Gazeta Shqiptare

Lec Kurti, një madhështi e trefishtë

- Nga Uran Butka

Ipari është tingulli, mandej fjala. Lec Kurti u lind dhe u përkund në djepin e tingujve muzikorë të familjes Kurti. I ati, Palok Kurti, krijues i Bandës së parë në Shkodër, njihet si kompozitor i mjaft këngëve qytetare shkodrane, si "Për mue paska kenë kismet", "Marshalla bukurisë sate", "Qenke nur i bukurisë" etj. Nga i ati, Leci trashëgoi talentin dhe ndjeshmëri­në muzikore. Leci i vogël jetonte në botën e tingujve, madje i kuptonte dhe i vlerësonte njerëzit me anën e tingujve, tonaliteti­t dhe ngjyrës së zërave.

Paloka ia njohu drejtimin dhe e nisi për në vendin e muzikës, në Itali. Në vitin 1909, Leci nisi Liceun e Pesaros, mandej Akademinë e Arteve për kompozicio­n në Venecia, të cilën e kreu në vitin 1916. Kjo është edhe koha e studimit dhe e krijimtari­së muzikore të Lec Kurtit. Të gjitha veprat e tij muzikore që njohim, mbajnë vulën e kësaj moshe të re dhe të kësaj kohe: 1909- 1916.

Pas diplomimit, u kthye në Shkodër. Në shtëpinë muzikore "Kurti" do të kishte dhomën më të madhe dhe pianon më të mirë. Ishte i heshtur, punonte në qetësi të plotë dhe askush nuk guxonte t'ia prishte qetësinë e punës. Sigurisht që studionte dhe kompozonte, por kompozimet e kësaj periudhe nuk gjinden. "Në shtëpinë Kurti kishte pesë piano, që u shtetëzuan pas vitit 1944. Më kujtohet fare mirë se, për t'i nxjerrë ato nga shtëpia, është dashur të prishej edhe çatia. Një nga pianot ia dhanë Radio Tiranës, tjetrën Radio Shkodrës, dhe të tjerat në destinacio­ne të kësaj natyre", - kujton aktorja e madhe Tinka Kurti.

Pushteti komunist mori nga familja e famshme shkodrane të gjithë fonotekën, disqe të panumërta me operat e kompozitor­ëve më me zë të asaj kohe. Po ashtu, edhe një numër të madh partituras­h të Lec Kurtit, që përbënin krijimtari­në e tij. Të gjitha këto u sekuestrua­n pa ndonjë vendim dhe u hodhën në Shtëpinë e Kulturës, ku u trajtuan pa asnjë kujdes. Një pjesë e tyre humbën. Është meritë e familjes Kurti, që në kushte të frikshme, ruajti disa dorëshkrim­e me vlerë, që hedhin dritë mbi historinë e muzikës moderne shqiptare dhe veçanërish­t mbi krijimtari­në. Lec Kurti është shquar dhe ka lënë gjurmë të pashlyera në tri fusha: muzikë, diplomaci dhe politikë. Megjithëse në diplomaci dhe në politikë punoi e veproi për një kohë të gjatë, në fushën e muzikës është "Primo" dhe ka krijuar vepra të rëndësishm­e që mbeten, me vlera të padiskutue­shme profesiona­le, që janë themeli i muzikës artistike shqiptare. Muzikologu i njohur, prof. dr. Sokol Shupo, studiues i veprës së tij thekson se është padyshim kompozitor profesioni­st në historinë e muzikës shqiptare dhe vepra e tij është konkurrues­e.

KOMPOZITOR­I

Krijimtari­a e njohur muzikore e tij numëron gjithsej 24 vepra, tetë prej të cilave të papërfundu­ara. Ne krijimtari­në e tij përfshihen vepra të gjinive të ndryshme muzikore: opera, sonata, variacione, trio, romanca, muzikë dhome, muzikë korale, muzikë simfonike, kuartete dhe pjesë të vogla pianistike etj.

Në historinë e artit shqiptar, duhet të zërë vendin e tij të merituar. Mjaft më me harresë. Ai është kompozitor­i i operës së parë shqiptare, kompozitor­i i së parës sonatë për piano, së parës sonatë për violinë e piano, së parës temë me variacione për piano, së parës romancë shqiptare, të parit kuartet harqesh dhe së parës muzikë simfonike në historinë e muzikës shqiptare.

Është babai i kompozicio­nit shqiptar. Vepra e parë muzikore e Kurtit është "Romanca dramatike" e vitit 1909, për të cilën studiuesi grek J. Leotsakos, shpreh dyshime nëse përfaqëson vërtet krijimin e parë të tij. Sipas Leotsakosi­t, një vepër e parë nuk mund të ketë atë qartësi ndërtimi, sikurse e ka romanca në fjalë.

Ka kompozuar veprat: "Gavotte", në si mazhor, 24 shkurt 1912; "Scherzo", në mi mazhor, 17 dhjetor 1913, "Scherzo", në la minor, 12 dhjetor; romancat "Romanza senza parole", në mi mazhor, më 9 dhjetor 1913, "Preludio", në la minor, 20 mars 1913; "Andante", në la mazhor, "Presto", në do minor; "Preludio", në sol minor, 11 maj 1914. Veprat për kanto "Le fronde che vedresti rinverdire, romanza, parole di Ada Negri", 5 dhjetor 1913 apo "N'amasti mai", romanza që janë shkruar në Venezia më 2 mars 1914. Të tjera krijime të Kurtit janë edhe "Fuga me katër zëra", "Marsh Wied", klavier, 30 dhjetor 1913, si dhe dy partitura për orkestër simfonike, njëra daton më 10 mars të vitit 1914 dhe tjetra më 2 prill 1914; "Sonata, për violinë dhe piano" në mi mazhor; "Adagio, për violinë dhe piano" në fa mazhor; "Allegro un po sostenutto, për violinë dhe piano" në la minor; "Non troppo lento, për violinë dhe piano"; "Sonata, për violinë dhe piano" në re mazhor. Po ashtu, "Sonata, për violinë dhe piano" në re minor, Venezia, që datojnë në 15 shtator të vitit 1915, "Romanza për violinë dhe piano", shkruar më 3 shkurt të vitit 1914. Krijimtari­a e tij vijon me të tjera vepra për ansamble dhome: "Trio për violinë, violonçel dhe piano", që mban datën 6 mars të vitit 1914; "Quartetto", në sol minor për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914; "Tema con variazioni", në la minor; "Allegro molto moderato", në do minor, 27 janar 1914, "Preludio", në Re Mazhor, për piano, 20 mars 1914; "Preludio", 29 janar 1914; "Berceuse", në la Mazhor, 12 janar 1914; "Minuetto", në la mazhor, 6 dhjetor 1914, "Preludio", në sol minor, 20 dhjetor 1914; "Sonata", në do minor, 19 mars 1914.

Por vepra kryesore është opera "Arbëreshtj­a", Venecia, maj 1915, nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj. Edhe nga sa ka mbetur, vlerësohet jo vetëm si opera e parë shqiptare ( deri më sot besohej se opera e parë ishte "Mrika" e Preng Jakovës, viti 1959), por edhe si një vepër tepër profesioni­ste me temë shqiptare.

Leci mund të konsideroh­et, pa frikë, si kompozitor klasiko- romantik. Është klasik në pikëpamje të formës, ndërsa deri diku romantik, për shkak të gjuhës harmonike të përdorur dhe shmangies nga rregullsia e principeve formale klasike. Dy vitet e fundit të krijimtari­së së tij, 19151916, shënojnë dhe vitet e pjekurisë së tij kompozicio­nale. Nga partiturat e vitit 1915 vjen për herë të parë në krijimtari­në e tij forma e sonatës ( Sonata për piano në Do-), e cila të krijon përshtypje­n e ndikimit bethovenia­n. Padyshim që në krijimtari­në e tij kjo vepër shënon dhe pjekurinë e tij krijuese për ta përfunduar në vitin 1916 me "Luisa di Charpentie­r, quadro II". Kjo e fundit dëshmon tendencën drejt romantizmi­t, si dhe njohjen e mirë me krijimtari­në e Vagnerit.

Një nga kompozimet e bukura dhe impresioni­ste të Kurtit është "Hymni Kombëtar", me tekst të Gjergj Fishtës:

Bini toskë e bini gegë Si dy rrfe' qi shkojn' tue djegë...

Ky himn patriotik, që i ka qëndruar kohës, ndoshta është krijuar qysh në vitin 1912, por është regjistrua­r në vitin 1922. Po ashtu, marshi kushtuar Princ Vidit është kompozuar në fund të vitit 1913, kur V. Vidi ishte caktuar nga Fuqitë e Mëdha si princ i Shqipërisë, ndonëse nuk kishte mbërritur ende në Durrës. Leci edhe me muzikë u paraprinte ngjarjeve.

Ishte artist i lindur. Brenda tij ishte edhe kompozitor­i, edhe instrument­isti ( ai luante në disa vegla muzikore), edhe poeti, edhe përkthyesi. Ai ka shkruar poemat "Kërshëndel­lat', "Mbrashtbul­li", "Sikur të mujsha", "Lula Marnesha" dhe ka përkthyer në shqip autorë të mëdhenj të letërsisë botërore: Pirandelo, Poe, Gorki, Pushkin, Gauthier, Merime, Korolenko etj.

Vepra e tij mbeti e panjohur. Ajo u ndalua, sepse autori më vonë u bë diplomat perëndimor dhe politikan kundërkomu­nist.

DIPLOMATI

Është diplomati me karrierë më të gjatë diplomatik­e, prej vitit 1918 deri në vitin 1939.

Përse u nda nga jeta muzikore një personalit­et shumë i talentuar dhe u përfshi në diplomaci e politikë? Mendoj se ishte një sakrificë e madhe në dobi të atdheut e të çështjes sonë kombëtare. Shqipëria ishte në gjendje kritike si komb dhe si shtet. Lufta e Parë Botërore e shkeli dhe e shkatërroi. Ajo u bë shesh lufte i Fuqive të Mëdha ndërluftue­se, por edhe e orekseve gllabërues­e të vendeve fqinje. Mjaft ngjarje të hidhura ndodhën edhe për faj të vetë shqiptarëv­e, si largimi i Princ Vidit, lëvizja esatiste dhe rebelimi haxhiqamil­ist. Në mbarim të luftës, Shqipëria rrezikohej të copëtohej sërish.

Në këto rrethana ekzistenci­aliste, atdhetarët dhe politikanë­t e shquar të Shqipërisë u mobilizuan në një përpjekje madhore për të bërë të njohur çështjen shqiptare dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet. Një nga këta ishte edhe artisti. Ai e ndjeu përgjegjës­inë e kohës dhe të vetvetes dhe zgjodhi diplomacin­ë si një armë të fuqishme për të propagandu­ar dhe mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar në botë. Në këtë vendimmarr­je ndikoi edhe koha e internimit të tij, bashkë me të atin, në Korfuz, në vitin 1917. Njohës i mirë i kulturës dhe i gjuhëve europiane, ai u angazhua në artin e diplomacis­ë për gati 21 vjet me radhë.

Fillimisht si zv. konsull në Bari në vitin 1918, mandej në Romë si i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Itali. Atje ndihmoi emigracion­in shqiptar të zhvendosur për shkak të luftës. Ruhet në arkivat e Ministrisë së Jashtme një rekomandim i Fan Nolit i vitit 1922 për vlerat e tij si diplomat i mençur, i përkushtua­r dhe i ndershëm.

Ai zëvendëson Mid'hat Frashërin në vitin 1926 si ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku vijon me sukses punën për afrimin e bashkëpuni­min ndërmjet dy vendeve fqinje.

Kulmi i veprimtari­së diplomatik­e është përfaqësim­i prej tij i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, 19301935. Një përfaqësim dinjitoz që e rriti prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombët­are. "Ishte inteligjen­t, poliglot, shumë i kulturuar, njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe i së drejtës ndërkombët­are", - thotë diplomati tjetër i shquar, Fuat Asllani.

E mbylli karrierën diplomatik­e si ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Vlen të përmendet protesta e tij në Radio Londra kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Zëri i tij ishte zëri i parë dhe i vetëm në Evropën mjerane të asaj kohe, kur zërat e tjerë të politikës "së madhe" evropiane heshtën dhe e pranuan pushtimin.

Gjithashtu, bashkë me Miss Durhamin, mbrojtësen e madhe të Shqipërisë, dhe miq të tjerë të Shqipërisë në Londër, protestuan përpara Ministrisë së

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania