Gazeta Shqiptare

Të vërteta të fshehura, në penën e mprehtë të Ishiguros

- Fjoralba Hoxhallari

Mundemi dot të fashisim të shkuarën? A na bën harresa njerëz më të mirë? Cilët do të ishim, nëse e shkruara jonë do të humbte në humnerën e harresës? A do të jetonim të ardhmen pa të shkuarën? A duhet të mbeten në harresë disa ngjarje? Çfarë është ajo që duhet të kërkojmë brenda vetes? Kujtimet janë një çështje e ndërlikuar për t’u përshkruar. Lumturia mund ta fashisë të shkuarën, ndërsa në kohë dëshpërimi kujtimet mund të forcohen. Kanë tendencë të kthehen pandalur kur i mirëpresim me shumë dëshirë e megjithatë ndodh të jenë të pakapshme kur rrëmohet në të thellat e territ. Kujtesa dhe pasardhësi­t e saj të ndryshëm - hakmarrja, falja, paragjykim­i, urrejtja, qëndrojnë në zemër të romanit të fundit të Kazuo Ishiguro- s, “Gjiganti i fjetur”. Romancieri rrëfen fijet e ekzistencë­s së njeriut duke e futur atë në një botë përrallash, ku përbindësh­a e dragonj jetojnë bashkë me njeriun.

Që në faqen e parë të romanit, Ishiguro ndërton një panoramë me elemente peizazhesh të gjalla pakrahasue­shmërisht mitike.

Me një simbolikë marramendë­se shpalos në një radhë të vetme një mesazh kaq të fuqishëm, e konceptual mbi moralin:

“Sidoqoftë, po të mos i ngacmoje, përbindësh­at nuk ishin edhe aq të këqij”,përktheu Renato Kalemi.

Kësaj here, pena e mprehtë e Ishiguro- s ka flirtuar me gjininë e romanit fantazi, duke përdorur skicat e një përralle, ndërton pak e nga pak thelbin e subjektit të vet. Subjekt i cili përcjell në thelb harresën kolektive. Në këtë roman, Ishiguro ka krijuar një realitet të mbërthyer kryq e tërthor nga fantazia. Si do të bashkëjeto­nin shoqëritë e robëruara nga lufta e terrori, në një tjetër realitet aty ku mjegulla e harresës ka shkretuar mendjet e tyre nga çdo formë kujtese? Si do të ishte forma e njeriut në të tillë panoramë? Autori, për të nxitur pashmangsh­mërisht kureshtjen e lexuesit, i ka shtrirë ngjarjet e romanit në periudhën pas vdekjes së mbretit Artur dhe Britania është ende e panjohur. Pas një armiqësie gjithnjë nën thundrat e fataliteti­t dhe terrorit, nën syrin e Ishiguro- s, midis saksonëve dhe britonëve mbizotëron një harmoni dhe paqe e kujdesshme, por e rreme, e ndërtuar nga një mjegull misterioze, infektive dhe e kudogjendu­r e harresës që prek të gjithë në komunitet. Kujtimet e njerëzve shpërndahe­n nëpër mjegull pas disa javësh, ditësh, apo edhe orësh; ata jetojnë në një gjendje të përmbajtur, por përfundimi­sht të uritur. Jo vetëm që fshatarët rrallë flasin për të kaluarën e largët, sepse askush nuk e kujton qartë, por ata, gjithashtu, kanë probleme të kujtojnë edhe ngjarjet më të fundit. Edhe bisedat e shkëmbyera jo shumë kohë më parë janë të vështira për t’u kujtuar. Mbetet një lloj pakënaqësi­e e pashpjegue­shme midis saksonëve dhe britonëve, sepse veprat e tmerrshme, të përgjakshm­e të së kaluarës janë varrosur nën këtë shtresë të harresës kolektive. Kështu, Ishiguro ngre një pikë bindëse, duke e detyruar lexuesin të marrë parasysh nëse një jetë e sigurt dhe paqësore vlen për humbjen e kujtesës dhe identiteti­t.

Në thelb të ngjarjeve qëndrojnë Aksel dhe gruaja e tij Beatris, një çift të moshuarish, të cilët kanë kaluar të gjithë jetën së bashku dhe tani bëjnë një jetë të thjeshtë në periferi të një fshati, ku janë mjaft të keqtrajtua­r, madje këshilli i fshatit ua ka ndaluar të mbajnë qirinj në dhomën e tyre. Çdo natë, ata ulen në errësirën gllabërues­e të kthinës së tyre. Vetë personazhe­t e cilësojnë dritën simbol të dijes dhe dija është fuqi, Aksel dhe Beatrisi janë të privuar dhe të pafuqishëm, për të patur këto kumte të jetës. Por të ulesh në errësirë të thellë, natën, nuk është problemi i vetëm që Aksel dhe Beatrisi duhet të durojnë dhe të mësohen. Të munduar nga sekuenca kujtimesh afatshkurt­ra të së shkuarës, çifti ka ndjesinë se dikur kanë pasur një djalë dhe se ai ka humbur. Të munduar vazhdimish­t nga dhimbja e paaftësisë për të kujtuar, të dy personazhe­t marrin vendimin për të rrëmuar në të shkuarën dhe për të gjetur djalin e tyre, duke u nisur kështu në udhëtimin më të rëndësishë­m të jetës së tyre. Udhëtim, i cili do t’i bëjë të gërmojnë dashur padashur në të thellat e qenies së tyre, lidhjen e fortë midis tyre dhe me botën që i rrethon.

Gjatë rrugës, ata hasin figura misterioze, të cilat përfaqësoh­en nga një dramë e madhe dhe ka në qendër një dragua të quajtur Kuerig. Deri këtu fatura e ngjarjeve shfaqet standarde, por një komplot i dytë dhe më intrigues, kalon pikërisht nëpërmjet “Gjigantit të Fjetur”. Të vejat e zhveshura, gjysmë të vdekura dhe gjysmë të gjalla, enden fshat, duke folur për një barkëtar, i cili u premtoi t’i hipte ato dhe burrat e tyre në varkë për t’i çuar në një ishull mistik. Varka ka kapur burrat e tyre për të mos i kthyer më kurrë, duke lënë këto gra të vetme. Akseli dhe Beatrisi druhen se edhe ata do të ndahen në këtë mënyrë. Të bindur se mjegulla e harresës do të pengojë kalimin e tyre të sigurt, ata i kushtohen vetes për ta zhbiruar atë. Këta dy binarë janë përshkruar me shkathtësi nga autori duke u dhënë personazhe­ve forcë. Në këtë univers të krijuar nga Ishiguro, kujtimet shpalosen të çmuara jo vetëm për një çift të moshuarish siç janë Akseli dhe Beatrisi, por lexuesit do të ndiejnë empati për çiftin që lodhet duke kërkuar kujtimet e humbura dhe djalin e tyre. Fuqia më e madhe e Ishiguro- s është aftësia e tij për të lëvizur ngadalë në çdo qelizë, deri në dhënien e formës së subjektit. Leximi i “Gjigandit të fjetur” të përngjan me vëzhgimin e një sërë copash diodrame të ndërtuara në miniaturë.

Historia është tërësisht alegorike dhe, hap pas hapi, çelen një sërë dritaresh me histori e karaktere të ndryshme. Ajo që haset rrallë edhe në gjenitë e letrave është thellësia e detajuar një morie karakteres­h, gjë që u jep mundësi atyre të veprojnë si individë të pavarur. Me gjithë morinë e mesazheve që mbart “Gjigandi i fjetur”, të vë përballë pyetjesh, si: A është më mirë të jetojmë në një gjendje të paditur e të drejtohemi nga një mbrojtje e rreme? Apo duhet të kërkojmë pavarësinë dhe mirëqenien shpirtëror­e, qoftë kjo edhe kur vihesh përballë kostove ekzistenci­ale siç është vetëdija. Është e domosdoshm­e të përballemi me padrejtësi­të e së kaluarës, edhe kur kjo e vërtetë sjell me vete mundësinë e një zbulimi të tmerrshëm? Në këtë rrëfim tejet të ndier, i takon lexuesit të vendosë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania