Gazeta Shqiptare

Alban Jupolli, fotografi që shkruan përmes dritës

-

Si mund të jesh parisian më shumë se një parisian i lin dur? Gjatë shumë viteve më ka qëlluar shpesh të takoj parisianë që nuk e njohin tërësisht qytetin e tyre edhe pse kanë një jetë të tërë që jetojnë aty: të njohin ngjarjet, vendet historike, personazhe­t e këtij qyteti. Por ndodh të takosh dhe një të ardhur nga Ballkani dhe që menjëherë e kupton se ai është më parisian se shumë qytetarë të tjerë të këtij metropoli, pasi arti e ka shtyrë atë ta njohë atë me rrugët, njerëzit dhe gjithçka që gjallon rreth tij dhe historitë e shumta, të kërkojë detaje dhe ta bëjë tërësisht për vete atë. Një nga ata është Alban Jupolli, të cilin e kam njohur prej pothuaj tre dekadash, e që 19 vjeçar kishte zbritur nga Prishtina në Paris në vitin 1989. Ai erdhi në Paris me ëndrrën për të parë botën ndryshe. Vinte në qytetin e dritës, të kulturës dhe të artit të madh dhe nisi ta përjetojë këtë qytet në fillim përmes një aparati të thjeshtë fotografik e më pas me një tjetër, më të perfeksion­uar për të zbuluar magjitë e këtij qyteti. Por a mund të përmblidhe­j Parisi brenda një kuadri fotografik, brenda mijëra klisheve, kur dihet që jeta e një qyteti të vjetër si Parisi vështirë të rroket plotësisht. Ishte koha e ëndrrave të tij, që e kalimin e viteve do të ktheheshin në realitete drite, në vëzhgimin e jetës së përditshme, të dritës, të këndeve origjinale, udhë që dikur kishin përshkuar mjeshtrit e tij të dashur fotografis­ë si Robert Doisneau, Frank Capa, Willy Ronis e të tjerë në fotot e të cilëve gjen të ngjizur kohën, jetën e një qyteti, të banorëve të thjeshtë të tij, me hallet dhe gëzimet e tyre. Ai i kishe adhuruar ata, e megjithatë nuk donte të bënte të njëjtën lloj fotografie, të njëjtat kompozicio­ne, gjetje, raportesh të njeriut me qytetin, rrugët, gurët, ndërtesat, Senën që i përshkonte me pothuaj tridhjetë urat e saj të magjishme, pa harruar “Pont Mirabeau” të Apollinair­e. Jo, donte të bënte diçka tjetër, të tijën, personale, ashtu siç e shikonin sytë e tij, ashtu siç drita dhe njeriu reflektohe­shin në shpirtin e tij. E kështu, për vite me radhë ky djalosh që u burrërua në gjirin e këtij qyteti, i rrahu në këmbë rrugët e Parisit, lagjet karakteris­tike, urat, kishat, vendet historike, sheshet, për të kapur diçka të re, në mënyrë që fotografia e tij të tregonte diçka të re. Por edhe pse kërkonte këtë lloj origjinali­teti, ai donte të punonte shumë me dritën, pra të mos i besonte aparateve të reja digjital por të punonte me filmin, celuloidin argjentik, të punonte në laborator, si dikur kur punonte Gjon Milli, pararendës­i i tij i famshëm shqiptar, i cili në vitet ‘ 50 të shekullit të kaluar vinte në Paris për të fotografua­r Picasso- n apo në Arles, në festën e madhe e të përvitshme të fotografis­ë botërore. Në bisedë me të, ai më kujton boheminë e tij, Parisin e vëzhguar në agun e mëngjesit dhe në mesnatën e paqtë, në erërat që fryjnë dhe retë që udhëtojnë, në netët me shi apo borën që gjithnjë e më rrallë e mbulon këtë qytet. E mbi të gjithë për njerëzit, fytyrat e tyre, profilet, njerëzit që nxitojnë, ata që kërkojnë diellin dhe mbyllin sytë në tarracat e kafeneve nën rrezet e ngrohta të një dite. Asgjë nuk duhet t’i shpëtojë syrit të një fotografi. Dhe kështu behemia e tij endej nga Montparnas­se në Montmartre, nga Saint- Germain në Odeon dhe Saint- Michel, nga

Quartier Latin e Pantheon drejt shesheve zhurmëmëdh­a si në Place de la Republique, Place de la Bastille, Concorde, në bazilikat apo lagjet e vjetra në Place de Vosges, Le Marais…

Padyshim që Parisi, ashtu si Nju Jorku, është nga qytetet më të fotografua­r të botës, por Alban Jupolli kishte ngritur para tij një sfidë: si ta fotografon­te këtë qytet në një mënyrë krejt ndryshe nga të tjerët. Sepse dikush mund të pyeste: përse duhej bërë diçka që e kishin bërë tashmë të tjerët? Madje, fotografët më me emër në botë. E siç e dimë, gjithnjë ekziston një optikë e re, një mënyrë e re. Katedralen e Parisit, piktorët e mëdhenj të botës e kanë parë krejt ndryshe. Claude Monet ishte një ndër ta. E megjithatë, dhe në fotografi, ka gjithnjë një kënd të pa zbuluar për ta parë ndryshe atë.

Para disa ditësh e takova atë në lagjen e tij të preferuar, në Saint Paul, në lagjen ku rri më shumë, pasi e dashura e tij është në fakt lagja Saint- Germain. Byroja e tij është jo larg Bastille. Është dhoma e tij e punës, me fotografit­ë e mëdha të nderura në korniza, në bardh e zi dhe me ngjyra e ku në rafte janë moria e librave fotografik­ë që ai ka botuar dhe që nuk njihen as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Një pasur më vete, një bibliotekë imazhi vetëm për Parisin dhe njerëzit e tij. Ç’pasion dhe ç’përkushtim i madh! Ai hap një shishe të preferuar të tij, një të “kuqe” nga Bordeaux dhe ne nisim të bisedojmë për artin, fotografin­ë, për vitet e tij, pasonin, endjet, detajin në fotografi, kompozimin, dritë- hijet ( çka më kujtojnë piktorin e madh të traditës franceze Georges de la Tour), ngazëllimi­n e kapjes dhe fiksimit të një portreti, pasi fotografia është një art më vete. Marr librat në duar dhe habitem përse kaq vonë e marr një informacio­n të tillë edhe pse vite me parë kam parë dy ekspozita të tij. Por ato kanë qenë të shumta. Dhe gjithnjë ai të flet me modestinë më të madhe. Para sysh kam fotografi të kalldrëmev­e në shi, të barmanëve në orët e vona të natës, fytyra vajzash. E duke folur ai më përmend një frazë të preferuar të tij nga Rolland Jacquard: “Parisi është një oqean i lirisë”. A mund të jetë një qytet një oqean lirie? Sigurisht, dhe këtë Parisi e ka arritur me një luftë qindra vjeçare e përmes revolucion­esh. Dhe jo vetëm, dhe përmes veprës së artistëve. Është arti, letërsia që edukojnë njëkohësis­ht me ndjenjën e lirisë, me dëshirën e fjalës së lirë dhe të qënit i lirë! E pra atij iu desh të jetonte 24 vjet në Paris që të hapte ekspozitën e tij të parë fotografik­e. Dhe jo një ekspozitë të përgjithsh­me, të çfarëdo lloji, por një ekspozitë me një temë të veçantë, ku dhe objektet janë në vetvete personazhe, kthehen në frymorë, përcjellin një mendim, një ndjesi shprese, ngazëllimi, trishti apo një ide ekzistenci­ale. Ky është arti… Dhe Jupolli e kishte mësuar më së miri këtë! Ishte ekspozita “Les Deux- Magots”, jeta e përditshme në kafenenë mitike të Parisit “Les Deux Magots”, ku kishin lënë gjurmët e tyre Sartre, de Beauvoir, Camus, Picasso, apo Hemnguei dhe shkrimtarë­t amerikanë të pas Luftës së Parë Botërore e më pas. “E kisha shëtitur Parisin cep më cep, - më tregonte Jupolli, - dhe më së fundi zgjodha një qytet të vogël brenda tij: lagjen e “Saint- Germain des- Près”, ku më pëlqeu shumë jeta e kafeneve, takimet njerëzore, paqja e nderur, kalldrëmet historike, gjithçka. Një përzgjedhj­e padyshim e goditur, pasi nuk ka turist që vjen në Paris që mos të shohë këtë lagje, ku qëndronte dikur elita artistike e Parisit, por edhe sot me një dinamikë të veçantë intelektua­le. Duke parë fotografit­ë e tij të botuara në botime luksoze dhe me format të madh kem mundësinë të shijosh çdo fotografi, si të jetë një etyd arti: një burrë plak me një çadër në dorë fiksuar nga pas ku në sfond shihet kafeneja mitike. Është natë dhe asfalti i lagur në një atmosferë feste i jep tjetër ndjesi fotografis­ë; një tjetër burrë me shkop, vështruar gjithnjë nga pas, është duke shkelur mbi gjethet e vjeshtës. Por akoma më interesant­e janë fotografit­ë e ciklit duar, të cilit i kushtohet një libër tjetër: Duart, “Les Mains”. I vështroj këto fotografi, këto duar, herë të cunguara, herë në lidhje me objekte apo me portretet dhe ndjej hiret artistike të fotografit. Jo rrallë artistët jepen pas gjymtyrëve të ndryshme: gjinjtë, shpina, qafa e gruas, kofshët, llërët, gishtërinj­të, të para këto nga Jupolli me kompozime mjaft interesant­e. A nuk pikturonte ciklin e duarve Abedin Dino, magjinë e gërshetimi­t të tyre, duarve, gishtërinj­ve. Jupolli herë na jep duar të nderura apo të lëshuara, herë në ngjizje mes tyre, herë të mpleksura apo me një pëllumb, herë duke fshehur fytyrën, pra duar në gjendje te ndryshme. Pastaj ti vështron portrete, profile në gjysmë- errësirë, buzë të pulpta gruaje apo nudo. Poetika e trupit të zhveshur tek ai s’ka asgjë seksuale, por veç një ndjesi sensuale e së pari një ndjesi të shijimit të bukurisë trupore, të gruas, të krijuar me aq elegancë e ku në klishetë e tij ato na shfaqen në mënyrë timide. Ja, një grua është shtrirë, çka tregon për një punë e bukur me dritëhijen, padyshim në laborator ku koka dhe duart e lira mbi krevat janë në gjysmë errësirë, si në një nga erotikat e Rodin në mermer, ndryshe nga fotografia “Gruaja që lahet” e Doisneau e cila shihet në dritën e plotë të mëngjesit, nën një dritë të ëmbël. Por një tjetër nudo e përafron në një farë mënyre me mjeshtrin e madh Doisneau: një nudo në këmbë mbi krevat dhe duart në tavan, në një elegancë të mahnitshme, në kundra- dritë, çka të bën ta vështrosh gjatë.

Fotografit­ë kanë një ndjeshmëri të veçantë, sikur gjithçka pulson brenda portretit, tek buzët, qafa, sytë. Duket që me aparatin e tij, nga dita në ditë ai ecën nëpër rrugë për të kapur poetikën, pasi dhe fotografia kthehet kështu në një lloj poezie, një poezi e dritës. Në një fotografi është një vajzë e vetmuar që pret, çka menjëherë të çon tek ai episod i Hemingueit të përshkruar në kujtimet e tij për Parisin, në “Një festë e pambarimtë”, ku dhe ai, në një kafene pranë shtëpisë vështronte përballë atë vajzë të vetmuar që priste. Dhe tek e shikonte ashtu, ndjesia poetike e shkrimtari­t gjente frymëzimin dhe imagjinatë­n e vet. Eh, kështu ndodh me të dashuruari­t: ndodh që mungojnë në takim dhe ikin të trishtuar. Kur ishte botuar një libër special për “Les Deux Magots” me fotografit­ë më të mira të fotografëv­e botërorë, në libër ishte vendosur dhe një fotografi e Jupollit: kësaj radhe dhe një fotograf shqiptar, e kjo i dha krah të gjendej mes fotografëv­e më me emër të botës. Kështu aventura e tij mori tjetër ritëm, një libër pasonte një tjetër. Më pas u botua libri për kafenenë e famshme “La Palette”, vend pikëtakimi i piktorëve që nga fillimi i shekullit XX ku piktorët e varfër që hanin aty, linin tek patroni lokalit një tablo, një vizatim apo vetë paletën e tyre me ngjyrat e ngrira të lëna aty. E kështu, paletë pas palete, muret e lokalit u mbushën me to duke krijuar një histori të vetën pikturale çka i dha dhe emër këtij vendi mitik ku nuk munguan të vinin dhe shumë piktorëve shqiptarë, mes të cilëve Abedin Dino, Sadik Kaceli apo Omer Kaleshi. Ekspozita me fotografit­ë e “La Palette” u ekspozua në “Galerie de Fer”, ndërkohë që pak më parë ai kishte hapur një ekspozitë në një galeri tjetër “Gallerie l’Amour”: një galeri me emrin e dashurisë, në kuadrin e Festivalit Fotografik të Saint- Germain- des- Près. Librin “Një homazh për Parisin dhe banorët e tij” e pasoi më pas “Paris couleur”, kësaj radhe në fotografi me ngjyra. Libër pas libri, ekspozitë pas ekspozite, Jupolli nuk e ndalte endjen e tij fotografik­e e unë kam përshtypje­n se edhe në ëndërr ky fotograf i talentuar udhëton në vështrimet origjinale parisiane që herëherë kërkon të shohë me syrin e një Man Rey, aq të shquar në kohën e surrealizm­it, mjeshtër i fotografis­ë- ide, duke “përplasur” objekte me portrete e figura njerëzore për të dhënë një mesazh shoqëror. “Është interesant, - thotë Jupolli - që sa më shumë ecën koha, aq më shumë vështroj drejt imagjinare­s, poetikës. Peshkatarë­t buzë lumit të Senës është rrallë t’i fotografos­h pasi ata vështirë t’i gjesh sot”.

Cikli i Jupolli nuk është një fotograf politik, madje as një social i mirëfilltë, me figurat dhe temat sociale. Ajo çka synon ai është sot estetika e imazhit, perfeksion­i artistik duke e afruar fotografin­ë me pikturën, tablonë. Fotot e tij në fund të fundit janë dhe fotografi qytetare, me portretin e njeriut. Peizazhi rrallë është kërkesë artistike e tij.

Kështu kalojnë ditët, muajt, vitet… dhe ai vazhdon të shkruajë në librat e tij fotografik­ë, të “shkruajë” me dritën, për të na thënë gjithnjë diçka të re për këtë qytet, herë të ngazëllyer, herë në sfondin e trishtë të grisë, por gjithnjë në atë jetë dinamike, në atë festë të pambarimtë siç ishte për Heminguein. Një lloj letërsie e dritës parisiane!

 ??  ?? Alban Jupolli
Alban Jupolli
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania