Gazeta Shqiptare

Vrasja e dyfishtë në Lezhë, autori: Lajmin e mora vesh në TV, rapsodin e kisha mik

Seanca e sigurisë zhvillohet nën masa të forta nga frika e hakmarrjes Gjykata lë në burg Aleksandër Përdodën, vëllai i tij, Edmond Prenga ende në kërkim

-

Gjykata e Lezhës ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Aleksandër Përdodën, autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në fshatin Lalm i Vjetër. 40- vjeçari akuzohet se ka vrarë rapsodin e njohur Kol Murrani dhe mikun e këtij të fundit, Preng Simonin. Përdoda mësohet se është person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj jetës ndaj personit. Në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Lezhë, policia ka shpallur në kërkim edhe vëllanë e tij, Edmond Përdoda. Ky i fundit dyshohet se është përpjekur të fshehë provat e krimit. Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, e cila është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, Aleksandër Përdodaj ka mohuar para togave të zeza se ka vrarë rapsodin Murrani dhe Preng Simonin. Pavarësish­t pretendime­ve të tij, gjykata e kanë lënë në qeli. Me kokën ulur, i shoqëruar nga forca të shumta policie, të cilat ishin pozicionua­r edhe në tarraca të ndërtesave aty pranë, për të shmangur një hakmarrje të mundshme, Përdoda është shoqëruar në gjykatë, e më pas drejt burgut. Në dëshminë e tij që është zbardhur nga Shqiptarja. com, Përdoda ka pranuar se ka pasur një konflikt me Preg Simonin, një nga viktimat, 8 muaj më parë, por çështja është zgjidhur e ndërsa me Murranin ka thënë se ka pasur miqësi, që sipas tij nënkupton se nuk ka pasur asnjë motiv për t’i vrarë. Ai nuk e ka mohuar që ka qenë ditën e ngjarjes në fshatin Lalm i në pyll. Mësohet se shkak ka qenë përdorimi i tokës pa leje nga ana e Përdodës për mbjelljen e kanabisit, çka solli një konflikt mes dyshesh dhe Përdodës që agravoi deri në përdorimin e armës. Përdoda u arrestua disa orë më vonë, pasi ishte ndihmuar për t’u arratisur nga vëllai i tij, Edmond Përdoda, i cili vijon të jetë në kërkim.

KUSH ËSHTË ALEKSANDËR PËRDODA

Autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur tri ditë më parë në Lezhë rezulton të jetë person me precedentë kriminalë dhe madje i liruar nga burgu. Në nëntor të vitit 2019, 40- vjeçari Aleksandër Perdodaj është vënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim. Policia ka thënë asokohe se Aleksandër Përdoda banues në Kolsh të Lezhës, akuzohej se në muajin tetor kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të M. F., i cili udhëtonte me makinën e tij. Arrestimi është bërë nga policia Rrugore teksa lëvizte me makinë në aksin e vjetër Zejmen- Lezhë. Pas prangosjes, u tha se Aleksandër Perdoda do të përballej me akuzat për veprat penale: “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtj­a pa leje”, por nuk dihet si ka ndodhur që ka dalë nga burgu dhe tashmë ka kryer vrasjen e dy personave, Preng Simoni dhe Kol Murrani. Aleksandër Përdoda, autori i vrasjes së dyfishtë në fshatin Lalm të Lezhës dyshohet se është person problemati­k edhe në lidhje me kultivimin e drogës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania