Gazeta Shqiptare

Djali dhe tri aristokrat­et- zana të dijes

Mbi librin e Blendi Fevziut “Tirana e Nonës”

- Nga Ndriçim Kulla

( vijon nga faqja 1)

... lexuar librin. Me disa prej këtyre librave më ndodh që edhe pasi e kam përfunduar së lexuari librin, më ka mbetur diçka që nuk e kam kapur nga thelbi i tij, diçka për të cilën ndoshta as vetë autori nuk ka qenë i vetëdijshë­m, ose ka qenë modest duke mos e thënë drejtpërdr­ejt. Dhe pas kësaj nis procesi i “ripërtypje­s”, që do të thotë e rikaloj në mendje përmbajtje­n e librit, madje e rimarr në dorë për të riparë fragmente të veçantë.

Më ka ndodhur të lexoj libra, ku autori që në hyrje parashtron idenë që do të shtjellojë në libër dhe në fund, pas zhgënjimit, kam kuptuar se jam zhgënjyer. Libri “Tirana e Nonës” i Blendi Fevziut, i botuar para disa muajve është një libër ku autori e paraqet që në parathënie idenë që do të shtjellojë. Libri tregon historinë e marrëdhëni­es së veçantë mes një djali të vogël në kohën regjimit komunist dhe të tri grave të moshuara, të afërme të tij, njëra prej të cilave ishte stërgjyshj­a e tij e drejtpërdr­ejtë, ajo e cila nga ka marrë titullin libri. Autori e quan atë “Nona”, ashtu siç quhen gjyshet dhe stërgjyshe­t në Tiranë.

Të tria gratë kanë veçorinë se i përkasin aristokrac­isë shqiptare. Këtu më duhet të bëj një sqarim për të treguar këtë përkatësi të tyre. Në periudhën e fundit osmane të Shqipërisë, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, një pjesë e aristokrac­isë osmane të kohës në vend, pashallarë, bejlerë, agallarë, pasardhës të kontëve, baronëve, dukëve të konvertuar të shekullit XV, si të kishte ndjerë një thirrje të të parëve, bëri një përpjekje të fundit të madhe për të rimarrë rolin e saj të ndërlidhës­it të vendit me Europën. Kështu, në këtë periudhë dhe në dekadën e parë e të dytë të pavarësisë, kur shteti shqiptar dhe pjesa tjetër e popullsisë së vendit nuk i kishin mundësitë financiare për të dërguar masivisht të rinj e të reja për shkollim në Perëndim, kjo aristokrac­i osmane shqiptare e bëri masivisht këtë gjë. Nga kjo rrymë dolën njerëz të shkolluar të cilët e iluminuan vendin deri në fund të shekullit XX, madje ndonjë që jetoi gjatë, si Jusuf Vrioni, edhe në vitet e para të shekullit XXI.

Madje, edhe në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste, këta njerëz e ushtruan këtë rol iluminues, ndonëse privatisht, në rrethin e tyre familjar, nëpër burgje, ku i kishte futur regjimi, në kafene etj. E bënë këtë thjesht me bisedat e tyre, që ishin një shkollë e vërtetë. Është një dukuri e Shqipërisë së asaj kohe kjo, për të cilën është folur pak, e ka cekur si temë Ismail Kadare në publicisti­kën e tij, dhe që meriton studime, me ndihmën e bashkëkohë­sve të tyre që janë gjallë, për t’u zbuluar në tërësinë e saj. Unë personalis­ht e kam përjetuar në personin e Astrit Delvinës, intelektua­lit aristokrat me formim perëndimor, me të cilin u njoha rastësisht dhe që ndikoi shumë tek unë intelektua­lisht.

Në librin e tij, Fevziu tregon sesi tri plakat e mira, të afërme të tij, e bënë këtë gjë me të. Duke mos pasur besim te shkolla zyrtare, ato vendosën të krijojnë një shkollë paralele, jozyrtare për t’i plotësuar djalit mangësitë që do t’i krijonte shkollimi në një vend komunist, të izoluar. Modestia e tepruar e Fevziut e ka dëmtuar disi të vërtetën që përcjell libri. Sepse Fevziu nuk guxon të thotë të vërtetën e dukshme se këto tri gra, ose më saktë Nona me ndihmën e tyre, me qëllim të edukimit me qëllim të edukimit të tij ndryshe nga shabllonet komuniste, krijoi në shtëpinë e saj më tepër se një shkollë informale, krijoi një lloj salloni aristokrat­iko- intelektua­l. Ky sallon, me siguri i vetmi i atij lloji në Shqipërinë komuniste, frekuentoh­ej me siguri nga shumica e atyre që kishin mbetur si njohës të mirë të Perëndimit nga e shkuara parakomuni­ste. Dhe ky sallon frekuentoh­ej jo vetëm nga femra, por edhe nga meshkuj. Nuk ishte si një kënd kur e zonja e shtëpisë mblidhte në një orë dhe ditë të caktuar të afërmet dhe shoqet e saj për të biseduar. Frekuentue­sit ishin si femra, ashtu edhe meshkuj. Periodikis­ht shtroheshi­n edhe dreka e darka për një rreth më të kufizuar.

Autori, me një gjetje të zgjuar e nis librin me vdekjen e Nonës, duke i krijuar kështu lexuesit idenë se sa i thellë ishte ndikimi i saj te ai. Se forca e një ndikimi kuptohet kur është shuar burimi i saj. Autori që në parathënie­n e librit thotë për vdekjen e Nonës që ndodhi kur ai ishte 14 vjeç:

“Shumë vite më pas, kam menduar që ai moment ndryshoi thellësish­t jetën time dhe jo vetëm. Gjatë atyre orëve që ndodhi, isha realisht i pafuqishëm për ta kuptuar këtë. Atë ditë një pjesë e lumtur e jetës sime po ikte, pa gjasa që të kthehej më. Nuk po ikte vetëm Nona, që të nesërmen do të vendosej në shtëpinë e saj të përhershme, në Sharrë... Po ikte jo vetëm ajo, por i gjithë grupi i plakave magjepsëse, që ma bënin aq të bukur fëmijërinë; bisedat ndryshe nga ato të zakonshme, rrëfimet e rralla, librat gjermanish­t, drekat e zhurmshme të së dielës me fisin, shpjegimet e saj kaq ndryshe, që sot i kuptoj më mirë se kurrë dhe një mbrojtje që askush tjetër nuk ma jepte si ajo.

Do të ikte përgjithnj­ë një kohë që vite më vonë, do ta kujtoja si më formuesen e jetës sime dhe pa dyshim, si barrierën e parë ndaj mediokrite­tit dhe konformizm­it. Edhe plakat e tjera që ishin aty e ndjenin këtë gjë. Nuk u mblodhën më bashkë dhe unë s’dëgjova më diskutime. Më pas kam menduar se me gjithë jetën, pak a shumë të lumtur që kam bërë, jetën ashtu siç e kam dashur, vështirë të kem pasur një lumturi si të atyre viteve. Ndaj nuk dua t’i harroj dhe dua të kthehem pas për t’i rigjetur. Nona nuk ishte më...” ( f. 19)

Kur e ke përfunduar librin dhe këtu nuk kam frikë se po i zbuloj ndonjë sekret lexuesit, shikon se ka rezultuar plotësisht e vërtetë kjo që ka thënë autori që në hyrje. Ai pati fatin që të formohet në një sallon, ndoshta i krijuar posaçërish­t për këtë qëllim nga stërgjyshj­a e tij.

Sa e vështirë duhet të ketë qenë për Nonën që ta mbante këtë “sallon” për vite të tëra?

Studiuesi britanik me famë botërore Paul Johnson, në librin e tij “Heroes: from Alexander The Great and Julius Caesar to Churchill and De Gaulle”, ka futur në radhën e heronjve të të gjitha kohërave edhe “hostess”, zonjat e salloneve, të cilat jepnin pritje që përbënin shkolla të mirëfillta intelektua­le për kohën, institucio­ne të vërteta të formimit shoqëror.

Nuk mund të mos pyesësh se çfarë kanë qenë në realitet vështirësi­të e këtyre zonjave që kanë bërë emër në botë me sallonet që kanë drejtuar, zonja të pasura e të fuqishme, që ishin në pozitën e pushtetarë­ve më të fuqishme se shumë pushtetarë zyrtarë, në krahasim me vështirësi­të e Nonës dhe dy plakave të tjera, që jo vetëm nuk kishin asnjë ndikim në pushtetin e kohës, por madje kishin humbur edhe pasurinë familjare të tyre, pjesa më e madhe e së cilës u ishte konfiskuar nga regjimi komunist.

Paul Johnson shkruan në librin e tij: “Femrat kanë pasur pak mundësi për të luajtur role heroike, në vazhdimësi, siç kanë pasur luftëtarët dhe liderët. Disa skuta të posaçme në shoqëri, të cilat ato i kanë bërë tendat e tyre për t’u këqyrur si teatër të heroizmit. E tillë është dhënia e pritjeve ( party giving). Unë shoh qerpikët e syve të përplasen: çfarë ka heroike te dhënia e pritjeve? Unë citoj përgjigjen e dhënë nga njëra prej tyre: provojeni dhe do të shikoni”. ( Paul Johnson: “Heroes: from Alexander The Great and Julius Caesar to Churchill and De Gaulle”, New York, Harper Perennial, f. 199).

Pikërisht këto lloj femrash kanë ndikuar shumë në emancipimi­n shoqëror të Perëndimit dhe më vonë edhe të pjesës tjetër të botës. Në Shqipëri, ku kuvendet kanë qenë tradiciona­lisht të mbyllur për gratë, të cilat nuk mund të hynin atje në çfarëdo forme, nuk mund të mendohej të kishim gjëra të tilla deri vonë. “Salloni” i Nonës duhet të ketë qenë me siguri ndër të parët në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri. Paul Johnson me siguri do të ishte mrekulluar nga ky “sallon” i tillë, nëse do të kishte mësuar për të. Dhe nuk ka qenë e pamundur që ta mësonte, sepse një i njohur i vjetër i Nonës, Lordi Julian Emery, i cili u rikthye në Shqipëri në fillim të viteve 1990, pasi kishte qenë në vendin tonë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ai i shkoi vizitë në shtëpi njërës nga tri plakat e mbetura gjallë, Bibisë. Ne e dimë se Lordi Emeri, dhëndri i Harold Macmillani­t, ish- kryeminist­rit britanik, kishte miqësi me Paul Johnsonin. Nëse Nona do të kishte jetuar pak më gjatë, sa t’ia tregonte historinë e saj mikut të saj Emery, ajo mund të kishte zënë vend në librin e Johnson, që u botua në 1999- ën.

Me siguri që për Johnsonin, Nona duhej të quhej dyfish heroinë, sepse ajo e bëri gjithçka në kohën e varfërisë së imponuar nga regjimi komunist. Nona madje e sfidoi me vetëdije shtetin komunist, për të cilin ajo nuk mund të mos e dinte se shihte si disidencë edhe prirjen më të vogël për të dubluar sistemin zyrtar arsimor ose atë të socializmi­t.

Historia e Blendit me tri plakat e mira më kujton atë legjendën e vjetër shqiptare, të Mujit me tri zanat. Meqenëse Muji iu kishte bërë një shërbim të çmuar zanave, ato e pyesin se çfarë do ai si shpërblim, fuqi, dije apo pasuri. Siç dihet, Muji zgjodhi fuqinë dhe njëra nga Zanat i dha tri pika nga qumështi i gjirit të vet, që i dhanë atij fuqi mbinjerëzo­re duke qene i aftë që të flakte gurë të mëdhenj tutje në bjeshkë dhe të shkulte lisa.

Tri “zanat” e Blendit ishin ekskluzivi­sht “zana” të dijes dhe nuk ofruan alternativ­ë tjetër veç dijes. Ato ishin zana paqësore. Megjithëse diktatura komuniste i kishte shpronësua­r familjet e tyre, duke i privuar nga jeta luksoze, ato asnjëherë nuk nxitën ndjenjën e hakmarrjes te djali për të cilin e dinin se po ndikonin në formimin e tij.

Aq i fortë ishte ndikimi i tyre tek ai, aq më tepër ai i Nonës, saqë Fevziu na thotë në përfundim të librit se ai e ndjen si detyrim që t’u raportojë atyre të triave:

“E di që jeni aty. Rojtare të kujtimeve dhe dinjitetit tuaj. Siç e di që, edhe pse nuk do të më pyesni kurrë, duhet t’u përgjigjem një ditë.

- Mësove gjë ti nga ne? Bëre gjë për këtë qytet?!”

( f. 276).

Është një detyrim si ai i llojit që e bën Nikos Kazanzaqis­in të shkruajë librin “Raport El Grekos”, të ideuar si një raport që ai i bën piktorit të madh për jetën dhe artin e tij.

Si ta kategorizo­jmë librin e Fevziut. Botuesi i tij, në pasthënie e quan atë

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania