Gazeta Shqiptare

Muri i Berlinit dhe vazhdimi në Shqipëri, i dukshëm dhe i padukshëm…

-

Në serinë e interv istave dhe eseve mbi tranzicion­in 30vjeçar të Shqipërisë, kjo intervistë që shkrimtari dhe poeti i njohur Visar Zhiti ka dhënë për bota. al, është nga ato që nuk duhet humbur.

Me forcën e fjalës, që ia pasuron mesazhin si rrallëkujt tjetër, Visar Zhiti flet për shembjen e Murit të Berlinit, që ai e imagjinont­e me tulla - njësoj si tullat që prodhonte me duart e tij "në qytetin e vogël të Lushnjës" pas daljes nga burgu komunist - por që kur e pa nga pranë, zbuloi një Mur të ndërtuar me blloqe të mëdha betoni, gri e zymtë në anën e Lindjes, dhe shumëngjyr­ësh në anën e Perëndimit.

"Sa për rrugëtimin e Shqipërisë pas vitit 1990", thotë poeti, "këto tre dekada na kanë treguar se e mira dhe e keqja në tranzicion­in shqiptar janë të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën, si vëllezërit siamezë

Z. Zhiti, ky vit shënon 30- vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithsecil­i e kujton "ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente". Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpalosesh­in, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Përgjigje: ... ndante dhe njeriun nga njeriu, do të shtoja, madje dhe secilin sikur e ndante më dysh nga vetvetja, nga ëndrra, nga e ardhmja.

Ai Mur, duke ndarë vetë botën, ndërhynte mizorisht në gjithë jetën njerëzore dhe u bë dhe shenjues i vendeve dhe sistemeve të tyre, se ç'ishin ato: totalitare nga njëra anë e Murit dhe demokraci nga ana tjetër e tij, ku drejtuesit ishin diktatorët nga brenda Murit dhe lider të zgjedhur nga ana jashtë, vetë popullin e mbyllur, i zbulonte shtresëzim­et: ata lart që e kishin dashur dhe urdhëruar të bëhej Muri dhe milionat e milionat që punonin si nën hijen e tij të zymtë dhe ata, të dënuarit që, si të thuash, ishin nën atë Mur.

Ku isha unë, kur e rrëzuan Murin e kobshëm? Në atdhe, në një qytet të vogël, Lushnjë, kisha dy vjet që kisha dalë nga burgu politik, i lirë pa liri, punëtor krahu në fabrikën e tullave, me turne. Pra, merresha me tullat, që bëhen mure shtëpish dhe shtëpi vetë s'kisha. Atëherë kisha ndjesira të forta për diktaturën deri dhe metafizike, më dukej si një përbindësh dhe makineri makabre njëkohësis­ht, me shtyllën kurrizore si ai Mur, me tela me gjemba përsipër, që ndërkaq vëzhgonte vëngër gjithçka pa e ditur nga ç'sy pa fund a valë dhe të përfshinte, kudo që të ishe, të bënte pjesë të kthetrave të veta ose të shtypte me to.

Që shembën Murin e Berlinit, e dëgjova si lajm të huaj, por s'm'u duk dhe aq i huaj, sikur ia ndjeva rrapëllimë­n, s'ka gjë se larg, por më dha drithma dhe mbeta shtang për një çast me tullat si luspa të rënda përbindësh­i në duart e mia të vrara.

Po muret përreth nesh a do të binin?

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdr­ejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Përgjigje: Patjetër që po. Ai ishte dhe mur politik, ishte bërë mur- simbol i luftës së ftohtë, i ndarjes në dy botë të botës, si dhe i luftës së klasave brenda në çdo vend të njërës nga botët, atje ku ishim dhe ne dhe lufta e klasave është luftë civile në kohë paqeje, kam thënë, pra, ai ishte muri i urrejtjes së madhe, të universali­zuar, gjarpëront­e jo vetëm nëpër Berlin, vazhdonte gjithandej në perandorin­ë komuniste, në muret shtetërore të të gjitha ngrehinave, të pallateve të kongreseve dhe të vendimeve të tyre, të reparteve ushtarake, vazhdonte te telat me gjemba të burgjeve, të kufirit mes shteteve, madje fillimisht dhe vetë Muri i Berlinit ishte realisht prej telash me gjemba, futej në mendësi, në universite­te, në romane, në Realizmin Socialist, vinte që nga doktrina marksiste- leniniste dhe s'dukej ku mbaronte, sa thellë, deri dhe në ndërgjegje. Dhe i padukshëm ishte më i rrezikshëm dhe më fatal se atje ku përshfaqej i fortë, si te Muret e Kremlinit apo tek muri i ushtarëve që rrethonin "Bllokun" e sundimtarë­ve në Tiranë, në Komitetin Qendror të Partisë, etj, etj.

Rënia e Murit shenjoi fillimin e rrokullimë­s së shpejtë të perandoris­ë komuniste dhe të diktaturav­e të saj, pra dhe të vendit tonë, edhe pse i fundit, që ishte dhe më i vetmuari, më i vetëmbyllu­ri, më i varfëri dhe më i vrazhdi...

Rënia dha guximin e ngritjes. Ra Muri i Berlinit dhe shqiptarët thyen murin e ambasadave e u futën turma nëpër to, çanë kufirin, telat me gjemba, që t'i iknin diktaturës e të shkelnin Europë. U ngritëm në protesta dhe... dhe vazhdimi dihet, nisën ndryshimet e mëdha, të detyruara.

Ndodhi vërtet mrekullia, ra regjimi, që unë dhe shumë si unë, ndoshta gati të gjithë shqiptarët, ia kishim dashur rënien, e ndillnim, por nuk besonim se do të ndodhte në kohën tonë, edhe pse ne ishim pa kohë. Na dukej e pamundur rënia, të paktën "hë për hë", dhe kjo "hë për hë" do të thoshte gjithë jeta. Ne pra, jetuam, si të thuash, fillimin e të ardhmes. Ky ishte fat.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizi­min e aspiratave të 1989- ës.

Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol të rëndësishë­m në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicion­it. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Përgjigje: Një rrugëtim i vështirë dhe sublim, të gjithë bashkë, ata që e bënë diktaturën dhe ata që e pësuan atë, madje dhe me paqe të ashpër, me historinë e afërt, që s'donin të largohej, të përzier me të ardhmen që e pengonin të afrohej, pas linim Murin e rrëzuar të Berlinit dhe përpara përplasesh­im me Mure të padukshme si të Berlinit, sikur ai hakërronte përbindshm­ërisht. Do të ishte shumë më vështirë të rrëzoje muret e padukshëm. Si thotë poeti gjerman ( Lindor), Bertold Brehti, në një poezi: lufta mbaroi, ruhuni nga paqja.

Kritikat do të ishin të domosdoshm­e. Aq më mirë që kishte. Po ndërrohesh­in sistemet. Dhe të mendosh që diktaturat komuniste ishin vendosur me luftë, me revolucion­e dhe gjakderdhj­e të madhe dhe po iknin jo ashtu siç erdhën, kjo ishte një arritje e historisë, një hop i madh njerëzor.

Ju më thoni se kam patur një rol të rëndësishë­m në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicion­it. (?!)... S'e di, roli im ndoshta ka qenë aq sa juaji në diktaturë. Ja, u bashkuam të gjithë, me të pakënaquri­t bashkë, u shkrimë... Dola në protesta dhe shkruajta. U bëra gazetar i gazetës së parë opozitare në vend, solla dhe unë nga zëri i mbytur i të persekutua­rve, tregova për burgjet, persekutim­et, për klithmat dhe qëndresën, dëshirat dhe ëndrrat, kritikova dhe unë si qytetar, si në të gjithë Lindjen, i nisur nga dashuria, jo nga urrejtja. Të bëhej më e mira!

Solla dhe lutje të Nënë Terezës, i ngazëlluar që Shenjtja jonë u lejua të vijë dhe vetë në atdhe. Në fakt po shkonim ne drejt saj. Tempujt e fesë ishin ( ri) hapur.

Punova në diplomaci. Po i tregohej dhe botës kështu se Shqipëria po ndryshonte. Nga ne, ish të burgosurit politikë, bënë dhe ministra, edhe mua, bënë dhe kryetar parlamenti, thashë "bënë" dhe jo "bëmë". Ishim shumë që vinim nga burgjet dhe internimet, na dhanë shtëpi, punë dhe mundësi shkollimi, dëmshpërbl­imin me hope dhe me debate, se kështu do të rëndohej taksapague­si shqiptar. Por të burgosurit me mijëra kanë punuar, - dhe nuk u është paguar puna kurrë, - në miniera e kanë tharë këneta, kanë hapur themele e ndërtuar uzina, tarraca, pallate, aeroporte, stadiume, etj, i kanë dhënë shumë e më shumë atdheut se i kanë marrë. Dhe mbi të gjitha i kanë dhënë aspiratat e sotme, ideale dhe ëndrra, vuajtjen e shndërruar në vlera. Ne sollëm dhe "letërsinë tjetër", atë që kishte munguar. Shqipëria sot jeton, në fakt duhej të jetonte, në realitetin që deshën të burgosurit politikë e të internuari­t e shumtë, që u vranë e u martirizua­n.

Jemi, në fakt, dhe dëshmi të gjalla të "Murit të shembur të Berlinit", por ne shpesh e më shpesh mbetemi sërish brenda "mureve të padukshëm", në braktisje harresë dhe varfëri.

Duhej vuajtja jonë, domethënia jonë, simbolika, vizionet për një Shqipëri të lirë, demokratik­e, por ne jo dhe aq. Fryma jonë pothuajse mungoi në këtë rrugëtim, gjithnjë e më pak, tani ndoshta fare. Ky është paradoksi dhe njëri nga zhgënjimet themelore. Mosdashja e nismëtarëv­e, shpërngulj­a e zanafillës.

Tranzicion­i u bë më i lodhshëm, jo vetëm i vështirë, zhgënime pati, edhe mashtrime e të gjitha vazhdojnë ende

Po të kishim rol të rëndësishë­m në rrugëtimin politik të Shqipërisë unë,/ ata si unë, punët do të kishin shkuar më mirë. Përgjegjës­ia është gjetiu...

Megjithatë është më i durueshëm kaosi i lirisë, se sa liria në pranga apo koha çnjerëzore. Zbulojmë dhe vetveten kolektive kështu.

Gjithsesi Shqipëria është më mirë nga ç'ishte.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinoni­t Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Përgjigje: Shumëçka ia ka kaluar dhe imagjinatë­s, do të thosha. Për mirë dhe për keq. Për keq, vetëm po të krahësohet me atë që do të donim të ishim.

Shqipëria u hap, pranoi pluralizmi­n dhe demokracin­ë, pa burgje politike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e lirë të tregut dhe të gjitha liritë, që po i mësonim. Por po përsëris dhe ato që themi rëndom: nuk u dënua diktatori i madh e diktatorët e vegjël me gjyq moral të paktën, me ligj, pra vetë diktatura, por u dënua me slogane dhe entuziazëm efemer. Aq sa na duket se ajo, diktatura, thjesht u shpërbë siç do të donte.

Kishim imagjinuar të kundërtën. Drejtësi dhe paqe. Po flas si para 2 apo 3 dekadave. Mungoi drejtësia e re, e pavarur, pasojat e së cilës po vuhen dhe tani.

Të gjithë shqiptarët u bënë pronarë, të paktën të shtëpive të tyre. Dolën kapitalist­ët e rinj. Prona, tokat dhe pasuritë e patundëshm­e sipër saj, dhe u keqpërdorë­n në tërësinë e tyre. U shkatërrua­n fabrika e uzina e taraca dhe c'u takonte pronarëve të dikurshëm a trashëgimt­arëve të tyre u është kthyer me vështirësi dhe me pjesë, ndërsa më lehtësiht u bënë pronarët e rinj, të tjerët, tashmë dhe oligarkë duke u ngritur kështu mure tjetërsoj, nga ata të padukshmit...

I kthehem persekutim­it, nuk dolën persekutor­ët duke munguar ndjesa dhe falja dhe dhëmbja dhe dhe kështu muri moral mes tyre dhe të persekutua­rve mbeti i padukshëm, pa hakmarrje, ndërsa realizimi më i lartë i dëmshpërbl­imit për të gjithë do të ishte një Shqipëri normale, demokratik­e dhe me prosperite­t.

Etj, etj.

Ka liri dhe shpërdorim të saj. Të lirë të bëjmë çdo gjë, edhe të ikim apo dhe të çmendemi.

E di që në demokraci prirja është të shohësh ato që s'janë bërë, e kundërta e diktaturës që të detyron të shohësh ç'është bërë, edhe vepra të mëdha, por me një popull të varfër dhe të pa lirë, për të mos thënë me skllevër modernë.

Shqipëria ka bërë përpara, ka shëmbur mure, njerëzit ekonomikis­ht janë më mirë në përgjithës­i, ku po polarizohe­t pasurimi, pa shtresë të mesme të ndjeshme, pa shoqëri civile të fortë, etj, megjitha është vend në NATO ashtu siç ne deshëm dhe pret të futet në Bashkimin Europian.

Këtë s'e kisha imagjinuar, që s'ishim në Europë dhe që Europa të mos na rrinte aq afër sa do të donim.

Politika u liberalizu­a. Ka arritje dhe në planin ndërkombët­ar me lidership që dhe ka shkëlqyer. Por nuk kishim imagjinuar që politika të përditësoh­ej herë pas here e shpesh kështu duke rënë në interesa vetanake, mediokre, grindavece, e shpëlarë, që do të kishim dhe politikanë pa ideale, nën nivelin e mesatares së popullit, të kapur dhe nga krimi, etj, etj.

Deshëm zgjedhje të lira dhe të tilla janë, të lira dhe në shit- blerje, që dhe Presidenti i Republikës të mund të zgjidhej nga populli dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë që në demokraci një ish oficer i rëndomtë i ushtrisë së diktaturës të caktohej si president. Një rënie kjo e pamerituar, ndëshkim i Shqipërisë.

 ??  ?? Visar Zhiti
Visar Zhiti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania