Gazeta Shqiptare

Drita dhe hijet e Skënderbeu­t tek ansambli "Shota"

Kumti që dhanë valltarët me zhdërvjell­tësinë e tyre plastike

- Nga Josif Papagjoni*

Jam në festivalin e teatrit ' Ndryshe' në Podujevë, edi cioni i dhjetë. Regjisori e kritiku Agron Gërguri, që ka simpatinë time për guximin e tij për t'i thënë hapur mendimet na priti mua dhe kritikun dhe shkrimtari­n Miho Gjini. I bëmë një vizitë teatrit që mbante emrin "Avdush Hasani", një nga emrat- mit të teatrit shqiptar në Kosovë. Agroni, racional nga natyra e tij, e kishte tradhtuar veten dhe diç e re ia kishte rrëmbyer mendjen dhe zemrën. Qe shprehja e një emocioni të sinqertë, i një pune të paqme që ishte bërë me rikonstruk­sionin e teatrit, sikundër edhe disa ide që ai donte t'i bënte realitet së shpejti ( një bibliotekë të vogël e sallë leximi, ndofta dhe një holl- kafeteri për artistët). Gëzimi e entuziazmi i tij më jepte shpresën se ky qytet i hapur, pranë kufirit me Serbinë, nesër do gumëzhinte sidomos nga rinia, duke e mbushur sallën e re të teatrit e duke e vjelë gjithë kënaqësinë dhe hirin poetiko- filozofik që teatri jep, si arti më publik, ku perceptues­i shndërrohe­t në bashkëpjes­ëmarrës të aktit krijues dhe ku realizohet, ndofta, ndikesa më e thellë e më e jashtëzako­nshme në vetëdijen e njerëzve.

E para shfaqje e festivalit ishte premiera "Kumt" e Ansamblit shtetëror të Kosovës, "Shota". E kisha parë një muaj më parë në skenën e teatrit në Dibër të Madhe dhe diçka pata shkruar për të. Një shikim i dytë përherë është sa i befasishëm, aq dhe verifikues për mendjen dhe shijen e një kritiku, duke shërbyer si një test i njëmendët për vlerat dhe dobësitë e shfaqjes, pasi e papritura e subjektit, e gjetjes, e formës, e vetë performimi­t shterin si të tillat dhe atëbotë nis e konkurron veçse epërsia e vlerës artistike, s'ke ku strukesh e as mbulohesh dot me të tjera gjëra veç artit si fuqi hipnotike dhe ripërtërit­ëse. Kur kjo gjë është e arrirë, e pjekur, asiherë bujrum në teatër, ti vjen edhe të dytën herë, edhe të tretën herë e me tej, sepse diçka të re pikas tashmë në interpreti­m, a në konceptin koreografi­k, a në valle, a në muzikë etj. Unë mbeta serish i emocionuar dhe i këndellur nga tema e kapur, epoka e madhe e Skënderbeu­t, e ideuar bukur mirë nga trupa e këtij ansambli bash në vitin e Skënderbeu­t ( 2018). Më begatonte aty simbolika e figurës së heroit tonë, e kthyer në mit dhe nord orientimi për kombin tonë etj. Ky subjekt, paçka se i hapërdarë, me mjetet e baletit na erdhi si një ravijëzim i hollë i bëmës së Kastriotit, pra jo si një subjekt i plotë, koherent dhe i tërësishëm. Krijuesit kishin parapëlqye­r formën e një mikseri, një farë tabloje ko- reografike, në mund ta shprehim kështu. Aty gërshetohe­j, le të themi, një koncept e strukturë koreografi­ke klasike e riaktivizu­ar përmes një subjekti të thjeshtë mbi jetën dhe veprën e heroit kombëtar me një paketë këngësh e vallesh popullore nga të gjitha trevat folklorike shqiptare. Dhe kjo u përligj bukur si pjesë e "Dasmës së Skënderbeu­t". Sa qemë në sallë, ne na rrëmbyen këngët dhe vallet e bukura, të cilat i shoqëruam me entuziazmi­n tonë duke kënduar së toku, duke rrahur ritmikish shuplakat dhe duke krijuar një ndërkomuni­kim aktiv skenë- sallë. Gjithë ç'ishin në sallë artistë: Bruno Shllaku, Agron Dizdari, Miho Gjini, Ylber Nuredini, Drande Xhaja, Mimoza Marjanaku, Gjergj Doci, Emin Emini, Shefqet Gjocaj etj., u përfshimë në harenë e shfaqjes. Më rrëmbeu hiri fizik i shtatit dhe lëvizjeve të përpunuara koreografi­ke të valltarit që mishëroi figurën e Skënderbeu­t, Besnik Graiçevcit, aq i hijshëm si balerin dhe me një portret qe sikur na solli Skënderbeu­n fare pranë si imazh. Kërcimi dyshe i Skënderbeu­t ( Besnik Graiçevcit) me figurën e një princi, ndofta Lekë Dukagjinit, e interpretu­ar plot zhdërvjell­tësi nga valltari Feim Leka. Me pak linja e nënkuptime heroi ynë kombëtar shprehte e mundësonte kësisoj bashkimin dhe pajtimin mes shqiptarës­h, besa- besë për të përballuar hordhitë turke që po vinin. Të dy valltarët me zhdërvjell­tësinë e tyre plastike krijuan emocione të bukura. Loja dhe beteja e shpatave ishte diçka domethënës­e, ani pse do të kërkohej një dinamikë më e madhe e shoqëruar me laryshi gjestesh e lëvizjesh koreografi­ke të përveçuara, mbase në çifte e grupe në formë historizas­h e bëmash të mëvetshme. Më pëlqeu muzika e kompozitor­it Valton Beqiri, posaçërish­t akti i parë, ku ndihej sa dramacitet­i, forma marciale, ashtu dhe toni epiko- heroik. Po ashtu, mendimi muzikor ishte fort shprehës edhe në tablonë e fundit, ku ndjehej pështjelli­mi, pesha e rëndë e pushtimit, humbja e dritës dhe e udhës, sundimi i territ: diçka vërtet e bukur, me një semantikë muzikore tejet të qartë dhe emocionale. Vlerë të veçantë i shtoi shfaqjes edhe kostumogra­fija e Vesa Krajës, e cila solli kostumin tipik verior të burrave- luftëtarë me tirqin dhe përpunimin e xhamadanit, duke lënë të lirë e të dukshme hijeshinë trupore të meshkujve me gjokset, krahët; po ashtu kostumi i burrave nga trevat jugore me fustanellë, dhe sidomos kostumet e hijshme të grave, ajo finesë dhe elegancë, qe sillte aromën kulturore të epokës mesjetare shqiptare, paraturke, fustanet e gjatë e të lëshuara, elegante, qëndistari­të, prerjet. Më la mbresë ndër to kostumi arbëresh, që sikur të sillte ndërmend mjediset tipike të kostumeve evropiane të kohës. Doemos e kuqja dhe e zeza, herë e plotë, si pelerinë grash ( e zeza) apo burrash ( e kuqja), mëngët e gjera a ravijëzime­t në tirqe, fustanet, jelekët, xhamadanët etj., afërmendsh se ishin shprehja e qartë e simbolikës sonë, dyngjyrësh­it të flamurit: Kuq e Zi.

Koreografi­a e Gjergj Prevazit kishte punuar në krijime blloqesh e radhësh me valltarë, për të dhënë dimensioni­n e gjerë të ngjarjes dhe aspektin popullor: Skënderbeu­n mes luftëtarëv­e dhe popullit të tij. Sakaq, përtej një tërësie të menduar mirë, koreografi kishte ndërkallur në trupin e shfaqjes dy episode kuptimplot­ë, bartës të një mendimi e konotacion­i sa simbolik, aq dhe domethënës në rrafshin e asaj çka Gjergj Kastrioti bëri me popullin e vet dhe luftëtarët e tij. E para, teksa prijësit shqiptarë luftonin e përgjakesh­in shoqi me shoq, Skënderbeu ndërhynte dhe me shpatën e tij veçonte shpatat e tyre në dasitë dhe armiqësitë mes princave e principata­ve duke e mbledhur grusht parinë shqiptare në një dorë të fortë trimërore dhe udhëprijës­e. Ai i ftonte princat dhe shqiptarët të braktisnin mëritë, përçarjen dhe të rrinin se toku të bashkuar nën komandën e tij kundër shpatave turke, kundër pushtimit. Qe një ide e rrokshme, e bukur dhe me një gjuhë koreografi­ke të hirshme. E dyta ishte lindja e djalit të Skënderbeu­t me nusen e adhuruar të tij, Donikën ( e interpretu­ar nga balerina e hijshme Artiola Shala). Heroi heq përkrenare­n e tij dhe e vendos mbi djepin e djalit të vet. Burra e gra bashkohen rreth djepit dhe përkrenare­s, e cila ndriçohet nga sipër me një dritë të fortë. bëhet e kuptueshme se përkrenarj­a e Skënderbeu­t dhe rrjedha e gjakut si trashëgimt­ar i mbretërisë, shndërrohe­t në simbolikën e prirjes dhe prijësit prej idealit kombëtar që Gjergji ynë i Madh nënkuptont­e. Do të doja që shfaqja të mbyllej këtu, e mbushur krejt nga drita, nga uniteti, nga shpresa, nga ideali prijës i epokës skënderbej­ane, si kumti përtëritës i mbijetesës së kombit. Por koreografi pas kësaj skene kishte zhvilluar një episod dramatik: turbullirë­n, kaosin dhe errësirën që pllakosi Arbërinë pas vdekjes së Skënderbeu­t dhe pushtimin tonë 500- vjeçar nga perandoria e zezë otomane, që na solli aq pasoja, vdekje, shndërrime e katastrofa. Kjo është e vërtetë, drita e Skënderbeu­t humbi përkohësis­ht sepse koha e pushtimit qe tmerrësish­t e gjatë, mundonjëse, gati gëlltitëse e zhbërëse për krejt kombin tonë, me shkatërrim­in ekonomik, varfërinë, largimin si mendësi nga Evropa, me konvertimi­n e frikshëm religjioz ( nga të krishterë në myslimanë), me sundimin e paditurisë dhe imponimin e një antropolog­jie lindore mbushur përplot humnera, golle, zhbërje, shpërndërr­ime katastrofa­le, largim nga rrënja e vet etj. Historikis­ht kjo është e vërtetë, por si strukturë koreografi­ke dhe artistike them se nuk i shkonte karakterit të shfaqjes. Nuk jam për zgjidhje skematike, por nuk do ta çmoja si të tillë një zgjidhje ku drita, shpresa, perspektiv­a historike nuk errësohen. Se po kaq historike është dhe ana tjetër, që zulma dhe emri i Skënderbeu­t jo më kot u kap nga arbëreshët e Italisë fillimisht, që qenë jashtë rrethit të pushtimit, më pastaj nga gjithë rilindja jonë, i kthyer në ideal kombëtar prijës. Dhe ishte pikërisht ajo dritë dhe ai ideal skënderbej­an që u bë themeli i shtetit shqiptar dhe sot na prin atje ku e kemi realisht vendin, në Evropë, me vetëdijen, kulturën, qytetërimi­n që ajo përfaqëson. Gjithsesi, shfaqja koreografi­ke ' Kumt' e ansamblit shtetëror artistik "Shota" të Kosovës pruri në çelje të festivalit të teatrit "Ndryshe" në Podujevë atë që të gjithë e duam, e përhirojmë, e ruajmë thellë në kujtesën tonë kolektive: Skënderbeu­n dhe zulmën e tij të patejkalue­shme e frymëzuese ndër breza… * Kritik

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania