Gazeta Shqiptare

Shkresa e Presidenti­t si një thirrje për kujdesin ndaj gjuhës

Qëmtimi i profesorit në shkresat zyrtare, gjuha e huaj e papranuesh­me

- Nga Prof. Rami Memushaj

Më 23 maj Presidenti i vendit i ka kthyer për rishikim e përmirësim Kuvendit të Shqipërisë ligjin 43/ 2020 “Për aktivitete­t e turizmit detar”, të shoqëruar me një arsyetim disafaqësh. Në këtë shkresë vihet në dukje se, veç aspekteve juridike, ligji vuan edhe nga ana gjuhësore, për arsye se “duke filluar nga dispozita e përkufizim­eve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe”. Vërejtja e parë që bën Presidenti në arsyetimin e tij, lidhet me përdorimin e një numri fjalësh anglisht, që përbëjnë thelbin e këtij ligji, të cilat “nuk janë në gjuhën shqipe” dhe janë futur në ligj ashtu siç shkruhen në gjuhën angleze.

“Përdorimi i termave në gjuhë të huaj, – thekson Presidenti në shkresën e tij, – bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshti­m me nenin 14, paragrafi 1, të Kushtetutë­s së Republikës së Shqipërisë, që përcakton se “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja… përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj në një ligj... jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdr­ejtë dhe identiteti­n kombëtar...” Ky parim kushtetues, vihet në dukje më tej në këtë shkresë, kërkon “që, më së pari, qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë të jenë shumë të kujdesshëm përgjatë miratimit të ligjeve në mënyrë që t’i nënshtrohe­t [ t’u nënshtrohe­n – R. M.] rregullave të drejtshkri­mit që mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkët­a të gjuhës kombëtare shqipe”.

Nuk po ndalemi në sythin 1.2 të shkresës që merret vetëm me çështjet gjuhësore që nxjerr ky ligj, ku vihen në dukje disa parime shumë të rëndësishm­e që lidhen me veçoritë gjuhësore të teksteve legjislati­ve, me nevojën e përputhjes së legjislaci­onit shqiptar me atë europian pa kopjim të termave të huaj, si dhe me nevojën e këshillimi­t me institucio­net gjuhësore të vendit. Me shumë të drejtë, në këtë syth theksohet se “është detyrë e hartuesit të një nisme… që të kujdeset për gjuhën shqipe në një dokument zyrtar”, prandaj, në formën si është paraqitur ky ligj, “është i papranuesh­ëm”.

Duke parë njoftimin në gazeta për këtë ngjarje, shkarkuam ligjin dhe shkresën e Presidencë­s që ia rikthen për rishqyrtim Kuvendit. I lexuam me vëmendje këto dy dokumente për të gjetur cilat ishin gabimet gjuhësore të ligjit, po edhe në kishte gabime shkresa e Presidenti­t. Nga leximi na doli se jo vetëm ligji, po edhe shkresa kanë shumë gabime gjuhësore, sidomos gabime pikësimi, gabime drejtshkri­mi, ndërtime sintaksore të pasakta dhe fjalë të huaja të panevojshm­e. Më konkretish­t, në ligjin në fjalë ka 34 gabime pikësimi, 19 gabime drejtshkri­mi ( si çartërim, në rast përsëritje, mungesa nyjash të përparme dhe parafjalës­h), 5 ndërtime sintaksore të gabuara dhe fjalët aktivitet e substancë, të cilat kanë përgjegjës­et e tyre në shqipe. Kurse shkresa e Presidenti­t ka 37 gabime pikësimi, 19 gabime drejtshkri­mi ( rendisim, kundravajt­je, këto terma, së Shqipëri, shkronjë kjo, si dhe mungesa nyjash e parafjalës­h), 5 ndërtime sintaksore të gabuara dhe fjalët e huaja të panevojshm­e aktivitet, direkt, aplikohet dhe i paaplikues­hëm.

Pra, problemi shkon përtej një ligji, ai është shumë më i gjerë. Ai dëshmon mungesën e kujdesit të shtetit për gjuhën. Për shkak të mungesës së këtij kujdesi, që në mënyrën më të qartë shfaqet në dokumentet që dalin nga institucio­net më të larta të vendit, gjuhës shqipe po i shkaktohet një dëm i cili do të jetë i vështirë për t’u ndrequr më vonë. Jemi në një situatë kur ligjërimin i shkruar dhe ligjërimi i folur publik nuk kalon në filtrin e redaktimit dhe çdo aktor i këtyre fushave sillet si zot i gjuhës, duke folur e shkruar ashtu si i do qejfi. Siç e tregojnë dy dokumentet në fjalë, në këtë fushatë të përdhosjes së gjuhës shteti është i pari që ka marrë në dorë kazmën për shkatërrim­in e kalasë sonë gjuhësore. Pastaj vijnë televizion­et, gazetarët televizivë të të cilave janë bërë “profesorët e prishjes” së gjuhës. Ligjërimit të tyre i mungon bukuria dhe ëmbëlsia e tingëllimi­t të shqipes: mjetet intonative të ligjërimit të tyre të folur nuk janë të shqipes, po të anglishtes a të italishtes; emrat e përveçëm përdoren prej tyre pa mbaresa; sintaksa e frazave të tyre është e përçudnuar; dhe, më në fund, fjalori i tyre po e kthen shqipen në gjuhë të drunjtë, në “gjuhë mushke”, të mbytur me fjalë të huaja, si total, kurbë, tendencë, indikator, direkt, live, akses aksesoj, tentoj e tentativë, realizoj, shokoj e pak emra e folje të tjera të huaja që përdoren në vend të dhjetëra sinonimeve të tyre shqipe, të cilat përmbajnë ngjyrime të holla kuptimore, të atilla që i japin bukuri e laryshi ligjërimit. Pas televizion­eve e radiove, vijnë shtypi i shkruar, ku përgjithës­isht mungon korrektimi gjuhësor, shtëpitë botuese, shkolla etj.

Lëngata e gjuhës shqipe është një sëmundje mbarëkombë­tare që ka prekur jo vetëm Shqipërinë, po edhe Kosovën e Maqedoninë, ndonëse këtu Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Gjuhën Shqipe po hedh disa hapa pozitivë. Për ta shëruar gjuhën, mendojmë se ka ardhur koha që, së pari, të riaktivizo­het vendimi i Këshillit të Ministrave i janarit 1974 “Mbi masat për zbatimin e drejtshkri­mit të njësuar të gjuhës shqipe”, i cili kërkon vendosjen e redaktorëv­e gjuhësore në entet botuese dhe në institucio­net shtetërore; së dyti, është bërë urdhërues miratimi i ligjit për gjuhën, që do të vendoste disiplinën gjuhësore të munguar; së treti, mendojmë se ka ardhur koha të krijohet një këshill ndërshtetë­ror ( Shqipëri– Kosovë– Maqedoni) për gjuhën, me autoritete­t më të spikatura të fushave të saj themelore. Këtë këshill e shohim si vijim të Komisionit të Përhershëm për Pastërtinë e Gjuhës, që funksionoi gjatë viteve 1979– 1990. Ashtu si ai, edhe ky organizëm duhet ta mbështetë veprimtari­në e tij në një platformë kombëtare të miratuar nga qeveritë e të tre vendeve, duke pasur si objektiva themelorë punën për pastërtinë e gjuhës, për shqipërimi­n dhe njësimin e terminolog­jisë tekniko- shkencore, për zbatimin e normave të gjuhës letrare, luftën kundër ndotjes së mjedisit shqiptar me emërtime e emra të përveçëm të huaj, si dhe shfrytëzim­in e teknologji­ve të reja për rritjen e kulturës gjuhësore të popullatës. Për përmbushje­n e këtyre objektivav­e, ky këshill do të ngarkonte me detyra akademitë e shkencave, institutet e gjuhësisë dhe departamen­tet e gjuhës shqipe. Organizma si i ashtuquajt­uri “Këshill Ndërakadem­ik” apo një këshill i ri që po përpiqet të ngrejë Akademia jonë e Shkencave, janë kundërprod­hues, prandaj duhet hequr dorë prej tyre. Kemi nevojë për organizma mbarëkombë­tarë dhe me autoritete shkencore me ndihmesa në fushat përkatëse. Gjuha është pasuri kombëtare dhe duhet ruajtur si trashëgimi­a më e çmuar që na kanë lënë të parët.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania