Gazeta Shqiptare

“Dorëzimi i Shkodrës”, një kino- koncert me filmimin e 1913- ës

Xhirimi i rrallë vjen i restauruar në Shqipëri

- Fatmira Nikolli.

Një varkë me vela mbase mbi Bunë, gra të veshura me rroba popullore, çobaneshë e një e moshuar me furkë. Pak çaste më vonë, Shkodra bardh e zi, banorë që ecin përkrah xhamisë, kur në fund të kuadrit duket stoike Kisha e Madhe. Në fund, një malësor mbi kalë, me pushkën në dorë e sheh kamerën drejt e në objektiv. Një filmim pa zë, bardh e zi, u gjet në Kinotekën e Malit të Zi në vitin 2008 dhe pas procesit të restaurimi­t në digjital dhe 35 mm në laboratori­n “Hungarian Film Lab”, do të ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit si filmimi më i hershëm i fondit filmik të AQSHFsë. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpuni­m me ‘ EYE Film Institute’, Kinotekën e Malit të Zi dhe mbështetje­n e Ministrisë së Kulturës, do të mbajnë të mërkurën në orën 19: 00 një kinokoncer­t me filmime arkivale të xhiruara në Ballkan në fillim- shekullin e njëzetë.

Me muzikë origjinale të kompozuar nga Adorel Haxhiaj, premiera e filmimit të restauruar “Dorëzimi i Shkodrës” ( 1913) do të shoqërohet me performanc­ë ‘ live’ nga Adorel Haxhiaj në cello dhe Astrit Stafai në oud. Gjashtë kronika të shkurtra bardhë e zi dhe të pikturuara me dorë janë pjesë të programit “Në kërkim të Perandoris­ë Otomane” dhe u përzgjodhë­n në bashkëpuni­m me kuratoren e filmit pa zë të Institutit të ‘ Filmit EYE’ të Holandës, Elif Rongen- Kaynakci. Peizazhet unike vizuale të rajonit të Ballkanit, do të ndiqen nga premiera e restaurimi­t të filmimit francez Pathé të vitit 1913, titulluar “Dorëzimi i Shkodrës”, me pamje të qytetit verior pas përfundimi­t të rrethimit gjashtë mujor të tij.

DORËZIMI

Dorëzimi i Shkodrës është një prej ngjarjeve historike më të debatueshm­e në vendin tonë. Botime e studime të ndryshme historike i heqin sa edhe i vënë mbi supe faje, Esad Pashës, që pasi e mbrojti një kohë të gjatë e dorëzoi qytetin mes skamjes e urisë. Pamjet e sjella së fundmi që shfaqen këtë të mërkurë, mbase nuk do të rrëfejnë atë që historia nuk e ka thënë, por do të krijojnë një pamje më të plotë të qytetit të dorëzuar në duart e pushtuesve. Në librin “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti” ( UET PRESS), Ilir Ikonomi sjell edhe momentet e dorëzimit të qytetit, si më poshtë:

Trupat e Esatit po sfiliteshi­n nga uria. Nga mesi i prillit, në Tarabosh, Bërdicë dhe Bardhajn e Vogël kishin nisur rebelimet e shqiptarëv­e. Në Bërdicë Esati nuk arriti të vendosë menjëherë qetësinë, prandaj dha urdhër të pushkatohe­shin 50 nga të pabindurit. Ai mendonte se kalaja mund të mbahej. As vetë malazezët nuk besonin se Shkodra mund të merrej me forcë. Gazetari Guelfo Civinini, i cili më 20 prill arriti në kampin malazez të Muriqanit, e përshkruan­te kështu atmosferën në shtab: “Ishte përhapur bindja se pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi qe bërë thuajse i pamundur. Prandaj, mbreti Nikollë kishte vendosur që me një përpjekje të fundit ta merrte me çdo kusht Taraboshin dhe t’i detyronte Fuqitë që t’i jepnin Malit të Zi krejt bregun e djathtë të Bunës, duke përfshirë Taraboshin. Si përgatitje për sulmin, artileria malazeze, me këshillën e majorit italian Cattagani, shkatërroi urën mbi Bunë, duke i izoluar pozicionet turke të asaj ane”. Një mbrëmje, Seadin beu, oficer i lartë turk dhe mik i Esatit, i shkoi në shtëpi pashait për të biseduar. Esati, i mërzitur në kulm, ecte me çape të mëdha nëpër sallon. I tha Seadinit:

– Unë po bëj çfarë mundem për çështjen shqiptare, por janë ushtarët shqiptarë që më dalin kundër. Janë ata që më presin krahët. Kështu si po shkojnë punët nuk besoj se do t’ia dalim dot. Esati vazhdonte të ecte, duke u menduar dhe duke shprishur me gishta flokët e kuqërremtë. Një çast u qetësua dhe u përpoq të ndreqë atë që sapo kishte nxjerrë goje: – Nuk duhet harruar, – tha, – se këta fshatarë të ngratë, trima e bujarë kanë dhënë gjithçka që mund të jepnin. Kanë shtatë muaj që flenë nëpër llogore, janë vrarë e sakatuar në luftë, kanë hequr shumë nga uria, nga të ftohtët e nga shiu dhe nuk kanë bëzajtur. Kaq shumë vuajtje njerëzore asnjë ushtri tjetër nuk do ta kishte përballuar dot. Fajtorët janë tjetërkund dhe unë e di se cilët janë. Kur këtu bëhet gjithë kjo sakrificë, janë ca të tjerë që nuk e kanë mendjen të na ndihmojnë, por duan si e si të përvetësoj­në frytin e sakrificës sonë.

Siç duket, bisedat e tij me parinë nuk ishin të lehta. Esati u shpjegonte atyre gjendjen dhe vendimin për të braktisur qytetin, duke u thënë se kush dëshironte mund të largohej bashkë me ushtrinë. Mes tij dhe parisë u shkëmbyen fjalë të ashpra....

Njëri prej tyre, Sulçe beu, i ofroi valiut njëqind lopë dhe tha se këtyre do t’u shtoheshin së shpejti po aq të tjera. Por Esati e ndërpreu me një gjest zemërimi:

– Nëse ke vetëm kaq për të thënë, më mirë kurseji fjalët! Është qesharake të ofrosh dyqind a treqind lopë për njëzet mijë njerëz që ushqehen keq prej një muaji. Është cinike të bësh këtë ofertë tani që i kam helmuar ushtarët e mi me kërmat e kuajve. Esati tha se askush nuk mund ta mësonte se si ta kryente detyrën e tij.

– Kur them që dorëzimi është i domosdoshë­m, – vazhdoi ai, – kjo do të thotë se kam pritur deri në çastin e fundit, përtej të cilit nuk mund të vazhdohej më pa cenuar dinjitetin dhe nderin tonë. Shihni si janë katandisur ushtarët. Nuk na ka mbetur asnjë thes miell. Racioni për sonte ishte një gjysmë peksimadhe dhe një grusht stafidhe. Kam dymijë të sëmurë dhe të plagosur nëpër spitale. Municionet e topave thuajse janë shteruar dhe një sulmi malazez nuk i përgjigjem dot më gjatë se 15 minuta me artileri. Nuk ju ka lezet të bëni patriotizë­m në orën e fundit. Esati heshti pak dhe nisi të flasë me një ton më të butë:– Harroni për një çast se jeni tregtarë. Ajo që ndodhi ndoshta ishte e pashmangsh­me, por nuk e di nëse e keni ndërgjegje­n të qetë. Në qoftë se Turqia po humbet një krahinë, kujdes se mos humbisni atdheun tuaj. Unë do të iki bashkë me ata që mbetën gjallë nga ky rrethim i lavdishëm, por po ju lë atë që është më e shtrenjtë: të vdekurit.

“Pasi kaloi mesnata, – tregon Vukotiçi, – u ngrita dhe i thashë prerë Esat Pashës: ose të vëmë firmat, ose unë dhe njerëzit e mi ikim nga Shkodra. Esati tha: A mund të prisni edhe një çast? Dhe doli. Nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur ai u kthye, u ul në tryezë, nxori vulën, e vendosi mbi marrëveshj­e, pastaj mbi kopjen e saj dhe i nënshkroi të dyja. Në këto e sipër, ai shante nëpër dhëmbë parinë e Shkodrës: Sojsëza! Ju që nuk deshët të më jepnit as njëqind lopë për ushtrinë, më kërkoni tani të mbroj qytetin”!

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania