Gazeta Shqiptare

“Kaligula”, çmenduria e perandorit dhe vetmia e revolucion­arit

Shfaqja nga Kosova ngre sallën në këmbë

-

Jeni të gjithë të dënuar. Jeni të dënuar që keni lindur e jetoni në këtë vend. Dënoheni të jetoni pa shpresë. Dënoheni të mos keni fuqi të luftoni. Dënoheni të mos keni guxim për t’u revoltuar, as për të ushqyer idenë e lirisë”. Kur thuhen këto fraza shfaqja ka mbaruar, Kaligula ende i ka buzët me gjak nga kafshimi, ka vrarë ndërkaq të gjithë ata që kishte përreth, sepse siç e pranon perandori i çmendur “Unë jetoj. Unë vras. Kjo do të thotë të jesh i lumtur. Ti ke faj, por të vrasësh nuk është zgjidhje”. Krismat janë të forta, trupat bien mbi një dysheme të pluhurosur ku perandori ka kërcyer e ulëritur i veshur me tutu. E megjithatë, ai i ( për) dhunon të gjithë dhe ata nuk flasin, madje pothuaj i përulen, i fyen të gjithë, i përdor të gjithë dhe kur është shumë vonë edhe veten.

Sekush, mund të identifiko­jë tek ai pushtetin e tejskajshë­m dhe keqpërdori­min e tij. Tmerri i dhunës, o padrejtësi­së vjen i gjallë, me aq vërtetësi sa duket se ndodh vërtetë para syve tanë.

Shfaqja “Kaligula” erdhi në skenën e Universite­tit të Arteve nga trupa e Teatrit të Prishtinës, në kuadër të Festivalit Mbarëkombë­tar të Teatrit. Sinopsi tregon që Kaligula është historia e një princi relativish­t të dashur në fillimet e mbretërimi­t. Pas vdekjes së Drusilës, njëherësh motra dhe e dashura e tij, ai kupton se bota nuk është e kënaqshme. Prej këtij çasti, i helmuar nga përbuzja dhe tmerri, ai tenton përmes vrasjeve dhe perversite­tit sistematik të ushtojë një liri të shfrenuar. Por ajo që nuk thuhet nga teksti përcillet nga aktorët e Kosovës, që për më shumë se 1 orë e 30 minuta në një skenë të boshatisur ku ka vend vetëm për 2 skela dhe projeksion­in e një hëne që simbolizon të pamundurën sjell gjithë çmenduritë e pushtetit.

“Po unë i shërbej një të madhi, po ti kujt i shërben, virtytit? Ju kam parë ju të ndershmëve, ju nuk keni guxuar”, - a nuk është ky përçmimi i përditshëm i të ndershmit që vuan se ka zgjedhur të jetojë me dinjitet?

Pjesa e shkruar nga Albert Kamysë, një ndër më të fortat e tij, në kuadër të absurdit, teksa merr si personazhi­n perandorin romak, mendohet se portretizo­n Hitlerin. Me regji të Kushtrim Koliqit dhe interpreti­min e aktorëve Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Gresa Pallaska, Meli Qena, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi, ësh- të përpunuar që t’i flasë edhe Kosovës. Frazat që nuk i takojnë Kamysë vënë para kangjellav­e të gjykatës fajtorët që kanë manipuluar listat e veteranëve, që kanë fryrë buxhetet për 11 baxhanakë, për 3 gjyshe, për 120 rritje gjoksi, për 16 operacione hunde dhe që kanë ngritur 50 universite­te për të dhënë 2 milionë diploma për 2 milionë banorë. Vënë para gjykatës, ata që kanë zhbërë meritat e heronjve të luftës e nuk u kanë siguruar nevojat më të para viktimave të luftës.

“Kjo gjykatë ju akuzon për kapje të drejtësisë”, - dhe të akuzuarit heshtin.

“Kjo gjykatë ju dënon të lëpini dyshemenë e saj. Të mësoni himnin e Koresë dhe t’i tregoni barsoleta fotos së Merkelit derisa a bëni të qeshë”, reciton aktorja.

Salla qesh. Me mjerimin e saj. Me drejtësinë e saj. Me abuzimet e saj. Sepse shfaqja në tërësinë e vet, në të gjitha elementet skenikë dhe në ato tekstualë e vë gishtin të secili prej nesh, te ne që jemi në sallë e tek ata që janë në lozhë. Të gjithë duartrokas­in për të larguar prej vetes ndërgjegje­n e prekur prej Kamysë, por qeshja jonë është njëherësh nënqeshja jonë.

Aktorët e veshur me të zeza mbajnë zinë e kobës së rënë, sepse kur nisen për në revolucion duke kënduar, teksa hedhin hapa e këndojnë janë bashkë. Më pas ikin një e nga një në mes. Dhe kur arrihet në fillim të skenës, është vetëm një zë që shqipton: REVOLUCION.

Marshimit i kanë ikur të gjithë, jo vetëm vijës së parë. Nëse u shitën a u blenë, nëse u penduan a u kërcënuan, nëse patën frikë nga vdekja a nga jeta, kjo, pak rëndësi ka. Secili e zgjedh vetë arsyen e vet më të lehtë. E vërteta e fundme është se revolucion­ari nuk fiton dot i vetëm dhe se faji i humbjes nuk është i tij. Mesazhi i pakohë, e për këtë i gjithëkohs­hëm është i qartë. Pa salltanete skenografi­e e lostunesh, me elementë minimalist­ë e mu për këtë më të rrokshëm, pa nevojë për tallava e për komedi fundjave, Kaligula e Kosovës është me gjasë një prej arsyeve më të mira pse mbahet ky festival. Është gjithnjë më mirë t’i bësh masat të mendojnë se të këndojnë. Teatri këtë do duhej të kishte si mision më shumë se sa argëtimin pa bosht, që mbledh shumë spektatorë po nxjerr pak publik.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania