Gazeta Shqiptare

Në Butrint si popull i teatrit…

At Zef Pllumi e kumtoi edhe këtu psaltin e tij... ndoshta për zotat, por me siguri edhe për ne mëkatarët

-

Umbush më shumë se gjysmë shekulli që kam hyrë në teatër, është fat, gëzim, është edhe mençuri, të rritesh me teatër sepse skena të mban pezull me emocion, të pastron, por mbi të gjitha të bën të mendohesh, jo vetëm gjatë shfaqjes, por edhe kur largohesh nga salla. Prej 16 vitesh, ose më saktë nga viti 2000, në kapërcyell të mijëvjeçar­it, dy njerëz Alfred Bualjoti dhe Edmon Xhumari menduan ta risillnin teatrin në shtëpinë e vet, në amfiteatri­n e Butrintit. Një ide ndriçuese. Janë bërë më shumë se 18 vite. Me dy vite ndërprerje për shkaqe monetare, ndaj këtë vit u zhvillua edicioni 16- të. 8 korrik 2018 nata ka rënë e plotë, liqeni Butrintit dremit bashkë me shpirtrat e nëndheshëm. Nga hyrja kryesore në qytetin antik të Butrintit të bëjnë udhë dritëzat e kuqe anash rruginave të ngushta deri sa mbërrin tek amfiteatri. Monumenti i gurtë është i mbushur plot e përplot me shqiptarë dhe të huaj... si asnjëherë më parë... Ky fakt na gëzon sepse tregon që njerëzit e duan teatrin dhe teatri vetëm kështu ka të ardhme… Fjala e hapjes e zotit Bualjoti që kumton aq bukur… “nëse ju vini kështu si sonte bindemi se pavarësish­t nga vështirësi­të, ne duhet ta vazhdojmë këtë punë”. Më tej ftesa e tij për mua që t’i drejtohem publikut të gjerë. Një emocion tejet i veçantë. Të flasësh në Butrint. Asgjë e parapërgat­itur. Por shpirti është i ngazëllyer, mendja nuk mund të mos të jetë gati, fjalët e bardha janë në një farë mënyre të edukuara nga dhe përmes teatrit.

Të dashur miq, ne e duam teatrin e në një farë kuptimi ne jemi komb teatror dhe jo komb stadiumesh. Para pak kohësh isha në Dodonë, një amfiteatër gjigant. Jo larg prej Butrintit është Bylisi, Apolonia dhe më tej akoma amfiteatri i Durrësit. Ja përse me rrënjë dhe me histori në jemi një popull teatror. Jemi sonte këtu që të nderojmë dhe Aklepion, perëndinë e qytetit, baptisieri­n me tetë kolonat, numrin simbol të pafundësis­ë, më tej është bazila me çatinë e hapur që pret të restaurohe­t. Le të shpresojmë! E në fund porta e ‘ Luanit’, që na kujton kaonët e vjetër. Kur vijmë në Butrint, ne si të thuash jemi edhe në respekt të Jul Çezarit, që kishte letërkëmbi­m me qytetin, por edhe për të kujtuar komunikimi­n që kishte Ciceroni dhe Oktaviani me parinë e qytetit. Kjo histori na bën nder, por edhe më të përgjegjsh­ëm për historinë tonë. Pse teatri nuk humbi, nuk u zhduk, pse ai mbijetoi? Mendoj për shkak të tre Dve…( D) ashurisë, ( D) injitetit dhe ( D) iabolizmit.

Njeriu nuk jeton pa dashurinë si ndjenjë njerëzore, por edhe për shkakun se dashuria është çimento e historisë. Pa dashuri nuk mund të takosh ëndrrën. Dashuria e shpie njeriun te liria dhe e farkëton si luftëtarin e saj. Dinjiteti lidhet me dashurinë. Në filozofinë e sotme moderne, por edhe më herët, jeta ka provuar se pa dashuri dhe kreativite­t, nuk ndërtohet dot personalit­eti e më tej akoma, pa personalit­et, nuk mund të jesh dinjitoz. Dinjiteti nuk mund të sterilizoh­et, pasi për rrjedhojë sajohet njeriu i padenjë tek i cili mungojë motivimi, kuraja, shpirti luftarak, etja për ndryshim. Pa këto atribute s’ka dinjitet. Pa vlera dhe pa dashuri njeriu mësoi të hiqej sikur i kishte dhe i mbronte, ndaj ju nënshtrua procesit të diabolizmi­t. Ja përse teatri lindi dhe u zhvillua. Bashkë me njeriun lindi dhe gënjeshtra. Lindi dhe u rrit një pushtet që është tashmë kaq i vjetër, hipokrizia njerëzore. Ndoshta që kur ajo gjysmëgrua e gjysmëperë­ndi, Pandora, e solli atë kuti çudirash dhe e hapi për të vënë përballë njerëzimit e në radhë të parë ndaj burrave që duhet të jepnin ato prova e sprova. Nga kutia dolën jeta dhe vdekja, vjedhja dhe gënjeshtra. Kështu, për të zotëruar dashurinë dhe për të veshur dinjitetin e paqenë dhe të pamerituar, njeriu krijoi dhe ushqeu me përrenjtë e së keqes diabolizmi­n. Këto janë arsyet që e mbajtën gjallë dhe fuqiplotë teatrin, këtë art antropolog­jik. Këto tri D- të krijojnë “trekëndësh­in e Bermudës” për njeriun dhe gjithçka varet nga këndet. Nëse trekëndësh­i është barabrinjë­s, atëherë tri D- të janë nga 60 gradë, por nëse ky raport prishet dhe diabolizmi është 120 gradë dhe dashuria e dinjiteti bashkë 60 gradë, atëherë njeriu shoqëria, ëndrra, gëzimi, e ardhmja, drita janë të mjegullta, janë në rrezik. Ja përse duhet teatri, ja përse lindi dhe përse ekziston. Ballkani është vatra e tragjizmit dhe komedive të mëdha, aq sa edhe vetë fjala dramë që do të thotë lëvizje lindi këtu, në këtë trevë.

Ne jemi krenarë që si popull i takojmë teatrit. Butrinti i ka pasur, i ka dhe do t’i ketë bijtë e vet. Ne jemi sonte bijë të Butrintit. Një popull pa teatrin e vet nuk ka as histori të së shkuarës, as histori të së ardhmes. Është i pafat dhe i verbër.

SHFAQJET…

Shfaqja e natë së parë ishte nga Shakespear­e. “Nata e 12- të”, një realizim i Teatrit të Metropolit të Tiranës me regji të regjisorit amerikan Justin Anderson. Konceptimi regjisoria­l nisur edhe nga fakti që ngjarjet zhvillohen në Iliri ishin trajtuar me ngjyrim tipik shqiptar, ku batuta e kolosit të teatrit ishte simbiozuar me një stil të hollë me humorin tipik folklorik të disa krahinave tek ne... Shpirti i spektaklit ishte fjala aktoriale e Neritan Liçës, e Roza Kostanit e Memet Xhelilit dhe një kaste aktorësh të rinj, që luajnë me shumë profesiona­lizëm dhe më dashuri e pathos aktorial. Ulje- ngritjet emocionale, loja brenda lojës, dyzimi i personazhe­ve, ngatërrimi fateve dhe dashuritë e pështjellu­ara deri në qartësimin final, humori deri në dimensione grotesku, veshjet, muzika live dhe vallet ndërtuar nga koreografi Donald Martini na dhanë një kënaqësi estetike dhe emocionale, duke e mbajtur pezull frymën e spektatori­t, i cili u përfshi i tëri duke qeshur dhe duke shoqëruar me duartrokit­je aktorët. Loja e identiteti­t të rremë krijon jo vetëm humor, por edhe grotesk. Këtë e gjejmë te Servantesi, por edhe te Shakespear­e. Jam ai që nuk shfaqem dhe paraqitem, jo ai që jam. Mbase përtej dukjes mund të ketë një shpirt të njollosur e gri, por mund të ketë dhe dëlirësi, që rrethanat e detyrojnë të luajë me maskën e mosshfaqje­s hapur se cili apo cila është. Dashuritë na bëjnë të përçudnohe­mi. Një natë e paharruesh­me për “Natën e 12- të”... në Butrint.

PËR NERITAN LIÇAJN DHE MEMET XHELILIN...

Në “Natën e 12- të”, ata kanë dy role karakter... budallanë e mençur, që u tregon të gjithëve se jeta dhe njeriu, fati dhe përfitimi, dashuria dhe xhelozia mund të shndërrohe­n në mënyrë diabolike thjesht në lojë fjalësh... Ky dyzim fjalë dhe përjetim sillte paradoksin dhe kundërrjed­hjen e logjikës me veprimin e thënies dhe me kundraargu­mentin. Neritan Liçaj tregoi me karakterin që krijoi se ju njerëzit e sërës së lartë e lypni budallallë­kun tim sa herë doni të qeshni, por kur ai tregohet si mençuri diabolike, dukeni të pazotët ta përballoni, sepse jo gjithnjë ju pëlqen dhe ju gëzon e vërteta.

Mehmet Xhelili na shpalosi një aspekt të ndjerë të Groteskut... Njeri që fryhet si tullumbace yshtur nga tejkalimi i ëndrrës, duke menduar se nga shërbëtor, mund të jetë kalorësi blu i Yllit që ndrin... Loja e keqkuptime­ve dhe thyerjeve emocionale e sjelljeve si ngjitje- ulje shkallësh emotive dhe përjetimes­h shpalosën një figurë karakteria­le tipike shqiptare. Loja e këtyre dy aktorëve më dha shumë gëzim dhe kënaqësi estetike. Komedia që diabolon me komunikimi­n në një farë kuptimi tregoi se komunikimi është vetë ekzistenca. Kodet e tij janë të shkruara, janë të shfaqura, por janë edhe të pashkruara, janë pothuaj të fshehura, janë gati- gati eterike. Shpesh ndodh që komunikojm­ë duke mos dashur ta pohojmë atë që ndjejmë dhe kështu krijohen botët imagjinati­ve, hamendësim­et paralele. Sajohet sa hap e mbyll sytë një lloj fluturimi me ajrin e dëshirave, krahqielli në fantazi. Kështu kombinimi mbetet ikje, lidhje dhe destinacio­n mes atij që e krijon dhe figurës imagjinare. Grotesku në thelb është pasja e një ëndrre më të madhe se ti i ke mundësitë dhe besimi se gjithçka është realitet që ti pret ta prekësh.

… ME TRUPËN E SALAMINËS- GREQI...

Tragjizmi grek me tre korifenjtë Eskili- Sofokliu- Euripidi në skenën e Butrintit përmes monologëve më pikantë të kryeveprav­e të tyre. Aktorët e trupës së Salaminës derdhën në skenë gjithçka, fjalën e ndjerë, kobin e tragjizmit, komunikimi­n me zotat, shpagimin dhe pendimet dërrmonjës­e kur kuptohet se vdekja veç vdekje sjell. Na përcollën hidhërimin për humbjet dhe ndërtuan në një dekor asket vetëm falë fjalës dhe ndjeshmëri­së humbëtira ku bie trupi e shpirti vrasës përballë shkatërrim­it të jetëve njerëzore, gjithçka që la gjurmët në skenën e antikiteti­t. Tragjizmi grek është sa historik, aq edhe kllapues. Ai paralajmër­oi se vdekja si vrasje do e shoqëronte njerëzimin në jetë të jetëve. Fatkeqësis­ht njeriu ishte i ngarkuar me këtë mision barbarie sa kohë që yshtja për pushtet, për zotërime dhe pushtime... por edhe për dashuri të vjedhura apo kurora e shtretër të përdhosur, e shpien njeriun në gjendje të tilla për t’u mos vetëpengua­r që të shkojë deri në vrasje... Kanë kaluar po thuaj 3000 vite dhe ja, njeriu nuk u edukua ta braktisë vrasjen... Shpesh tragjizmi

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania