Gazeta Shqiptare

NJË KUKULL QË NUK ËSHTË KUKULL

-

kërkuan, por ti nuk do t’u japësh asnjë lek! Puna e tyre është të kontrolloj­në dhe të vendosin gjoba, po gjetën ndonjë parregulls­i ligjore. Po gjetën gjë, gjobën e paguaj vetë, por atyre nuk do t‘ u japësh asnjë kokërr leku! Janë mësuar keq këta parazitë!...

Fredi nuk ia ndau sytë kësaj bishe të egër me pamje engjëlli. Nuk donte telashe e ishte gati të paguante sa të kërkonin, mirëpo as Emës nuk ia prishte dot. - Ti e di këtë punë! - ia preu shkurt. Një javë tatimorët derdhën djersë mbi letrat e kopsitura nga Ema, por nuk gjetën asgjë, përveç vështrimit ironik të kësaj femre të panjohur për ta, që dukej sikur thoshte nën zë: gërmo, Tare, gërmo, se varrin e qenit të ngordhur do të gjesh !...

Kur ata e kuptuan se nuk do të kapnin asnjë lek e se qenë rropatur kot gjithë ato ditë e po bëheshin gati t’ia mbathnin, ajo iu dha një këshillë me zë engjëllor:

- Mos hajdeni më kot këtu, se nuk do të gjeni kurrë shkelje ligjore! Po deshët ndonjë lek, investoni! Blini aksione te ne, sepse jemi shoqëri aksionere!...

Të gjithë e shanë KURVË me vete, ndërkohë që Fredi u mbyll në zyrë. Nuk donte ta shihnin ata morracakë duke qeshur me këshillën e Emës të shqiptuar aq butësisht.

Atë mbrëmje Fredi e ftoi për darkë Emën. E njoftoi, se do të darkonin në restoranti­n më mondan të peshkut dhe se do ta priste atje në orën tetë të mbrëmjes. Kur ajo u shfaq në derë, klientëve iu ranë pirunët nga duart. Kishte veshur një fustan të kuq, të gjatë deri në fund të këmbëve, me një dekolte të thellë, që ia zbulonte gjoksin e mrekullues­hëm.

- Ua zure bukën në fyt, - pëshpëriti Fredi, kur ajo iu ul pranë.

- As më kërcet për këta të palarë! - ia ktheu shpërfills­hëm ajo, pa marrë mundimin të hedhë një herë sytë përreth. - Nuk është faji im që hanë akoma fasule me pilaf dhe mbajnë çitjanet si shenjë tradite!...

- Kaq e egër ke qenë gjithmonë? - e pyeti Fredi.

- Asnjëherë nuk kam qenë e egër! Konformizm­in, po! Atë e urrej!

- Bëhu pak më realiste! Tani jeton në Shqipëri!...

- Se mos erdha nga qejfi këtu! Nga halli erdha! Kështu që nuk kam asnjë detyrim ndaj këtij realiteti! Kur të më teket, iki prapë! Nga kjo shoqëri, unë nuk kërkoj ndryshim. Atëherë pse duhet të kërkojë shoqëria shqiptare ndryshim prej meje?!...

- Bëj si të duash! - u dorëzua Fredi. - Unë të kam thirrur për darkë për tjetër gjë... Ti më ke bërë të mos kem më frikë nga tatimorët me punën tënde. Më ke kursyer kështu mbi 50000 dollarë, plus që tani unë nuk e gdhij syhapur nga frika e ndonjë denoncimi prej tyre. Këto para nuk mund të hyjnë të gjitha në xhepin tim. Mua më mjafton, që nuk kam më frikë!...

Ema e pa gjatë në sy tjetrin, pastaj filloi të buzëqeshë lehtas.

- Unë nuk fillova punë te ty ngaqë po vdisja për bukë. Por, edhe po na dhe ndonjë lek, nuk bën keq! Në këtë botë fiton ai që di të shpërblejë ndihmën!...

Shqiptoi krejt të kundërtën e asaj që po mendonte: të ngrihej e ta linte tjetrin si të dhjerë në tavolinë!

Ishte e bindur se edhe Fredi ishte me mendjen e saj, prandaj e habiti qetësia e tjetrit, kur futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxori që aty një zarf të trashë dhe ia vendosi ngadalë përpara.

- Janë të tuat! - shqiptoi me po atë qetësi olimpike.

Ema e mori zarfin dhe, pa e hapur, e futi në çantën e dorës. - Faleminder­it! - tha pa ia ndarë sytë. I pat lindur menjëherë dëshira ta fuste Fredin në shtratin e saj. Tani po e brente kuriozitet­i për këtë njeri me maskë.

Gjithë darkën, ajo e shtyu me këtë mendim dhe nuk e pati të vështirë ta tundonte tjetrin. Aq gjë e kishte mësuar përtej oqeanit.

Kur dolën, ajo ia futi krahun tjetrit dhe i pëshpëriti lehtë në vesh: - Ku do të më çosh tani? - Ku të duash! - Ikim në Durrës! - tha ajo, duke shtuar se andej ka ca hotele të mira.

Nuk ishte e thënë të përfundont­e deri në Durrës. Pa kaluar sheshin “Skënderbej”, ajo propozoi të ktheheshin tek ish - “Vjosa”. Tani i qe zgjuar gjaku i parë i padurimit dhe në të tilla raste nuk kishte Zot t’ia prishte!...

Në dhomë, ajo u përkujdes që Fredi mos ndihej keq, dhe, pasi mbaroi gjithçka e Fredi po bëhej gati të kotej, Ema tha ngadalë:

- Nuk desha lekë nga ty, por, i mora, sepse nuk kisha qejf të ta prishja!... Edhe diçka. Po deshe ta kalojmë mirë bashkë, mos e ço nëpër mend se jam prona jote dhe mos e merr kurrë iniciativë­n në marrëdhëni­et tona private.

I ktheu shpinën e lakuriqtë tjetrit dhe sakaq fjeti.

Fredin e trembi akullsia e tonit të Emës. Ia kishte shqiptuar fare thatë e pa emocion mendimet e saj, ndërkohë që ajo nuk kishte asnjë ide, se çfarë shume përmbante zarfi në çantën e saj. E trembi edhe trilli i beftë i tjetrës për t’u kthyer në këtë hotel e për t’iu dhënë me një pasion të vërtetë, ndërkohë që deri para pak orësh nuk kishte ofruar asnjë shenjë për këtë bashkim.

E nesërmja i riktheu në pozitat e mëparshme. Ema dukej qartë që e kishte harruar ndodhinë e një nate më parë, ndërkohë që Fredi sepse pati një ide, që ajo po e vëzhgonte nga larg. Në këtë rutinë vazhduan marrëdhëni­et e tyre, derisa një ditë Ema u rishfaq në zyrën e tij. - Ke ndonjë plan për sonte? - e pyeti. Mori një përgjigje mohuese nga Fredi.

- Hamë ndonjë darkë bashkë? Paguaj unë! - tha Ema. Fredi e vëzhgoi gjatë. - Pse më shikon? - Më duket se më ngatërron me ndon- jë tjetër, - ia ktheu ai. - Unë kërkoj nga të tjerët po atë respekt që iu jap! Nuk të kam trajtuar si shërbëtore dhe po këtë gjë duhet të bësh edhe ti, me mua!... - Më fal! - mërmëriti Ema. Sakaq kishte ikur. Emën e fyeu sjellja e Fredit, por, në darkë vonë, teksa turfullont­e me veten e saj, thellëthel­lë, i dha të drejtë tjetrit. E kishte trajtuar si ndonjë mashkull të përvëluar pas saj, si ata jargashët, që psherëtini­n lloj- lloj banalitete­sh kur ajo kalonte në rrugë...

Të nesërmen, ajo trokiti sërish në zyrën e Fredit. Raportoi për punën e saj, pastaj, teksa po dilte, i kërkoi edhe një herë të falur tjetrit.

- U ndodha shumë bosh dje, por kjo nuk do të ndodhë më kurrë!...

- Kështu mund të bisedohet, - tha Fredi, - por jo me vendime të njëanshme. Si the atë natë? Ty nuk të pëlqenin iniciativa­t e njëanshme në këtë punë... Sonte, apo një ditë tjetër, mund të ma ofrosh atë darkën...

Atë natë përfunduan në Lezhë, në një hotel të drunjtë buzë detit.

- E di, - murmuriti ajo pas mesnate e strukur në gjoksin e tij ku kishte filluar të ndihej mirë, - nuk të dua për seks, po për shok! Ti, më jep besim!... Nuk di si ta shpjegoj... - E kam kuptuar këtë gjë, - ia ktheu ai. - Nga e ke kuptuar?! - Ti je një femër me bukuri të rrallë, je e rrethuar nga shumë meshkuj të rinj e me vlera, që do të shkrinin pasurinë të bëheshin të dashurit e tu, kurse ti më zgjodhe mua, krejt të kundërtën e tyre...

- Janë shumë provincial­ë, Fred! - tha Ema. - Ata nuk e kanë idenë se cila jam unë, çfarë kam parë e provuar, çfarë di... Ata mendojnë se unë jam një kukull budallaqe... Janë njerëz që paragjykoj­në dhe ky paragjykim i ka fiksuar prej shekujsh në provincial­izëm!... Ti u solle që në fillim ndryshe me mua, megjithëse ishe i bindur se unë isha vetëm një lodër seksi. Ama, ti e munde vetveten, kur pranove ta provoje një herë të punonim bashkë...

- Më trego se çfarë ke parë! - iu lut befas ai.

Ema u mendua një hop, pastaj tha qetësisht:

- Lere, Fred! Mos na e prish sonte gjakun!

Po, tjetri nuk iu nda. Ishte vërtet kureshtar të mësonte se çfarë dinte kjo vajzë nga jeta, kjo vajzë e re e pa përvojë, e pamësuar me skamjen e me intrigat e këtij vendi...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania