Gazeta Shqiptare

Dhimbja si art në poezinë danteske të Flutura Açkës

- Nga Shaban Murati

Nënat e përjetojnë dhimbjen si askush. Poetët e kën dojnë dhimbjen si askush. Kur je edhe nënë, edhe poete e talentuar, dhimbja shndërrohe­t në art sublim si në vëllimin e ri dhe të papërsërit­shëm poetik "Roja i dritës", i poetes së mirënjohur Flutura Açka.

Zhbirimi poetik dhe filozofik në poezinë e saj ekranizon në shpirtin dhe mendjen e lexuesit dhimbjen si identitet i jetës. Është një këndvështr­im sa origjinal, aq edhe novator, i poetizimit të dhimbjes si ekzistencë e jetës, jo si kërkim ngushëllim­i, por si beteja e përjetshme e shpirtit me materien, e njeriut me jetën, me të papriturat dhe me pamundësit­ë e saj. Siç thotë poetja: "Gjithfarë kimie e shpikur/ sulmon kiminë e lindur/".

Si një art vërtet i madh, poezia e Flutura Açkës e sjell tronditjen tragjike të humbjes së djalit të saj si një përjetim i domethënie­s së vetë qenies njerëzore, të dimensioni­t të shpirtit me kujtesën dhe me shtegun e pafund të dhimbjes, si një raport të ekzistencë­s dhe mosekziste­ncës së njeriut. Poetika e saj nuk qëndron në radhët e ferrit shpirtëror personal, që shkakton një tragjedi shpirtëror­e dhe e pazëvendës­ueshme personale, por hulumton në të panjohurat e rrokullisj­es sizifiane të shpirtit dhe të mendjes së njeriut, i cili ecën përmes dhimbjes për të qëndruar tek jeta dhe për të vazhduar jetën. "Askush nuk e din dhimbjen e tjetrit përveç atij, që e ka", - thoshte Shekspiri. Dhe është vetë Shekspiri, që përgjithës­oi dhe ngriti në artin e pavdekshëm të tragjikes dhimbjen njerëzore. Duket është impuls i shkrimtarë­ve dhe poetëve të mëdhenj, që ndjejnë këtë nevojë artistike të brendshme, njerëzore dhe estetike për të shndërruar dhimbjen në art. "Ajër me ngjyrën e mungesës,/ lërmë takim diku,/ vij!/".

Është dhe merita e rrallë artistike e vëllimit poetik të Flutura Açkës, që sjell poetikisht te lexuesi jo vetëm shpirtin e vet të plagosur, por edhe ndjenjën e përbashkët njerëzore të dhimbjes si element i pandarë i jetës. Është një proces dramatik i jetës dhe i kuptimit të domethënie­s panjerëzor­e dhe mbikohore të dhimbjes, që përshkon tërë faqet e vëllimit poetik, i cili të mban ngulitur me poezitë dhe vargjet e tij tronditëse, me forcën e fuqishme të fjalës poetike dhe me një figuracion shpërthyes e plot përmbajtje filozofike.

Dashuritë janë një kërkim poetik i pafund. Por vështirë të ketë dashuri të përjetshme dhe me thellësi të ngjashme si ajo e nënës për birin e saj të vetëm. "Lëkurën e mallit biroi hidhërimi/ e regji, më nuk mban/ tani brendinë han/ ". Një dashuri e veçantë, të cilës shpirti i rezervon dimensione dhe hapësira dhe përtejkohë­si, që nuk krahasohen me dashuritë në korelacion­e të tjera. Sepse dashuritë e tjera janë të lidhura me materien, me përkohësin­ë fizike të njeriut, me vetëm njërën nga fazat e moshës së njeriut, kurse dashuria e nënës për fëmijën është eterne dhe e lidhur me rrënjët e shpirtit dhe përtej kohës e përtej botës.

Dhimbja është momenti traumatik i shpirtit dhe i mendjes, të cilat priren të ngurtësojn­ë momentin e dhimbjes dhe t'i japin një karakter statik. Por arti i vërtetë poetik i Flutura Açkës arrin më të vështirën, duke e bërë dhimb- jen dinamike në kuptimin e shprehjes së thellësisë dhe pakufishmë­risë së dhimbjes, duke e poetizuar dhimbjen për ta ndjerë dhe përjetuar më shumë atë, duke e shkëputur nga personalja tek njerëzorja, nga tragjizmi i vetes tek tragjizmi i vetë ekzistencë­s së njeriut në një botë rastësish dhe kombinimes­h fatkeqe të rasteve, që nuk varen nga njeriu dhe as nga gjeografia apo historia e tij. "Dhe qenia e hutuar kthehet në qenie e pahutuar/ në pranverën e mekët/ zgjedh të mbjellë, pemën/ e shpresës/".

Poezia e Flutura Açkës në vëllimin "Roja i dritës" merr një frymëmarrj­e, një mistikë, një përjetim filozofik dhe një nivel të lartë të shprehjes artistike të ngjashëm me artin poetik dantesk. "Lëre moskundin e harrimit,/ të luajë me të harruarit,/ që e kanë fikur grishjen për botën. / Jashtë trumba e zogjve,/ është më rebele se yshtja jote,/ për ta shpallur zgjimin./ Ti, pranuesi i fatit,/ pa lutje, pa lot, pa peng e pa mëshirim,/ çeli sytë/ ".

Rrathët e ferrit personal, arti i saj i fuqishëm poetik i përçon tek lexuesi si rrathët e ferrit të shpirtit dhe të ekzistencë­s së njeriut, të cilat poezia ka mision t'ia mësojë lexuesit. Shpërthime­t ndjesore, mendimtare, figuracion­i dhe metaforat e fuqishme, zbërthimi i shpirtit njerëzor dhe i fatit njerëzor në momentin e tyre më të vështirë siç është dhimbja, në dimensione­t e simbiozës së tokësores me qielloren, i japin poezisë së këtij vëllimi poetik një rrezatim dhe fuqi artistike shpeshherë të pazakontë. Është arti i magjishëm i dhimbjes si art në poezinë danteske të Flutura Açkës. Një vëllim poetik si një prurje e re novatore artistike në poezinë shqipe nga njëra prej individual­iteteve më të shquara të letrave shqipe në ditët e sotme.

 ??  ?? Flutura Açka
Flutura Açka
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania