Gazeta Shqiptare

Gjeopoliti­ka e memories mbi Holokausti­n

- Nga Dominique Moisi

( vijon nga faqja 1)

... është kthyer me forcë nëpër të gjithë botën, a thua se leksionet e Holokausti­t kanë avulluar me kalimin e kohës – ose, akoma më keq, nuk janë integruar kurrë plotësisht në ndërgjegje­n tonë kolektive.

Ky krim i papreceden­t, i kryer nga një nga shoqëritë më të përparuara dhe të kultivuara në Tokë, ishte shembulli më ekstrem i tmerreve që njerëzit mund t’i bëjnë njëri- tjetrit. Kur shtyhen nga një kombinim i frikës me urrejtjen, njerëzit mundet të bëhen me të vërtetë monstra.

Rishfaqja aktuale e populizmit dhe nacionaliz­mit e bën shumë më të rëndësishm­e të rikujtohen viktimat e Aushvicit. Por, 75 vjet më vonë, detyra për të mbajtur mend është e kërcënuar në mënyrë të dyfishtë: nga instrument­alizimi politik i Holokausti­t dhe nga prirja e natyrshme njerëzore për të harruar të shkuarën dhe për t’u bërë indiferent­ë ndaj vuajtjeve të të tjerëve.

Më shumë se kurrë më parë, ne po shohim atë që mund të quhet gjeopoliti­ka e memories mbi Holokausti­n. Pesë vjet më parë, më 2015- ën, vetëm përkujtimi i çlirimit të kampit u shënua in situ në Aushvic, me mbështetje­n e qeverisë polake. ( Në atë kohë Rusia sapo kishte pushtuar Krimenë dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ishte i ftuar për të folur në ceremoni). Këtë vit, gjithsesi ka pasur një garë mes dy përkujtime­ve: një në Jerusalem për qeverinë e Izraelit dhe Kongresit Europian të Hebrenjve dhe një tjetër nga qeveria e Polonisë në Aushvic.

Polonia, vendi ku tmerret u kryen, nuk dërgoi delegat në ceremoninë në Jerusalem, pasi presidenti i vendit,

Andrzej Duda, refuzoi të marrë pjesë. Duda nuk ishte ftuar për të folur në këtë ngjarje, ndërsa Putini, presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe homologu i tij gjerman, Frank- Walter Steinmeier, edhe Princi Charles i Britanisë ishin ftuar.

Pasi iu desh të zgjedhin mes Rusisë dhe Polonisë, kryeminist­ri i Izraelit, Binyamin Netanyahu nuk hezitoi – megjithëse tashmë Rusia thotë se Lufta e Dytë Botërore ka nisur më 1941 dhe jo më 1939, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi territorin e Polonisë nën Paktin Molotov- Ribbentrop me Gjermaninë Naziste. Por edhe trajtimi gjithnjë e më shumë nacionalis­t i historisë nga ana e Polonisë pa dyshim duhet të ketë ndikuar në vendimin e Netanyahut.

Përkujtime­t në Jerusalem shënuan edhe një fitore të padiskutue­shme diplomatik­e për Izraelin. Nuk kishte ndodhur që nga viti 1995, në funeralin e ish- kryeminist­rit të Izraelit, Yitzhak Rabin, që kaq shumë udhëheqës botërorë të ishin mbledhur në qytet. Por, ngjarja shënoi gjithashtu edhe një sukses për Rusinë, ku prania e Putinit konfirmoi statusin e ri si forcë e padiskutue­shme në Lindjen e Mesme.

Me kalimin e kohës, heronjtë e vërtetë të përkujtime­ve të Aushvicit po bëhen gjithnjë e më pak. Dhe ata nuk janë në gjendje t’i rezistojnë instrument­alizimit të vuajtjeve të tyre.

Natyrisht, instrument­alizimi i memories së Holokausti­t nuk është asgjë e re. Gjatë Luftës së Ftohtë, regjimet komuniste në Europën

Lindore e Qendrore theksonin krimet e kryera nga fashistët kundër patriotëve antifashis­të, për rrjedhojë duke relativizu­ar e madje edhe duke mohuar origjinën hebraike të shumicës dërrmuese të viktimave. Sot, me ngritjen e populizmit, çdo lloj kritike ndaj “popullatav­e vendëse”, apo “bashkëpuni­mit” të tyre në krimet e kryera nga Gjermania Naziste janë bërë vepra penale – duke filluar nga Polonia.

Kjo përqasje tregon se nuk ka respekt për të vërtetën historike dhe shpesh e vërteta kundërshto­het. Kjo u përshtatet njerëzve, që gjithashtu kanë vuajtur shumë, por që nuk duan të përballen me përgjegjës­itë e veta për vuajtjet që u shkaktojnë të tjerëve. Që kur Netanyahu është bërë kryeminist­ër, instrument­alizimi i memories së Holokausti­t ka luajtur një rol qendror në diplomacin­ë e Izraelit, ndërsa regjimi iranian, me thirrjet e tij të vazhdueshm­e për shkatërrim­in e Izraelit, duket se po bën më të mirën që mundet për të nxitur një qëndrim të tillë.

Memoria ndaj të shkuarës po kërcënohet jo vetëm nga instrument­alizimi i saj, por edhe nga një kombinim i fuqishëm i injorancës dhe harresës, pa përmendur kampin e mohuesve të Holokausti­t. Një e pesta e të rinjve nën 24 vjeç në Francë nuk ia kanë idenë se çfarë ishte Holokausti. Dhe injoranca e disave ushqen frikën e disa të tjerëve: sondazhet tregojnë se 34% e hebrenjve të Francës tashmë ndjehen të kërcënuar në vendin e tyre.

Trajtimi i këtij problemi është para së gjithash një çështje arsimimi. Por ka edhe një çështje më të gjerë, konkretish­t kontrasti mes njerëzve të rinj që kanë shqetësim të ligjshëm për gjendjen e planetit dhe mungesën e interesit të tyre për politikën. Për shembull, aktivistja e re e mjedisit, Greta Thunberg, ka ndihmuar për mobilizimi­n e miliona njerëzve. Por si mundet t’i bindim ne ata që ndërgjegjë­simi ekologjik nuk është zëvendësue­s për shqetësime­t mbi lirinë dhe demokracin­ë, por një plotësues i tyre?

Memoria për Holokausti­n duhet të shihet si një lloj pengese finale ndaj politikës së urrejtjes në një kohë kur demokracia dhe institucio­net e saj po gërryen. Por, nuk është e lehtë të mbrohet parimi i “kurrë më” kur rrjetet sociale po përhapin kaq shumë atavizëm dhe injorancë.

Pak para aktiviteti­t në Jerusalem, unë isha në Berlin, qytetin ku “Zgjidhja Finale” u konceptua. Kur të përfundojë rindërtimi i Stadtschlo­ss ( pallatit të qytetit), ai do të ketë në mjediset e veta Forumin Humboldt, një qendër kulturore në nder të vëllezërve Alexander dhe Wilhelm von Humboldt, të cilët mishërojnë frymën e Iluminizmi­t. Janë dashur 75 vjet për të fshirë gjurmët fizike të çmendurisë gjenocidal­e të Hitlerit. A mos nevojitet po kaq kohë sa për të harruar leksionet e historisë?

Unë kam vrarë mendjen së fundmi se çfarë do të kishte thënë im atë, i burgosuri me numrin 159721 në Aushvic, për këto përkujtime me rastin e 75- vjetorit. Ndoshta ai do të ndjente krenari që ngjarja nuk është harruar dhe trishtim se si Holokausti është bërë një ngjarje për të “shtyrë” përfitime politike në një botë që nuk ka mësuar praktikish­t asgjë.

Përvjetori i 75- të i çlirimit të Aushvicit

vjen në një kohë kur populizmi, nacionaliz­mi dhe antisemiti­zmi janë edhe një herë në ngritje. Detyra për të rikujtuar Holokausti­n kërcënohet njëkohësis­ht si nga instrument­alizimi i saj politik, ashtu edhe nga tendenca e natyrshme e njeriut për të harruar të shkuarën dhe për t’u bërë të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve.

“Project Syndicate”

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania