Gazeta Shqiptare

"Dajti", prokuroria rekurs në Gjykatën e Lartë: Të prishet vendimi i Apelit

Ja pesë gjyqtarët e rretheve që e shpëtuan nga burgimi i përjetshëm Organi i akuzës kundër gjykimit të shkurtuar

-

Një ditë pas vendimit të marrë nga Gjyka ta e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009, ka ardhur reagimi i organit të akuzës. Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda dje bëri me dije se do bëjë rekurs. Mësohet se organi i akuzës është në pritje të zbardhjes së vendimit, i cili rrëzoi atë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e cila në vitin 2014 ( pas 276 seancash gjyqësore) e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dajtin. Rekursi për çështjen e Dajtit do të bëhet në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkohet prishja e vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Gjithashtu, Gjykatës së Lartë do t'i kërkohet që çështja të rigjykohet po nga Apeli, por me një trupë tjetër gjyqësore. Prokuroria thotë se ishin kundër pranimit të kërkesës së të pandehurit për pranimin e gjykimit të shkurtuar, gjë e cila e shpëtoi nga dënimi kapital me burg të përjetshëm. Seanca gjyqësore në Apel filloi në orën 09: 00 të së premtes, ndërsa vendimi përfundimt­ar i pesëshes së gjyqtarëve u dha në orët e pasdites, duke mbyllur kështu një nga proceset më të gjata gjyqësore dhe të shoqëruar me bujë. Gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dritan Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/ 3- ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të "konsumimit" të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet. Gjyqtarët që vendosën të dënojnë me 25 vite burgim Dritan Dajtin, duke prishur kështu vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë janë: Fuat Vjerdha ( kryesues i trupit gjykues), i cili rezulton të jetë dhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër. Ndërsa,

dy anëtarët Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, janë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pesëshja e gjyqtarëve plotësohej dhe me dy gjyqtarë të tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim në Apel për shkelje procedural­e.

Dritan Dajti u prangos dhjetë vite më parë dhe u vu nën akuzë për veprën penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", kryer ndaj punonjësve të policisë: Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj. Ndërkohë, ai i ka mohuar

akuzën duke deklaruar se qëlloi me armë për t'u vetëmbrojt­ur pa e ditur se ata ishin policë. Në atë ngjarje mbeti i vrarë edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara si dhe një pushues. Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t'i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me një qëllim, por ai ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojt­ur për shkak se i ishte hapur një luftë dhe qëllonin në drejtim të tij. Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pas arratisë nga Gjykata e Tiranës në verë të vitit 2004.

 ??  ?? Dritan Dajti
Dritan Dajti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania