Gazeta Shqiptare

Kreu i Serbisë: Do ndërtojmë ura me shqiptarët, zërat për luftë janë përralla

-

Pas

vendimit të qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar të vizitojë fshatin Banjë në Skenderaj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i është drejtuar Mitrovicës së Veriut, ku ka mbajtur edhe një fjalim. Vuçiç ka thënë se nuk ka ardhur me asnjë plan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ka premtuar se do të angazhohet për një jetë më të mirë të serbëve në Kosovë. Vuçiç i ka mohuar zërat se mund të ketë ndonjë konflikt mes shqiptarëv­e dhe serbëve. "Këtu para jush po them shumë hapur se s'kemi asnjë plan të zgjidhjes dhe s'jemi afër saj. Nuk jam optimist rreth kësaj. Ka 1000 të tillë që thonë që Kosova ka shkuar poshtë, por për mua nuk është poshtë, është shumë lart. Nuk dua t'i shaj shqiptarët. Nuk dua t'i shaj as ata, të cilët më kanë kërcënuar mua dhe popullin tim këtu. Ideja është të ruajmë popullin tonë, institucio­net dhe të ndërtojmë ura me shqiptarët. Të tjerat na dërgojnë në katastrofë. Duhet të jetojmë pranë njëri- tjetrit dhe prandaj do të bisedojmë. Në të ardhmen duhet të arrijmë kompromis me shqiptarët. Zërat për luftë me njëri- tjetrin janë përralla. Dua diçka të kërkoj nga ju. I duheni Serbisë të qëndroni në pronat e juaja. Kjo rrugë është para nesh, që nënkupton ardhmërinë e fëmijëve tuaj", tha ai. Vuçiç tha se ka ardhur këtu për një plan intensiv në komunat e veriut. "Do të investojmë në çdo vend ku serbët janë shumicë, por edhe atje ku janë pakicë. Ditët dhe javët në vijim do t'i kemi të gjitha investimet, të cilat i premtova këtu", tha presidenti serb. Vuçiç u shpreh se: "Kur të kemi diçka në të ardhmen për të thënë, nuk do ta them në Beograd, por do të vij këtu tua them".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania