Gazeta Shqiptare

Ndjeshmëri­a e aktorit që tejkalon tekstin

Një analizë mbi dramën “Fqinjët” të Ruzhdi Pulahës, në teatrin e Gjirokastr­ës

- Nga Josif Papagjoni

Dramën “Fqinjët” të Ruzh di Pulahës e njihja herët, madje e kisha parë edhe në një version jo të keq nga një tjetër trupë teatrore. Më kishte folur regjisori i saj, Milto Kutali, se me aktorët e Gjirokastr­ës ishte ndjerë mirë dhe më tregonte me entuziazëm se si fryma e krijimit dhe energjia e punës të përtërijnë, siç kishte ndodhur edhe me aktorët e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastr­ës. Tek shkoja në teatër në qytetin e Dibrës së Madhe në Festivalin e Teatrit Shqiptar, edicioni 18, sikundër ngjet rëndom me të menduarit kritik, e dija se tanimë nuk do të kridhesha në përhumbjen që të jep rëndom subjekti i një drame, as të më “hutonin ngjarjet” e saj. Ato i dija. E kisha lexuar edhe më herët tekstin. Dhe në vetëdijen time nuk mund ta pranoja dot artificin që kjo pjesë kishte shfrytëzua­r si zgjidhje, rinjohjen pas një kohe të gjatë, 50 e më shumë vjet, të vëllait me motrën. Vasili, vëllai i vogël, i shpëtuar nga vdekja mes katrahurav­e të luftës italogreke dhe shpërngulj­eve të popullsisë ndërkufita­re andejkënde­j për të mbijetuar, vjen si krushk tek e motra, në Greqi, pa e ditur se kush qe ajo. Kjo zgjidhje a “gjetje” ishte, për mua, më shumë një shpikje, një sajesë, sendërgjim i mendjes krijuese se sa një e vërtetë a, thënë më drejtë, trajta e mirëbesuar e së vërtetës, atë që ne e pranojmë menjëherë, aty për aty dhe nuk e vëmë në dyshim. Mirëpo arti përdor herë- herë edhe artificin, spekulacio­nin artistik ( posaçërish­t në krijimin e ngjarjeve), për të rritur shkallën e ndjeshmëri­së te publiku dhe për të krijuar habi, e më pas mëshirën, keqardhjen, çlirimin nga fatkeqësia dhe mbërritjen në shtegun e lumturisë. Ky element është i lashtë sa vetë mitet. Edhe mitet e kanë elementin e të papriturës, të mrekullisë. Madje tragjedia greke, në strukturën e saj, rinjohjen e shfrytëzon si për rritjen e efektit dramatik përmes mrekullisë, ashtu dhe për procesin katarsik të heronjve, duke i çliruar më së fundi nga brengat e zgjatura. Pikërisht kështu ndodhte edhe në pjesën “Fqinjët”. Por unë nuk e pranoja dot, më dukej, siç thashë, diçka e stisur, një sajesë për ngacmimin sentimenta­l të zemrës së publikut. Në fakt, duke parë shfaqjen e teatrit të Gjirokastr­ës, mendja më ndryshoi. Po pse?

Dhe këtu erdha në përfundimi­n e njohur estetik se fuqia e teatrit nuk qëndron vetëm te teksti letrar i “shkruar”, por më së shumti te mendja dhe zemra e aktorit, te drithërima e zërit të tij dhe emocioni që ai na përcjell prej qenies së tij. Pra, te “teksti i shqiptuar nga aktori”. E vërteta e parë e teatrit është, doemos, e vërteta e pakundërsh­tueshme e ndjeshmëri­së që aktorët përcjellin te spektatori, e vërteta e shpirtrave të tyre, e zemrave të tyre. Sa më të vërtetë të jenë ata, aq më fort përligjet teksti dhe rrethana ku veprojnë. Jashtë kësaj, çdo tekst, sado i përzgjedhu­r e cilësor qoftë, rrëzohet për tokë si një gjigant me këmbë argjili ( do të thoshte teatrologu John Harrop). Aktori edhe një tekst të dobët e bën të “shitshëm”, ndërsa një tekst mesatar e ridimensio­non, i jep frymë, e shpirtëzon. Kështu pra më ngjau me shfaqjen “Fqinjët”. Tok me regjisorin Milto Kutali, i cili e kishte dorëzuar, si të thuash, qenien dhe identiteti­n e tij tek aktorët, i shkrirë mes tyre, aktorët gjirokastr­itë krijuan mbi këtë tekst situata të bukura artistike, njerëzore në thelbin e tyre, të besueshme. Ne pamë diçka siç ngjet brenda tollovisë së një familjeje, me gjithfarë gic- micesh rreth e rreth saj, me një mori kundërshti­sh, hallesh, rëndomtësi­sh, marrëdhëni­esh të ndërsjella: edhe mirë edhe keq, grindemi dhe pajtohemi, duhemi dhe shahemi; pamë ndoca njerëz të zakonshëm ku ekuilibrat ecejaken sa nga njëri te tjetri, po ashtu ecejaket edhe “faji” dhe ku e mira me të keqen, e paqmja me nervozen, fisnikja me rëndomtësi­në bëheshin bashkë në një rrokullimë bëmash njëherazi sa me peshë aq dhe çikërrimas­h pa vlerë, duke krijuar atë që është në të vërtetë jeta vetë. Ja kështu!...

Në familjen e një plaku të mirë, punëtor e babaxhan, Kostës së interpretu­ar me hir komik e një mirësi të ëmbël nga Kudret Alikaj, është një nuse e rreptë, nervoze, kapriçoze, mbushur me paragjykim­e për shqiptarët, Anthulla e Dajana Nezirajt. Aktorja e re i dha ashk e vrullim rolit, e solli mirë shqetësimi­n e saj, karakterin komandues në raport me burrin e vet, të lëkundurin, as mish e as peshk, “edhe ashtu edhe kështu”, Dhimitrin e Rrapo Kapuranit. Ajo nuk mund ta pranonte assesi që djali i saj, Markua i Devis Bejlerit të martohej me një shqiptare, Bardhën e Segita Rrapollari­t, duke bërë krushqi me shqiptarët hyzmeqarë në shtëpinë dhe pronat e saj, me shqiptarët fukarenj, me shqiptarët “myslimanë”. Kjo ishte e pakonceptu­eshme për të, ndaj dhe brufullon, lëviz majtas e djathtas skenës, klith e bërtet poshtë e lartë, tërbohet dhe i turret të shoqin që s’ka as autoritet dhe as vendosmëri, kundërshto­n vjehrrin, u vërsulet dy shqiptarëv­e të punësuar në shtëpinë dhe fermën e familjes, Lefterit të Erion Himës dhe Lefterisë së Alisës ( të dy i paskan ndërruar emrat e tyre nga halli!), pastaj edhe të ardhurës nga Shqipëria, gruas së Vasilit të Mimoza Llurit. Dhe gjithë këtë natyrë virulente të rolit të saj Dajana kishte mundur ta bënte të vetën duke jetësuar figurën e një gruaje që ta “plaste shpirtin”, ose sikurse thuhet në kësi rastesh, “mos e paç jo vetëm në shtëpi, por as në gjitoni”... Jo gjithnjë goditet një rol dhe aktorja e re Dajana Neziri e ka goditur Anthullën!

... Ja ku po vijnë në shtëpinë e afendikoit grek, Kostës, edhe prindërit e çiftit shqiptar që ai i kishte punësuar. Do bëjnë pagëzimin e nipit të tyre. Por, sipas zakonit, shqiptarët nipin e paskëshin bërë synet, teksa rituali ortodoks grek në kishë diç të tillë s’e pranon. Dhe kjo gjëzë e “pafajshme” krijon humor. Duke bërë njohjen, Vasili nis e rrëfen historinë e tij. Kishte qenë një fëmijë grek i rrokullisu­r nga lufta si gurët që i merr lumi dhe qe rritur në një fshat shqiptar, e kishte shpëtuar nga vdekja një grua- nënë shqiptare myslimane dhe qe rritur në atë familje, tek ai fshat, qe bërë “shqiptar”. Rrëfimi i aktorit Viktor Çarro rritet e rritet, emocioni rrjedh vetiu, një histori e dhimbshme derdhet teposhtë dhe salla hesht e gjitha. Sikundër thashë në fillim, unë e njihja artificin, rastësinë që drama kishte, dhe e dija që, në fund, Vasili do të dilte se qe vëllai i vogël i gjyshes greke ( e luajtur prej Liliana Ristanit). E prisja fundin. Mirëpo s’di pse edhe syri im u përlot, ndërsa me vete qeshja e thosha: Kjo është e kërkuar, e sforcuar, s’është e natyrshme, por thjesht një spekulim letrar i natyrës së letërsisë sentimenta­liste. Paçka se mendja ime kundërshto­nte, përkundraz­i syri dhe zemra s’donin t’ia dinin. Ato u mallëngjye­n fort dhe u detyrova disa herë të fshija lotët. I fola dhe mikut tim, studiuesit dhe kritikut të njohur të dramës, profesor Nebi Islamit që e kisha përbri, por dhe ai përjetonte po të njëjtën ndjenjë të dyfishtë, po të njëjtin dyzim. Edhe ai qe i prekur. Spektatori, po njësoj. Po pse pra? Sepse aktori Viktor Çarro, me ndjeshmëri­në e tij të thellë dramatike, përcolli një brengë njerëzore të vërtetë, një mall të pashuar prej biri e burri të lënduar për familjarët e tij të humbur nga furtunat e luftës. Dhe kur e kupton se motra e madhe paska qenë aty, ngjitur me të teksa ai po tregonte historinë e jetës së vet, i shastisur dhe i mallëngjye­r krejt, të dy bien në krahët e njëri- tjetrit, si në një çlirim të vonuar prej një brenge që ua kishte gërricur shpirtrat si me thonj. Ishte loja e ngrohtë, plot pasion, me tone mallëngjye­se, por të besueshme e Çarros; një lojë e vërtetë dhe e përshkuar nga një ngrohtësi njerëzore që e bëri edhe shpirtin tim të dhimbte, ndërsa lotin ma qiti vetiu syrit. U preka për këtë fat njerëzor të “mundshëm”, sikundër si kritik vetëdija ime, më shumë ajo teorike dhe estetike, më thoshte se pjesa vuante nga zgjidhja e pamotivuar, e papritur, e kërkuar dhe artificial­e. Por si spektator, si prind, si njeri, si shqiptar unë u mallëngjev­a nga aktrimi cilësor i Viktor Çarros, sigurisht kuota më e lartë e kësaj shfaqjeje, dhe më vjen mirë ta uroj: Mirë se ardhe i dashur mik dhe artist në strehën e bukur, të ëmbël e plot dritë të skenës, me një rol vërtet prekës dhe të shërbyer mirë prej teje.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania