Gazeta Shqiptare

Një lëvizje e “harruar” dituri- shpërhapës­e

-

Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehjeje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshj­e mes ipeshkvnis­h që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17- të si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë KurbinKruj­ë, në një tjetër MirditëLez­hë. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin osman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkëve. Por më e rëndësishm­ja ishte se kishim të bënim me një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla. Françeskan­ët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjëra të popullsisë, aq më tepër që në urdhrin françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes- Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithsh­ëm prej 40 rregulltar­ësh. Edhe shekullarë­t i kishin shtuar e përmirësua­r shkollat, për faktin se Koncili i Trentos ( 1545- 1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitje­n e priftërinj­ve. “Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtari­së pastorale”.( 142)

“Shkollën e Velës e vlerëson veçanërish­t në shkrimet e veta edhe profesor Jup Kastrati, kurse akademiku Jorgo Bulo, duke pasr parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se

Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologji­k të shqipes”. ( 143) Rëndësia e saj dëshmohet edhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit ( 1703) që lëshohet posaçërish­t për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/ Velës porosit që “nxënësit pas përvetësim­it të shkrim- këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikor­e ( nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” ( 144)

At Donat Kurti në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës” më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme informacio­ni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimt­ar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës ( 1628), Shkollën e Pllanës ( me 50 nxënës, hapur me 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës ( 1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës ( hapur me 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit ( 1657), shkollën e Janjevës në Kosovë ( 1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskan­ët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit ( 1639), të Rubikut ( 1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërha­pje strategjik­e, edhe pse kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtj­a në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634.

“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628- 1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe me vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëv­e për shkollim andej dhe këndej Adriatikut.

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmë shekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekul­lore. Edhe atëherë kur persekutim­i i arsimit shqip nga autoritete­t osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionua­r shkolla e parë.( 145) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitër S. Shuteriqi, “ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Evropë, ku, përveç teologjisë, mësohej filosofia dhe studiohesh­in klasikët”. ( 146)

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencëris­ht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiogr­afie moderne, a nuk është me vend që “datëlindje­n” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutue­shme, por përafrohet natyrshëm në kohë edhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, ashtu dhe ata që hapen shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë- ipeshkvinj e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit ( 35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandë­s Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurtë”. ( 147)

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtor­en e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshm­e e veprës së rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës edhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimi­sht nga turqit.” ( 148) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucio­n shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë , kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë ? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d. m. th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632!

Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Ve l ë , Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvinj­të shqiptarë: Një traditë që vinte

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania