Gazeta Shqiptare

Plagosja e dyfishtë në Durrës, babai: Do e fal djalin, edhe pse bëri gabim

Vëllai i autorit: Ishte një moment, Hajriu është i urtë. Unë e dorëzova në polici 75- vjeçari Neziri: Nga fëmija çfarë nuk pret. Nusja e tij, Elvisa u përpoq të na mbronte

-

Fëmija të bën atë që nuk ta pret mendja. Ishim duke parë një ndeshje të Botërorit dhe në momentin që u bë gol, djali u nervozua keq dhe na goditi mua dhe gruan. Ngjarja ndodhi shumë shpejt. Por, pavarësish­t kësaj, unë nuk e hedh poshtë tim bir se ai bëri një gabim. Unë jam prind e një prind për fëmijën e ka zemrën të madhe, ndaj do e fal atë". Kështu deklaroi dje nga spitali i Durrësit ku ndodhet i shtruar, 75- vjeçari Destan Neziri, i cili pasditen e së mërkurës u godit me thikë në fyt dhe në fytyrë nga djali i tij 25- vjeçar, Hajri Neziri. Çmendurisë së të riut nuk i shpëtoi edhe bashkëshor­tja e tij 64- vjeçare, Asie Neziri, e cila mori 6 goditje thike në bark. Një ditë pas krimit në familje, që ndodhi në zonën e ish- Kënetës në Durrës dhe që tronditi opinionin publik, mësohet se gjendja shëndetëso­re e dy të moshuarve ka ardhur duke u përmirësua­r. 75- vjeçari është shtruar në repartin e kirurgjisë, ndërsa bashkëshor­tja e tij pritet të dalë nga reanimacio­ni. Ndërkaq, Destan Neziri tha për "GSH" se i biri e kreu aktin e rëndë në zemërim e sipër.

DËSHMIA E TË PLAGOSURIT

Ndonëse u masakrua me thikë nga djali dhe për pak rrezikoi të humbte jetën së bashku me të shoqen, Destan Neziri u shpreh se do ta falë atë, pasi është fëmija i tij dhe jo i botës. "Kur të shërohemi së bashku me gruan do e shikojmë djalin. E përsëris, ai e bëri atë që bëri në zemërim e sipër", u shpreh 75- vjeçari i plagosur. Ndërkaq, ai sqaroi se nuk ka debatuar me Hajriun. Gjithçka ishte momentale. "Ishte nusja 20vjeçare, Elvisa që na doli në krah dhe po përpiqej të ndalonte të fejuarin e saj që të mos na godiste me thikë. Nuk është e vërtetë që ne nuk e duam nusen e djalit", u shpreh i moshuari. Mësohet se bashkëshor­tët Neziri me origjinë nga Dibra kanë punuar mësues në arsimin e ciklit të ulët deri sa kanë dalë në pension.

Në lidhje me krimin në familje ka reaguar dhe vëllai i autorit të ngjarjes, Fisnik Neziri, i cili pohoi se nuk e kupton motivin që e shtyu vëllain e tij të vogël drejt këtij akti. Sipas tij, ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një depresioni, pasi siç tregon ai, marrëdhëni­et mes të riut dhe prindërve nuk ishin konfliktua­le. "Një moment, gjendje depresioni. Nuk mund t'i japim shpjegim. Nuk e kuptojmë dot se si ka ndodhur. Çuni është shumë i urtë. Babi e mami nuk kanë pasur ndonjëherë probleme me Hajriun. Unë isha në punë në Tiranë, kur erdhën të dy, vëllai dhe nusja e tij. I pyeta çfarë kishin, por asnjëri nuk tha asnjë fjalë. Vëllai kishte një të çarë në pëllëmbë të dorës dhe i thashë eja të të çoj në spital. E çova te Spitali i Traumës për mjekim. Kuptova se diçka kishte ndodhur në shtëpi me prindërit, ndaj i thashë një polici që ishte aty: ' Lajmëro që të vijë t'i marrë se këta diçka e kanë bërë'". Gjithashtu Fisniku, djali i madh i familjes Neziri tregoi se Hajriu ka punuar për afri 5 vjet së bashku me të në të njëjtën firmë private dhe se më pas Hajriu e la punën dhe është i papunë.

 ??  ?? Fisnik Neziri duke folur për “GSH”
Fisnik Neziri duke folur për “GSH”
 ??  ?? 75- vjeçari Destan Neziri, duke folur për “GSH”
75- vjeçari Destan Neziri, duke folur për “GSH”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania