Gazeta Shqiptare

"Më pyete pse të dua dhe unë qesha", proza letrare e filozofike e Lumos Skëndos

Historiani i njohur Uran Butka ka përmbledhu­r disa pjesë të zgjedhura të Mid'hat Frashërit me rastin e kthimit të eshtrave në atdhe "Shohim sot kafenetë dhe selamllëke­t plot pluhur, hi dhe baltë, mbushur me njerëz përtacë, që shkojnë të njëzet e katër orë

- Mid'hat Frashëri ( Lumo Skëndo)

Po botojmë disa proza letrare, meditative e filozofike të Mid'hat Frashërit ( Lumo Skëndo) të nxjerra nga veprat e tij të zgjedhura botuar nga Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skëndo" në tri vëllime, me rastin e 110- vjetorit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit ishte Mid'hat Frashëri dhe kthimit në atdhe të eshtrave të këtij personalit­eti të madh të historisë, politikës dhe kulturës shqiptare.

PROZA POETIKE:

Më pyete pse të dua dhe unë qesha.

Qesha, ama tani po mendohem dhe them: Pse të dua? Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr' i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz' i ditës, për atë vështrim q'është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemrën time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurinë tënde shoh zbardhëlli­min e jetës.

Po të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhës­isë, a në t'errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, se në ngjyrë të lules a në përkëdhelj­e të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej. * Ah, po bie shi prapë Eja, mike, se po bie shi! Më duket sikur po qan qielli, sikur po derdh lotë të hollë. Edhe zemra ime sot po qan. Jam vetëm; lotët e qiellit rrjedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtë brenda në zemër.

E mban mend, mike, kur ishim bashkë sa shum' e donim shiun? E mban mend gazin që ndjenim afër dritares, kur binin pikat e mëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.

Ahere, kur bota mbytej me lotë, ne ishim të gëzuar; ahere, kur bota mbulohej me ujë të ftohtë, ne kishim të nxehtë në zemër.

Po tani, nga kjo gjysm' odë shikoj pikat, që po kullojnë dhe po mërdhi. * Afrëdita e Milo- s Fidia më s'pat prehje. Gjumi më s'ia çlodhi sytë. Ngrënies më nuk i gjeti shije. Një ethe çdo ditë i digjte dejtë.

Përpara shkëmbit të mermerit si shkumb' e bardhë, Fidia po punon dhe po mejtohet. Muskujt e tij po i xhonglohen nën çekanin e rëndë, një djersë ethesh po i kullon nga ballët, një zjarr po i ndriton sytë.

Edhe më s'pat prehje. Çdo ditë nga shkëmbi po dilte një formë e re. Punoi, punoi, akoma, me zjarrin e shenjtë. Kërkonte bukurinë, gjithnjë të ëndërruar, kurrë të parë.

Kur u mbarua vepra, Fidia e shikoi me syt' e nxehtë, me ata sy që s'ishin lodhur kurrë. E shikoi akoma, edhe një herë dhe i mbylli sytë, se guri i ftohtë iu duk i gjallë, me një shpirt, me një frymë, që s'i kish pandehur.

I lumtur Fidia, m'i lumtur se Hyji!

Se mendja jote polli bukurinë e pavdekur, gruan, gjith- një të dëshiruar, kurrë të gjetur. * Lermë, grua! Lermë grua, lermë të t'admiroj trupin tënd të bërë prej drite dhe shpirti! Dua të ndjej gjakun tënd të rrjedhë nën përkëdhelj­en time; të shikoj dhe të mos nginjem me këtë kraharor të bardhë. Fryje gjirin, ndehi krahët, se je tërë bukuri dhe ke fuqinë e përjetshme, atë fuqi që rrëmben mendjen dhe zemrën.

Ndehi krahët, fryje gjirin dhe zgjatmë buzët! Por, oh, më tepër se të gjitha akoma, shikomë në sy, se dua të ndjej atë zjarr, atë dritë, që ndez gjakun, atë vetëtimë që çel errësirën; dua që shpirti im të rrijë i qepur tek i yti dhe trupi yt të më rrëmbejë.

Lërmë të të shikoj e të t'admiroj, se dua që rrojtja dhe qenia ime të kridhet tek shpirti dhe zemra jote, dua që të humbas fuqinë time në ata krahët e tua të dobët! * S'jemi në Evropë! Nga Tirana për në "Evropë", dua të them edhe për në Azi, Afrikë, Amerikë dhe Australi, një herë në javë ka postë. Vapori italian të shtunën niset nga Durrësi dhe ajo govatë, me një thes me letra na vë në marrëdhëni­e me botën tjetër; nga Brindisi letrat marrin udhën, që u duhet, udhë që padyshim nuk dihet prej nesh. Vapori i sho- qërisë italiane vjen afër mbrëmjes në Durrës dhe ngrihet pas mesnate, pothuajse ndaj mëngjesit. Vete në Vlorë dhe s'andejmi, të pasnesërme­n, pra, të hënën, vete në brigjet e Italisë.

Mund të them se nuk rroj dot pa postë; mund t'i shtrohem privatësis­ë në çdo formë të saj, po jo të jem i prerë nga bota e jashtme. Dhe kjo postë e përjavshme më duket gjysmë burgim, një farë ndalimi dhe ndalim i hidhur.

- Posta është mbyllur, që në nëntë të mëngjesit, - më përgjigjet nëpunësi, një të shtunë në orën 10.00

S'e kuptoj. Vapori shkon nga Durrësi nga mesi i natës. Dhe posta mbyllet një ditë më parë! Dhe Tirana tek Durrësi për dy orë me automobil!

Mbeta me letër në dorë, i keqardhur. Një javë akoma dhe unë që u ngriva në të ftohtë qysh në mëngjes, e shkrova letrën që ta sillnja vetë.

- Ç'ke, ç'ke akoma, më thotë Syrja Pojani, i biri i të ndjerit Orhan bej. Të shoh prapë me inat.

Syrjai është deputet i Matit, s'e di mirë pse. As ai më duket nuk e di. Qëndroj dhe i qaj hallin, i lumtur tani që gjej një deputet që të interesohe­t. Nëpunësit të postës s'kisha çfarë t'i thonja dhe inati ishte i kotë.

- Pse s'e dhe që dje? më përgjigjet Syrjai me sarkazmë. Dhe si e pa që desha t'i shpjegonja çështjen, t'i jepnja një mësim administra­te, shtoi: "Po ti akoma e pandeh veten në Evropë ....!"

E shoh se bisedimi është i kotë. Jam akoma me letër në dorë. Dua të shoh se mos gjej ndonjë udhëtar dhe ta çoj në Durrës, që ta verë atje në postë. Kemi edhe tetë orë gjer sa të ngryset.

Po ja se ku pjek Eshref Frashërin, mikun e vjetër, bashkë me të cilin kërkonim të konvertoni­m çobanin Abdi në Eren- Qoj.

- Eshref, miku im, ç'është kjo punë, ti që je kryetar i parlamenti­t, do të më kuptosh, është turp të rrëfejmë kaq pakujdesi .... Eshrefi më dëgjon. Po, tanimë s'të pëlqen Shqipëria, u mësove në Evropë, - më thotë.

- Domethënë, ti Eshref, kryetar i Parlamenti­t, po më thua se Shqipëria s'është Evropë! Mbase mejton se është Afrikë? Po marr asht, ta diç!

Më vjen keq edhe një herë akoma. Letrën e kam gjithnjë në dorë. Ç'është ky mentalitet për ne: nuk mund të thuash gjësendi, pa të pozuar Evropën, sikur ishte një faj pse ke vajtur atje, ose sikur çdo send që duhet të bëhet ne Shqipëri, nuk do bërë, sepse s'jemi në Evropë, sepse nuk ngjan me Evropën! ...

- Myrteza bej, të lutem a mos di njeri që shkon në Durrës? Kam një letër.

Myrtezai më shikoi. Bej i Çokllavet mban hotelin Frashëri, rrjep botën, fiton të holla dhe tërë natën kërcet kumari.

Me një gjysmë ftohtësie më thotë se nuk di njeri për në Durrës. Pastaj më bën këtë qortim:

- Ama edhe zotrote punë na hape! - Pse zotrote, ç'ke? - Ç'është ai raport që i ke dhënë ministrisë për hotelet?

- Or zot, më duket se kam të drejtë. Ju po fitoni mjaft dhe është fare e arsyeshme që të mbani dhe hotelet të pastër, mos jenë si hane fshati.

- Ama, ajo që thua zotrote për Evropë s'bëhen, jo këtu!

Në pesëmbëdhj­etë minuta për herën e tretë po më hid- het shuplaka Evropë në fytyrë.

Letra e mjerë më mbeti në dorë se ... nuk jemi në Evropë!

PËRSHKRIM: Kur qeshë në mëhallën vrenes

Në maj 1913 vajta në Shkodër, ndjenja afër tri javë, pashë sende interesant­e. Datën që u ktheva në Vlorë, më duket se qerrja s'shkonte gjer në shtëpinë tonë, andaj zura një hamall për t'i dhënë valixhen dhe një thes të vogël me disa gjyle topi nga Taraboshi. Kur arrita në shtëpi, duhej të paguanja hamallin. E dinja që s'kërkonte të holla, po shpresoja që do të gjeja Abdi beun. Abdiu paska ikur nga Vlora dhe tani në shtëpi rri Aziz pashë Vrioni; meqenëse edhe ky qe mik dhe i njohur, mund që të rrinja prapë në atë shtëpi, pra, mund t'i kërkonja edhe pak të holla hua për hamallin. Po ja, edhe Azis Pasha s'ishte në shtëpi!

Xhepat i kisha fare zbrazët e s'dinja ç'të bënja. Kur ja që u dha Bedri Pejani, miku dhe pak nxënësi im. Ja them hallin. Zë dhe kërkon: mezi gjen në thellësinë e një shumice xhepash pesëmbëdhj­etë para. Kjo gjetje e Bedriut, më jep dhe mua kurajë. Filloj të rrëmoj në xhepa, të krruaj pëlhurat e palosura të xhaketës e të jelekut: Në çdo forcim, gjenja copëza kartash të fishkura, pluhur të ngujuar, sumbulla të vogla dhe të mbledhura, nuk e di unë çfarë tjetër akoma. Po si argjend, nuk gjeta veçse dy dhjeçe të zeza. Kamja jonëe bashkët arrinte në tridhjetë e pesë para. Hamalli kërkonte një grosh. Na duhej, pra, akoma pesë para, një pesësh i gjerë. Me gjasë se kam harruar ndonjë xhep, i nisa që të gjithë xhepat sërish, me një zell të ri; por edhe fshehtazi, me një shpresë të dëshpëruar. Kot!

Duke mos pasur tjetër shpëtim se edhe kërkimet e përsëritur­a të Bedriut s'dhanë ndonjë rezultat të ri, i zgjat mikut tonë barrëbartë­s të tridhjet e pesë paratë, duke i thënë se do t'ia jepnja herë tjetër shumën, që mbetesh. Ai qe një burrë mesatar, nja

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania