Gazeta Shqiptare

BIJTE E IZRAELIT : Të më thahet krahu i djathtë, nëse të harroj ty Shqipëri!

Hebrenjtë që jetuan në Shqipëri- atdheu i tyre i dytë

- Nga Luan Rama

Sa herë afrohet 25 janari, « Dita e Holokausti­t » do më shfaqet gjithnjë fytyra e mikut të vjetër Josef Jakoel, një nga hebrejtë e shquar të Shqipërisë që para se të largohej në Izrael, tha shprehjen e tij të famshme: « Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri! » Dhe kjo thënie e tij kishte një të vërtetë të fuqishme dhe të rrënjosur në historinë e hebrenjve të Shqipërisë: atë të bashkëjete­sës, të besës, mbrojtjes së hebrenjve. E kujtoj gjithnjë e mall fytyrën e tij, shtëpinë ku ka jetuar dikur pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë në rrugën « Riza Cerova » , ajo shtëpi e thjeshtë dykatëshe ku ai jetonte në katin sipër dhe plot me libra dhe e mbushur me aq dashuri, pasi Cefi, siç i thërrisnim të gjithë ishte një poliglot që fliste e lexonte në disa gjuhë, që veshët i mbante në radion e BBC dhe të Vois of America. Ishte një shpirt i madh, mjaftë i sjellshëm dhe me humor. Ishte i pari hebre që shkroi për historinë e hebrenjve të Shqipërisë. Më kujtohet kur më dha të lexoja një shkrim qe kishte shkruar në vitin 1988 për mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte dëshirë ta bënte të njohur dhe shkrimi u botua në gazetën « Bashkimi » të asaj kohe. E megjithatë atij i vinte keq që akti i madh i shqiptarëv­e për çështje ideologjik­e ndaj Izraelit ishte ende i panjohur në botë dhe se ai meritonte të njihej kudo dhe së pari nga Izraeli. Pikërisht atë kohë, Cefi filloi të mendojë për shkrimin e një libri të plotë mbi hebrenjtë e Shqipërisë që nga pikëtakime­t e vjetra të hebrenjve dhe shqiptarëv­e, me sinagogën e tyre në epokën bizantine e më pas në Mesjetë në shekujt XVI- XVII, me historinë e Sabvatai Tsvi dhe më pas forcimit të komunitete­ve hebraike dhe hebrenjtë e shekujve XIX- XX, kohë kur ata banonin kryesisht në Berat, Vlorë, Elbasan e gjetkë duke ruajtur tradicione­t e tyre hebraike

Kush e ka njohur Cefin atë kohë flet me admirim për të: gjithnjë i gatshëm për të dhënë mendimin e pavarur dhe kontributi­n e tij. Dikush madje na tregonte dhe një histori të këndshme çka tregonte një anë tjetër të tij. Një ditë vere Cefi po pinte një kafe me dikë në një kafene kur papritur filloi një rrebesh i madh. Të gjithë ikën me nxitim pa paguar. Kur shiu mbaroi dy orë më vonë, Cefi ishte kthyer në banak të paguante dhe kamerieri ishte habitur se ishte i vetmi që kishte ardhur tek ai.

Pas një pune intensive si financier e pastaj si pedagog i ekonomisë në Institutin Bujqësor të Kamzës, në pension, Cefi filloi të shkruante. Disa miq i kishin gjetur një makinë « Oliveti » dhe me të nisi të shkruante kujtimet e para, historitë e vjetra, me shpërngulj­et dhe hebrejtë e ardhur në brigjet e Ilirisë nga Spanja, safaradët. Cefi e pëlqente shumë letërsinë. Parapëlqen­te librat e gjeografis­ë, historisë, biografitë e personalit­eteve botërore dhe letërsinë, sigurisht. Ja pse përktheu dhe tregimet e shkrimtari­t hebre Bashevis Singer që i kishte rënë në dorë « Një djalosh në kërkim të Zotit » , apo një tjetër vepër të Filiber. Dinte t’i këndonte pothuaj të gjitha këngët e festivalit të San Remos, mes të cilave njëra që i pëlqente aq shumë « Finche la barca va… » e Orieta Berti. Por shqetësimi kryesor ishte libri që do tu kushtonte hebrenjve dhe shqiptarëv­e që i mbrojtën ata nga shfarosja. Gjithë jetën ai kishte jetuar në Shqipëri. Kishte lindur në Vlorë, ku kishin jetuar nëna e tij Sandra dhe i ati, Rafael. Por tashmë ata kishin vdekur me mallin për të parë një ditë « Tokën e Shenjtë » . Por Cefi donte të tregonte ç’kishte ndodhur me hebrenjtë në Shqipëri dhe për këtë duheshin pyetur vetë hebrenjtë, kudo që ishin, për ngjarjet e tyre personale e familjare, për kujtimet historike e veçanërish­t për kujtimet gjatë pushtimit fashist e nazist në Shqipëri. Çfarë ndodhi me hebrenjtë gjatë luftës? Si shpëtuan ata? Cilët ishin ata njerëz të thjeshtë që i mbrojtën si të ishin pjesëtarë të familjes së tyre e po kështu dhe ata qeveritarë që nuk i dhanë listat e hebrenjve në Shqipëri?

Gjithçka duhej dëshmuar për familjet Veseli, Myrto, Herri, Zeneli, një listë e gjatë…

JETA E TIJ NJË ROMAN

Po, jeta e Cefit ishte në fakt një roman më vete pasi atij gjithnjë i ishte dashur të mbijetonte, si në kohë lufte ashtu dhe pas saj. Kur ishte student në Korfuz, gjatë luftës italo- greke, ushtria greke e arrestoi dhe bashkë me qindra të tjerë e nisën drejt një kampi të burgosuris­h në Korint. Cefi ishte me shtetësi shqiptare por edhe pse hebre atë e internuan. I kishin hipur në një anije por atje u sëmur shumë dhe desh vdiq nga ethet, por dy murgesha që ndodheshin aty u kujdesën për të dhe e shpëtuan. « Dy engjëjt e mi » , thoshte Cefi kur kujtonte atë kohë. Familja nuk dinte asgjë se ku ndodhej biri i tyre. Shumë muaj më vonë më së fundi ai u kthye dhe erdhi në Vlorë. Portën ia hapi nëna e tij, Sandra, e cila nuk e njohu në fillim, aq shumë ishte dobësuar dhe kishte ndryshuar brenda aq pak muajve. Por pastaj ajo e kishte marrë në krahë. Ishte Cefi… Pikërisht në Korfuz ai ishte njohur dhe me Nako Spiru, që të dy student nga Shqipëria. Një miqësi i lidhi të dy dhe Cefi kujtonte me mall inteligjen­cën e Nakos kur bënte komentet në shkollë dhe që nganjëherë i bënte më mirë se dhe vetë mësuesi. “Ishte tepër i zgjuar dhe me shumë talent!” kujtonte ai.

Kur ushtria e Wermahtit marshoi drejt Shqipërisë, një ditë Cefi po kalonte rrugës kur papritur u takua me një shokun e tij të Shkollës Tregtare, Shyqyri Myrto. - Ku shkon kështu i humbur? - e kishte pyetur ai. - S’di çdo bëhet e fatin tonë! – ia kishte kthyer Cefi dhe i tregoi se duhej të fshihej bashkë me të motrën pasi mund ta arrestonin nga çasti në çast. - Eja në familjen time, do të jetojmë bashkë, - i kishte thënë menjëherë Shyqyriu dhe e kishte strehuar tek familja e tij në Kavajë. “Ishte një familje e madhe, - kujtonte Cefi, - dhe njerëz shumë të dashur që ishin gati të sakrifikon­in për ne!”

Ndërkohë, Pepe Kantozi ndërkohë kishte marrë malet në Mallakastë­r bashkë me partizanët. Të tjerë hebrenj u lidhën me lëvizjen. Në Vlorë « Ceta Plakë » arriti të nxirrte nga Vlora e rrethuar shumë hebrenj dhe ti çonte në Dhërmi e gjetkë, nga ku shpëtuan. Doktor Spiro Litos, miku i tij, kishte qenë atëherë doktor në Prishtinë dhe ai mundi të nxjerrë nga kampi shumë hebrenj të burgosur, të cilët më së fundi shpëtuan. Po kështu, dhespoti i Beratit, Visarion Xhuvani strehoi hebrenj të tjerë në manastirin e Ardenicës, ashtu si në Kamëz Aqif dhe Ganimet Toptani që shpëtuan familjen Altarac dhe Sida Levin me birin e saj. Në Elbasan, Marko Menahem u mbrojt nga familja Nosi, të cilët e fshehën në fabrikën e tyre. Në Shkodër ishte familja e Dario Arditit. Dario kishte njohur në Firenze Qemal Stafën dhe ishin miq të afërt. Por kur gjermanët erdhën në Shkodër, atë dhe gjithë familjen, me përjashtim të Moisiut, i arrestuan dhe i çuan në kampin e Prishtinës. I ati mundi të kthehej pas luftës por vdiq menjëherë nga sfilitja e madhe ndërsa të tjerët, të gjithë përfunduan në kampet e shfarosjes. Emrat e shqiptarëv­e si Fatlli Imami, Haxhi Herri, Hasan Xhufi, Lilo Xhimitiku, Tol Todi e shumë e shumë të tjerë mbetën të paharruara në zemrat e hebrenjve.

Kujtimet e luftës ishin të shumta. Të atin, Rafaelin, fashistët italianët e burgosën gjatë pesë muajve meqë një makinë e shoqërisë « Levi- Jakoel » kishte çuar ndihma në mal tek luftëtarët e lirisë. Por ditët më të vështira për të gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe gjetkë do të ishin pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, kur Cefin kërkonin ta arrestonin. Nga fundi i luftës kur Shqipëria po çlirohej dhe ushtria e Wermahtit po tërhiqej me shpejtësi, ai mori vesh se Vlora ishte çliruar dhe bashkë me të motrën 16 vjeçare, Enriketa, nga Kavaja

 ??  ??
 ??  ?? Josef Jakoel
Josef Jakoel

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania