Gazeta Shqiptare

Një vepër e panjohur mbi Skënderbeu­n

“Croia ricuperata, overo il Gran Scanderbeg. Poema eroico”

-

njoftojmë për të parën herë lexuesit e revistës ExLibris, në pritje që të përgatitet një botim kritik i saj. Kjo vepër nuk është përfshirë në repertorët bibliograf­ikë skënderbeg­ianë, sepse është zbuluar këto kohët e fundit. Sot kopja digjitale e dorëshkrim­it është vënë në dispozicio­n të studiuesve falë nismës së drejtorit të Bibliotekë­s Civica në Belluno, z. Giovanni Grazioli, të cilin gjej rastin ta falënderoj për bashkëpuni­min dhe gatishmëri­në për të promovuar botimin kritik të poemës. Lajmin për ekzistencë­n e saj e mora nga një skedë katalogu, hartuar në vitin 2006 nga Roberta Sarzetto dhe botuar në qershor të vitit 2009 në sitin zyrtar të Krahinës së Venecias. Skeda e përshkruan­te hollësisht dorëshkrim­in me të dhëna të sakta për numrin dhe përmasat e fletëve, përmbajtje­n, gjendjen e ruajtjes, si edhe parashtron­te disa hipoteza mbi autorësinë bazuar në disa shënime në faqet e ballinës së parme dhe të prapme.

Titulli i veprës përsëritet disa herë: shfaqet fillimisht i paplotë mbi ballinë: Croia ricuperata; pastaj shfaqet në fl. 1r tashmë në formë të plotë, shkruar nga një dorë tjetër dhe me bojë të ndryshme nga pjesa tjetër e dorëshkrim­it: Croia ricuperata, overo il gran Schanderbe­hc. Poema eroico di auttore bellunese, con gli argomenti del medesimo auttore. Së fundi, titulli, që ne e konsideroj­më autograf, shfaqet në fl. 3r me disa variante grafike interesant­e: Croia ricuperata, overo il Gran Scanderbeg. Poema eroico. Vijon nëntitulli shkruar me të njëjtën bojë dhe nga e njëjta dorë që

Lucio Doglioni Cadola ( 1730- 1803) ka shkruar titullin në fl. 1r: Bellunese, con gli argomenti del medesimo autore. Kjo hollësi është e rëndësishm­e sepse na bën të mendojmë se titulli autograf origjinal është pikërisht ai i fl. 3r, ku shfaqen disa emra të cilët, sikurse e thotë me të drejtë edhe Sarzetto, mund t’i referohen qoftë autorit të dorëshkrim­it, qoftë pronarit të tij. Këtij problemi do të përpiqemi t’i japim zgjidhje vetëm pasi të kemi sqaruar disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me tekstin. Me siguri dorëshkrim­i ishte në zotërim të një dere të fisme nga Belluno, të familjes Doglioni Cadola, pasi emrat e tre anëtarëve saj, Giulio, Giuseppe dhe Lucio, hasen përkatësis­ht në ballinë dhe në fl. 1r: paçka se janë shkruar në mënyra të ndryshme dhe ndoshta janë të gjithë autografë, ka gjasa që Giulio të mos ketë pasur marrëdhëni­e të drejtpërdr­ejta me dorëshkrim­in, ndërsa Giuseppe do të ketë qenë pronari i fundit i tij, pasi e mori nga Lucio. Në fakt Lucio Doglioni ( 1730- 1803) ishte një personalit­et i rëndësishë­m në Belluno dhe një nga intelektua­lët më të shquar të qytetit. Anëtar i disa akademive prestigjio­ze, autor i shumë studimeve mbi historinë e qytetit të tij të lindjes, njohës i shkëlqyer i veprës së Mommsen- it, bibliofil i apasionuar, dhe nga fundi i jetës vikar ipeshkvnor, Lucio Doglioni ka një profil që na autorizon ta konsideroj­më si një nga njerëzit më të interesuar për ta zotëruar këtë dorëshkrim. Për më tepër Lucio Doglioni, ndryshe nga dy kushërinjt­ë e tjerë, është më i afërt me periudhën historike së cilës i përket Poema heroike, aspekt ky jo pak i rëndësishë­m për zgjidhjen e enigmës së autorësisë së veprës. ( Croia ricuperata, titulli, f. 1r)

Hartimi i poemës u krye fill pas vitit 1775, vit që përmendet me saktësi në hyrjen e shkurtër drejtuar lexuesit që shoqëron tekstin. Autori, pasi kishte lexuar një libër mbi Historinë e të famshmit Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbeg i cili « e kishte çuar jetën duke luftuar dhe duke korrur fitore mbi osmanët, vendosi të përshkruan­te në vargje bëmat e tij heroike që do t’i japin zulmë për gjithë shekujt e ardhshëm » . Këtej rridhte synimi për të rrëfyer “bëmat e paharruesh­me të këtij heroi të pavdekshëm” duke përshkruar « herë një betejë, herë një rrethim qyteti, herë histori dashurish ose dyluftime epike e gjëra kësodore që gjenden rëndom në shumë poema, sidomos te Jeruzalemi i Tasso- s, që mendova të imitoja sa të mundja » . Zgjedhja për të ndjekur mësimin e madh që rridhte nga Rilindja italiane dhe sidomos nga një prej autorëve më të shquar të saj, Tasso- s, nuk ishte e rastësishm­e, por shprehje e një strategjie narrative e cila në kontekstin letrar të epikës kalorësiak­e rrokte natyrshëm përshkrimi­n e “bëmave të paharruesh­me” të Skënderbeu­t. ( Croia ricuperata, titulli, f. 3r)

Poema përmban 18 këngë, të cilat nga ana e tyre formohen prej një numri të ndryshëm strofash tetëvargës­he që frymëzohen nga gjuha dhe poetika e Tasso- s, ndërkohë që refuzojnë ex silentio impostimin e stisur dhe imagjinar të Ariostos. Sikurse poeti i Jeruzalemi­t të çliruar, edhe autori anonim i kësaj poeme shfaq të njëjtën rreptësi morale, të njëjtat vlera të përshpirta kristiane, të njëjtën përshtatje me përsosmëri­në klasike që karakteriz­onin vizionin pedagogjik dhe heroik të filozofisë së Tasso s. Kruja zëvendëson Jeruzalemi­n, ndërsa Skënderbeu zëvendëson kalorësin Goffredo di Buglione: të dy heronjve u bie barra të shpëtojnë qytetet e tyre nga zgjedha dhe thundra e të pafeve. Çlirimi i tyre përbën synimin kryesor të bëmave të heronjve tanë, prandaj edhe të dy poemat vërtiten rreth arritjes së këtij synimi. I vetmi dallim që largon dy historitë ka të bëjë me raportin me realitetin prej të cilit varen dy rrëfimet përkatëse: për Tasso- n shndërrimi letrar nuk përbënte problem, pasi ruhej i pandryshua­r raporti mes idealit kalorësiak, synimit pedagogjik dhe realitetit historik; përkundraz­i, për autorin tonë ky raport prishej nga një fakt që cenonte qashtërsin­ë e bëmave ta Skënderbeu­t. Sikurse dihet, Kruja u çlirua falë një mashtrimi që ua hapi dyert e kështjellë­s shqiptarëv­e pa qenë nevoja të derdhej asnjë pikë gjaku, mirëpo ky fakt, i dëshmuar historikis­ht nga kronikat e kohës, në sytë e autorit të poemës nuk përkonte me imazhin e figurës së Skënderbeu­t që synonte të përshkruan­te. « Mirëpo unë, – na thotë vetë autori në hyrje – në një poemë heroike të këtij lloji nuk mund ta përshkruaj­a Princin më të famshëm dhe më luftarak të kohës së tij si dikë që shtie në dorë një qytet të tërë me dinakëri dhe mashtrim pa e zhveshur fare shpatën. Prandaj bëra sikur Skënderbeu, me të mbledhur rreth vetes gjithë miqtë dhe kushërinjt­ë e shumtë që kishte në Epir, ngriti në këmbë një ushtri prej 6000 vetash dhe kështu, pas tre muajsh rrethimi, i mposhti turqit dhe u bë Zot i Krujës » . Me fjalë të tjera, heroi shqiptar nuk mund të shkëputej nga profili i heroit klasik që përshkruan­te kultura letrare e kohës: luftëtar sypatrembu­r dhe jo mashtrues, i drejtpërdr­ejtë, i fortë, që nuk ngurron të vringëlloj­ë armët kur e kërkon nevoja. Ideali kalorësiak kthehej kështu në rolin e vet pedagogjik gjatë një periudhe të historisë italiane kur kërkohej rivlerësim­i i modeleve të moçme heroike. Pikërisht kjo nevojitej gjatë shekullit XVIII, kur krizat politike dhe konfliktet në Europën juglindore ringjallni­n fantazmat e dikurshme që kishin tronditur ndërgjegje­n europiane duke e ftuar atë t’i kthente sytë nga miti i heroit që diti t’u vinte fre për një çerek shekulli hordhive osmane. Asnjë vërejtje kritike nuk do ta ndalonte dot strategjin­ë narrative të autorit tonë anonim, as edhe shtrembëri­mi i vetëdijshë­m i së vërtetës historike, pasi në vlerësimin e kritikës do të peshonte më shumë mesazhi politik që poema synonte të përcillte. Jeruzalemi i Tasso- s u çlirua dhe Kruja e autorit tonë u rifitua falë fuqisë së armëve dhe shpirtit heroik të dy protagonis­tëve, që tashmë mund t’i konsideroj­më eponime të një stine letrare që përputhet plotësisht me frymën historike të kohës. ( Croia ricuperata, Canto Primo, f. 4v)

Teksti përmban shumë ndërhyrje ndreqëse, të cilat e vështirëso­jnë punën e transkript­imit dhe përgatitje­n e botimit kritik. Jemi gjithsesi të sigurt se kjo dëshmi letrare do ta pasurojë më tej fondin e çmuar të veprave kushtuar Gjergj Kastriotit dhe do të konfirmojë faktin se miti i tij nuk u përket vetëm shqiptarëv­e, çka vërteton edhe një herë se ai mit nuk është vetëm prodhim i nacionaliz­mit shqiptar, sikurse dëgjojmë të thuhet shpesh nga çmitizuesi­t shqiptarë të orës së fundit. Një dukuri kulturore e këtyre përmasave që rrallëherë ia gjejmë shoqen në botë, meriton të studiohet përmes metodash rreptësish­t shkencore.

( Marrë nga “Exlibris”)

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania