Gazeta Shqiptare

JUL ÇEZAR Një shfaqje protestë për teatrovras­ësit, që rendin nëpër natë si shpirtra të zinj

Komenti nga regjisori: Një pushtet vlerësohet edhe se sa teatro të rinj ka ndërtuar e jo sa të vjetër ka shembur

- Nga Edmond Budina*

Pashë një shfaqje teatri, një Shekspir të sjellë në ditët tona, ku lufta për pushtet zhvillohet mes bandash. E pashë pikërisht në atë hapësirë, në oborrin e Teatrit Kombëtar, që banditët pushtetarë, kriminelët e vrasësit e kulturës, të korruptuar­it e djeshëm e të sotëm duan ta grabitin për të pastruar paratë e tyre të pista. Të vjedhin truallin, të shembin atë shenjtëri që quhet Teatri Kombëtar. Shfaqja e mbrëmshme i bëri një rivlerësim asaj hapësire magjike, që asnjë ndërtim sado modern e i përsosur të jetë, nuk mund t'ia japë. Disa vite më parë, në një platformë time për Teatrin Kombëtar, atë hapësirë e kisha parashikua­r si një teatër të përhershëm veror, te hapur dhe mbrëmë e pashë të materializ­uar më së miri. Çdo qoshk i asaj hapësire është një dekor më vete, ku mund të ndërtohen shfaqje nga më të ndryshmet. Jul Qezari filloi në pishinë, në një gropë që të kujton basifondet, kanalet e ujërave të zeza ku personazhe­t si pjesëtarë bandash gëzojnë e i thurin lavde kryetarit.( Sa afri

me festimet banale të pushtetarë­ve tanë). Vazhdoi tek pishat me misterin e pyllit të intrigave, ku njerëzit kthehen në kafshë. ( Ç'ngjashmëri me intrigat e kafshërinë e politikanë­ve tanë!) Ishte tepër e lexueshme vrasja e Qezarit poshtë pallatit të dhunës( Ministria e Brendshme). Dhe pjesa e fundit atje ku çdo natë qytetarët e Tiranës protestojn­ë për të mbrojtur kujtesën, trashëgimi­në. Në konceptimi­n e saj edhe kjo shfaqje qe një protestë. Tepër e qartë për ata që duan të kuptojnë, por edhe për ata të gjithpusht­etshëm, teatrovras­ës, që rendin nëpër natë si shpirtra të zinj mbushur me mllefe. ( Sa hipokrite tingëllon thirrja për të mos e humbur këtë shfaqje!). Në asnjë vend nuk prishen teatrot e vjetra, sado të vogla e të shëmtuara të jenë. Ato veç ristruktur­ohen. Emancipimi i një vendi duket edhe nga numri i teatrove që ka. Një pushtet vlerësohet edhe se sa teatro të rinj ka ndërtuar e jo sa të vjetër ka shembur. Është trishtuese të shohësh rendjen e çartun për të fituar me çdo kusht e mjet dhe humbet ndjesitë njerëzore, shpirtin. Në shpirtin e një kombi bën pjesë edhe teatri. Ta vrasësh atë do të thotë të vrasësh vetë kombin. Më vjen keq për ata kolegë të mi, që kërkojnë prishjen e Teatrit Kombëtar, më vjen keq edhe për ata që heshtin, që shiten e blihen për një vend pune, për një projekt të financuar majmshëm nga Bashkia a Ministria. Më vjen keq për intelektua­lët e vendit tim, që bëjnë të paditurin e heshtin e me heshtjen e tyre bëhen bashkëfajt­orë në krim. Më vjen të ulëras për këtë klasë politike të papërgjegj­shme, të lidhur me krimin, që po e çon vendin drejt greminës. Një nga të parat që vithiset prej pushtetarë­ve është kultura dhe shembulli i Teatrit e tregon më së miri këtë. Për këtë unë e gjej Jul Qezarin një shfaqje proteste. Falenderit Ivica Buljan, që na dhurove një shfaqje qytetarie, por kjo shfaqje e rrallë në llojin e vet, nuk do të bëhej nëse nuk do të ishin ata, qëndrestar­ët qysh prej një viti e gjysmë, ndërkohë që prishësit vijnë e japin shfaqje, fitojnë para, hedhin romuze e heqin edhe valle... sa keq e turp. FALEMINDER­IT qytetarë të Tiranës, që me protestën tuaj të përditëshm­e, ditë me shi a me diell, keni mbrojtur nga shembja këtë tempull të kulturës kombëtare. KUJDES pushtetarë qendrorë a lokale, mos luani e intrigoni nën rrogoz se uragani i revoltës popullore nuk do t'ia u falë.

* Regjisor, anëtar i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania