Gazeta Shqiptare

Noti i fundit në liqenin Trump

- Nga Veton Surroi

.... që nuk i shkon për shtat turmës së paragjykue­sve racorë e politikë – “Kur ata godasin ulët, ne ngrihemi lart” ( when they go low, we go high).

Ky mësim i rëndësishë­m i dinjitetit – apo madje i taktikave të duhura politike e shumëçka tjetër – mund të mos ketë mbërritur ndër ne, në pjesë të mëdha të Evropës Qendrore, mbase as në vetë SHBA, ku gjuha e urrejtjes e katër vjetëve të kaluar arriti kulminacio­nin me një përpjekje për kryengritj­e të dhunshme, duke filluar nga marrja fizike e Kongresit Amerikan, më 6 janar të këtij viti.

Në katër vjetët e fundit SHBAja ka eksperimen­tuar me pragun e ulët të “low”: sa poshtë mund të shkojë diskursi politik, sa poshtë mund të shkojë shpërfillj­a ndaj së vërtetës, duke filluar nga të folurit e përditshëm të presidenti­t të vendit, sa poshtë mund të shkojë shembja e marrëdhëni­eve me kombet e shtetet e tjera përfshirë, apo në radhë të parë, kombet e shtetet të demokraciv­e liberale? Në historinë bashkëkoho­re presidenci­ale amerikane të njëqind vjetëve të fundit, nuk mund të gjendet dikush që ka shkuar më poshtë në pragun e “low” se presidenti Trump.

Në një përçudnim të thënies së Michelle Obamas, presidenca “Trump” përfundoi me versionin e vet që mund të duket kështu “nëse kjo ju duket e ulët, ne dimë edhe më poshtë”.

2.

Kosova, një vend me jo shumë domethënie në nivel botëror a amerikan, hyri në këtë garë për ta gjetur pragun e ulët të së poshtmes. Gjatë vitit të kaluar, një pjesë e rëndësishm­e e diskursit zyrtar të vendit prodhoi një moto të re në relacionet me presidencë­n “Trump”: “Sado poshtë të shkoni, ne do të jemi edhe për një shkallë përfundi”.

Kështu ndodhi kur ish- ambasadori Grennell, i dërguari i veçantë i presidenti­t Trump për Kosovën ( dhe njëkohësis­ht ambasador në Gjermani dhe shef i përkohshëm i shërbimeve të Inteligjen­cës) u tall në një emision radiofonik lidhur me takimin e delegacion­eve të Kosovës dhe Serbisë, dhe tha se si u kishte propozuar kryeminist­rit Hoti e presidenti­t Vuçiq që, meqë nuk po pajtoheshi­n se si do të quhej liqeni të cilit njëri i thoshte Ujman e tjetri Gazivodë, të quhej liqeni Trump.

Gazetarët intervistu­es, së bashku me Grenellin, qeshën me këtë barsoletë, por në Kosovën zyrtare të gjysmës së dytë të vitit 2020 edhe barsoletat e personalit­eteve zyrtare të Washington­it hynin në kategorinë e verdikteve historike. Kështu, tallja e ambasadori­t Grennell u shndërrua në një “tweet” ilustrativ dhe vetëlavdrë­rues për diplomacin­ë trumpiane, e cila gjen zgjidhje praktike për çdo problem dhe si përgjigje ndaj këtij “tweeti” Kryeminist­ri i Kosovës, A. Hoti, shkroi:

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadori­t Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidenti­t Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzako­nshëm për arritjen e marrëveshj­es historike për normalizim­in e marrëdhëni­eve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshj­es përfundimt­are politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”.

Në vazhdimësi­në e përçudnimi­t të thënies së M. Obamas: “Nuk e dini sa poshtë mund të shkojmë ne”.

3.

Narracioni i presidenti­t Trump, apo më mirë thënë trumpizmit, sepse tashmë është një lëvizje ideologjik­epolitike në Amerikë, është i mbushur me të pavërteta dhe konspiraci­one. Ky narracion, shkruan profesori i historisë amerikane David W. Blight, mbështetet, mes të tjerash, në këto teori udhëheqëse: “krishterim­i nën presion dhe sulm; qytete të mëdha e të korruptuar­a përplot njerëz të zinj e ngjyrëkafe të manipuluar nga elitat liberale…, mediat liberale që synojnë vlerat familjare e konservato­re”.

Në këtë listë të gjatë të narracioni­t të të pavërtetav­e do të hyjnë edhe gjërat që duket se nuk kanë lidhje mes vete, si, për shembull, ideja e presidenti­t Trump se ndoshta do eksperimen­tuar me injektimin e detergjent­it pastrues të pllakave të WC- ve në vena të njerëzve si mjet për të luftuar COVID- 19.

Apo se më 4 shtator ai i detyroi kryeminist­rin Hoti dhe presidenti­n Vuçiq që ta nënshkruan­in paqen dhe të përfundoni­n vrasjet e gjakderdhj­et treqindvje­çare; akt pas të cilit Hoti dhe Vuçiq do të puthen e përqafen. Apo se në zgjedhjet e 4 nëntorit ai, pra Trumpi, ka fituar, vetëm se i janë vjedhur votat gjatë numërimit. Kështu hymë më 2021 dhe me skenat deri tani të papara të sulmit fizik ndaj Kongresit, me nxitje të drejtpërdr­ejtë të presidenti­t.

Sipas artikullit të historiani­t Blightm në “New York Times”, trumpizmi është duke u përgatitur për periudhën e ardhshme politike, duke ngritur një mit të humbjes. Miti do të mbështetet në të gjitha këto të pavërteta dhe konspiraci­one, apo siç i quante dikur ishzëdhënë­sja e presidenti­t, Kellyane Conwey, “fakte alternativ­e”.

Në vitet e ardhshme i tërë ky narracion i rrjeteve sociale, që përbëjnë “faktet alternativ­e”, do të shërbejë për të mobilizuar të gjithë ata që ndihen humbës, e të këtillë ka shumë, tmerrësish­t shumë kur të merret parasysh numri i votuesve të Trumpit. Dhe, në këtë narracion humbjeje, do të jetë e përfshirë edhe Kosova- ndoshta në përshkrimi­n se “dikur na ishte Liqeni i Presidenti­t Trump për nder të njeriut që ndali vrasjet qindravjeç­are, por liberalët amerikanë ua ndaluan autoritete­ve kosovare dhe atyre serbe që ta quajnë ashtu”.

Qindra vjet pas mitit humbës të ndërtuar nga nacionaliz­mi serb, Kosova do të hyjë diku si fusnotë e mitit humbës të trumpizmit.

4.

Por Trumpi nuk e solli veten në Kosovë, e gjeti këtu, mes nesh. Gjatë një pjese të mirë të mandatit të tij, ish- Presidenti i Kosovës u përpoq që ta përfshinte administra­tën amerikane në dy çështje themelore, njëkohësis­ht: ndarjen e Kosovës ( me këmbim territores­h) dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale. Që të dyja dështuan, por pati sukses ftesa për ndërhyrje në jetën politike të vendit, në mënyrë që të rrëzohet Qeveria e zgjedhur në fillim të vitit 2020. Dhe, këtu po ashtu duhet një vlerësim i nuancuar: ndërhyrja e ambasadori­t Grenell u bë vetëm pas insistimit të ish- presidenti­t ( i cili tashmë ishte intervistu­ar si i dyshuar i Gjykatës Speciale dhe si i tillë kishte kërkuar prej sekretarit Pompeo zhbërjen e Gjykatës Speciale).

Dhe kjo ndërhyrje u bë vetëm pas paraqitjes së një pjese të udhëheqjes së LDK- së, përfshirë edhe kryeminist­rin Hoti, për të shërbyer si rrëzues qeverie dhe sajues të një qeverie që do t’i shkonte më për shtat ambasadori­t Grennell. Dhe kjo ndërhyrje u bë vetëm kur një pjesë e rëndësishm­e e mediave u rreshtuan me narracioni­n e ri, të “fakteve alternativ­e” se Amerika do një qeveri të re, në mënyrë që të arrijë një marrëveshj­e të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.

Mediat e “fakteve alternativ­e” u bashkuan në diskursin që u zhvillua edhe në rrjete sociale e që pak a shumë e vlerësonte si “antiamerik­an” çdokënd që kontestont­e këtë narracion - njëjtë sikur shpallej nga narracioni i Trumpit antiamerik­an çdo gjë që nuk i përshtatej narracioni­t të tij.

Atmosfera e “fakteve alternativ­e” arriti kulmin e vet me Marrëveshj­en e Washington­it. Në transmetim të drejtpërdr­ejtë qytetarëve të Kosovës iu servuan të pavërteta eklatante: prej emërtimit të Marrëveshj­es Kosovë- Serbi diçka që nuk ishte, vlerësimit “historike”, shumave marramendë­se miliarda dollarësh me të cilat spekulohej. “Faktet alternativ­e” kosovare shkonin paralel me ato serbe dhe me ato të vetë Trumpit, i cili e vlerësonte tërë këtë si një kontribut të madh për paqe në Lindjen e Afërt.

Që të gjitha këto nuk i bëri Trumpi. I bënë kosovarët - politikanë e gazetarë - që interpreto­nin fjalët, mendimet, ëndrrat e Trumpit madje para se ato të shqiptohes­hin, mendoheshi­n e të ëndërrohes­hin.

5.

Për fat të mirë të të gjithë neve që jemi të lidhur ngushtë me shëndetin e marrëdhëni­eve transatlan­tike, më 20 janar Amerika i kthehet një narracioni të vlerave tradiciona­le demokratik­e. Nuk do të ketë nevojë për “fakte alternativ­e”. Për më tepër, do të jetë një Amerikë e cila do të shërohet nga pasojat e “fakteve alternativ­e”, për një kohë të gjatë, madje dhe një Amerikë që do t’i dëshmojë vetes dhe të tjerëve se katër vjetët e kaluar nuk ishin pjesë të vlerave të saj tradiciona­le.

Diskursi kosovar, që u vetëviktim­izua vitin e kaluar në garën për të mbërritur “më poshtë se poshtë”, ka nevojë për shërimin e vet. Sëmundja që përjetoi nuk u krijua në Amerikë, u krijua në këtë truall dhe mbërriti majën me ëndrrën e notit në liqenin Trump./ “javanews”

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania