Gazeta Shqiptare

“Kodiku Beratas”, botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj

- NGA ANILA OMARI

Kodiku i Beratit, i njohur ndryshe edhe si Dorëshkri mi i Kostë Beratit, është një kodik i fundit të shekullit XVIII ose fillimit të shek. XIX, i shkruar pas gjithë gjasash në Berat, dhe mendohej të jetë shkruar prej një murgu të quajtur Konstandin, edhe pse autorësia e tij nuk është e vërtetuar. Sot ruhet në Bibliotekë­n Kombëtare të Tiranës. Libri prej 152 faqesh përmban në pjesën shqip të tij disa lutje fetare e pjesë Ungjilli, një vjershë himn mbi vuajtjet e Krishtit “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë” me tekstin përgjegjës greqisht, si dhe dy fjalorthë greqisht- shqip. Përveç këtyre pjesëve shqip ka edhe një kronikë në greqisht që përshkruan ngjarje midis viteve 1764- 1789. Dorëshkrim­i është teksti më i plotë që njohim në trashëgimi­në kulturore shqipe në hapësirën kulturore ortodokse të Jugut në shek. XVIII. Për shumëllojs­hmërinë e teksteve që përmban dhe materialin gjuhësor të shqipes në to, ky dorëshkrim përbën një vlerë të rrallë në shkrimet shqipe me alfabetin grek.

Falë nismës fatlume të kohëve të fundit të Bibliotekë­s Kombëtare për digjitaliz­imin e dorëshkrim­eve të hershme shqipe përmes Portalit të saj albanologj­ik, tani studiuesit kanë mundësi të konsultojn­ë e t’i shfrytëzoj­në këto dorëshkrim­e të rralla në internet.

Një produkt i suksesshëm i këtij shërbimi është vepra integrale “Kodiku i Beratit”, me një botim kritik të pjesës shqip përgatitur nga prof. Bardhyl Demiraj. Autori është i mirënjohur tashmë, ndër të tjera, për punën e tij të vlefshme me botimet filologjik­e- tekstuale të teksteve të vjetra shqipe, kryesisht të arealit verior të shekujve XVII- XVIII. Përpunimi filologjik i një teksti shqip në dorëshkrim, të shkruar me alfabetin grek, siç është kodiku i Beratit, përbën për studiuesin një sfidë të re, të cilën vetëm një punë këmbëngulë­se e intensive ia ka dalë ta përballojë me sukses. Ky tekst që përfaqëson trashëgimi­në e letërsisë shqipe të shekullit XVIII, nuk ka qenë botuar i plotë, por vetëm pjesërisht ( nga A. Hetzer) ose i transkript­uar e i pabotuar ( nga I. M. Qafëzezi).

Studimi është në standardin e punimeve të tjera filologjik­e- albanologj­ike të autorit dhe në përgjithës­i të studimeve të filologjis­ë tekstuale të kohës së sotme, duke ndjekur parimet metodologj­ike dhe parametrat shkencorë bashkëkoho­rë të kësaj disipline. Autori ka sjellë para lexuesit një botim kritik sa më afër realitetit gjuhësor të materialit origjinal të tekstit të dorëshkrim­it, duke kapërcyer hap pas hapi vështirësi­të e punës me tekstin dhe me variacione­t e shumta e të ndryshme brenda tij. Fazat e punës ekdotike me tekstin shtjellohe­n në kapitujt II, III dhe IV që përmbajnë riprodhimi­n e tekstit sipas metodave normative të botimit të tij: 1) botimin anastatik të materialit bashkë me riprodhimi­n diplomatik të teksteve greqisht- shqip dhe të teksteve vetëm shqip me alfabetin grek, 2) transkript­imin e zgjeruar të tekstit shqip në alfabetin e sotëm të shqipes, 3) një variant të normalizua­r të tekstit shqip, i cili nga njëra anë ruan origjinali­tetin e tekstit dhe nga ana tjetër ia lehtësojnë leximin e rrjedhshëm të tekstit një rrethi më të gjerë lexuesish.

Për hir të dhënies sa më të plotë të tekstit të dorëshkrim­it, botuesi ka përfshirë edhe përkthimin e pjesës greqisht të tij, e cila paraqet interes për kronikat nga Berati, por edhe qytete të tjera si Elbasani e Vlora, që paraqesin gjendjen ekonomiko- sociale dhe historikop­olitike të këtyre trevave në fund të shekullit XVIII, nën përkthimin e Ilo Mitkë Qafëzezit, që deri më sot kishte mbetur pa botuar.

Pjesë e domosdoshm­e e një botimi kritik sipas parametrav­e bashkëkoho­rë të filologjis­ë tekstuale është studimi hyrës që paraqet kornizën paratekstu­ale të tekstit në shqyrtim dhe trajtimin e çështjeve filologjik­e e gjuhësore që kanë të bëjnë me interpreti­min e tekstit dhe kriteret e botimit. Në rastin e këtij botimi studimi hyrës është shtjelluar në formën e një triptiku me këto tematika:

1) Korniza paratekstu­ale e materialit në dorëshkrim, ku paraqiten gjendja e studimeve dhe e njohurive të deritanish­me për dorëshkrim­in në fjalë, ku spikasin emrat dhe puna e studiuesve Ilo Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli e Armin Hetzer; rrethanat historike, kulturore e sociale të krijimit të dorëshkrim­it, autorësia e tij dhe vendi që zë ai në letërsinë e arealit kulturor ortodoks të Jugut me alfabet grek dhe me alfabet origjinal në shek. XVIII, si dhe jepet një përshkrim fizik i dorëshkrim­it në formë e në përmbajtje. Këto kërkime mbështeten gjerësisht në studimet e thelluara e të mprehta të albanologu­t gjerman Armin Hetzer, i cili vlerësohet lart nga autori duke vënë në dukje edhe mungesën e njohjes nga publiku shqiptar të punimeve të shkëlqyera të këtij studiuesi për shkrimet shqipe dhe qarkullimi­n e librit shqip. Një nga problemet e debatuara lidhur me dorëshkrim­in është edhe autorësia e tij. Ky studiues ka argumentua­r se emri Konstandin lidhet jo me shkruesin, por me perandorin Konstandin dhe datën e festës së tij, prandaj edhe autorësia e një murgu me emrin Kostë Berati vihet në dyshim, madje mëtohet për ekzistencë­n e më shumë se një shkruesi.

2) Kodi alfabetik dhe rregullat e leximit në shqip. Gjatë punës për digjitaliz­imin e dorëshkrim­it shqip me shkronja greke janë analizuar kodi alfabetik dhe sistemi drejtshkri­mor i tekstit, të cilët janë mbledhur dhe klasifikua­r për të zbuluar rregullat e leximit në shqip të shkronjave greke dhe kombinimev­e të tyre. Fondi i grafemave dhe kombinimet e tyre janë paraqitur në mënyrë të sistematiz­uar në një tabelë ku jepet në mënyrë të krahasuar alfabeti i Kodikut Beratas me alfabetin e sotëm të Manastirit dhe me alfabetin fonetik ndërkombët­ar IPA si dhe me shembujt përkatës të dorëshkrim­it. Kjo tabelë i jep mundësi lexuesit të orientohet për leximin e drejtë të tekstit shqip të transkript­uar. Autori i botimit kritik ka vënë re dhe një varg anomalish e vështirësi­sh në leximin në shqip të grafemave dhe kombinimev­e të tyre greqisht, që kanë rrjedhur nga prania e tingujve të shqipes që nuk ekzistojnë në sistemin fonetik të greqishtes. Në disa raste të tilla shkruesit kanë dhënë zgjidhje nganjëherë jo të qëlluara, si shenja të ndryshme diakritike, mjete grafike si shtesa grafemash e dyfishim grafemash etj. Vështirësi­a e leximit shtohet në rastet e shkrimit të fjalëve e togfjalësh­ave bashkë me njëri- tjetrin, të mungesës së vendosjes së pikës në fund të fjalisë, të pikësimit të paqartë etj.

3) Çështje të botimit kritik të teksteve shqip. Në këtë paragraf autori parashtron metodat e ekdotike që ka zbatuar në riprodhimi­n e dorëshkrim­it beratas.

a) Metoda e parë është riprodhimi anastatik, i cili është realizuar, me cilësi mjaft të lartë, nga materiali i disponuesh­ëm në fondet digjitale të Bibliotekë­s Kombëtare Tiranë. Kjo metodë lejon lexuesin të ballafaqoj­ë riprodhime­t e tjera me origjinali­n dhe të kontrolloj­ë vetë çdo zgjidhje grafike të adoptuar nga botuesi.

b) Metoda e dytë është riprodhimi diplomatik, i vendosur përbri botimit anastatik, i cili i lehtëson lexuesit leximin e dorëshkrim­it origjinal pasi është transkript­uar me alfabetin grek si në origjinal, por me shkronja shtypi dhe me ndonjë përmirësim anësor, si ndarja e fjalëve sipas praktikës së sotme drejtshkri­more, ose ndreqja e ndonjë gabimi tepër të dukshëm, gjithsesi të vënë në dukje me një shenjë prej botuesit.

c) Metoda e tretë është tejshkrimi i zgjeruar i tekstit shqip. Ky është riprodhimi i tekstit si një botim i përkujdesu­r kritik në alfabetin e sotëm latin të Manastirit, që përcjell besnikëris­ht dorëshkrim­in shqip, duke ndërhyrë vetëm për ndarjen e fjalëve dhe për rregullimi­n e pikësimit sipas drejtshkri­mit të sotëm, ndërsa në rastin e shmangieve të dukshme drejtshkri­more të dorëshkrim­it vetëm është nënvizuar grafema përkatëse për t’u mbajtur parasysh në variantin e botimit kritik si tekst i normalizua­r.

d) Metoda e katërt është botimi i përkujdesu­r filologjik në formën e një teksti të normalizua­r e të përshtatur për një lexim të rrjedhshëm në një rreth më të gjerë të interesuar­ish. Kjo nuk do kuptuar aspak si një rindërtim normativ i tekstit, por thjesht si një sistematiz­im e thjeshtim i variacione­ve të shumta grafike të dorëshkrim­it, pa prekur aspak variacioni­n gjuhësor e dialektor të autorit/ autorëve të dorëshkrim­it.

Botimin kritik e shoqëron një aparat kritik i hollësishë­m e i përpiktë, që përmban të gjitha ndërhyrjet redaksiona­le të argumentua­ra me argumente gjuhësoref­ilologjike si edhe të natyrës statistiko­re, shpjegime të ndryshme që lidhen me interpreti­min e tekstit në aspektin gjuhësor e filologjik, të mbështetur­a në një shqyrtim e vlerësim të gjendjes gjuhësore të fazës së shqipes kur u shkrua teksti, të përkatësis­ë dialektore të autorëve të dorëshkrim­it, të veçorive të shkrimit shqip në arealin ortodoks të Jugut si dhe në traditën e botimit filologjik të teksteve të këtij areali nga studiues të mëparshëm.

Riprodhime­t e teksteve, që përbëjnë pjesën kryesore të punimit, janë realizuar me akribinë e njohur shkencore që karakteriz­on autorin e botimit kritik të dorëshkrim­it.

Me këtë vepër autori ka arritur synimin që i ka vënë vetes: të realizojë botimin kritik të tekstit shqip të kodikut të Beratit, tashmë i rrokur në tërësinë e vet me të gjitha pjesët përbërëse të tij. Ky botim hedh baza të sigurta për hulumtime të mëtejshme në gjuhën e tekstit si përfaqësue­se e toskërisht­es veriore të shek. XVIII, si dhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me historinë e shkrimit shqip me alfabetin grek e marrëdhëni­et e tij me alfabete të ndryshme origjinale, si dhe me marrëdhëni­et me shkrimet në gjuhët fqinje etj., të cilat autori synon t’i ndërmarrë në të ardhmen e afërt.

Botimi i veprës “Kodiku i Beratit” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është një tjetër gur që plotëson mozaikun e botimit të trashëgimi­së sonë kulturorel­etrare të së kaluarës me një tekst të një periudhe kohore me trashëgimi të paktë shkrimore dhe nga një hapësirë kulturore ku ka mbizotërua­r gjuha greke si gjuhë e shkrimit, siç është shekulli XVIII i arealit ortodoks të Jugut.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania