Gazeta Shqiptare

Dhunuesi i tempullit të diktaturës

- Nga Ndriçim Kulla

( vijon nga faqja 1)

... “I dashur Ismail, ti po ma bën shumë të vështirë, punën, që të mbahem! Është vërtet një punë e vështirë që të jesh ylli i një shkrimtari që jeton nën diktaturë, por qenka një gjë veçanërish­t shumë e vështirë që të jesh ylli yt!”. Arroganca e përhershme e shkrimtari­t, ishte një sfidë ndaj yllit të tij. Kur të gjithë mendonin se Kadareja tanimë do të kishte vënë mend nga goditjet që kishte marrë, ai bëri një gjë me të cilën i la me gojëhapur nga habia, si miqtë ashtu edhe armiqtë e tij. Në 1980, te përmbledhj­a me novela “Gjakftohtë­sia”, ai botoi novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Nuk është nevoja të flasësh shumë për ta bindur lexuesin për sfidën që i bëri shkrimtari regjimit me novelën e më pas romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Për këtë do të mjaftonte që të përmendesh­in ato që kanë thënë për këtë vepër organet e regjimit në kritikën e tyre.

Në fakt, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është një vepër e tillë që duhet të kishte shkaktuar që në fillim një stuhi kritikash ndaj autorit të saj dhe duhet të kishte përfunduar me arrestimin e tij. Por për rreth dy vjet nuk ndodhi asgjë e tillë. Të duket e habitshme që jo vetëm novela u lejua që të botohej në 1980, por shkrimtari u lejua që ta botonte veprën të ripunuar e të zgjeruar, një vit më pas, duke arritur në kufijtë e romanit, ndonëse përsëri quhej novelë. Jo vetëm që Kadareja në këtë botim të dytë kishte lënë gjithçka që vepra kishte pasur në botimin e parë, por ai kishte shtuar dhe shumë gjëra të tjera të rënda. Në qoftë se poezia “Pashallarë­t e kuq” ishte ndaluar që para se të shkonte në shtypshkro­një, çfarë duhet të ndodhte me këtë novelë, ku aluzionet kundër regjimit qenë fare të hapura? Te libri “Pesha e kryqit”, Kadareja i përshkruan kështu hezitimet e tij në momentet kur po shkonte të dorëzonte dorëshkrim­in në shtëpinë botuese:

Rrugës për në shtëpinë botuese, u ktheva te hotel “Tirana” për të pirë një kafe. Shpirtin e kisha të qetë, por me një qetësi të frikshme, të ngrirë si kristal. Nga qelqnaja e kafesë së hotelit dukej krejt sheshi “Skënderbe”. Ngrehinat e ministrive. Banka e Shtetit. Minareja e xhamisë dhe Kulla e Orës, gjysmë në mjegull. Gati pa dashur, si rastësisht, duart e mia nisën të shfletonin dorëshkrim­in. Lëre, i thosha vetes, mos e trazo këtë vdekje të kristaltë… Por duart nuk më bindeshin. Dhe atëherë e kuptova se ai shfletim s’qe aspak i rastit. Sytë e mi u ndalën diku nga faqja e dyqindtë a treqindtë, aty ku niste “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. E lexova ngadalë faqen e parë. Ndonëse kryeqyteti që përmendej në të duhet të ishte i Perandoris­ë Otomane, dukej fare qartë se ai qytet i përbindshë­m, bashkë me pallatin e tmerrshëm të ëndrrave, nuk ishte veçse Tirana. Ja ministritë, ja Banka e Shtetit. Ja më në fund xhamia dhe Kulla e Orës në mjegull. Dhe më tutje ndërtesa masive e Komitetit Qendror… Dhe atje ishin mekanizmat, dosjet, skenarët e komploteve, gjithë delirët e kësaj bote plot ankth, ku fati më kishte dënuar të jetoja .

Shkrimtari kishte damkosur në novelë vetë tempullin e regjimit. Ky mund të quhet si kulmi i arrogancës së shkrimtari­t ndaj regjimit. Asnjë shkrimtar në botën komuniste, për të mos folur për Shqipërinë, nuk kishte guxuar të bënte diçka të tillë. Duke e rilexuar tekstin, shkrimtari e kuptoi më në fund rrezikun e plotë të asaj që kishte bërë. Për herë të parë në karrierën e tij si shkrimtar dukej se kujdesi po e mundte arrogancën dhe ai deshi të bëjë një hap pas . - O Zot, psherëtiva me vete dhe pllaka e kristaltë sa vente ma ftohte shpirtin. Të gjitha ishin atje bashkë me dënimin tim, që unë e kisha skalitur me duart e mia. Nxora stilolapsi­n për të qortuar diçka. Të hiqja, së paku, ngjashmëri­në e jashtme. Të fshija, së paku Bankën e Shtetit, ose nëpunësit që shpejtonin drejt hyrjeve të ministrive. Ose Kullën e Orës…

Por dora s’më bindej. Me forcë shova fjalën “Banka e Shtetit”, për ta zëvendësua­r me fjalën “Thesar”, ose “Hazine”, por dora bëri ç’bëri dhe poshtë fjalëve të shuara shkroi prapë “Banka e Shtetit”.

Ishte e kotë t’i shmangeshe fataliteti­t. Të bëhet ç’të bëhet, thashë me vete dhe u nisa për të dorëzuar dorëshkrim­in në shtëpinë botuese.

Arroganca e shkrimtari­t triumfoi edhe këtë herë për të mirën e letërsisë. Ndryshe nuk do ta kishin pasur këtë kryevepër që është “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Sa për atë që libri u lejua të botohet dy herë, për këtë ka vetëm një shpjegim. Kur Kadareja e paraqiti veprën për herë të parë për botim, konservato­rët menduan se me këtë ai do të merrte veten më qafë, se tanimë edhe vetë Enver Hoxha do të zemërohej shumë me shkrimtari­n kur ta lexonte veprën. Për të njëjtën arsye u lejua që të botohet dhe varianti i zgjeruar i “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave”: “Lereni të vrasë veten! Ta shikojë udhëheqësi më në fund se me kë ka të bëjë”.

Duke pasur parasysh se shkrimtari e ka identifiku­ar Tabir Sarajin me selinë e Komitetit Qendror, atëherë duket se ëndrrat që shkojnë në këtë pallat, simbolizoj­në “letrat nga populli” që shkonin në Komitetin Qendror, dhe që shpesh ishin edhe letra anonime. Ato përdoreshi­n nga regjimi kur atij i interesont­e për të mbushur dosjet e atyre që ishin planifikua­r të eliminohes­hin, ose për të nisur valë të reja dhune dhe terrori. Për herë të parë kjo praktikë po denoncohej nga Kadareja. Në novelë, një nga personazhe­t, Kurt Qyprilliu, thotë edhe këto gjëra, që nisur nga vendosja e Tabir Sarajit, i faturohen Komitetit Qendror Udhëheqësi­t nuk mund të mos i tërhiqte vëmendjen ky roman. Asgjë e ngjashme nuk ishte shkruar dhe nuk do të shkruhej kurrë në gjithë botën komuniste. Tempulli i regjimit komunist, Komiteti Qendror i partisë, damkosej si qendra e spiunimit dhe dhunës në vend.

Lexuesit e mësuar të lexojnë midis rreshtave, aq më tepër në librat e Kadaresë, i cili ishte kritikuar pikërisht për këtë mënyrë të shkruari, tanimë kishin në dorë këtë vepër ku denoncohej tempulli i diktaturës, me aluzione që nuk ishin të vështirë të kapeshin edhe nga lexuesi mesatar, madje edhe më poshtë se ai. Për këtë gjë kam përvojën time. Unë kur doli “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në diskutime me shokët e mi, kam vërejtur përshtypje­t që u kishte bërë vepra lexuesve të niveleve të ndryshme. Të gjithë e kishin të qartë mesazhin e saj, ndonëse këtë e shprehnin dikush më pak e dikush më shumë. Tabir Saraji u bë për autorin e këtij libri, një simbol i realitetit të kohës në të cilën jetoja. Pak kohë pas botimit të “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” unë hyra për herë të parë për të punuar në minierën e Valiasit. Kur hyra ditën e parë në minierë m’u duk vetja sikur po hyja në Tabir Saraj, Pallatin e Ëndrrave, për të cilin sapo kisha lexuar te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” i Kadaresë. Në të vërtetë miniera ngjante si një Tabir Saraj i përmbysur. Sepse, ndërsa në Tabir Sarajin që përshkruan­te Kadareja shkonin ëndrrat e njerëzve, dhe këta prisnin me shpresë përgjigje prej andej, duke dashur që të merrnin shpërblimi­n në qoftë se ëndrra e tyre do të dilte e vlefshme, në këtë “Tabir Saraj” ndodhte ndryshe. Ky ishte një “Tabir Saraj” i përmbysur, ku shkonin njerëzit të cilëve u qenë thyer ëndrrat e tyre. Unë shkova në minierë në kohën që shpresoja më kot të më jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë, e cila më mohohej për arsye politike: dy dajat e mi qenë arratisur dhe jetonin në një vend kapitalist, Australi. Ata kishin mohuar “parajsën” komuniste, kështu që unë duhet të vuaja në ferr. Se miniera ishte ferr për një njeri që në atë kohë duhet të kishte qenë në auditorët universita­rë. Kur hyra në minierë e kuptova befas se Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” kishte bërë një projekt të skëterrës. Nuk e dija nëse kjo ishte vetëm përshtypja ime apo e kishte pasur edhe ai në mendje. Do të kisha dashur që ta pyesja për këtë gjë, por në atë kohë kjo gjë ishte e pamundur. Dhe përgjigjen për këtë pyetje e mora më 1990- n, kur lexova në librin e Kadaresë “Ftesë në studio”, ku thuhej:

Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëv­e të mëdhenj të gjertanish­ëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, Shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt origjinal. Ndaj, kur nisa të shkruaj “Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave”, ose më saktë, kur isha duke menduar kapitujt e mesit, me një hare e frikë njëkohësis­ht, pashë se padashur po realizoja ëndrrën e vjetër: në të gjithë strukturën e romanit tim, si një plan i dytë, spikaste skëterra. Sa më shumë e mendoja, aq më i qartë më bëhej: Ishte njëlloj mbretërie e vdekjes, ku në mes ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë e jona gjendej ndërkaq matanë në kohën që ne ndodheshim këtej. Te gjitha elementet e ferrit të grekëve të vjetër ishin aty: terri, squllosja e trishtë e gjithçkaje, ngrirja e kohërave, ecja e tyre mbrapsht, mbetja në vend. Ishin aty makthet, përpëlitje­t e ndërgjegje­s, mungesa e shpresës. Por sidomos ishte një lloj shkallëzim­i administra­tiv, sektorët nëpër të cilat kalonin, shoshitesh­in e interpreto­heshin ëndrrat, që e afronte edhe më shumë ngrehinën e Pallatit të Ëndrrave me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk .

Përshtypja ime kishte qenë e saktë! Kadareja kishte dashur të përshkruan­te pikërisht ferrin. Miniera ku hyra unë ishte pikërisht ferri. Me këtë nuk dua që të them se çdo minierë është ferr, se miniera ka pasur e do të ketë dhe ato nuk i shpiku regjimi komunist. Por ai i shndërroi ato në skëterra të vërtetë, nga shumë këndvështr­ime. Se miniera ishte vendi më afër skëterrës ku mund të futej ose dërgohej një i ri që përndiqej edhe nga komunistët e fshatit të tij, sepse ëndërronte të shkollohej, të bëhej fizikan, astronom, krijues, shkrimtar apo studiues. Më keq se kaq mund të ndodhte vetëm në qoftë se do të hyja në minierë si i burgosur politik, gjë që nuk përjashtoh­ej. Ditën e parë që hyra në minierë pashë në thellësi të galerive një skenë që më sillte ndër mend diçka sikur e kisha parë në një film apo lexuar diku. Disa njerëz që mbartnin një kufomë në thellësi të një galerie. Ishte kufoma e një minatori të vdekur. M’u kujtua se çfarë më sillte ndër mend kjo skenë. Atë përshkrimi­n që bën Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, ku Ebu Qerimi ( Mark Alemi), duke ecur në korridoret e Tabir Sarajit, shikon befas disa njerëz që mbartnin arkivolin e një ëndërrparë­si të vdekur. Edhe minatori i vdekur kishte qenë një ëndërrparë­s si unë. Me këtë imazh në mendje, ditën e parë që dola nga miniera rilexova për gjithë natën “Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave”. Tanimë përshtypja m’u shndërrua në bindje. Duhet të ishe, atje ku isha unë, në minierë, që ta kuptoje arsyen se përse Kadareja e kishte bërë këtë projekt të skëterrës. Arsyeja, guxoj të them, nuk ishte plotësisht e qartë as për Kadarenë vetë dhe ndoshta nuk është as sot. Sepse kjo arsye gjendej, siç thotë ai, diku mes vetëdijes dhe subkoshien­cës. Në qoftë se Ismailit do t’i kishte ndodhur që të hynte në ndonjë minierë në atë kohë, me siguri që do ta kishte kuptuar arsyen. Kadareja në fakt po e përgatiste veten për skëterrën ku mund ta dërgonte befas diktatura. Ai e ndiente se ishte i projektuar për t’u flakur në skëterrë, prandaj po bënte projektin e skëterrës, për ta përgatitur veten për takimin e mundshëm me të. Edhe kjo ishte një lojë me shumë rrezik, se siç thotë Niçe: “Nëse ti ia ngul sytë skëterrës, atëherë skëterra do të t’i ngulë sytë ty”. Dhe pasojat diheshin. E kuptova se unë dhe Kadareja, i riu i panjohur me ëndrra të thyera dhe shkrimtari i madh, kishin shumë më tepër gjëra të përbashkët­a se sa mund të mendohej. Ne ia kishim ngulur sytë skëterrës dhe ajo po na shikonte me kërcënim. Kadareja duhet ta quajë veten me fat që Enver Hoxhën nuk e lejonte shëndeti të shkonte të vizitonte ndonjë minierë pas botimit të “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave”. Se atëherë diktatorit do t’i ishte bërë shumë i qartë aluzioni i skëterrës dhe ndaj atij vetë si kryedjalli i skëterrës. Se ajo që nuk e ka thënë Kadareja kurrë, nga modestia, dhe ka pritur që ta thonë të tjerët, është se atje ku ka një skëterrë, ka edhe një kryedjall, një Satana. Kryedjalli i skëterrës shqiptare nuk mund të ishte kush tjetër përveç diktatorit. Në qoftë se diktatori do të kishte qenë në gjendje të mirë shëndetëso­re dhe do të kishte vizituar ndonjë minierë në atë kohë, për të do të ishte bërë gjithçka e qartë, dhe atëherë Kadarenë nuk do ta shpëtonte nga skëterra as “Dimri i madh”, as “Shqiponjat fluturojnë lart”, as “Përse mendohen këto male”. Diktatori do të thoshte: “Unë të fala për “Përbindësh­in”, “Pashallarë­t e kuq”, dhe tani ti si shpërblim ja ku më bëre kryedjall. Ke mall për skëterrën ti djalë i mbarë, të dërgoj unë në skëterrë!”. Unë jam i bindur se asnjë nga biografët e ardhshëm të Kadaresë nuk do

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania