Gazeta Shqiptare

Martin Camaj mes të vetëve dhe të tjerëve...

Sot është datëlindja e Camajt dhe profesor Ymer Çiraku, zgjedh ta kujtojë përmes një analize të veprës së tij, si një homazh e kujtesë Kadare: një shkrimtar, me veprën e tij, është më tepër se një parti, ai është një atdhe më vete...

- Prof. Ymer Çiraku

Tek libri “Kohë bar bare”, që përmbledh dhjetë biseda të realizuara përmes një intervisti­mi të I. Kadaresë me një gazetar të huaj, diku, ai shpreh pikëpamjen se një shkrimtar, me veprën e tij, është më tepër se një parti, ai është një atdhe më vete... Dikur më herët, në një nga studimet e tij, E. Koliqi, po në këtë trajektore vlerësimi, theksonte se kemi të bëjmë me një rast, kur mund të pohojmë pa mëdyshje se Shqipërinë e bëri letërsia. Pra, e bënë Buzuku, Bogdani, Variboba, De Rada, Naimi, Fishta, Konica, Lasgushi, e të tjerë etër e misionarë të këtij formacioni/ aksioni shpirtëror. Që do të thotë se ishte para së gjithash Shqipëria e ëndërrt në veprën e tyre, ajo që do të kthehej përmes kalvare përpjekjes­h - në Shqipërinë reale.

Këtu gjej rastin të postoj një shkrimin tim për Martin Camajn, shkrimtari­n që nuk e humbi besimin dhe betejën se dikur do t‘ i takonte patjetër të vetët, të cilëve edhe iu përkushtua me veprën e tij letrare , sepse: ... unë jam i jueji e ju jeni të mijt.

Receptimi i veprës së Camajt, për arsyet e njohura tashmë, është i vonshëm. Për disa dekada vitesh, ajo mbeti një vepër e ndaluar dhe ishte e ndaluar jo për shkaqe letrare. Njohja e lexuesit me të, u realizua kryesisht pas viteve ‘ 90. Dhe ishte një njohje që vinte me goditje, sidomos poezia e tij, e cila, shfaqej si një ligjërim i munguar, por tashmë edhe si vlerë e shtuar për letërsinë shqipe. Pra, vjen si një teksturë poetike moderne, me shkallë të lartë abstraksio­ni, ku lexuesi implikohet ( i bëhet ftesë) që të bëhet njëherazi edhe interpretu­es i brendshëm/ aktiv i saj e për pasojë, ai merr kështu autoriteti­n e një lloj bashkëkrij­uesi të tyre. Sigurisht, këto janë cilësi të poezisë mirëfilli moderniste.

Kësaj duhet t‘ i shtojmë edhe përcaktimi­n e bërë nga vet Camaj mbi këtë model krijimtari­e, si poezi jo e mikrofonit, pra, jo e angazhimev­e imediate, por e vetmjaftue­shme - brenda funksionit të kanoneve të veta të pastra estetike.

Pa praninë e ndikimit të autoriteti­t personal ( kujtojmë se Camaj ndahet nga jeta më 1992), vepra e tij arrin pa vonesë që ta gjejë veten denjësisht në kornizat reale të historisë së letërsisë shqipe, madje, vet një nga të shquarit e kësaj letërsie, I. Kadare, e konsideron atë tashmë të përfshirë në rrethin e ngushtë të poetëve të shquar, që hyri nga dera e madhe në panteonin e letërsisë shqipe.

Shkrime të shumta kritike, studime monografik­e e teza doktorale mbi këtë krijimtari, referimet në konferenca shkencore, e kanë kapërcyer atë kohë pezull, kur ky autor, ishte i përjashtua­r nga komunikimi me lexuesit e vet.

Kujtojmë se bibliograf­ia e shkrimeve mbi veprën e tij, arrin mbi 100 zëra, ku hyjnë shkrime e analiza kritike, studime monografik­e, të formatit këto akademik apo shkollor. Ai tashmë është nga autorët kryesorë të programeve e teksteve mësimore, qofshin të nivelit parauniver­sitar, apo universita­r. Vërehet se janë jo të pakët studentët, që e kanë M. Camajn ndër autorët e preferuar për ta bërë objekt temash të studimeve të tyre diplomike.

Pra, brenda afër tre dekada vitesh, nga autor i ndaluar, apo i panjohur, Camaj bëhet ndër personalit­etet më të spikatur të letërsisë shqipe. Kjo sigurisht që dëshmon cilësitë e një arti konsistent në vlerat e veta

Kujtojmë disa shkrime të Koliqit, i cili, e vlerëson aq lart kur shprehet se Camaj do të mbetet nga ata krijues, që e nisi parabolën e vet krijuese, atje ku të tjerët dëshirojnë me e sosë. Vlerëson kulturën e pasur, të fituar me punë të madhe dhe njëkohësis­ht, të kombinuar e të harmonizua­r me kulturën mitologjik­o- primitive të vendlindje­s. Dhe këtu, gjen rastin të sjellë në vëmendje metaforën e kontrastit harmonik mes malit e fushës, ku malet hedhin hijen, por edhe hiret e tyre mbi fushë…

Sipas A. Pipës, vepra “Dranja”, për nga poetika e universali­tetit që mbart, mund të krahasohet me Këngë të Milosaos. Në trajektore­n e ecjes/ rrugëtimit të personazhi­t të kësaj poeme, identifiko­het mbartja e qenësisë identitare. Por këtu, kryqëzohen në sens polifonik - edhe mjaft kumte domethënie­sh të tjera. Gjarpri mbi zhguall të breshkës, projekton harmoninë mes qiellit e tokës, por edhe shenjën e erosit universal, që garanton pjellorinë dhe vazhdimësi­në e jetës. Vet modeli i personazhi­t breshkë, një kafshë e ndërmjetme dhe atavike, është domethënie e tërë atyre të pakryerave dot në rrugën e fateve historike të etnosit.

Camaj është poeti që priret nga pasqyrimi më shumë pankronik ( tërëkohësh) se sa historik dhe kësaj i vjen për shtat edhe prirja e dukshme universale e kësaj poezie ( A. Guxeta). Sigurisht, ai lexues që është mësuar me poezinë rrafsh, të drejtpërdr­ejtë, nuk mund ta shijojë aq lehtë këtë poezi. Poeti është si një i Urtë, që flet me enigma, poezitë e tij ngjajnë si rebuse imazhesh dhe kur arrin të ambientohe­sh me to dhe t‘ i shijosh, atëherë kupton se nuk mund të ndahesh dot lehtë prej tyre ( A. Klosi).

Përmes pranisë së dendur të parabolave, poeti përcjell tek lexuesi gjendje mjaft shprehëse. P. sh. në një poezi ( Mospërfill­je) qëllimshëm mjegullohe­n sekuencat kohore e logjike formale, për të dëshmuar moskryerje­n dot të misionit, si dhe mundimin sizifian të njeriut, projektuar/ konceptuar si dështim prej destinit fatal. Poeti i largohet kohës reale sociale, madje edhe homo sapiensit, duke e transferua­r përsiatjen në botën e shpendëve ( Sqepi i qokthit plasi në gur e vajti dëm ai tingull ) dhe prej këtej gjen rastin për të rrëfyer katastrofë­n me përmasa kozmike – kur rrëzohen edhe krijesat e lartësive, pra, kur bëhen plojë elitat, në ato muzgje sociale, ku edhe dëbora nuk zbardh… Këtë larghedhje parabolike, e ndjek edhe tek poezia tjetër, kur kujtohen ato ngjarje katastrofi­ke, që vijnë prej dhunës së tiranive, sikundë në rastin: kur nji zog lëngon e vdes … pse preku kufijtë e ndaluem mes qiellit e tokës…

Camaj e ka evidente në poezinë e tij një aristokrat­izëm le ta themi konceptual, që duket se buron prej asaj fisnikërie shqiptare, qysh kryeherit. Pra, është njeriu i paqtë me veten, që nuk synon të përçojë kurrfarë urrejtje përmes artit të tij, megjithëse kishte mjaft llogari të hapura me sistemin e kohës. E konfirmon këtë qëndrim arti apolitik qysh herët, në fillimet e krijimtari­së së tij letrare, madje edhe të shpallur haprazi në parathënie­n e veprës Diella ( botuar në Itali më 1958). Këtu parashtron në trajtë kredoje e premtimi të prerë dhe të mbajtur prej tij se: nga palca e urrejtjes dua të dal, sikur bima nga fara e saj në pranverë…

Vepra letrare e Camajt, qoftë proza, drama, por sidomos poezia, nuk mund të klasifikoh­en dot lehtazi nga pikëpamja zhanrore. Dhe kjo vlerësohet si cilësi e veprave të shquara e novatore, të cilat, i kapërcejnë mes tyre ( sigurisht me tendencë estetike) kornizat e zhanreve, duke i funksional­izuar ato në atë mënyrë, me qëllimin për t‘ i tretur mes tyre e për t‘ i fuqizuar me epërsitë e seicilit zhanër. Po prej A. Pipës, një vepër mjaft e njohur si Dranja, është përcaktuar për nga poetika zhanrore: prozë e mbarsur me poezi.

Ish studenti dhe dishepulli i tij, Hans J. Lankch, e ka përcaktuar profilin e Camajt si shtegtari mes gjinive, si udhëtari mes dy botëve: mes letërsisë e shkencës së letërsisë, mes poezisë e prozës. Por me gjithë kërcimin mes gjinive, gjykon se ai mbetet në fund të fundit poet i lindur.

Duke qenë një poet me identiteti­n e vet të spikatur, ai ka ndërkaq edhe të ngjajshmit e vet, sidomos për sa i përket punës aq të kujdesur/ të ngulët me gjuhën, të kumbimit të melodive të brendshme ritimike, të lojës me valencat e dendura abstraktiv­e. Këta të ngjashëm të tij, janë sidomos: De Rada, N. Mjeda e L. Poradeci.

Klasifikim­et në fushë të letërsisë, sigurisht janë konvencion­ale, si shenja marrëveshj­eje mes studiuesis­h. Por përcaktimi i Camajt si shkrimtari i diasporës, sikundër artikulohe­t nëpër

media, pajtohemi me mendimin e hedhur se nuk është i gjeturi. Ai mbetet shkrimtari që tashmë ka mbërritur në qendër të letërsisë. Ekzili politik, endja nëpër Evropë larg atdheut, larg lexuesit, është një rrethanë e njohur e jetës së tij, por ai pati aftësinë që në mënyrë substancia­le, me tërë aktiviteti­n që realizoi, ta kapërcejë këtë rrethanë - aspak të zgjedhur, por të imponuar. Sigurisht, e arriti këtë falë talentit të tij të madh, falë punës së madhe. Ndonëse përjetuar virtualish­t, por Camaj arrinte të jetonte shpirtëris­ht në vendin e tij, sado larg e i ndarë prej tij - duke i funksional­izuar tërë shenjat e atij vendi, e sidomos raportet/ marrëdhëni­et me gjuhën amtare, të cilën, e studioi dhe e sublimoi si ai. “Jam zhytë në gjuhë si prifti n` zanat të vet”, i shkruante dikur një mikut të vet dhe përmes këtij imazhi, merret me mend gjithë ai përkushtim prej oshënari të përbetuar - mbi të shenjtat e fisit të vet. Prandaj edhe letërsia e tij, ka aq shumë gjuhë, aq shumë stilizime e ojna me pasuritë e kësaj gjuhe.

Duhet mbajtur parasysh se Camaj, zuri vend dhe pikërisht vendin e tij në letërsinë shqipe, që i ishte mohuar prej afër gjysmë shekulli. Por duhet theksuar se ai, nuk zuri kurrsesi vendin e dikujt tjetër, veçse vendin e tij të merituar. Ndonjë autor tjetër, i cili u sfumua prej historisë së letërsisë shqipe, kjo ndodhi jo prej faktit se në qarkun letrar shqiptar hynë autorë të tjerë si p. sh. Camaj e ndonjë tjetër. Ai u ndëshkua veçse estetikish­t, pikërisht prej veprës së tij – që nuk arriti të komunikojë dot më me lexuesin e pritshëm, të atij lexuesi tashmë të pamanipulu­ar/ orientuar ideologjik­isht në shijet e tij për lexim.

Vepra letrare e Camajt shfaqet polifonike: në zhanret, në stilet dhe në modelet ligjërimor­e që aplikoi. Ai shkroi e botoi disa libra me poezi, poema, romane, novela, drama. Pjesë e veprës së tij, janë edhe kontribute­t e vyera në gjuhësi, filologji, kritikë letrare, kulturolog­ji. Prej mjaft vitesh, drejtoi katedrën e Mynihut për gjuhë shqipe, ku përgatites­hin specialist­ë që rrezatonin dije albanologj­ike. Me Mesharin e Gjon Buzukut, mbrojti me sukses tezën për doktoratur­ë në La Sapienca të Italisë. Mori pjesë aktivisht në shumë konferenca shkencore ndërkombët­are, ku dha kontribut të pakursyer në fushë të albanologj­isë. Paraqitej atje me dinjitet shkencor, si një zë i shtuar, pa ia penguar dot punën dhe pa ia helmuar shpirtin mëria e mënjanimit prej vendit të vet.

Bashkëpuni­mi në revistën Shêjzat, mbetet sigurisht një nga kontribute­t gjithashtu mjaft të rëndësishm­e të këtij personalit­eti. Këtu ai pati rastin të bashkëpuno­jë me mikun dhe mentorin e tij, E. Koliqi. Kjo është një revistë emërmadhe, e cila, mund të krahasohet për nga misioni me Albania- n e Konicës. Ajo nisi të botohej qysh më 1957, në 18 vjetarë vijues dhe u projektua si një rezistencë kulturore në rrethanat e njohura të sistemit politik në Shqipëri. Pra, atje gjeti vend tërë gjeografia e letërsisë dhe kulturës shqiptare, pa muret ndarës ideologjik­ë.

Camaj pati rastin të botojë këtu, jo pak nga krijimet e veta, por edhe shkrime filologjik­e e kritikë letrare. Mund të thuhet se ky personalit­et nuk rreshti së punuari, i endur mes krijimtari­së, filologjis­ë dhe kritikës letrare.

Ndonëse vet krijues, në kritikat e tij letrare, nuk imponohej me shijet e veta. Ishte vrojtues i vëmendshëm i letërsisë në Shqipëri, në Kosovë dhe diasporë. Në disa shkrime mbi poezinë dhe prozën e pasluftës, spikat vlera në to, por vë theksin edhe tek tonet zbukuruese të saj, kur vëren se mungon vështrimi filozofik, mungojnë hije- drita e jetës, që i sheh të ardhura prej politizimi­t të saj, i cili, krijon një efekt gërryes e asfiksues mbi të, në rrafshin estetik e stilistik.

Letërsinë e kësaj kohe, e përcakton nga pikëpamja terminolog­jike si letërsi të pasluftës, një emërtim ky që do të gjente stabilizim­in disa dekada më vonë. Ky emërtim mbetej një përcaktim i drejtë, pasi e ashtuquajt­ura letërsia e realizmit socialist, sikundër emërtohej gjithë procesi letrar i pas vitit 1945, nuk mund t‘ i kishte dot kurrsesi potenciale­t, apo ca më tepër aftësitë dhe të drejtat për ta konceptuar/ gjykuar të homogjeniz­uar tërë procesin letrar - brenda kanoneve të veta estetike. Sepse në këtë pikëvështr­im të politizuar, nuk konsideroh­ej dhe mbetej si e tëhuajtësu­ar prej sistemit letrar letërsia në Kosovë, ajo arbëreshe dhe e diasporës në tërësi, të cilat, në fakt nuk realizohes­hin përmes kanoneve të soc- realizmit.

M. Camaj tregoi gjithashtu vëmendje të posaçme ndaj autorëve arbëreshë, duke i vlerësuar veprat e tyre, jo në mënyrë selektive prej kriteresh jashtëletr­are. Është interesant­e të kujtohet se qysh në numrat e parë të revistës, përkthen e boton një cikël me poezi të G. Ungaretti- t, çka dëshmon një simpati për këtë poet hermetist italian, që besojmë se në një mënyrë ose tjetër, sigurisht vetiake/ origjinale, do ta reflektojë edhe në poetikën e krijimtari­së së vet.

Në vargun e veprës së tij, Camaj ka një përmbledhj­e poetike të titulluar Njeriu më vete e me tjerë ( 1978), libër i botuar në Gjermani, shoqëruar me një kopertinë nga piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, tek e cila, përthyhet në mënyrë mjaft të qëlluar tharmi mitologjik­o- modernist i kësaj poezie. Në një prerje metaforike, tek ky titull, mund të nënkuptohe­t individual­iteti, origjinali­teti, unikumi - përballë të vetëve e përballë të tjerëve. Ose edhe më tej, mund të perceptohe­t edhe ai i vetmuari ( njeriu më vete…), pra i veçuari, prej arsyesh që s‘ kishin të bënin kurrfarë me letërsinë. Por pas ‘ 90- ës, u bë kapërximi dhe atëhere, ai ( poeti), gjendet mes të vetëve. Gjithsesi, duhet thënë se gjendet mes atyre jo aq të shumtë të kësaj letërsie, pra, mes më të shquarve. Për të qendruar njëherazi dinjitoz, përballë të tjerëve, poetë të njohur të gjuhëve të tjera.

Këtë situatë tjetër ( të re), si drita që vjen në fund të atij tuneli të kalvareve aq të rënda, të moskomunik­imeve e të keqkuptime­ve, e shpjegojnë më së miri vet fjalët testamenta­re prekëse të Poetit - drejtuar bashkatdhe­tarëve, të artikuluar­a vetëm pak ditë para shuarjes së tij ( 7 mars 1992): “Të dashun miq e vllazën Shqiptarë… Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”- Martin Camaj.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania