Gazeta Shqiptare

Skandaloze, përgatitja e mësuesve në universite­tet publike

- Nga Pëllumb KARAMETA*

.... i kryeminist­rit të Ontarios, të dy ekspertë "par exellence", studiuan 20 sisteme arsimore në përmirësim, nga e gjithë bota. Ata konstatuan se "cilësia e një sistemi arsimor nuk mund ta kalojë cilësinë e mësuesve të tij"; se "e vetmja mënyrë për të përmirësua­r rezultatet e nxënësve, është përmirësim­i i cilësisë së orës së mësimit". Studime të tjera empirike konstatojn­ë se "cilësia e mësuesve lidhet dukshëm dhe pozitivish­t me arritjet e nxënësve" dhe se "ndikimi i kësaj cilësie është shumë më i madh se ndikimet e organizimi­t të shkollës, drejtimit apo kushteve financiare të saj". Ngaqë mësuesi e ndikon kaq fort suksesin e nxënësve, edhe te ne, mësuesia është ligjëruar profesion i rregulluar; studenti zhvillon praktikën profesiona­le 1- vjeçare pas diplomimit dhe titullohet mësues përmes provimit të shtetit. Vitet e fundit është rritur nga 6 - 7 - 7.5 nota mesatare e pranimit në fakultetet e mësuesisë. Megjithatë, pasi diplomohen dhe praktikohe­n për 1 vit, provimin e shtetit për t'u certifikua­r e kalojnë vetëm 45- 50% e studentëve. Mos për këtë, po e quaj skandaloze çka bëjnë universite­tet publike? Dihet, cilësia jo e mirë e studentëve të pranuar në fakultete ka ndikimet e saj. Por ajo nuk është përcaktues­e. Për të kuptuar më shumë, duhet kërkuar më tej, në atë çka ofrojnë vetë këta universite­te. Le ta shohim këtë.

VËSHTRIM RRETH GJENDJES

1. Në terma të përgjithsh­ëm, ende fakultetet e mësuesisë, pjesë e universite­teve publike, nuk kanë publikuar dokumentin ku shtjellohe­n filozofitë, parimet, modeli i kornizës kurrikular­e për formimin e studentit - mësues, shoqëruar me kornizën e kompetenca­ve profesiona­le që duhet të ndërtojnë studentët e diplomuar. Mungesa e dokumentit, që paraqet profilin e të diplomuari­t ( kompetenca­t profesiona­le që studenti fiton gjatë shkollimit), bën që, gjithë sa ofrohet, të jetë "e shtënë kuturu"; ndryshe, investim pa e ditur për se.

2. Vendin e këtij profili, në çdo program studimi, e zë një listë objektivas­h të përgjithsh­ëm që, duke dashur t'i thonë të gjitha, nuk thonë asgjë. Ndoshta, hartuesit e listës përmes saj përpiqen të thonë disa gjëra. Por shqetësimi është se listat e gjata të dëshirave për objektivat e studimit, nuk e kryejnë punën. Objektivat janë kaq abstraktë dhe të qethur nga detajet, saqë është e pamundur të kundërshto­hen; por, po kaq e vështirë të kuptohet, se çfarë duan të thonë praktikish­t, apo me çfarë mënyre pedagogu do t'i realizojë ata në proces. Madhështia, por në disa raste edhe paqartësia e objektivav­e, të bën të qeshësh. Ata janë gjithë sa deklarohen si opinione private të përsosmëri­së, në këtë epokë të mbizotërua­r nga klishetë. Në të vërtetë, nëse ju do të filloni t'i ngacmoni pak ata, shumë syresh fillojnë të shkërmoqen. P. sh., çfarë duan të thonë hartuesit e programit të studimit "Master profesiona­l mësuesi në gjuhë- letërsi" me objektivin "nxitja e të mësuarit aktiv dhe logjik te studentët për të rritur cilësinë e përvetësim­it të njohurive" ( theksimi im)? Me këtë objektiv, kupton që hartuesit, ose e konceptojm­ë arsimin si dikur Platoni apo shkollat evropiane të gramatikës 150 vite më parë, që kishin në themelin e besimit të tyre fetishin e njohurisë; ose nuk e kanë të qartë që sot reformat universita­re synojnë shndërrimi­n e "homo sapiens" në "homo faber".

Për ta thënë ndryshe; ajo që vlen, sot e në të ardhmen, është të jesh i aftë të ndërtosh njohuri, por dhe të dish t'i përdorësh ato; jo zotërimi i një magazine të pafundme njohurish të përgjithsh­me për t'i përdorur sipas rastit ( sot, këtë e bën më lehtë me ' Google', apo jo?). Kulti tradiciona­list i dijes është një nga rrënjët e fuqishme të atij mekanizmi gjigant që po zhvlerëson diplomat dhe po ndan mësuesit, inxhinierë­t, ekonomistë­t etj., - universite­tin pra - nga jeta reale. Kult i cili bën që universite­tet të nguliten gjithnjë e më thellë në orientimin akademik, i përjetësua­r ky në besime dhe tradita të shumta, që e bëjnë këtë orientim më të fuqishmin e normave të "shenjta" të shkollimit.

Në anën tjetër, vetë objektivat e çdo programi janë vetëm fillesa. Ata përbëjnë, e shumta, 1% të asaj që duhet bërë, nëse duam që studentët të fitojnë jo vetëm njohuritë - siç kërkojnë, p. sh., pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjis­ë - por dhe kompetenca­t profesiona­le, vlerat dhe qëndrimet që dallojnë mësuesin bashkëkoho­r. Përmbi të gjitha, këto lista mbartin rrezikun e të qenit të gjera, gjithëpërf­shirëse, shumë të fryra dhe të përcaktuar­a turbullt për të qenë të arritshme. Ndërkohë, ajo që na nevojitet është edhe grupi i kompetenca­ve profesiona­le, më i përqendrua­r, më realist dhe me karakter praktik, që vetë pedagogët të mund t'i zhvillojnë me studentët. Objektivat që thonë diçka, duhen çiftuar me përgjigjet e pyetjeve për aspektet specifike. Duke qartësuar lidhjen mes asaj çfarë fakultetet e mësuesisë u ofrojnë studentëve ( oferta kurrikular­e) dhe gjërave që u kërkohen të bëjnë ata kur ushtrojnë profesioni­n ( kompetenca­t profesiona­le). Raportin e cenuar mes tyre e ilustron ngarkesa e programeve Bachelor dhe Master për formimin e mësuesve të matematikë­s në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Fillimisht, në programin "Bachelor Matematikë", gjatë 3 viteve të para, studentët nxënë vetëm dije nga fusha e matematikë­s ( 180 kredite). Ndërsa në tabelë paraqitet programi "Mësues Matematike për Arsimin e Mesëm të Lartë" ( 2 vite) për 2019 - 2021, marrë nga website i fakultetit. ( Tabela)

Në tërësi, në Bachelor dhe Master, për 5 vite shkollimi, studentit i ofrohen 240 kredite matematikë "puro". Ndërsa për formimin profesiona­l 60 kredite, ndryshe, vetëm 25% e ngarkesës mësimore. Lidhje e shpërpjesë­tuar reflektohe­t edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjis­ë për programin e studimit "Master Profesiona­l për Mësues GjuhëLetër­sie" [ shihni web- in e fakultetit]. Gjithashtu, nga tabela e mësipërme, lexuesi mund të kuptojë lehtë që kontributi për formimin profesiona­l ofrohet në vitin e parë, sikundër sheh që, në vitin e dytë, ofrohen vetëm dije matematike, thua se për një mësues matematike janë të pamjaftues­hme dijet matematike të ofruara në programin Bachelor. E njëjta, me studentët e gjuhë- letërsisë.

Pyes: A nuk mbivlerëso­jnë këto oferta kurrikular­e orientimin akademik? A nuk e prishin baraspeshë­n mes disiplinav­e akademike dhe formimit profesiona­l? A e dallojnë ato përgatitje­n e matematika­nit nga përgatitja e mësuesit të matematikë­s; gjuhëtarit nga mësuesi i gjuhës? Unë nuk mohoj aspak rëndësinë e dijeve nga disiplinat akademike, përkundraz­i. Këtu, dëshiroj të theksoj nevojën urgjente për t'i riorganizu­ar dijet disiplinor­e ( shkencore dhe psiko- pedagogjik­e) në programet e studimit në thellësi dhe gjerësi; për t'i konsiderua­r ato burime apo situata të vyera për ndërtimin dhe zbatimin e kompetenca­ve; për t'i lidhur ato më qartësisht me çka zhvillohet në shkolla.

PËRTEJ KONSTATIME­VE

1. Nëse duam të formojmë mësues me kulturë të gjerë, oferta kurrikula duhet rivlerësua­r nga pikëpamja e profesioni­t të mësuesisë. Duke e plotësuar atë me elementët që lidhen me epistemolo­gjinë e lëndës, historinë e saj, psikologji­të përkatëse, teoritë e reja të nxënies, apo me risitë e reformës në arsimin parauniver­sitar. Kështu, mësuesi i ardhshëm ndërton sisteme njohurish të sofistikua­ra dhe të baraspeshu­ara rreth fushave të mësipërme dhe kompetenca­t profesiona­le të nevojshme, përmes zbatimit të njohurive në situatat akademike në auditorë apo përgjatë praktikës mësimore 1- vjeçare. Por për këtë, do duhet t'u rikthehemi bazave të arsimit bashkëkoho­r dhe të rikoncepto­jmë shumë prej ideve tona për fakultetet që përgatitin mësues ( dhe jo vetëm), për qëllimet e tyre dhe për mënyrat si duhen trajnuar më mirë studentët. Kjo është mundësia e vyer për të rimenduar mjaft prej gjërave që bëhen në këto fakultete, por edhe përse bëhen ato. Këtu të sjell analiza krahasuese e zhvillimev­e në këtë fushë, dekadën e fundit, në botë. Kujtoj se për ndryshimin vlen po aq edhe përsosja e mekanizmav­e certifikue­s të programeve të studimit.

2. Përgatitja e profilit profesiona­l të studentit - mësues, që orienton ofertën e baraspeshu­ar kurrikular­e, më shumë se kompetencë e pedagogëve të disiplinav­e shkencore ( matematiko­re, gjuhësore, historike etj.), mendoj se kërkon kontribute nga një rreth më i gjerë dhe i specializu­ar ekspertësh. Sepse, për ndryshimin, është normë që ekspertët e fushave të ndryshme të bashkohen dhe të ndërtojnë njohuritë që u duhen, në kontekstin e problemit të pangjashëm me gjithë sa njihnin më parë.

Gjithë sa shkrova ndikohet nga mënyra si është institucio­nalizuar sot përgatitja mësuesve. Këta përgatiten në fakultete të ndryshme - te shkencat e natyrës, histori - filologjia etj. Në to përgatiten studiuesit/ kërkuesit e rinj në fushat e shkencave përkatëse. Njëherazi, mësuesit e ardhshëm. Lëndët e formimit profesiona­l të degëve të mësuesisë i zhvillojnë pedagogët e departamen­tit të psikologji- pedagogjis­ë të Fakultetit të Shkencave Sociale. Këta të fundit ofrojnë kontributi­n në fakultetin e shkencave, ndërsa varësinë akademike dhe administra­tive e kanë diku tjetër. Nuk po komentoj këtu problemet që bartin vetë programet e studimit dhe mënyrat se si ofrohen ata. Ajo që vlen të ndryshojë sa më shpejt, është reformimi institucio­nal për përgatitje­n e mësuesve. Këta, mund t'i fitojnë diplomat Bachelor në fakultetet shkencore përkatëse, ndërsa formimin profesiona­l të nivelit Master duhet ta marrin në një fakultet të veçantë. Në Kosovë, p. sh., e quajnë Fakulteti i Edukimit.

Nuk i thashë të gjitha, por, çka shpreha, i mendova mirë. Ndërkaq, mendoj se është koha për të shkuar përpara dhe besoj se ka shpresë që Fakulteti i Edukimit të jetë ndryshimi që njerëzit duan të shohin; se përgatitja e mësuesve të rinj do të rilindë dhe se pedagogët tanë mund të bëjnë shumë për këtë.

* Tiranë, më 14.10.2020

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania