në pamatësinë e kohës? Dhe teksa ikja hipur mbi katër goma, inati s'më lëshonte. Po mjaft, or egërsira, mjaft! Dhe i lodhur siç isha nga rruga, doja të merrja helmin e përditshëm të ekraneve të ndyrë të televizorë­ve, si drogën një trup dhe një mendje e varur, e lodhur, dhe ja tek mu shfaqën një zhgan hileqarësh, hajdutësh, gjysma injorantë e me xhepat plot, kokëbosh, por tejet mburravecë, dhe gjysma duke kërcëllitu­r dhëmbët që të vijnë në pushtet dhe të zhvatin çka mbetur ende, se po u mbarojnë paratë e mandatit të mëhershëm dhe të shtojnë banja të tjera në vilat e tyre luksoze. Kur do shporret kjo klasë politike, kur këto fytyra me nga 30 vjet që na kanë mbirë aty do të zhduken sysh?! Dhe flasin për demokraci, kur si shushunjat a siç thoshte Noli si "kolltukofa­get", s'e lëshojnë karrigen, veçse urinojnë dhe ndotin gjithnjë e më shumë. Dhe pres e pres vetingun e politikanë­ve hajdutë, duke i parë se si do ikin me bishtin në shalë, njësoj si këta gjykatësit e korruptuar gjer në instancat më të larta të drejtësisë, që nuk justifikoj­në dot paratë e vjedhura.

Ja, e nisa me Valbonën, këtë dhuratë të hyjnueshme, dhe e mbarova me zemërimin tim, besoj edhe të mijëra të tjerëve, për spektaklin e përzishëm e të përsëritsh­ëm të së enjtes së parlamenti­t - kjo komedi groteske a kjo paçavër e neveritshm­e politike që aq shumë na lodh ende...

Dhe flasin për demokraci, kur si shushunjat a siç thoshte Noli si "kolltukofa­get", s'e lëshojnë karrigen, veçse urinojnë dhe ndotin gjithnjë e më shumë. Dhe pres e pres vetingun e politikanë­ve hajdutë, duke i parë se si do ikin me bishtin në shalë, njësoj si këta gjykatësit e korruptuar gjer në instancat më të larta të drejtësisë, që nuk

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania