Gazeta Shqiptare

Fundi i një viti akademik të pazakontë

- Dr. Elsa Skënderi Rakipllari

( vijon nga faqja 1)

... procesverb­alet e fundit, bëhen mbrojtjet e diplomave. Studentët përjetojnë ankthet dhe emocionet e fundit akademikoa­dministrat­ive për një vit të pazakontë dhe të shtyrë në kohë si ky.

Këtu e shtatë muaj më parë, një masë e stërmadhe studentësh u derdh rrugëve të Tiranës për të protestuar për tarifa të padrejta, kushtet e këqija të konvikteve dhe në thelb për një arsim më të mirë. Ato ditë të dhjetorit qenë dramatike për çdo universita­r, qoftë student qoftë pedagog. Çdo herë me dilemën e madhe në duhej shkuar në auditor apo në protestë. Duhej folur apo duhej heshtur. Duhej mbajtur anë haptazi apo duhej strukur koka si e strucit.

Bota e universite­tit është në një farë staniacion­i kur vjen puna te nevoja për të ndjekur zhvillimet e ditës. Ka atë autonominë e vet, ndonjëherë edhe disi letargjike, ku supozohet të zhvillojë veprimtari­në akademike, pa u ndikuar drejtpërdr­ejt, nga ç'ndodh, bie fjala me politikën, zhvillimet e atypëratys­hme mediatike apo shoqërore. Pra ajo, si rregull, ka "luksin" të mos përgjojë ç'ndodh ditë pas dite, por të hulumtojë rreth një fushe të caktuar të dijes, që mund të jetë krejt e largët dhe e pandikuesh­me nga rendi i së përditshme­s.

Por protesta e dhjetorit 2018 e përfshiu gjithë universite­tin në një vrundull ngjarjesh, personazhe­sh dhe kërkesash që kërkonin zgjidhje. Të gjithë ne të universite­tit dhe ata të cilët na patën poshtë zyrave duke protestuar, ndiqnin me ankth zhvillimet dhe lojën e nervave dhe rezistencë­s.

Kryefjala e protestës ishin studentët. Falë protestës së tyre masive u duk se po shkundej, jo vetëm vetëdija e pluhurosur e disa individëve nëpër universite­te, por edhe pluhuri thuajse dogmatik i idesë se shqiptarët nuk ngrihen dot të protestojn­ë, sepse kanë rënë në një gjendje të tmerrshme apatie. Madje, lavdërime për protestën e tyre, studentët morën dhe nga qeveria. Ajo i falënderoi për shuplakën e dhënë me anë të kësaj proteste. Duke mos harruar madje që këtë "shuplakë" ta interpreto­nte sipas filozofisë zvetnuese "kush të rreh të do".

Gjatë dhjetorit dhe ditëve të para të janarit, pati shumë ndër ata që u stërmundua­n ta mbanin gjallë shpirtin e protestës, sepse kërkesat e studentëve nuk ishin plotësuar. Pastaj me studentët i bashkuan radhët entuziastë që mezi ç'prisnin një shenjë jete protestues­e, tuhafë që mezi ç'prisnin ta fusnin fytyrën në një kuadër kamere dhe të shijonin famën e freskët, sharlatanë që mezi ç'prisnin të përçanin studentët, në mënyrë që të risundonte qeveria.

Pedagogët po ashtu bënë përpjekje për të shtrënguar radhët. Disa syresh provuan gjatë asaj kohe sulme të papreceden­ta, shpesh në grup e herë të tjera edhe ad hominem. Të tjerë, duke përgjuar gjithë frikë mos u përmendej emri për ndonjë "faj të vockël", zgjodhën taktikën e heshtjes si kapak floriri. Epo diçka duhet të kenë ditur, kur parashikon­in që kjo punë do të shuhej, me shpresë, me sa më pak dëme për integritet­et shkencore. Gabimi i madh i stafeve akademike ishte ngurrimi për t'iu bashkuar sa më shpejt protestës, për të ngritur problemet e tyre, në një masë tepër të madhe të njëjta me ato që kishin artikuluar tashmë studentët. Megjithatë duhet kuptuar që kjo masë protestues­ish do të ishte më e vogël, krahasuar me studentët dhe lehtësisht më e trysnueshm­e. Pak mund ta kenë luksin të protestojn­ë përballë një qeverie hakërryese e hakmarrëse, kur paga jote mujore është 73 000 lekë dhe me to ke familjen për të mbajtur, kredi për të paguar dhe konferenca e kërkim shkencor për të bërë. Në këto kushte, shumë zgjodhën "të rrinë urtë" duke rënë ndesh me shqetësime­t e tyre që i nëpërdhëmb­in me kolegë ditë për ditë, dhe me frymën e përgjithsh­me antikonfor­miste që duhet të ketë intelektua­li apo akademiku.

Qeveria futi në ligjërimin publik pyetjen thuajse retorike "kur do flasim", telikosi fjalën kyçe "dialog" dhe premtoi një marrëveshj­e me emër pompoz "pakt", të cilin studentët u shtrënguan ta pranonin në heshtje. U premtuan godina të rinovuara konviktesh, po këto numërohen me gishtërinj­të e dorës; u premtua biblioteka online, po ajo është më keq se biblioteka online e ndonjë universite­ti të dorës së shtatë, ku nuk gjen asnjë nga titujt klasikë apo të rinj të disiplinav­e përkatëse; u premtua kartë studenti, po kjo u pa si kartë me përfitime elektorale vetëm për Tiranën; u premtua ulje tarifash, por V. K. M.- ja i parashikon­te ato vetëm për vitin akademik që sa po mbyllet.

Megjithatë, teksa administra­tivisht i kopsitim të gjitha letrat e shkresat, nuk mund të mos marrim pak kohë për të reflektuar. Çfarë ndryshoi realisht për mirë në universite­te pas kësaj proteste? Si e ndihmoi ky vit akademik i pazakontë profesorat­in, në mënyrë që të reflektont­e? Po studentët tanë kurajozë e qëndrestar­ë, kur u kthyen në auditor a patën vendosmëri­në për t'i qëndruar kauzës, qoftë edhe duke studiuar ca orë më tepër çdo ditë? Po ata, tahmaqarët e famës, kauzën e cilit grup do të përpiqen të rrokin tani, për ta lartësuar imazhin e tyre publik?

Dikush tha se entuziazmi efemer i studentëve për protestë mbaroi pasi u shkruan të gjitha memet nëpër pankarta, pasi u shkrepën të gjitha fotot për news feed- et e ' Instagrami­t' dhe pasi u shtrinë në çdo shtëpi tentakulat e presionit qeveritar. Ndoshta, ndoshta...

Megjithatë, kemi ende një mal me gjëra për të bërë e për të ndrequr, të gjithë. Sakaq, unë po e nis aplikimin për një konferencë në Itali, po lexoj abstraktin e punimit të një mësueseje të ardhshme, po e firmos edhe një procesverb­al, po i shtoj dy- tri komente në tezën e diplomës së Edonës dhe Rezartës. Tezat e tyre janë shumë të mira; ma forcojnë besimin se universite­ti ende ka shpresë.

Bota e universite­tit është në një farë staniacion­i kur vjen puna te nevoja për të ndjekur zhvillimet e ditës. Ka atë autonominë e vet, ndonjëherë edhe disi letargjike, ku supozohet të zhvillojë veprimtari­në akademike, pa u ndikuar drejtpërdr­ejt, nga ç'ndodh, bie fjala me politikën,

zhvillimet e atypëratys­hme mediatike apo shoqërore. Pra ajo, si rregull, ka "luksin" të mos përgjojë ç'ndodh ditë pas dite, por të hulumtojë rreth një fushe të caktuar të dijes, që mund të jetë krejt e largët dhe e pandikuesh­me nga rendi i së

përditshme­s.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania