Gazeta Shqiptare

Saga e lavdishme e familjes Muzaka, nga “Stradiotët shqiptarë nën flamurin e Francës”

Shqiptarët lanë gjurmë në historinë e qyteteve dhe të krahinave të ndryshme franceze ku u instaluan për një periudhë të gjatë kohe dhe shumë prej tyre përfundimi­sht. Një luftë në Sedan dhe një kapiten në zë, histori shqiptarës­h që lanë gjurmë

- Nga Luan Rama*

Në historinë mesjetare franke, një vend të nderuar zë dhe stradioti i famshëm Muzaka, një nga bijtë e Gjon Muzakës, i cili ishte një nga bashkëluft­ëtarët më të afërt të Skënderbeu­t. Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëv­e të Greqisë, Carl Hopf, në librin e tij Chroniques greco- romaines shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte nën komandën e tij një trupë prej 300 stradiotës­h dhe me ta luftoi kundër anglezëve të veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar, vdiq në veri të Francës, në Picardie në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë, ( Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës. Cilët ishin këta prijës të mëdhenj dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandin­i mbeti përfundimi­sht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror? Ndoshta një ditë arkivat e vjetra do të na zbulojnë të dhëna të reja për bëmat e tyre.

Në Memorie- n e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se “kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli te mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie”. Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli “biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysmë, Adriani, një muajsh, ndërsa Konstandin­i lindi në Napoli”. Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për tu hedhur në brigjet e jugut të Italisë. “Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini, - shkruante ai, - ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte. Don Theodori dhe Dona Helena u fshehën edhe ata në shtëpitë e fisnikëve të tjerë. Dhe kur erdhën të dërguarit e turqve për të kërkuar në qytet nënën tuaj bashkë me bijtë, ajo u fsheh në shtrojën e një shtrati prej puplash, i cili pasi u rregullua mirë e mirë, nuk jepte përshtypje­n se kishte brenda një njeri. Të dërguarit turq kërkuan nëpër shtëpi, por Zoti mëshirëplo­të desh që mos t‘ i zbulonin. Kështu i shpëtoi tërbimit të turkut e bashkë me fëmijët e saj ajo nuk ra në duart mizore. Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qira një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje”.

Emri i Gjon Muzakës gjendet edhe në ditarët e historiani­t italian Sanudo ku më 1499, duke iu referuar letrës së guvernator­it Jacomo Lion, ka shkruar: “Thuhet se Gjon Muzaka, kapiten i Francavila- s, djalë i të ndjerit Muzak Arianiti, i cili pat qenë zot i Myzeqesë në Shqipëri, ishte i gatshëm të shkonte me 300 kalorës në Shqipëri, në shërbim të Sinjorisë sonë, duke premtuar të bënte shumë punë”. Në fakt, në vitin 1498, ai kishte shkuar një herë në brigjet shqiptare dhe pasi kthehet nga kjo luftë, kërkon të shkojë përsëri. Në vitin 1512, siç shkruhet në një dokument, “Giovanni Musaçhio albanese” lufton për mbrojtjen e Pratos dhe në vitin 1529 lufton në Toskana kundër trupave gjermane të perandorit Maximilian. Lidhur me “Teodoro albanese”- n ( Teodoro Musaçhio) shkruhet se në vitet 1525- 1526, ai luftonte në krahinën e Piemontit, në Monferrato, Ceva, etj., në krye të 100 kalorësve, ku merr pjesë dhe në mbrojtjen e Milanos. Por në vitin 1529, gjatë një beteje kundër perandorit Maximilian, bie në fushën e betejës. Në dokumente të tjera flitet dhe për një pinjoll tjetër të Gjon Muzakës, Musaçhino di Musaçhio, i cili kishte luftuar kundër pizianëve, kundër venecianëv­e të Bartolomeo d’Alviano. Po kështu kishte luftuar dhe kundër spanjollëv­e në Prato dhe kundër gjermanëve në veriun italian. Beteja e tij e fundit shënohet ajo e mbrojtjes së Firences në vitin 1530. Pesë vjet më vonë shkruhet se ka vdekur.

Në vitin 1550, shumë vite pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandin­i shtoi në këtë memorie dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeu­t, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. “Ta dini se im vëlla Adriani kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi Zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme, për t’i marrë vendin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12.000 këmbësorë. Të tjerë i morën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Biville- s që është në provincën e Picardie- s, ku i përmenduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Biville- s. Pra ai vdiq në dhjetë të muajit maj të vitit 1526".

Në analet e udhëtimeve gjeografik­e dhe historike, Conrad Malte- Brun shkruan për kapitenin legjendar Muzakën e “vjetër” ( Musachio ancien et preux capitaine) dhe kavalerinë e tij prej 500 kalorësish, duke përmendur dhe një nga trimat e tij, Nicola Masi, “një kapiten plot kurajë, emri i të cilit në shqip ishte “mëzi”, “poledro”… Stema e familjes Muzaka ishte shqiponja dykrenore me një yll në mes.

Një histori e çuditshme më kishte ndodhur me këtë stemë në pranverën e vitit 1992, në ambasadën shqiptare në Paris. Një pinjoll i Muzakajve, familja e të cilit nga Kalabria kishte emigruar prej kohësh në Francë, erdhi në ambasadë dhe më solli një emblemë të madhe të Muzakajve, të derdhur në bronz. Meqë ishte shumë e rëndë, e lamë atë në korridorin e brendshëm të ambasadës, mirëpo ylli me pesë cepa, në mes krerëve të shqiponjës, u bë shqetësues për ish emigrantët shqiptarë monarkistë, të cilit shihnin në të një simbol komunist, pra një nostalgji për epokën që sapo kishte perënduar. Dhe atëherë emblemën e rëndë e hoqëm. Por në fakt ai yll nuk ishte shtuar nga ai pinjoll si shenjë adhurimi për Shqipërinë komuniste. Ai yll kishte të drejtë të qëndronte në emblemë pasi ai kishte ekzistuar i tillë tetë shekuj më parë, që në kohën bizantine. Historiani Xhufi, shkruan se “meqë Andrea Muzaka, kishte luftuar dhe kishte mundur ushtrinë serbe të Vukashinit në vitin 1369, në Perister, perandori bizantin i kishte dhuruar Muzakës emblemën perandorak­e: shqiponjën me dy krerë dhe me yllin në mes. “Çuditërish­t epoka bizantine dhe epoka totalitare kishin pikëtakuar njëra- tjetrën në një histori parisiane...

KAPITEN RENESHI NË BETEJËN E JAMETZ

Raneshët ishin një fis i fuqishëm që ikën nga Greqia në fillimet e shekullit XVI dhe u nisën drejt Venedikut si shumë kalorës të tjerë shqiptarë nga brigjet shqiptare dhe nga vendet e Moresë ( Nafplio, Argos, etj.) apo Athina. Ata shkuan të luftonin si mercenarë për Republikën e Serenissim­e- s, por lufta kundër turkut për ta ishte prioritare. Luftëtarë trima, ata u shquan për kurajën dhe trimërinë, për mënyrën e tyre të luftimit mbi kalë. Ndër të tjera, Reneshi, familja e të cilit kishte zbarkuar në Francë me trupën e tij të stradiotëv­e në fillimin e shekullit XVI u shqua veçanërish­t gjatë luftërave fetare të Francës e sidomos në betejën e Jametz. Kjo betejë zgjati më shumë se dy vjet, nga 1586- 1889. Në fakt, pas “Natës së Bartolomeu­t” ku u vranë mijëra protestanë, lufta e protestanë­ve kundër katolikëve vazhdoi edhe pse shumica e tyre u drejtua drejt krahinave gjermanike. Ata kishin ndihmën e mbretit Henri de Navarre, i cili pas vdekjes së mbretit francez Henri III u shpall mbret i Francës. Por ai nuk mund të mbretëront­e qetësisht në një Francë katolike, pra do i duhej të konvertohe­j më vonë në katolik, por në të njëjtën kohë dhe të mbështeste protestanë­t. Sidoqoftë, qyteza e fortifikua­r e Jametz ndodhej pranë Sedanit dhe ishte një nga bastionet e Nancy. Siç shkruhet në një kronikë, edhe René II, duka i Lorraine- s, në luftën kundër Robert de la Marck, zotit të Sedanit, ( i cili kërkonte të fuste nën pushtetin e tij dhe krahinën e Metz- it), ndër mercenarët që mblodhi në luftë kundër Robertit ( 1493- 1497) ishin dhe “Albanés”, shqiptarë.

Beteja e Jametz filloi në 16 janar 1586 kur ushtria spanjolle, aleate e dukës katolik të Lorraine- s, Charles III, e bombardoi këtë qytezë. Menjëherë pas bombardimi­t, ushtria spanjolle u tërhoq dhe tashmë ishte ushtria katolike e Charles III që iu sul qytezës së fortifikua­r, të komanduar nga baroni d’Haussonvil­le dhe leitnanti i tij Jean de Lenoncourt. Siç shkruan në raportet e tij kronisti francez Palma Gayet, kjo ushtri përbëhej nga 3000 këmbësorë dhe 800 kalorës. Sipas historiani­t De Thou në librin e tij “Historia universale e Francës”, ishin 3000 “lasquenets”, 200 ushtarë francezë, spanjollë e italianë, dhe 7 kompani të kalorësve shqiptarë ( stradiotë) të komanduara nga kapiteni Reneshi, origjinën e të cilit e gjejmë që në luftërat e Moresë kundër turqve. Ata u vendosën në Louppy, Remoiville dhe rrethinat e tyre. Më 9 janar 1588 pushtuan një torrë pararojë të mbrojtjes së Jametz e quajtur “Moulin à vent”, (“Mulliri me erë”). Nga ana e tij, duka de Guise sulmoi Sedanin dhe zuri pozicionet midis Sedan dhe Jametz. Ai që e mbronte këtë qytezë ishte Robert de Schlandre, një protestant nën urdhrat e Robert de la Marc. Atij iu kërkua të dorëzonte fortesën dhe qytetin, por ai nuk pranoi dhe nisi menjëherë të fortifikon­te akoma më shumë qytezën dhe kështjellë­n e ngritur brenda saj. Renesi me shqiptarët e tij bëri disa mësymje që të mund të nxirrte nga qyteti kalorësinë protestane, por pa sukses. Madje në një ndërmarrje fshehurazi nga dy ushtarë të Jametz, u arrit që torra “Mulliri me erë” të hidhej në erë, çka për katolikët ishte një humbje. Sidoqoftë kjo luftë do të vazhdonte gjatë me sulme dhe kundërsulm­e. Garnizoni protestan ishte i vendosur të rezistonte deri në fund.

 ??  ?? Në foto: Kopertina e librit
Në foto: Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania