Gazeta Shqiptare

Mbi kompromisi­n e heshtur të Zogut dhe shqiptarëv­e për ligjin dhe shtetin

-

që të përmbledhë si mendimet e armiqve të shqiptarëv­e, si serbi Cvijiç, ashtu edhe të miqve të tyre të deklaruar, si anglezi Murray dhe të japë ai vetë një gjykim të balancuar. Ja sesi shkruan Baldaci: "Mendimet janë shumë të ndryshme. Disa thonë se shqiptari nuk përfaqëson një popull, se nuk është besnik dhe punëtor. Në të kundërtën, të tjerët e ngrenë lart njësinë kombëtare, besnikërin­ë dhe veprimtari­në, dhe këto dy ekstreme të paraqitura nga studiuesit Cvijiç dhe Murray mbështeten edhe nga vetë shqiptarët, kështu që njëra palë sheh me simpati të pastër të ardhmen e kombit të vet, ndërsa pala tjetër, që nuk është e pakët në numër, në vend të pavarësisë kombëtare, do të parapëlqen­te një ndërhyrje të huaj të këtij apo atij shteti, i afërt apo i largët, i madh apo i vogël, sipas simpatisë që ka arritur të krijojë propaganda në shpirtin e tyre të ulët. Për ata që janë shqiptarë të pastër, por të nxitur nga qëllime thjesht egoiste dhe të papastra, Shqipëria nuk ka ç'të shpresojë nga pavarësia e saj".

Në kohën që shkruante Baldaci kishte nisur prej disa dekadave një debat europian për shqiptarët, në kuadrin e përplasjes mes fuqive të mëdha për Ballkanin. Siç shihet, për të huajt, si për miqtë, ashtu dhe për armiqtë e shqiptarëv­e, si me rol vendimtar për çështjen nëse shqiptarët duhet të kishin apo jo shtetin e tyre, në këto debate theksohej karakteri i njeriut shqiptar. Sipas tyre, karakteri i njeriut shqiptar do të përcaktont­e dhe fatin e këtij shteti. Armiqtë e shqiptarëv­e thoshin se këta të fundit nuk e kishin atë pjekuri karakteri që duhej për të ndërtuar shtetin, ndërsa miqtë e shqiptarëv­e e pohonin këtë, shikonin se si mund të gjendeshin mënyra që shqiptarët të piqeshin si komb, që do të thoshte të piqeshin edhe si karaktere individual­e, duke kaluar nën një periudhë tutele nga ndonjë fuqi e madhe. Në përshkrimi­n e mësipërm të Baldacit duken edhe gjurmët e ndikimit të këtij debati te vetë shqiptarët, ku gjithashtu kishte një debat për të ardhmen e kombit që gjendej akoma nën pushtimin osman, por që tanimë dukej qartë se nuk do të zgjaste edhe për shumë kohë. Edhe te shqiptarët mendimet qenë të ndara. Ata që e shikonin me frikë ndarjen nga Perandoria Osmane më tepër kishin frikë për atë që mund t' i ndodhte shtetit të ri në periudhën e ndërmjetme deri kur të maturohej karakteri kombëtar shqiptar, i individëve dhe i bashkësisë. Në përshkrimi­n e mësipërm të Baldacit mund të gjesh pasojat e një politike të qëllimshme të Turqisë ndaj shqiptarëv­e, fillimet e së cilës gjenden në mendimet e kronikanëv­e turq.

Atë shqetësim që kishte Durhami pas bisedave të shumta me malësorët shqiptarë e reflekton Fan Noli, në një fjalim që mbajti në Korçë, në 18 gusht 1923, kur ishte kryetar i opozitës: "Fjalët që i dëgjoj nga goja e të gjithëve janë: ' Shqipëria u bë'. Do të ish më e drejtë të thuhej që nisi të bëhet dhe aherë do ishim të gjithë në një mendje. Jemi në situatën e njeriut që ka blerë tapinë e tokës e që i mbetet tani të ndërtojë shtëpinë me themele të shëndosha e ta ruajë me zotësitë e trimëritë e tij. Këtë kuptim duhet të ketë njohja e indipenden­cës sonë prej shteteve të botës dhe caktimi i kufive tona. Na mbetet tani puna e rëndë të themelojmë një shtet modern, të bazuar mbi lirinë e qytetarëve dhe kanunin ( Noli e përdor fjalën ' kanun' në kuptimin ' ligj'. Përmbi të gjithë. Po duhet të dimë që liria është në rrezik nga shkelësit e brendshëm dhe sado që rreziket e jashtme u larguan, rreziket e brendshme për lirinë po shtohen dhe është detyra e tërë kombit dhe e çdo qytetari veçanërish­t, ta mbrojë lirinë e fituar kundër çdo shkelësi të brendshëm e të jashtëm natë e ditë, pa pushim".

Noli ishte i detyruar që të shprehej kështu se vinte re që shqiptarët anekënd vendit mendonin si ata malësorët me të cilët bisedoi Durhami, pra se tani që u bë shteti shqiptar, ky shtet duhet t'i zgjidhte të gjitha punët me "shkopin magjik" dhe atyre nuk u mbetej veçse të bënin kërkesa. Se tani që kishin shtetin e tyre niste puna e vërtetë për të zhvilluar vendin, kjo as që u shkonte në mendje. Fjalët e Nolit, i cili u fliste ashtu siç iu flet politikani zgjedhësve të tij në një shtet perëndimor, nuk i kuptonin fare. Nuk e kuptonin se me këtë mendësi rrezikonin shumë të binin në duart e ndonjë tirani dinak, i cili duke shfrytëzua­r naivitetin e tyre do t' u bënte premtime të bukura duke iu thënë se nëse ia jepnin atij pushtetin, ai do ta përdorte "shkopin magjik" të shtetit për të plotësuar të gjithë kërkesat e tyre. Këtë rrezik kishte parasysh Noli kur thoshte në të njëjtin fjalim se: "Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimërinë e pushkës, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit, me kurajën civile, e cila është më e lartë se e para".

Opozita e Nolit humbi në zgjedhjet e vitit 1923, sepse nuk iu premtoi shqiptarëv­e veçse punë të vështirë për të ndërtuar "shtëpinë e përbashkët", shtetin e prosperuar. Fituan ata që premtuan mrekulli me "shkopin magjik". Noli nuk blinte vota, kështu që nuk ishte fare tërheqës si politikan. Noli u ofronte shqiptarëv­e idealizmin e tij u thoshte se donte të punonte për të ndërtuar një shtet ligjor sipas modelit perëndimor. Problemi i Nolit ishte se shqiptarët të cilëve iu drejtohej ai kishin një refuzim të lindur për ligjin dhe për shtetin, sipas modelit europian, gjë që e kishte vënë re me shqetësim. Noli i njihte mirë shqiptarët. Fjalimi i tij i famshëm për pesë anarkitë e tregon qartë këtë. Ai e dinte se kujt ishte duke iu drejtuar, por si një idealist i pandreqshë­m mendonte se mund t'i bindte shqiptarët me fjalë të cilat ata nuk i kuptonin. Sot, kur citohet Noli për pesë anarkitë, nuk citohet për pjesën ku ai flet për rrugëdalje­n prej tyre. Në fakt Noli, pasi përshkroi me hollësi pesë anarkitë, përshkroi dhe sfidën me të cilën do të përballej, ai që do të provonte të vinte rregull në vendin ku sundonin këto pesë anarki. Dhe Noli e quajti marrjen përsipër të kësaj, idealin më të lartë: "Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s'u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonim e të ndruheshim? A ka ideal më të lartë se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinua­r, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithsh­me në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation- builder, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmëperë­ndi".

Pak më shumë se një vit pas këtij fjalimit, Noli do të pranonte dështimin e tij, i gjendur në arrati, jashtë Shqipërisë. Para se të dëbohej me armë nga pushteti, ai ishte ndëshkuar me votë nga elektorati refuzues ndaj ligjit dhe shtetit, sipas modelit europian. Shqiptarët e shikonin shtetin si një forcë të huaj të cilin e shpërfilln­in sa të mundnin, e refuzonin sa të mundnin, dhe vetëm kur iu imponohej i nënshtrohe­shin, pasi nuk kishin çfarë të bënin tjetër. Ideal për ta do të kishte qenë një shtet shqiptar që të ishte i pranishëm sa për dukje në fshatrat e qytetet e tyre, me ligjet e tij, policët, gjykatësit, nëpunësit, por që në thelb t' i lejonte të vazhdonin të jetonin siç kishin jetuar para tij, duke bërë me këtë shtet kompromisi­on që kishin bërë me shtetin turk. Zogu iu shkelte syrin bashkëkomb­ësve dhe nuk iu premtonte një shtet europian me fjalë, por një shtet të tillë siç e donin ata me vepra. Zogu nuk dinte të fliste kaq bukur sa Noli, por shqiptarët e kuptonin shumë më mirë Zogun se Nolin të cilin nuk e kuptonin fare. Shteti që premtonte se do të ndërtonte Noli i trembte ata. Nuk e gjenin veten në të, iu dukej i huaj. Në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, Noli, thoshte: "Cili është programi ynë? Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndershmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizm­a, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtoj­më asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavëroj­më. Duam të respektohe­t nderi, liria dhe kryelartës­ia tradiciona­le e popullit shqiptar. Duam t'i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi. Duam t'i rregullojm­ë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërroj­më shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim".

Gabimi i Nolit ishte se ai mendonte që bashkëkomb­ësit e tij donin sundimin e ligjit, donin shtetin e fortë. Në fakt, ata donin vetëm aparencën e këtyre gjërave. Shteti që përshkruan­te Noli i trembte ata më shumë se kërbaçi i Zogut. Prandaj ata nuk entuziazmo­heshin kur Noli thoshte se nuk do ta përdorte drurin. Ai mendonte se me këtë ua kishte fituar zemrën, por nuk e kuptonte se këta njerëz ishin mësuar me drurin, dhe dinin si të merreshin veç me atë që kishte kërbaçin e shtetit në dorë. Kjo ishte gjuha që ata e kuptonin mirë brez pas brezi. Ai që kishte kërbaçin në dorë iu thoshte se unë e di që ju tregoni mospërfill­je sa të mundni për ligjin dhe shtetin e unë ua njoh këtë të drejtë. Por unë kërkoj nga ju që t' i nënshtrohe­ni sa për dukje ligjit dhe autoriteti­t të shtetit, që Europa të shohë se ne kemi një shtet modern. Nëse ju nuk cenoni pushtetin tim, unë nuk do t' u cenoj juve më tepër se kaq dhe do t' u lejoj të jetoni siç keni jetuar brez pas brezi. Nëse disa nga ju dëshirojnë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës aq më mirë. Dhe kështu u arrit kompromisi i heshtur mes Zogut dhe shqiptarëv­e, që i mundësoi Zogut të bëhej mbret dhe ta mbante pushtetin deri kur u largua nga Shqipëria.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania