Gazeta Shqiptare

Esela Pysqyli: Për çdo personazh "rrëmoj" brenda vetes "Influencoj pozitivish­t ambientin ku ndodhem"

Rrëfehet aktorja: Jeta ime mes Shqipërisë dhe Romës, projektet e fundit

- Egla Xhemali

Ajo u bë e famshme tek seri ali "Komuna e Parisit", ku spikati me batutat e saj. Bëhet fjalë për aktoren Esela Pysqyli, që tanimë ka sukses dhe përtej kufijve. Esela vjen për "Gazeta Shqiptare" në një rrëfim ndryshe për punën në teatër, për jetën që ndan mes Shqipërisë dhe Romës, si dhe për botën përtej ngjyrave të aktrimit. Aktorja na pohon se e ndjen mungesën e Shqipërisë kur është në Itali dhe po ashtu ndjen një boshllëk kur është jashtë për vendin e saj. Të fillosh karrierën përtej kufijve është e vështirë, megjithatë sipas saj, aftësitë dhe krijimi i kontakteve me njerëzit e fushës nuk të lë kurrë pas. Sa i përket kritikës më të ashpër që ka marrë Pysqyli, pohon se preferon që pakënaqësi­të t'ia thonë në sy se sa ta urojnë dhe t'u lexohet në fytyrë mungesa e sinqeritet­it. Aktorja na tregon se është e qetë dhe se përpiqet që çdo ditë të jetë më e mirë se e djeshmja. Esela na zbulon se gatimin nuk e ka shumë qejf dhe se i pëlqen gjithçka që i gatuan i shoqi. Pysqyli na thotë se shumë shpejt do vijë për publikun premiera e filmit "Streha mes reve", si dhe një turne në rrethe për e shfaqjes "Shumë zhurmë për asgjë". Përveç projekteve në Shqipëri, aktorja do të jetë në një shfaqje në Itali. Ne i urojmë aktores hapa të sigurt drejt suksesit ndërkombët­ar!

Në një monolog për teatrin, çfarë gjen brenda teje?

Për çdo personazh "rrëmoj" brenda vetes edhe në skutat më të thella. Çdo njeri i ka brenda të gjitha ngjyrat. Zgjedhim të shfaqim vetëm disa prej tyre si pasojë e një kombinimi arsyesh, por po të kërkojmë brenda vetes me sinqeritet, mund të gjejmë shumë aspekte të vetes, që si aktore i shfaq në skenë në funksion të një personazhi të caktuar. Nëpërmjet një pjese të Harold Pinter zbulova se në mënyrën time mund të jem edhe tërheqëse për shembull ( qesh).

Si janë çastet pas provave për një shfaqje?

Gjatë gjithë periudhës së provave, sidomos sa më shumë që i afrohemi premierës, kam një përfshirje emocionale pothuajse totale. Më ndodh shpesh që të debatoj lehtë me njerëzit e mi më të afërt, sepse mezi e bëj ndarjen mes botës imagjinare që krijoj në mendje për personazhi­n dhe botës reale ku jetoj në shoqërinë e shumë njerëzve të tjerë, që të them të drejtën më kuptojnë. Vështirësi­a më e madhe është fakti që ndonjëherë kur afrohet premiera, ndihem shumë e pasigurt për atë çka kam arritur, por kjo nuk e pengon daljen e premierës.

Sa Shqipëri ke marrë me vete në Itali?

Të gjithë Shqipërinë që kam brenda ( qesh). Sa herë jam në Romë më mungon Tirana, Korça, Vlora e tashmë dhe Prishtina ( sapo kam përfunduar xhirimet e filmit "Mala" në Prishtinë, me regji të Faton Bajraktari­t, bazuar në një histori të vërtetë). Sa herë jam në Tiranë, më mungon shumë Roma.

Fillimi është gjithmonë i vështirë, si je futur tek teatri italian?

Fillimi është shumë i vështirë. E para të duhet të jesh shumë i aftë, por më pas duhet që të tjerët ta dinë që ti ekziston. Kjo është vështirësi­a ime më e madhe, krijimi i kontakteve me njerëzit e fushës së artit, kontakte që t'i mundëson shkolla ku ke studiuar. Por falë pesë vjetëve këmbëngulj­eje me besim në aftësitë e mia, për pak do kem një shfaqje në një teatër shumë të mirë në Itali. Nuk po tregoj detaje derisa të firmos kontratën.

Çfarë gatimi pëlqen më shumë nga bashkëshor­ti yt?

Çdo gjë që gatuan shoku im i jetës është shumë e shijshme. Jo vetëm sepse është ai që e ka gatuar, por edhe sepse ka shumë dorë në gatim, por mbi të gjitha sepse më heq një detyrë shtëpiake, rol të cilin s'e kam me shumë qejf. ( qesh)

Nga e kupton ai që ke kaluar një ditë "uragan"?

Nuk i duhet asnjë aftësi e veçantë. Për fat të mirë, por edhe të keq, çdo gjë që mendoj apo ndjej e tregoj shumë qartë në fytyrë, sy. Kënaqësitë dhe vështirësi­të i ndaj menjëherë me të nuk mbaj asgjë për vete.

Kritika më e ashpër që ke marrë për veten?

Zakonisht kritikat te ne bëhen pas krahëve dhe nuk e di nëse do i quaja kritika kur bëhen në këtë formë. Unë sinqerisht do preferoja dikë që më bën një kritikë pas shfaqjes sasa dikë që më uron dhe i lexohet në fytyrë mungesa e sinqeritet­it. Ajo çka më bën të ndihem keq është nëse dikush thotë "nuk është për këtë x rol".

Deri ku shkon kur del nga vetja?

Nuk jam e mendimit që dalim ndonjëherë nga vetja. Ne reagojmë në një situatë të caktuar duke u nisur nga vetja si në jetën reale, ashtu edhe në skenë. Ndonjëherë, si për mirë dhe për keq, mund të habitemi me reagime të vetes, të cilat nuk i kemi pritur po ja që janë pjesë e jona dhe duhet të përballemi me to. Megjithatë, në përgjithës­i jam tip i qetë dhe një e bërtitur në fallcet ( karakteris­tikë shqiptare) është maksimumi i reagimit që më habit.( qesh)

Si është shpresa për një ditë të re, më të mirë për ty?

Çdo ditë kam si objektiv të parë që të jetë një ditë më e mirë se e djeshmja dhe bëj të pamundur që të jetë kështu. Çdo gjë që më rrethon varet prej meje, ndaj mundohem që të influencoj pozitivish­t ambientin ku ndodhem, si në punë, si në jetën time personale.

Çfarë do të kesh së shpejti në skenë?

Së shpejti ka gjëra shumë të bukura që më presin. Në nëntor është premiera botërore e filmit "Streha mes reve" e Robert Budinës, ku luaj përkrah Arben Bajraktara­jt, që mezi po e pres. Do të kem një projekt të ri me Teatrin Eksperimen­tal, që është familja ime dhe po me Teatrin Eksperimen­tal do të bëjmë një turne me shfaqjen "Shumë zhurmë për asgjë" nëpër rrethe.

 ??  ?? Esela Pysqyli
Esela Pysqyli
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania