Gazeta Shqiptare

Kishin kthyer një banesë në laborator droge, arrestohen tre persona në Lushnjë dhe një në kërkim

-

LUSHNJE - Policia e Lushnjës ka zbuluar një ‘laborator’ droge në këtë qytet, ndërsa ka vënë në pranga 3 persona. Mësohet se në kuadër të operacioni­t të koduar “Laboratori” u arrestuan shtetasit: Fiqiri Dedej, 53 vjeç, banues në Dushk, Kreshnik Ibraliu, 30 vjeç, Klevis Likja, 38 vjeç, të dy këta të fundit banues në Lushnjë. Sipas burimeve zyrtare nga policia, këta shtetas, në bashkëpuni­m me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së Fiqiri Dedej, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën 170 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratori­ke, të cilët u sekuestrua­n në cilësinë e provës materiale. Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua­n të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike, kapikorta (pajisje me të cilat ishte bërë lidhja e paligjshme e energjisë elektrike). Gjatë operacioni­t, në banesën e Dedejt është gjetur dhe sekuestrua­r dhe një armë gjahu pa leje. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokuroris­ë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania